XHAFER DURMISHI – SKENDERI: KADRIU I PROPOZON ANËTARËSIM IBRAHIM KELMENDIT POR AI NUK PRANOI (5)

Pashtriku, 24 Korrik 2019:
16.Avokati secilën herë trishtohet më shumë
Ibrahim Kelmendi: ”Po më vështirësohet formulimi i komentimeve, sepse secilën herë po trishtohem më shumë për shpërdorimin që ua ka bërë dhe po ua bën Sabri Novosella – Jusufit, Xhaferit, Shefqetit, Metushit, etj.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)

Suzana Gërvalla: ”Pas shikimit të filmave erdhën tek ne. Jusufi, Ibrahim Kelmendin tri herë e ka qitë prej shtëpie. Se Ibrahimi ishte spiun shumë i rrezikshëm. E dishim të gjithë se çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka mbetë. Edhe ne të gjitha dyshimet i kemi tek ai.” (Suzana Gërvalla, Intervistë/Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017, koha në film 6:59-7:23)
17.Tamam ka vendosur pikën mbi i
Faktin se Lëvizja e Jusufit është quajtur Lëvizje Nacionalçlirimtare e pamë se si është shfrytëzuar maksimalisht dhe në mënyrë tejet të vendosur apo edhe të paepur gjer në fund, për ta parkuar atë në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës dhe mbajtur në distancë të sigurt nga OMLK-ja, së bashku me elementët e dyshimtë, me krijesat e me Frontet e UDB-së, me arsyetimin se Lëvizja e Jusufit nuk është komuniste, se komunistët janë të ndërtuar prej një brumi të veçantë, se Jusuf Gërvalla nuk është prej brumit me të cilin është gatuar Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka e brat Berat Luzha. Pas falimentimit të komunizmit të Mehmet Hajrizit dhe të shokëve të tij, rishkrimi e falsifikimi i historisë nga këta të fundit bëhet me po aq taktika qesharake e të tejdukshme, krejtësisht identike me ato të Sabri Novosellës, sa me të vërtetë të hyn dyshimi se jo vetëm që janë të një brumi por mos janë edhe bineq të një nane, të larë e të shpërlarë në të njëjtën koritë.
Ibrahim Kelmendi: ”Konstatime interesante. Tamam ka vendosur pikën mbi i (edhe pse nuk ia di tamam domethënien e kësaj sintagme, “pikat mbi i”?).” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Suzana Gërvalla: ”Pas shikimit të filmave erdhën tek ne. Jusufi, Ibrahim Kelmendin tri herë e ka qitë prej shtëpie. Se Ibrahimi ishte spiun shumë i rrezikshëm. E dishim të gjithë se çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka mbetë. Edhe ne të gjitha dyshimet i kemi tek ai.” (Suzana Gërvalla, Intervistë/Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017, koha në film 6:59-7:23)
18.Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit
Selatin Novosella: “Duke qenë ndër udhëheqësit e nivelit më të lartë të LNÇKVSHJ-së, duke mbajtur lidhjet me Metush Krasniqin në Kosovë e Sabri Novosellën në Turqi, nga njëra anë: duke qenë mik i afërm me Hydajet Hysenin në Kosovë dhe Kadri Zekën në diasporë, si udhëheqësit më të lartë të OMLK-së, nga ana e dytë … Jusuf Gërvalla, kështu do të shndërrohet në faktor koheziv dhe të pazëvendësueshëm.” (Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 147-148)
Ibrahim Kelmendi: ”Nuk kam çfarë të komentoj këtu. Vazhdoj të kem keqardhje për “shoqërimin” e JG me SN, rrjedhimisht për raportet: epror (SN), vartës (JG).” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)

Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi 

Jusuf Gërvalla: “Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit.
Ka disa muaj që unë po fluturoja nga gëzimi, në pritje të bashkimit të forcave tona revolucionare, që isha bërë gati ta quaja bashkim historik. Më herët të kisha dërguar një letër dhe të kisha thënë se këtë bashkim unë vetë nuk e shoh çështje aq të thjeshtë. Ka probleme parimore për të cilat duhen marrëveshje serioze, siç është ai se a duhet të kemi fare parti k.m.- l., (komuniste marksiste-leniniste – shën i Xh. D.) apo ajo parti është e domosdoshme për t’i dalë në ballë popullit tonë në drejtim të luftës dhe të fitores. Ky ishte për mendimin tim problemi kyç. Meqë me Organizatën e shokëve të “Lirisë” kishim të përbashkët ideologjinë e qëllimin dhe ndonjë ndryshim të vogël në pikëpamje të taktikës revolucionare dhe të organizimit, kujtoja se pas disa bisedimesh mund të rregullohej shumëçka. Për veten time, në shërbim të kësaj çështjeje, nuk kurseva gjumë as punë, shëndet as djersë, e besa as shpenzime materiale. Aq më pak e kam kursyer sinqeritetin e shokut me shokun, e revolucionarit me revolucionarin. Si të kursehem në një kohë që populli ynë, i cili sot po martirizohet si rrallëherë në historinë e tij shumëshekullore, pret nga djalëria e tij patriotike e revolucionare që ajo të çajë rrugë drejt luftës dhe fitores, e lidhur fort me besa besë dhe me grushtin të bashkuar.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 273-274)
19.Festa e 28 Nëntorit 1981 në Höpfigheim
Jusuf Gërvalla: “Tani të njoftoj se bashkë me shokun e „Bashkimit“ dhe të „Lirisë“ kemi vendosur të organizojmë një manifestim qendror për kremtimin e festës kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit në Shtutgart. Do të mblidhemi nja 300-400 veta nga Gjermania, Zvicra e Belgjika. Një pjesë e shokëve do të shkojnë për festë në Vjenë.” (Letër Sabri Novosellës,16 nëntor 1981)
Ibrahim Kelmendi: ”Informim për një bashkëveprimtari rutinë, do të thosha. Por, e solla si shembull për të plotësuar mozaikun kohor, se nuk kemi qenë të armiqësuar ndonjëherë.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Raportet e kësaj kohe shihen mirë në letrën e 5 nëntorit 1981, pa përjashtuar këtë të 16 nëntorit, të dyja dërguar Sabri Novosellës, dhe raportet vulosen me letrën që Jusufi ia dërgon Kadri Zekës më 7 dhjetor 1981.
Ideja që festa 28 Nëntorit i vitit 1981 të organizohet në Shtutgart, së bashku me aktivistët Zvicrës dhe Dusseldorfit, ka qenë e Kadri Zekës. Poashtu në bazë të planit të Kadri Zekës bëhet ndryshimi. Vetëm aktivistët e Zvicrës vijnë Shtutgart, kurse atyre në Duseldorf u thuhet ta bëjnë organizimin ata vetë.
Si ka qenë atmosfera në këtë mbrëmje pjesërisht, e vërteton edhe Faridin Tafallari.
Faridin Tafallari: “Edhe kur ishte Jusufi ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, por këto i shkaktonin disa që bënin shpifje. Kur Jusufi e kuptoi qëllimin e keq të tyre, diti t’i shuaj grindjet dhe t’i kaloj në mirëkuptim, duke mënjanuar ata që villnin vrer kundër shokëve. Për disa raste të tilla kam qenë edhe vet dëshmitar; kur në kremtimin e 28 nëntorit 1981 disa mundoheshin të nxitnin njerëzit kundër Kadri Zekës. Jusufi i kuptoi shpejt marifetet e disave dhe ua preu shkurt.” (Terror-Dhimbje-Qëndresë, faqe 115)
Për festën e 28 Nëntorit në Shtutgart, Jusufi e Kadriu i ndajnë punët në këtë formë. Kadriu do t’u flet bashkatdhetarëve për revizionizmin jugosllav dhe karakterin antipopullor të revizionizmit, pasi si komunist është kompetent në këtë pikë. Jusufi vendoset që të flet për 28 Nëntorin dhe të koncentrohet në argumentimin e kërkesës Kosova-Republikë. Gjatë mbrëmjes së 28 Nëntorit 1981, Jusufi i shkëmben këto fjalë me Kadriun:
Jusufi: Si t’u duk ty dhe shokëve tjerë në Zvicër, “Zëri i Kosovës”?
Kadriu: Mund të përgjigjem për vete por edhe për shokët e Zvicrës megjithëse ata nuk e kanë pa, pasi ne nuk e kemi ndërmend me e shpërnda Zërin tënd në radhët tona.
Jusufi: Ani mirë, por megjithatë jam kureshtar si t’u ka dukur ty e me këtë edhe atyre, pasi ti flet në emër të tyre?
Kadriu: Zëri yt është plagjiat.
Jusufi: Plagjiat i kujt?
Kadriu: Plagjiat i Lirisë.
Në këtë kohë, pas katastrofës në Stamboll, Kadri Zeka i ndihmuar pa kursim nga Ibrahim Kelmendi, fillojnë fushatë kundër Jusufit.
Në kryeartikullin e Jusufit me titull “T’I JAPIM SHTYTJE TË RE LUFTËS”, i cili u lexua nga Jusufi në mbrëmjen e 28 Nëntorit, pos tjerash, thuhet:
Jusuf Gërvalla: “Karshi zhvillimit të tillë të ngjarjeve, për forcat tona të organizuara patriotike e revolucionare, për rininë dhe popullin tonë dalin detyra serioze, të barasvlershme me përpjekjet historike shekullore për ekzistimin e kombit shqiptar në tërësi dhe për këmbënguljen në realizimin e të drejtave të ligjshme të pjesës së robëruar të popullit tonë nga shovinistët jugosllavë, në veçanti.
Po të kihet parasysh pesha historike e situatës aktuale, një detyrë prioritare del bashkimi optimal i organizatave e grupeve komuniste, patriotike dhe revolucionare, të cilat luftën kombëtare dhe shoqërore të popullit tonë të shumëvuajtur e marrin në tërë seriozitetin e saj. Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e ‘politikës së madhe’, lojën e ARRIVIZMIT revolucionar, të udhëhequra prej karrieristësh MEGALOMANË (fjalët i drejtohen Kadri Zekës dhe shokëve të tij – shën im), dhe ato që janë organizuar prej ELEMENTESH TË DYSHIMTA, (këto fjalë i drejtohen ish-inspektorit të UDB-së Abdullah Prapashtica – shën im) e tani mbjellin në radhët e njerëzve tanë anarki dhe sjellin dezinformime në fitim të qeverisë së Beogradit i ftojmë të heqin dorë nga rruga e tyre e gabuar. Gjaku i derdhur, burgu i zi dhe terrori çnjerëzor që po ushtron mbi bijtë e bijat e Kosovës trime, na obligon që Atdheut tonë t’i dalim hakut me një dashuri që bëhet, – siç thotë … – me ngut, me alarm, me përpjekjet mbinjerëzore të luftëtarëve të vërtetë të lirisë.” (Zëri i Kosovës, nr. 2 janar 1982, faqe 2, shtylla 2)
Jusuf Gërvalla: “Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por MEGALOMANINË E ARRIVISTËVE të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe tendencën për dominim me çdo kusht mbi të tjerët.”(Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 274)
20.THEMELI ËSHTË VËNË ME TË PAVËRTETA
Ibrahim Kelmendi: ”Informim për një bashkëveprimtari rutinë, do të thosha. Por, e solla si shembull për të plotësuar mozaikun kohor, se nuk kemi qenë të armiqësuar ndonjëherë.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Hydajet Hyseni: “Por siç i ishte ankuar Jusufi Kadriut, ishte pikërisht kjo që kishte shkaktuar disa keqkuptime me ndonjë veprimtar të shquar me të cilët Jusufi ishte në lidhje.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 292)
Më 7 dhjetor 1981, me postë, paradite, ka ardhur tek Jusufi një zarf postal me dy dokumente në te. Njëri ka qenë ftesa personale (me sa më kujtohet), individuale apo familjare për Jusufin, për dasmë dhe tjetri ka qenë një dokument me titull “Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”, që në bazë kishte të pavërtetën, pra ishte një lloj testimi se mos këtë të pavërtetë e këtë manovrim po e përbinë edhe Jusufi. Jusufi po atë ditë, në praninë time i shkruan këtë përgjigje Kadri Zekës.
Jusuf Gërvalla: “Thirrjen për bashkim me frontin po ta kthej ashtu si ma dërgove. Ato që thuhen në të për bashkimin e të gjithë organizatave komuniste, patriotike e revolucionare, dhe që, sipas meje, përbëjnë themelin e kësaj thirrjeje, janë në kundërshtim me informatat më të reja që kam marrë nga shokët e Lëvizjes. Si janë sjellë punët këto kohët e fundit, në gjithë çështjen ka gjëra të mjegullta (dëshiroj të gabohem nëse them se mjegullimi ka ardhur nga mënyra e veprimit të shokëve të Organizatës m-l).
Për mua konkretisht, dhe shokët e Lëvizjes me të cilët kam kontakt, thënia në “Thirrje”, ku thuhet se është bërë bashkimi i organizatave, nuk është e vërtetë, së paku deri në këtë çast, ndërsa thirrja është shkruar shumë më herët.
Ju po deshët mund të delni me atë thirrje. Por duhet të jeni të vetëdijshëm se çfarë mund të jenë sukseset dhe konsekuencat e një pune, në dokumentin e parë të së cilës themeli është vënë me të pavërteta.” (Letër Kadri Zekës, 7 dhjetor 1981; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 277)
21.KADRIU I PROPOZON ANËTARËSIM IBRAHIM KELMENDIT POR AI NUK PRANOI
Ibrahim Kelmendi: ”Unë nuk kisha kaluar në ndonjë organizim me vete të Kadri Zekës. As ai nuk e ka kërkuar këtë nga unë.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Shefqet Cakiqi-Llapashtica: “E di se edhe Ibrahim Kelmendi ka pas pakënaqësi për përfshirjen ose mos përfshirjen e tij në bisedime për bashkimin në Frontin për Republikën e Kosovës … pas publikimit të Tezave të OMLK-së në vjeshtë të vitit 1981. (Fjalë të drejtuara Ibrahim Kelmendit, Afishuar me: 23.03.2007 21:22, www.kosova,de)
Ibrahim Kelmendi: “Sigurisht se nuk e dinë më mirë se unë, që do të thotë se unë kam qenë i inkuadruar në të gjitha takimet për bisedime. Në ndonjërin nga ato takime kam shkuar me bashkëveprimtarë, të cilët mund të dëshmojnë.” (Fjalë të drejtuara Shefqet Cakiqit-Llapashticës, Afishuar me: 23.03.2007 22:57, www.kosova.de)
Jusuf Gërvalla: “Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë. Edukata ime s’më lejon të veprojë në mënyrë të tillë. Shokët e tu të rinj e kanë me borxh ta bëjnë këtë punë. Unë e di se ata e kanë vështirë ta bëjnë, sepse, po ta bënin, do të duhej të flisnin hapurazi kundër punëve të tyre të pahijshme.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë1997, faqe 411)
Dëshmitari i komunistëve të OMLK-së, Ibrahim Kelmendi nuk pranon të bëhet shok organizate me Kadri Zekën.
Ibrahim Kelmendi: “Kadriu i propozoi Miranit anëtarësimin, por Mirani nuk pranoi me arsyetimin se dëshironte të priste edhe ca, pasi bisedimet duhet të rindodhnin shpejt dhe ato do të sillnin bashkimin.”(Atentatet, f. 306)
Ibrahim Kelmendi: ”Unë nuk kisha kaluar në ndonjë organizim me vete të Kadri Zekës. As ai nuk e ka kërkuar këtë nga unë.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Kush e di këtë punë më së miri pos I. Kelmendit? Se si nuk pranon Ibrahim Kelmendi të bëhet shok në një organizatë me Kadri Zekën, përveç Jusufit, në mënyrë të mrekullueshme – e dëshmon Faridin Tafallari:
Faridin Tafallari: “Për herë të parë u prezantova me të në Shtutgart; ai ishte me Ibrahim Kelmendin që kishte telefonuar të vija në takim. M’u afrua dhe më tha: “Ti Faridin me të vërtetë je luftëtar i lirisë. Të kam veçuar nga të tjerët. Duhet të bisedojmë bashkë shtruar e gjerësisht.
Po i thash – jam i lumtur dhe me dëshirë pres atë çast. Që aty u nisëm për në banesën time. Kadriu me Ibrahimin e kishin vendosur që më parë të më takonin dhe prandaj më kishin telefonuar… Kadriu më foli për Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK). Më pyeti se a isha i organizuar diku dhe unë iu përgjigja se për këtë kam biseduar me Jusufin. …
Çështjen e organizatave si e shikoni shoku Zekë, fjalën e kam për bashkimin e tyre se Jusufi më ka folur për bashkimin e të gjitha organizatave që veprojnë.
-Po Faridin tha Kadriu, – nuk ka dyshim që duhet të bashkohemi. Por ja që akoma nuk po gjendet një mendim i përbashkët. Po edhe kjo do ta gjej momentin.
Ne me Frontin e Kuq Popullor jemi bashkuar dhe tani na duhet të gjejmë një mundësi bashkëpunimi edhe me Lëvizjen (LNÇKVSHJ).” (Terror, Dhimbje Qëndresë, Tiranë 1997, f. 37-38)
– e dëshmon Hasan Mala, i cili ia vërteton fjalët e Faridinit të thëna në librin Terror Dhimbje Qëndresë:
Hasan Mala: “Nga zemra të uroj shumë sinqerisht dhe sukses, se është shkruar ashtu si është, si ka qenë. Të lumtë, të lumtë …. se aty është e vërteta dhe vetëm e vërteta.” (Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, f. 382)
– e dëshmon Xhafer Shatri, i cili ia vërteton fjalët e Faridinit të thëna në librin Terror Dhimbje Qëndresë.
Xhafer Shatri: “Libri është një realitet dhe i paanshëm. Ky libër është si një lis i natyrshëm…Andaj, të lumtë dhe të uroj nga zemra suksese që iu kushtove këtij libri madhor të kohës…”. (Faridin Tafallari, Dhimbje krenare, f. 382)
Për sqarim në këtë rast dua të them se vlerësimet e mrekullueshme të Hasan Malës e Xhafer Shatrit për librin e Faridin Tafallarit, Terror Dhimbje Qëndresë (1997) gjenden të botuara në librin vijues të F. Tafallarit, Dhimbje Krenare (Tiranë, 1998).
Dëshmia e Faridin Tafallarit, Hasan Malës dhe Xhafer Shatrit për bashkimin e Kadri Zekës me Frontin e Kuq Popullor përputhet tërësisht me faktin që na e ka lënë Jusufi me shkrim.
Jusuf Gërvalla: “Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë. Edukata ime s’më lejon të veprojë në mënyrë të tillë. Shokët e tu të rinj e kanë me borxh ta bëjnë këtë punë. Unë e di se ata e kanë vështirë ta bëjnë, sepse, po ta bënin, do të duhej të flisnin hapurazi kundër punëve të tyre të pahijshme.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë1997, faqe 411)
Jusufi e di dhe na e jep faktin më të fuqishëm e të padiskutueshëm se ku bënë pjesë dhe cilët janë shokët e rinj të Ibrahim Kelmendit, të cilët ky far Ibrahim Kelmendi, i cili është person “që i respekton vendimet”, e demonstron besnikërinë për shokun e vetë të vrarë në këtë formë:
“Kadriu i propozoi Miranit anëtarësimin, por Mirani nuk pranoi”,
e mohon me sa fuqi që ka. Por nuk është vetëm Ibrahim Kelmendi që e mohon Kadri Zekën e gurin e varrit të tij. Ky farë Ibrahim Kelmendi, ky farë shoku i Kadri Zekës është dëshmitari i besueshëm i vëllezërve të Kadriut, Saime Isufit, Hydajet Hysenit, Berat Luzhës e Mehmet Hajrizit.
Suzana Gërvalla: ” Më vonë ka pasë probleme me marksist-leninistët. U bënë bashkë Ibrahim Kelmendi me Kadri Zekën kundër Jusufit.” (Suzana Gërvalla, Intervistë/Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017, koha në film 5:24-5:57)
VIJON …
(Shkëputur nga libri i autorit Xhafer Durmiashi – Skenderi: Ti ia ke besuar arkivin e Jusufit)
_________________
XHAFER DURMISHI – SKENDERI: IBRAHIM KELMENDI – ‘NUK JAM DUKE E KUPTUAR JUSUFIN PËR KËTË LLOJ DEZINFORMIMI’ (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8976

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura