Shkup, 10 shkurt 2021: Anton Pavloviç Çehovi është novelist dhe dramaturg rus. Lindi në Tanganrog, Rusi, më 29 janar 1860. Vdiq në Badenweiler të Gjermanisë, më 15 korrik 1904. Njihej me pseudonimin Antosha Çehonte. Me profesion ishte mjek dhe letrar. Nga llojet letrare që i krijoi janë dramat dhe tregimet e shkurtra. I përket periudhës letrare të modernizmit dhe të realizmit. Veprat kryesore të tij janë dramat “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja”, “Kopshti i vishnjave”, “Pulëbardha”.
Prindër të Çehovit janë Pavel Jegoroviç dhe Eugjenia Jakovlevna Morozova. Babi ishte tregtar. Çehovi ishte fëmija i tretë prej gjashtë fëmijëve. Në periudhën e viteve 1876-1879 Çehovi ndoqi shkollën fillore dhe atë të mesme në Tanganarog. Në këtë kohë, shpesh shkonte në teatër, botonte tekste dhe redaktonte gazetën e shkollës. Në vitin 1876, babi i Çehovit bankroton dhe bashkë me familjen shpërngulet në Moskë, por Çehovi mbetet në Tanganrog. Në këtë kohë Çehovi shkruan dramën e parë të vet “Pa baba”. Kjo dramë. sot e kësaj dite nuk është gjetur. Në vitin 1879 Çehovi e kryen shkollën e mesme dhe shkon në Moskë. Në Universitetin e Moskës regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1884 mori titullin e mjekut të rrethit. Për shkak të moskryerjes së punimit të diplomës, kurrë s’arriti ta marrë titullin e mjekut. Në vitet ’70 të shekullit XIX, filloi të merret me letërsi, por jo rregullisht. Shkruante humoreska të shkurtra dhe parodi, pa ndonjë qëllim artistik serioz. Botonte me pseudonime. Më së shpeshti me pseudonimin Antosha Çehonte. Në vitin 1890 udhëtoi për në Sahalin. Nga ky udhëtim rezultoi libri publicistik “Ishulli Sahalin” (Ostrov Sahalin, 1893-94). Këtu arriti të njohë kushtet mjekësore, ekonomike dhe shoqërore të veriu të Rusisë. Në vitin 1898, për shkak të tuberkulozit, u shpërngul në Jaltë. Në vitin 1901 u martua me aktoren e Teatrit të Artit të Moskës (MHT), Olga Knipper. Në vitin 1904 vajti për mjekim në Gjermani, ku edhe vdiq.
Ndonëse pohonte se mjekësinë e ka grua, ndërsa letërsinë – dashnore dhe përkundër faktit se jetën profesionale të vet më shpesh ia kushtonte pikërisht mjekimit, megjithëkëtë, në mjekësi mbeti i njohur më tepër si i sëmurë, ndërsa famë botërore i solli teatri.
* * *
Tregimet e para i botoi për të mundur të mbahet gjatë studimeve të mjekësisë. U shfaq në letërsi me humoreska të shkurtra, me shprehje dhe karakterizime të thukëta (koncize). Më pas kaloi në novela dhe në tregime, ku humori i tij pikëllues, dalëngadalë u shndërrua në rezignim dhe dëshpërim. Të njëjtën tematikë e përpunoi edhe në drama, në të cilat nuk ka as thurje tradicionale dhe as zgjidhje. Nuk ka as heronj të vërtetë dhe as pasione të forta. Në to, me elemente lirike është theksuar sugjestioni i atmosferës në të cilën zhvillohet jeta e heronjve të tij.
* * *
Tregimtari francez Gi dë Mopasan (Guy de Maupassant, 1850-1893) është një prej përfaqësuesve më të mirë të natyralizmit evropian, nën ndikimin e fuqishëm të tregimtarit dhe romancierit francez, Gystav Flober (Gustav Flaubert, 1821-1880). Mopasani është themelues dhe mjeshtër i novelës natyraliste. Ka shkruar rreth 300 novela, gjashtë romane dhe vepra të tjera. Vdiq në spitalin psikiatrik. Disa elemente të sëmundjes së tij (gjendje psikopatike të frikës) u manifestuan edhe në veprat e fundit të tij (“Frika”, “Halucinacioni” etj. Esteti dhe shkrimtari italian Benedeto Kroçe (Benedetto Croce, 1866-1952) e quan Mopasanin poet i lindur, për arsye se, në aspektin e prosedesë krijuese, lë në vepër një pastërti të kulluar. Sipas Mopasanit, “arti është e vërtetë e zgjedhur dhe ekspresive”. Benedeto Kroçe ishte nxënës i kritikut dhe historianit italian të letërsisë Françesko De Sanktis (Francesco De Sanctis, 1817-1883).
Krahas Mopasanit, Çehovi konsiderohet novelisti më i madh i realizmit evropian, ndërsa me dramat e veta ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë ndikim të fuqishëm mbi teatrin evropian. Në fillim, Çehovi shkruante tregime vetëm për përfitime financiare, por me rritjen e ambicieve të tij, ai solli risi formale që ndikuan në evolucionin e tregimit modern të shkurtër.
Gjatë studimeve, në revistat studentore boton artikuj anonimë. Shpejt e zgjedh edhe pseudonimin Antosha Çehonte. Me këtë pseudonim shkruan në revistat Peterburgajska gazeta, Nova vremja, Oskolki dhe Ruskaja mysl. Në vitet 188 dhe 1887, shkruan me pseudonimet Mjeku që i ka humbur pacientët e vet, Vëllai i vëllait tim, Njeriu pa… etj.
Në vitin 1881 Çehovi shkruan dramën e cila më vonë do të njihet me titullin “Platonov”. Kjo dramë do të shfaqet në vitin 1923, gati njëzet vjet pas vdekjes së autorit. Çehovi studioi mjekësinë dhe ishte mjek i rrethit. Titullin e mjekut nuk e mori për arse se nuk e kreu punimin e diplomës. Punën praktike e fillon në Çekin. Po atë vit boton përmbledhjen me tregime “Përralla të Melpomenës”. Në dhjetor 1881 i shfaqen simptomat e tuberkulozit. Në vitin 1884 e shkruan dramën me një akt “Në rrugën kryesore”. Veprimi i kësaj pjese zhvillohet në tavernën që ndodhet në rrugën kryesore. Teksti u ndalua nga censura dhe u vlerësua si i papërshtatshëm për t’u shfaqur. Për herë të parë u botua në vitin 1914, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Çehovit. Një vit më vonë, Çehovi udhëtoi për në San-Petërburg. Këtu njihet me botuesin Aleksej Suvorin dhe me piktorin Isak Levitan. Midis tyre lind një miqësi e afërt. Shpejt pas njoftimit, fillon të shkruajë dhe të botojë tekste në gazetën e Suvorinit Novo vrijeme (Koha e Re). Në prill të vitit 1890, Çehovi niset në udhëtim për në Siberi dhe arrin në ishullin Sahalin. Duke qenë mjek, këtu hulumton jetën në kampet e ndëshkimit. Pas kësaj, lundron nëpër Paqësor dhe nëpër Oqeanin Indian. Ky udhëtim zgjati deri në tetor të të njëjtit vit. Udhëtimet në jetën e Çehovit kanë qenë konstante, kështu që në vitin 1891 niset për në Evropën Perëndimore. Po këtë vit, i botohet novela “Dyluftimi” dhe “Gruaja nga fshati”. Blen një pronë të vogël në Melihovë të rrethit të Serpuhovskit ku shpërngulet me familjen.
Në vitet 1892-1893 përhapet epidemia e kolerës. Si një prej personave kryesorë të komisionit sanitar të krahinës, Çehovi i mjekon falas fshatarët më të varfër dhe lufton kundër urisë. Boton njëmbëdhjetë tregime, duke përfshirë edhe tregimet “Gruaja ime”, “Karkaleci”. Boton edhe pjesën me një akt “Jubileu”.
Në vitin 1893 e fillon një aventurë dashurie me Lika Mizinova, me të cilën nuk do të kurorëzohet. Ajo do t’i shërbejë si inspirim për personazhin e Ninës në dramën “Pulëbardha”. Shkruan veprën “Ishulli Sahalin”. I botohen tekstet “Tregim anonim” dhe “Vologja i madh dhe Vologja i vogël”. Në vitin 1894 gjendja shëndetësore i përkeqësohet, ndaj udhëton për në Itali dhe në Paris. Boton veprat “Studenti”, “Mësuesi i letërsisë”, “Murgu i zi” dhe “Në verim”.
Në vitin 1897, aktori, regjisori dhe teatrologu rus Konstantin Sergejeviç Stanislavski (1863-1938) dhe regjisori rus dhe sovjetik, shkrimtari, pedagogu, dramaturgu, producenti e drejtuesi i teatrit Vladimir Nemiroviç Dançenko (Ozurgeti, Gjeorgji, 1858 – Moskë, 1943) themeluan Teatrin e Artit në Moskë (Moskovskij huduzhestvennyj teatar – MHT). Ky teatër do të ketë ndikim të madh në punën e mëtejme të Çehovin. Çehovit i vdes babai, ndërsa vetë ai, për shkak të sulmit të parë akut të tuberkulozit të mushkërive, shtrihet në spital. Në shtator niset për mjekim për në Francë. I botohen dramat “Xhaxha Vanja”, “Ivanovi”, “Pulëbardha” dhe pjesët me një akt dhe tregimet “Fshatarët”, “Në shtëpi”, “Njeri pa asnjë mërzi” (çõûþòõú ñõ÷ ÃÂõûõ÷õýúø). Në maj të vitit 1898, Çehovi kthehet nga bota e jashtme. Një kohë të caktuar jeton në Jaltë. Këtu përjeton sulmin e dytë të tuberkulozit.
Të gjitha të drejtat autoriale të punës së vet, Çehovi ia shet për 75.000 rubla botuesit A. F. Marks. Vlera e sotme e kësaj shume do të ishte rreth 80.000 dollarë. Tani fillon të përgatisë për shtyp veprat e përmbledhura të veta. Po këtë vit, për punën në arsim, iu dha “Urdhri i Shën Stanislavit”. Shkruan dhe boton tekstet “Me shërbim”, “Zonja me qenin e vogël” etj. Në atë verë, e shet pronën në Melihovë dhe ndërton shtëpi në Jaltë.
Më 25 maj 1901 Çehovi u martua me aktoren Olga Leonardovna Knipper (1868-1959), e cila e luajti Mashën te “Tri motrat”. Në vitin 1902 Çehovi boton “Peshkopi”. Veprat e përmbledhura i botohen në njëmbëdhjetë vëllime. Në vitin 1903, krijuesi artistik boton tregimin e tij të fundit “Fejesa”. Del botimi i dytë i veprave të përmbledhura në gjashtëmbëdhjetë vëllime. Në qershor, censorët e ndalojnë shfaqjen e dramave të Çehovit në teatrot me buxhet të vogël për klasën punëtore, ndërsa në shtator e përfundon dramën “Kopshti i vishnjave” dhe nis të shkojë në prova në MHT (Teatri i Artit në Moskë). Pas kësaj, Çehovit i përkeqësohet gjendja shëndetësore. Në fillim të qershorit të viti 1904, Çehovi me gruan e vet Olga Knipper, niset për mjekim në Gjermani. Vdes më 15 korrik të atij viti në Badenweiler. U varros më 22 korrik 1904 në varrezat Novo-deviçi në Moskë.
* * *
Çehovin e quajnë nismëtar të realizmit psikologjik. Në dramat e tij nuk kemi konflikt dramatik tipik. Çdo gjë që ndodh në dramë rezulton prej gjendjeve psikologjike, prej ndjenjave dhe konflikteve të brendshme të personazheve. Në dramat e veta, Çehovi ngul këmbë po ashtu për rrjedhjen e kohës, që është një prej mekanizmave të ngjarjes në të cilën ndodhin ndryshime. Në dramat e Çehovit, në mënyrë tejet të detajuar janë shënuar didaskalitë* dhe janë përshkruar vendet e veprimit, gjë që kontribuon për t’i kuptuar personazhet dhe gjendjet psikologjike të tyre. Dramat e Çehovit ende janë tejet të popullarizuara në repertorët e shumë teatrove. Në bazë të tyre janë bërë edhe përshtatje filmash. Deri më sot, në bazë të veprave të tij, janë xhiruar 285 filma.
Shënim: Didaskalie janë udhëzime, këshilla, shënime. Bashkë me tekstin që e flasin personazhet e dramës, shumë autorë dramash, në kllapa apo në shënime e përshkruajnë skenën, rrethin, mjedisin dhe sjelljen apo veprimin e personazheve në situata të caktuara. Herë-herë u japin edhe këshilla aktorëve sesi duhet të sillen në skenë.
* * *
Në vitin 1994, u përshtat për film dhe u shfaq në Nju-Jork drama “Xhaxha Vanja” në regji të regjisorit, skenaristit dhe producentit francez Lui Mal (Louis Malle, 1932-1995). Në vitin 1968 u përshtat për film drama “Pulëbardha” në regji të regjisorit, producentit dhe skenaristit amerikan Sidni Lumet (Sidney Arthur Lumet, 1924-2011). Në vitin 1970 u përshtat për film drama “Tri motrat” në regji të aktorit dhe regjisorit anglez Lorens Olivie (Laurence Olivier, 1907-1989). Në vitin 1996 “Xhaxha Vanja” me titullin “August”, u realizua si film në regji të aktorit, kompozitorit, regjisorit dhe producentit nga Uellsi (Welsh), Antoni Hopkins (Anthony Hopkins, 1937- ).
* * *
Krijimtaria – Veprimtarinë letrare, Çehovi e filloi me humoreskat e shkurtra, si p. sh. “Tregime laramane”, 1886. Pasojnë novelat “Njeriu në këllëf”, “Për dashurinë” etj. Në to pasqyron personazhet e humbura dhe të tjetërsuara. Në novelat e veta, Çehovi nuk sjell ngjarje, ndodhi, personazhe të mëdha të shquara të cilët paraqiten në shoqëri zëshëm dhe zhurmshëm. Fabulat janë më se të zakonshme dhe ato fare nuk janë pikësynim, për arsye se Çehovi synon të shkaktojë përshtypje, disponime, atmosferë. Te personazhet ai krijon disponime në të cilat ata plotësisht vijnë në shprehje. Për këtë arsye, Çehovi gjithmonë është i thuktë apo konciz, lakonik në mënyrën e vet, duke i përdorur me të madhe peizazhet dhe digresionet lirike.
Veprat e hershme të Çehovit, të botuara në revista humoriste të ndryshme, janë laike dhe kanë formë anekdotash. Por çehobi shumë herët e përvetësoi temën e dobësisë njerëzore dhe të izolimit dhe kjo mbeti dominuese në krijimtarinë e tij (“Rast nga përvoja” – SluÃÂaj iz praktiki, 1898); „Zonja me qenin e vogël” (Dama s sobaÃÂkoj, 1899); „Peshkopi“ – (Arhijerej, 1902); „Nusja“ (Nevesta, 1903). Në mesin e personazheve të paraqitura në formë skicash në skenat nga jeta e përditshme, ndodhen edhe arketipat socio-psikologjike, si për shembull “kameleonët” – heronjtë dyfytyrësh, mendjelehtë siç janë ata të tregimtarit rus Mihail Jevgrafoviç Saltikov-Shçedrin (1826-1889) dhe “prishibejevët” – personazh si personifikim i profesionit të vet.
Në aspektin programor, Çehovi i përmbahej aforizmit “shkurtësia është motër e talentit”. Ai shkruan me një stil konciz dhe të përmbajtur, duke e privuar veprimin nga ekspozicioni humoresk dhe duke e përqendruar në një moment kyç që e zbulon thelbin e rëndësisë së heroit dhe problematikën themelore të veprës. Duke rendur pas një bote më të poetizuar dhe më të bukur dhe duke u shmangur nga ajo që është përdhese, e pakuptimtë dhe triviale, në periudhën e hershme Çehovi shkruan tregime paksa melodramatike, në qendër të të cilëve janë personazhe pozitive, shpeshherë të përvuajtur.
Në gjysmën e dytë të viteve ’80 të shekullit XX, Çehovi largohet nga perspektiva satirike, ndërsa heronjtë e vet fillon t’i shohë “nga brenda”, duke e thelluar begatinë e mendimeve dhe të ndjenjave të tyre. Tani i krijon edhe të parat vepra dramatike më serioze, “Ivanovin” (1887), dramë për “njeriun e tepërt”, “Shpirtin e pyllit” (Lešij, 1888), pjesë kjo e pasuksesshme e cila më vonë i shërbeu si bazë për “Xhaxha Vanjën”.
Shkrimet për revistat humoristike i ndërpret me botimin e tregimit “Stepa” (Step, 1888), në të cilën, fabulën klasike e zëvendëson me pasqyrimin impresionist të stepës “së gjallëruar”, të dinamizuar, peizazhet e së cilës më tepër ndodhen në aluzione dhe mbresa sesa në përshkrime.
Absurditetin, mungesën e ndonjë qëllimi dhe teprinë e ekzistencës së tyre, personazhet e Çehovit e kompensojnë me parandjenja të paqarta dhe me përfytyrime poetike për një jetë më të bukur që u duket më reale se ekzistenca e tyre, pavarësisht në është përshkruar ajo, me tipare tragjike apo komike.
Duke hequr dorë nga krijimi i një fabule të ndërlikuar, raportet e heronjve të vet Çehovi i përshkruan në detaje dhe imtësi, por, pikërisht këto imtësi që duken si të parëndësishme, janë shenja kyçe të vetive dhe të përsiatjeve të brendshme. Një sërë tregimesh “problemore” merren me çështje shoqërore dhe psikologjike bashkëkohore, siç janë pamundësia e dashurisë së përhershme midis mashkullit dhe femrës, pasiviteti i intelektualëve, qëndrimi ndaj parasë, seksualiteti dhe morali etj. Por, përmbajtja abstrakte gjithmonë është e zhytur thellë në realen.
Poetikën e pasqyrimit të mendimeve dhe të ndjenjave thelbësore në të folurit e heronjve, në ndërprerjen e të folurit dhe në fjalitë e papërfunduara, në dukje – të rastësishme, Çehovi e ka zhvilluar deri në përsosmëri në katër dramat e tij: te “Pulëbardha” (ÃÅajka, 1896), simboli i titullit të së cilës flet për një bukuri, të përdhosur mizorisht dhe në mënyrë të pakuptimtë, por edhe për egërsinë ndaj jetës së njeriut në përgjithësi; te “Xhaxha Vanja” (Djadja Vanja, 1897) – dramë për dështimin e fateve njerëzore; te “Tri motrat” (Tri sestry, 1901) – dramë që flet për pamundësinë e ndryshimeve në jetë; te “Kopshti i vishnjave” (Višnevy sad, 1904), dramë për vdekjen e vlerave të vjetra dhe për ardhjen e plogët, por të pandalshme të vlerave të reja.
Duke trajtuar temën se komunikimi dhe marrëveshja midis njerëzve është e pamundur, dialogët e dramës e marrin formën e monologëve paralelë tipikë në të cilët heronjtë më tepër e ndjekin rrjedhën e mendimeve, të ndjenjave dhe të asociacioneve të veta, sesa u replikojnë të tjerëve. Fjalitë eliptike ndryshohen me rrebeshet e kohëpaskohshme të fjalëve, të ngjeshura me emocione, ndërsa heshtja dhe mendimet e papërfunduara janë shoqërues të përhershëm të bisedave. Fjala është për dramat e dëshirës së zjarrtë për atë që në të vërtetë nuk mund të arrihet. Nevoja e heronjve për ndryshime rrënjësore, për shkak të shpërpjesëtimit midis të vizionit për një jete më të bukur dhe më kuptimplotë si dhe mosaktivitetit kronik dhe ngarkimit emocional, gjithmonë mbetet e parealizuar. Por, edhe kur ndodh ndonjë ndryshim, zakonisht shfaqet një situatë edhe më tragjike.
Në dramat e veta, Çehovi sistematikisht u është shmangur teatralitetit klasik dhe skenave të mëdha, saqë ngjarje kryesore të caktuara kanë mundur të zhvillohen edhe jashtë skenës. Dramatizmi i ndodhive dhe efikasiteti skenik janë zëvendësuar me ndriçimin e emocionalitetit dhe të intimes, të detajeve plot domethënie të jetës së përditshme, me përjetim dhe me përsiatje të thellë. Përkundër veprimit, në dukje të varfër dhe mendimeve sistematikisht të papërfunduara, kur është fjala për raportet midis personazheve dhe rrjedhës së jetëve të tyre, në dramat e Çehovit mund të ndodhin ndryshime rrënjësore. Konstantin Sergejeviç Stanislavski, regjisori i shfaqjeve më të suksesshme të dramave të Çehovit, këtë efekt e ka quajtur “shok nënujor”. Në të tilla drama lirike, kanë rëndësi vërejtjet e shpeshta jotipike të autorit, efektet zanore dhe muzika, parimet e të cilave përcillen edhe në organizimin e fragmenteve të dialogëve. Kanë rëndësi sidomos simbolet të cilët, prej dukurive të përditshme dhe që nuk bien në sy, shndërrohen në ndërprerës të veprimit dhe të domethënies së dramës.
Edhe te dramat “Pulëbardha” (1896), “Xhaxha Vanja” (1897), “Tri motrat” (1900), “Kopshti i vishnjave” (1903) Çehovi nuk krijon thurje të mëdha dramatike, por kryekëput synon të krijojë disponime skenike dhe ngjarje të pakapshme në të cilat personazhet shfaqen si njerëz të gjallë dhe të drejtpërdrejtë. Në këtë pikëpamje, Çehovi është mjeshtër i madh dhe me plotë të drejtë e kanë quajtur themelues të dramës impresioniste ruse. Dramat e tij merren edhe si shembuj të të ashtuquajturës dramë lirike.
* * *
Impresionizmi – (lat. impressio, frëngjisht impression – përshtypje, mbresë) është term që lindi së pari në artet figurative. Në letërsi, impresionizmi shfaqet në kapërcyell të dy shekujve, rreth viti 1890, deri në vitin 1910, si një metodë e pasqyrimit të realitetit pa bërë diskriminim midis “e bukur – e shëmtuar”. Poeti, me prosedenë e vrojtimit municioz, d.m.th. të hollësishëm, e paraqet jetën në detajet e zgjedhura të saj, me pjesëmarrje të theksuar ndjenjash, sikur është fjala për përshtypjet, për mbresat (impresionet) të cilat poeti i radhit njërën pas tjetrës. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një prosede metodike të re dhe me një koncept krijues të ri. Është i theksuar sidomos individualizmi, për arsye se vetëm sipas ndjeshmërisë personale, individuale zgjidhen motivet e jashtme dhe tregohen vetitë karakteristike të objektit të vëzhguar. Për impresionistët, realiteti i drejtpërdrejtë dhe i përditshëm është më i afërt dhe më interesant. Por ata, realitetin dhe jetën nuk e ilustrojnë me ndihmën e dokumentacionit apo të së vërtetës objektive dhe shkencore, pavarësisht nga fakti në është e shëmtuar apo e bukur, e mirë apo e keqe, që ka qenë synim i natyralistëve. Impresionistët zbulojnë në to të bukurën, deri atëherë të panjohur. Në këtë mënyrë, impresionizmi e krijoi kriterin e vet të zgjedhjes së motiveve. Ndërtoi edhe qëndrim të ri ndaj botës përreth, njësoj si simbolizmi.
Impresionizmi, si art i mbresës, i përshtypjes, i zhvilloi reaksionet psikologjike në të vrojtuar, ndërsa në shprehjen gjuhësore, zhvilloi diferencimin e hollësishëm të nuancave dhe të gjysmëtoneve si dhe hijezimin e figurave të veçanta. Kultivon figuracionin zanor dhe sinestezinë. Marrë në përgjithësi, gjuha poetike bëhet tejet e gjallë.
Impresionizmi ka dhënë arritje të bukura në poezinë lirike, në prozën e shkurtër, në disa romane, por konceptet teorike të tij u manifestuan në mënyrë më të plotë ese, pastaj në kritikë (kritika impresioniste) dhe në një formë të veçantë drame, në të ashtuquajturën dramë lirike, me Çehovin si përfaqësues tipik, me veprat “Pulëbardha”, “Xhaxha Vanja”, “Tri motrat”. Këto forma kanë qenë më të përshtatshme për realizimin e qëllimit kryesor të impresionizmit: ngjarjet, disponimet dhe atmosfera e ndonjë mjedisi.
* * *
“Ivanovi” – Në shtator të viti 1887, ndërmarrësi teatror F. A. Korsh i porositi Çehovit një pjesë teatrore për stinën teatrore të sapofilluar. Çehovi izolohet nja dhjetë ditë dhe nën ethe krijuese e shkruan dramën me katër akte “Ivanovi”. Personazh kryesor është 35-vjeçari Nikolaj Ivanovi, pronar i pushimores verore. Për shkak të problemeve të ndryshme jetësore, ai është në depresion. Gruaja e tij Ana Petrovna, e lindur si Sara Abramson, është hebre, e cila, për hir të martesës është konvertuar në fe ortodokse. Si pasojë, e ka humbur prikën, pasurinë që i ka takuar. Ana vdes prej tuberkulozit. E vetmja që mund t’i ndihmonte ishte pushimi në gadishullin e Krimesë. Por, Ivanovi nuk mund t’ia mundësojë këtë ngase i debiton para Zinaida Savishnit. Në të vërtetë, Ivanovi nuk e do gruan e vet që po vdes, ndërsa i vetmi motiv për t’u martuar me të ishte prika e madhe e Anës, të cilën ajo, me t’u konvertuar në ortodokse, e humbi. Tani kur gruaja e vet është para vdekjes, ai dashurohet te Sasha – bij e Lebdjevit dhe Zinaidës. Në versionin e parë të tekstit, Ivanovi vdes nga vdekja natyrore, qetë dhe pa rënë në sy. Më vonë, Çehovi e ndryshoi epilogun, kështu që në fund të aktit të katërt, Ivanovi vret veten me revole.
Premiera e drama u shfaq më 19 nëntor 1887 në Teatrin Rus të Dramës të F. A. Korshit në Moskë. provat e shfaqjes zgjatën dhjetë ditë. Çehovi ishte i pranishëm në çdo provë, ndërsa me aktrimin e aktorëve ishte tejet i pakënaqur. Një pjesë e publikut e priti shfaqjen me entuziazëm dhe me duartrokitje të mëdha, ndërsa pjesa tjetër e publikut fërshëlleu zhurmshëm. Pas premierës, u shfaqën vetëm edhe dy repriza. Çehovi te “Ivanovi” punoi ende, e ndryshoi fundin dhe pas dy vjetëve, më 31 janar 1889, në regji të Fjodor Jurkovskit, drama u shfaq në Teatrin e Aleksandrit në San-Petërburg. Kjo shfaqje ishte tejet e suksesshme, saqë bashkë me aktorët, për ta përshëndetur publikun, doli në skenë edhe vetë Çehovi. Pas shfaqjeve të tjera, Çehovit i vinin urime të shumta.
Vitin në vijim, Çehovit i botohet tregimi i parë serioz i gjatë “Stepa” dhe shfaqen me sukses pjesët me një akt “Ariu” dhe “Msitnia”. Ndërkaq tregimi i shkurtër “Në muzg” e fiton çmimin “Pushkin” të Akademisë së Shkencave.
„Xhaxha Vanja“ – Në tetor të vitit 1889, Çehovi e përfundon dramën “Shpirt pylli” (Lešij). Drama shfaqet në dhjetor, por nuk pritet mirë nga kritika. Për këtë arsye, në fillim të viti vijues, Çehovi e shndërron në “Xhaxha Vanja”, dramë kjo që do të botohet në vitin 1897. Ngjarja e “Xhaxha Vanjës” zhvillohet në fshatin rus. Në pushimoren verore ndodhen katër personazhe, pa kurrfarë qëllimi në jetë dhe pa shpresa për ndryshime. Raporti themelor është katërkëndëshi i dashurisë. Jelena Andrejevna, një grua e re dhe e bukur e profesorit Serebërjakov, i cili më parë ka qenë i martuar me motrën e Vanjës. Nga ajo martesë, Serebërjakov ka një vajzë – Sonjën. Daja i Sonjës, Vanja dhe mjeku i fshatit dhe ekstravaganti Astrov dashurojnë Jelena Andrejevnën, Sonjës ndërkaq i pëlqen Astrovi. Në fund, asnjë nga këto lidhje nuk realizohet, ndërsa Srebërjakovët largohen. Çdo gjë mbetet ashtu si ishte, pa kurrfarë shprese se do të bëhet më mirë.
Në vitin 1899 “Xhaxha Vanjën” e shfaqin teatrot e Kievit, të Krakovit dhe të Novogorodit të Poshtëm. Çehovi ka ndërmend që dramën ta shndërrojë në roman. Megjithëkëtë, heq dorë. PO atë vit, duke qenë se Çehovi për shkak të sëmundjes nuk mund të vijë në Moskë në shfaqjet e Teatrit të Artit të Moskës, trupa teatrore, bashkë me kostumet, me skenografinë he me rekuizitat mori rrugën e gjatë për në ishullin e Krimesë dhe për në Jaltë. Atje trupa teatrore e MHT-së (hudozhestvenikët), për Çehovin dhe për tregimtarin e dramaturgun rus Maksim Gorkin (1868-1936) shfaqën “Pulëbardhën”, “Xhaxha Vanjën”, dramën “Njerëz të vetmuar” (Einsame Menschen, 1890) të dramaturgut dhe tregimtarit gjerman Gerhart Hauptman (Gerhart Hauptmann, 1862-1946) dhe dramën “Hedda Gabler” (1890) të dramaturgut norvegjez të natyralizmit – Henri Ibsen (Henrik Ibsen, pseudonim i Brynjolf Bjarme, 1828-1906). Hauptmani e nisi krijimtarinë letrare si dramaturg natyralist. Pas kësaj, në drama, në ep dhe në roman, kaloi nëpër simbolizëm dhe neoromantizëm, i kaloi të gjitha fazat stilistike të eklektikut krijues.
“Pulëbardha” – Dramën “Pulëbardha”, Çehovi e shkroi në vitin 1895. Në këtë dramë bëhet fjalë për teatrin, për dallimet e pakapërcyeshme midis brezit të vjetër dhe të ri, për dashurinë ndaj artit. Personazh kryesor i “Pulëbardhës” është aktorja e njohur Irina Nikolajevna Arkadina, e cila me të dashurin e saj, shkrimtarin Boris Aleksejeviç Trigorin, vjen në pronën e të vëllait të sëmurë, Sorin. Aty, i biri i Irina Nikolajevnës, Konstantin Gavriloviç Treplov dëshiron të organizojë një shfaqje, duke tentuar të zbulojë një formë teatrore të re. Por, e ëma s’do të dëgjojë dhe as ka mirëkuptim për synimet e të birit.
Aktore kryesore e kësaj shfaqjeje është vajza e re Nina Mihajlovna Zareçna. Asaj i vardiset Treplovi, kështu që i dhuron një pulëbardhë që e kishte vrarë vetë ai. Nga një veprim i këtillë, Nina rrëqethet. Njëherazi, ajo është e preokupuar me Trigorinin, i cili po ashtu i vardiset, duke tërhequr një paralele ndërmjet jetës së saj dhe pulëbardhës së pajetë, që e mori si dhuratë. Treplovi depresiv, të cilin Nina e refuzoi, tenton të bëjë vetëvrasje, por plumbi vetëm ia ka gërvishtur kokën. Irina Nikolajevna Arkadina dëshiron të kthehet në Moskë, ndërsa Trigorini dëshiron të mbetet në çiflig. Megjithëkëtë, lëshon pe para dëshirave të dashnores. Nina dhe Trigorini shihen për herë të fundit para largimit të tij. Ajo i premton se do të bëhet aktore dhe se do të shihen në Moskë. Akti i fundit ndodh pas dy vjetësh. Aty mësojmë se Nina dhe Trigorini kanë pasur një fëmijë i cili kishte vdekur dhe se Trigorini i ishte kthyer Irina Nikolaevna Arkadinës. Brenda këtyre dy viteve, Nina kishte udhëtuar anembanë me një grup aktorësh të rendit të dytë. Tani, krejt këtë ia rrëfen Treplovit, i cili në fund të dramës vret veten. Në premierën e shfaqur në Teatrin e Aleksandrit në San-Peterburg, “Pulëbardha” nuk pati sukses. Megjithëkëtë, shfaqja e dytë u mirëprit nga publiku.
Më 17 dhjetor, në Teatrin e Artit të Moskës (MHT), premiera e dramës “Pulëbardha” u shfaq me sukses tejet të madh në regji të Konstantin Sergejeviç Stanislavskit, por Çehovi nuk ishte i pranishëm. Pas shfaqjes, Vladimir Nemiroviç Dançenko i dërgoi Çehovit në Jaltë një telegram në të cilin thuhet: “Sapo e shfaqëm “Pulëbardhën”. Suksesi ishte kolosal. Publiku na u lut të të dërgojmë një telegram. Kënaqësia na bëri të çmendemi. Të duam të gjithë.”
Pas këtij suksesi, “Pulëbardha” u bë simbol i Teatrit të Artit të Moskës (THT).
„Tri motrat“ – Në janar të vitit 1900, Çehovi u zgjodh anëtar nderi i Sektorit letrar të Akademisë së Shkencave. Boton veprat “Në Ravenë” dhe “Në Krishtlindje”. Nga gushti deri në dhjetor e shkruan, e shkruan dramën më të njohur të tij Tri motrat” të cilën e përfundon në Nicë. Personazhe kryesore të dramës janë motrat Prozorov – Olga, Masha dhe Irina dhe vëllai i tyre Andrej. Veprimi i dramës zhvillohet në një qytet provincial rus ku janë shpërngulur para njëmbëdhjetë viteve për shkak të zhvendosjes së babait të tyre. Drama përshkohet nga dëshira dhe malli për t’u kthyer në Moskë. Akti i parë fillon me kremtimin e ditës së emrit të Irinës, por kjo, njëherazi është edhe përvjetori i vdekjes së babait të tyre. U vijnë për vizitë oficerët Tusenbah, Soloni dhe Çebutkin të cilët janë me shërbim në qytet. Këta sjellin në shoqëri komandantin e sapoemëruar Vershinjin. Olga është ligjëruese në gjimnaz. Masha, e vetmja prej motrave e cila është e martuar, e ka burrë profesorin Kuligin. Andreu ia kërkon dorën Natalia Ivanovnës. Midis aktit të parë dhe të dytë, kalon një vit. Në aktin e dytë, Andreut dhe Natalia Ivanovnës u lind një djalë. Por, Andreu është i pakënaqur nga martesa dhe luan bixhoz. Edhe Masha është e pakënaqur me martesën e vet. Ajo e pranon vardisjen e Vershinjinit. Tek Irina janë dashuruar Tusenbahu dhe Soloni, të cilin ajo e refuzon. Pas kësaj, Soloni kanoset se do ta vrasë çdo rival të tij. Në aktin e tretë, i tërë qyteti është përshirë nga një zjarr i madh. Olga del për t’u ndihmuar të goditurve nga zjarri. Kuligini e kërkon gruan e vet, Mashën, ndërsa Irina nuk është e sigurt në do të pranojë martesën me Tusenbahun. Andreu ua bën me dije se shtëpinë e ka humbur në bixhoz. Me të dëgjuar këto fjalë, Olga, bashkë me shërbëtoren, shkon të jetojë në banesën shkollore. Në aktin e fundit, ushtria largohet nga qyteti. Vershinjini përshëndetet me Mashën, ndërsa Soloni dhe Tusenbahu ishin marrë vesh për të dalë në dyluftim. Në këtë dyluftim midis tyre, Tusenbahu u qëllua për vdekje.
Drama përfundon me monologët e motrave. Ato, njësoj si heronjtë e tjerë të Çehovit, mësojnë se jeta e tyre nuk mund të ndryshojë. Kjo shihet në fjalët e Olgës: “Do të kalojë koha dhe ne do të shkojmë përgjithmonë, do të na harrojnë, do të na i harrojnë fytyrat, zërat dhe sa kemi qenë, por vuajtjet tona do të shndërrohen në hare për ata që do të jetojnë pas nesh, ndërsa në botë do të mbizotërojë lumturia dhe paqja. Për ata që jetojnë sot, njerëzit do të thonë fjalë të mira dhe do t’i bekojnë. Motra të dashura, jeta jonë ende s’ka marrë fund. Ende kemi për të jetuar!”
Në vitin 1902, për “Tri motrat”, Çehovit i jepet çmimi “Gribojedov” i Shoqatës së dramaturgëve dhe të kompozitorëve operistikë.
“Kopshti i vishnjave” – Në vitin 1902 fillon ta shkruajë dramën “Kopshti i vishnjave”. Është drama e tij e fundit. Në këtë vepër merret me shkatërrimin e aristokracisë ruse. Drama fillon me kthimin nga Parisi të Lubov Andrejevna Ranjevskës dhe të së bijës Anja në pronën e vjetër, e cila është nën hipotekë. Kopshti i vishnjave dhe shtëpia, brenda disa muajve do të shiten në ankand. Ranjevska dëshiron ta shpëtojë pronën duke e martuar të bijën Varje me tregtarin e pasur dhe të suksesshëm Lopahin, i cili dëshiron t’i presë vishnjat e kopshtit, për të ndërtuar një pushimore. Lopahini e blen pronën në ankand, vendos t’i presë vishnjat dhe të mos martohet me Varjen. Drama përfundon me largimin e Ranjevskës dhe të vëllait të saj Gajevit si dhe me prerjen e vishnjave. Kopshti i vishnjave është simbol i një familjeje dhe i një klase që rrënohet dalëngadalë.
Më 17 janar 1904, në ditëlindjen e tij, u shfaq premiera e dramës “Kopshti i vishnjave”. Rolin kryesor të femrës, d.m.th. rolin e Lubov Andrejevna Ranjevskës e luajti gruaja e Çehovit – Olga Knipper. Por, Çehovi nuk ishte i kënaqur me shfaqjen për arsye se dramën “Kopshti i vishnjave” e kishte titulluar si komedi, ndërsa Konstantin Sergejeviç Stanislavski dhe Vladimir Nemiroviç Dançenko e ishin realizuar si tragjedi. Sidoqoftë, në Moskë dhe në San-Peterburg, shfaqja përjeton sukses të madh.
* * *
Dramat: Dëmi nga duhani (1886, 1902); Ivanovi (1887); Ariu (1888); Msitnia (1888-1889); Dasma (1889); Jubileu (1891); Pulëbardha (1896); Xhaxha Vanja (1897); Tri motrat (1900); Kopshti i vishnjave (1903) etj. Drama “Xhxha Vanja” në disa përkthime haset edhe si “Daja Vanja” apo si “Xha Vanja”.
Proza: Përralla të Melpomenës (1884); Tregime laramane (1886); Në muzg (1887) etj.
Novelat dhe tregimet (përmbledhja e botuar në vitin 1894): Zonja me kone apo Zonja me qenin e vogël; Njeriu në këllëf, Stepa; Nënoficeri Prishibjejev; Për dashurinë; Pavijoni Nr. 6; Në përroskë; Nusja; Ishulli Sahalin (1895) etj. “Ishulli Sahalin” haset në shqip edhe si “Ishulli Sakhalin”,
Postime të Lidhura
BLERIM ÇOÇAJ: KOSOVA TEMPULL KOMBËTAR
(Prizren, 02. 06. 2012) – Vështrim – Në librin “Nëna Kosovë” i Vasfi Samim Visoka, botuar pas vdekjes…
GJOKË DABAJ: PËR TË MBYLLUR GROPËN
Durrës, 20. 07. 2016: Të ndërtojmë një observator të madh, (Me paratë fitime që do…
SAFET SADIKU: POETI SHQIPTAR NË DIASPORË – VEHBI SKËNDERI
(Bazel, 09. 04. 2012) – Vehbi Skënderi është një nga krijuesit, i cili karrierën e tij artistike e…
ERMIRA BABAMUSTA: FILMI ‘THE SUPERINTENDENT’ PËRZGJIDHET TEK FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I FILMIT NË TIRANË
New York, 25. 10. 2013 – Filmi i regjizorit të talentuar Roland Uruçi me titull “The Superintendent” do…