DR.VAXHID SEJDIU: PANAIRI I LIBRIT ‘DIASPORA 2019’, NJË NGJARJE E MADHE KULTURORE NË ZVICËR!

Cyrih, 25 shtator 2019: – Organizimi i Panairit të Librit në Uster “Diaspora 2019” ishte një ngjarje e madhe kulturore në Zvicër. Këtë e thanë përfaqësuesit e shtëpive botuese, autorët dhe vizitorët të cilët patën rastin të ndjekin nga afër gjatë tërë ditës prezantimin e librave dhe autorëve të zhanreve të ndryshëm.
Te dielën më 15. Shtator, në Uster të Kantonit të Cyrihut, Shoqata “Bashkimi” organizoi Panairin e parë të Librit shqip në Zvicër. Qysh herët në mëngjes çdo gjë ishte gati, një angazhim i të gjithë anëtarëve të Shoqatës e bëri të mundshme, që salla e madhe e qytetit të vihet në shërbim të librit shqip gjatë tërë ditës nga ora 10:00 – 19:00. Tavolina të mbushura me libra, shtëpi botuese, autorë të zhanreve të ndryshëm, krijues nga mërgata shqiptare, shkrimtarë, studiues, gazetarë, të gjithë nën hijen e librit. Hapjen e Panairit të Librit „Diaspora 2019“ e bëri kryetari i Shoqatës „Bashkimi“ z. Guximtar Alushi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe iu përkujtoi se kishin nderin që datën 15. Shtator ta shënojnë si ditë të librit. Pjesëmarrësit me një fjalë përshëndetëse i përshëndeti edhe profesoresha e nderuar znj. Elena Kocaqi, e cila tha: “se ndihet e privilegjuar që është në këtë Panair, në mesin anëtarëve të Shoqatës dhe në mesin e krijuesve mërgimtarë”. Në emër të Qendrës së Botimeve për Diasporën foli znj. Mimoza Hysa, shkrimtare dhe drejtoreshë e Qendrës, e cila i njoftoi pjesëmarrësit për përpjekjet e Qendrës së Botimeve për Diasporën rreth detyrave konkrete siç është mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe, njohja dhe përhapja e kulturës kombëtare në diasporë përmes botimit të teksteve shkollore, botimit të librave me përmbajtje letrare, historike etj., si dhe mbështetja e veprimtarive edukative e kulturore, që kanë për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesi i saj z. Islam Spahiu dhe në emër të Konsullatës së R. së Kosovës znj. Shukrije Ramadani, të cilët i uruan suksese panairit. Hapjes së Panairit iu bashkëngjit edhe z. Gani Bytyqi kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptar në Zvicër. Vlen të përmendet se programin e moderoi ish-nxënësja e shkollës shqipe Shqiprina Xhemaili.
Po ashtu gjatë Panairit ranë në sy detajet e veçanta; nga ana e organizatorit; ishte përgatitur që në vend të shiritit, Panairin të hap nxënësja e klasës së dytë të shkollës shqipe në Uster, Gresa Shala, me vargjet e poetit Xhevahir Spahiu “Abetare, abetare”, e cila i përfitoi zemrat e të gjithëve. Në kuadër të prezantimit të autorëve nxënësit e shkollave shqipe po ashtu ishin në qendër të vëmendjes, ata ishin pjesë programit qendror duke marrë pjesë në konkursin letrar të shpallur enkas për ditën e Panairit të Librit.
Në pjesën e parë të prezantimeve me një vëmendje të veçantë nga ana e pjesëmarrësve dhe vizitorëve u përcollën prezantimet siç bie fjala e prof. Dr. Elena Kocaqit rreth librit “Lufta e Trojës”, prezantimi i znj. Mimoza Hysa rreth projekteve të Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe prezantimi i nxënësve fitues në Konkursin letrar: Erijon Dervishit dhe Fisnik Maxhunit, nxënës të shkollës shqipe.
Në pjesën e dytë, po ashtu me interes të gjerë ishte prezantimi z. Rexhep Hida, rreth botimeve të Shtëpisë së parë Botuese Shqiptare “Fan Noli”, prezantimi i Shoqatës “Mëmëdheu” dhe librit të Bardhyl Mahmutit “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, prezantimi i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”, prezantimi i librit “Zvicra dhe ligjet e saj” të autorit Lirim Begzati, prezantimi i z. Besnik Camaj – prof. i informatikës grafike, prezantimi i librit “Besa” të autorit Tunë Nokaj, prezantimi i gazetarit Rexhep Rifati me librin “Shtegtimet e një gazetari”, pastaj prezantimi i znj. Flora Balaj me librin “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë dhe z. Bejtullah Tahiri, me një prezantim të shkurtër të librit “Nga grupi revolucionar te fronti i Republikës”.
Vlen të theksohet se në fund të Panairit organizatori (Shoqata “Bashkimi” në Uster) i ftoi pjesëmarrësit dhe dëgjoi përshtypjet e tyre gjatë ditës së Panairit, si dhe në bazë të përshtypjeve dhe bisedave të zhvilluara me vizitorët dhe pjesëmarrësit vendosi që ky Panair të shpallet i përvitshëm duke shpresuar që Panairi i Librit “Diaspora 2020” te jetë dhe më i suksesshëm, me një pjesëmarrje edhe më të gjerë dhe me një program dy ditor.
Në fund, Këshilli për Organizimin e Panairit të Librit (Guximtar Alushi, Vaxhid Sejdiu, Muharrem Blakaj, Bekim Bajraktari dhe Agron Idrizi), së bashku me anëtarët e Shoqatës u paraqiten me një Konferencë të shkurtër rreth Panairit, ku edhe bënë publike mbajtjen e Panairit të Librit në vitin e ardhshëm. Data, vendi do të shpallen menjëherë pas mbledhjes së parë të Shoqatës – u tha në mes tjerash.
Pas, përmbylljes se Panairit, të gjithë ishin të ftuar në një darë të përbashkët, e cila kaloi në një atmosferë miqësie dhe suksesi.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura