XHELAL ZEJNELI: SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ (II)

Shkup, 18 gusht 2020: Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët dhe me të bashkë, fillon antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu Rudolf VIRHOV (Rudolf Ludwig Carl Virchov,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi kraniologjinë e ilirëve”. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirët.
Nga fundi i shekullit të XIX HELBIG-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut.
Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të Gadishullit të Apenineve, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen.
Studiuesi gjerman S. BUGE në vitet ‘90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja dhe shqipja“ ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.
Në vitin 1861, arkeologu dhe natyralist francez Leon HËZEJ (Léon Heuzey, 1831-1922) vizitoi Shqipërinë për të studiuar terrenin ilir dhe maqedonas të përshkruar nga prijësi ushtarak romak, shkrimtar dhe burrë shteti Kaj Jul Cezar (Caius Julius Caesar, 100-44 para K.) në luftën me gjeneralin romak dhe burrin e shtetit, Pompeun (Gnaeus Pompeius Magnus, 106-48 para K.). U kushtoi vëmendje të veçantë qyteteve dhe monumenteve arkeologjike. Zbuloi i pari gërmadhat e Orikut dhe planimetrinë e parë të mureve rrethuese të Apolonisë. Kopjoi të gjitha mbishkrimet greke, latine e bizantine që ndeshi në këtë udhëtim dhe paraqiti në vizatime një tog pjesësh arkitektonike dhe skulpturash nga Apolonia dhe Durrësi. Monumentet më me vlerë historike e artistike, ndër to edhe mbishkrimin e fshatit Arapaj që bën fjalë për ujësjellësin e Dyrrahut (shekulli II) i nisi për në muzeun e Luvrit (Louvre). Bashkë me arkitektin Honore Dome (Pierre Jérôme Honoré Daumet, 1826-1911) botoi dy vëllime me titullin “Mission Archeologique de MacedoineI (Mision arkeologjik në Maqedoni, Paris 1867). Vepra tjetër “Les Operations militaires de Julius Cesar” (Veprimet ushtarake të Jul Cezarit, Paris 1886) në pjesën më të madhe zhvilluar në truallin ilir, ka edhe interes gjeografik e folklorik për gjendjen e trevave përkatëse në shekullin XIX.
* * *
Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor MOMSEN-it (Theodor Mommsen, 1817-1903). Ky laureat i çmimit “Nopbel” është autor i veprës voluminoze “Römisch Geschichte” (Historia e Romës, Lajpcig 1854-1856). Në punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij “Historia e Romës”, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”. Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.
Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe“ nga albanologu austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, Gustav MAJER (Gustav Mejer, 1850-1900). Ka qenë profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar veprën monumentale “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Strasburg 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Në vëllimin III trajton temën Fonetika e pjesës indoevropiane të shqipes, që është e para fonetikë historike gjuhës shqipe. Në vëllimin V flet për të folmet shqipe në Greqi. Ka botuar edhe “Kurzgefasste albanesische Grammatik” (Gramatikë e përmbledhur e shqipes, Lajpcig 1888), Vuri në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Falë punës së tij, faktet eshqipes zunë më shumë vend në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane.
Historiani çek, profesor në Universitetin e Pragës, e më pas në Vjenë, Konstantin JIREÇEK (1854-1918) është autor i një vargu studimesh për vendet e Ballkanit, ndërmjet tyre disa edhe për Shqipërinë. Bashkë me L. Taloçin dhe M. Shuflajin botoi “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë Mesjetare) vëll. I-II, Vjenë 1913-1916.
Gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu gjerman Gustav VAJGAND (Gustav Weigand, 1860-1930) është i njohur sidomos si studiues i gjuhës rumune. Hartoi atlasin e parë dialektor të rumanishtes*. U mor edhe me studimin e gjuhëve të tjera të Evropës Juglindore, sidomos me gjuhën shqipe dhe me bullgarishten. Dukuritë e përbashkëta të këtyre tri gjuhëve i lidhi me një substrat të përbashkët trak. Ishte përfaqësuesi kryesor i tezës se gjuha shqipe buron nga trakishtja. Këtë tezë e shtroi në artikullin: “A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve” të botuar në vitin 1927. Po atë vit, gjuhëtari Aleksandër Xhuvani (1880-1961) artikullin e përktheu në shqip dhe e botoi në revistën “Dituria”. G. Vajgandi ka botuar një gramatikë të gegërishtes jugore me titull “Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt” (Gramatike e shqipes së gegërishtes jugore, Lajpcig 1913). Kjo gramatikë mbështetet në materialet e të folmeve të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit. Përpos shpjegimeve gramatikore, libri përmban edhe ushtrime, copa leximi dhe përralla. Ka botuar edhe një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip: “Albanesisch-Deutsches und Deutsch-Albanesisches Wörterbuch”, Lajpcig 1914.
Shënim: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është vepër sintetike themelore e dialektologjisë shqiptare që paraqet tiparet gjuhësore të dialekteve të gjuhës shqipe me metodën e gjeografisë gjuhësore dhe gjendjen e studimit të tyre. Vepra përfundoi së hartuari në vitin 1990 nga një grup dialektologësh të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHSH, si: gjuhëtari e dialektologu Jorgji Gjinari (1931-2020) – drejtues shkencor; gjuhëtari Bahri Beci (1936); studiuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Gjovalin Shkurtaj (1943), studiuesi e dialektologu Xheladin Gosturani (1942-2000). Bashkëpunuan: gjuhëtari Menella Totoni (1935) dhe gjuhëtari Anastas Dodi (Vlorë, 1933 – Filadelfia, 2008). A. Dodi është autor i veprës “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe”, Tiranë 2004, botuar nga ASH. Vëllimi i parë i “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe” u botua në vitin 2007 nga departamenti i studimeve të Evropës Lindore në Universitetin e Napolit (Universitä degli Studi di Napoli L’Orientale).
* * *
Me shqipen është marrë filologu, neogramatikani dhe romanisti me prejardhje zvicerane Vilhelm MAJER-LYBKE (Vilhelm Meyer-Lübke, 1861-1936). Është autor i studimit të gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch”. E ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav Majerit (Mejer) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në shqip). Është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj.
Një nga themeluesit e arkeologjisë ilire është arkeologu dhe historiani austriak Karl PAÇ (Carl Patsch, 1865-1945). Prej viti 1921 ishte profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë 1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë 1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.
Për ilirishten dhe shqipen ka shkruar edhe gjuhëtari austriak me prejardhje gjermane, indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul KREÇMER (Paul Kretschmer, 1866-1956). Ka qenë një prej profesorëve të Eqrem Çabejit në Universitetin e Vjenës.
Ndihmesë të vyer për historinë e popullit shqiptar ka dhënë historiani rumun me prejardhje shqiptare Nikolla JORGA (Nicolae Iorga, 1871-1940). Në vitet 1915-1916 botoi në Bukuresht, në gjuhë të huaja disa vëllime me titull “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shekullit XV”. Aty jep një material të pasur dokumentar për luftërat kundërosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së Gjergj Kastriotit. Në vitin 1915, në Bibliotekën Laurentiane të Firences zbuloi dokumentin e parë të gjuhës shqipe “Formula e pagëzimit” të vitit 1462, shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, bashkëpunëtor dhe këshilltari i Gjergj Kastriotit, Pal Engjëlli (rreth 1417-1470). Në vitin 1915 N. Jorga e botoi Formulën e pagëzimit. Në vitin 1919 botoi veprën “Brève histoire de l’Albanie et du peuple albanaise”), (Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”, Bukuresht 1919). Më pas botoi veprën “Histori e shteteve të Ballkanit deri më 1924”, Paris 1925) ku çështje të historisë së Shqipërisë zënë një vend të dukshëm. Jorga u vra nga forcat fashiste rumune Garda e Hekurt.
Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera për shqiptarët, si ato të studiuesit italian Françesko RIBEKO (Francesco Ribezzo, 1875-1952).
Gjuhëtari dhe albanologu i shquar austriak me prejardhje çifute Norbert JOKL (Norbert Jokl, 1877-1942) lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe studime të tjera. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare, hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të mjaft elementeve të mbajtura si huazime.
Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indogermanisches Jahrbuch” (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht të gjitha botimet albanologjike të atyre viteve.
Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Hulumtoi problemin e burimit të shqipes. I shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten dhe trakishten. Shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së shqipes, duke bërë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.
Gjuhëtari dhe albanologu austriak Maksimilian LAMBERC (Maximilian Lambertz, 1882-1963) studioi dialektet arbëreshe, ndarjen dialektore të shqipes, folklorin. Gjatë Luftës I Botërore bëri një udhëtim studimi në Shqipëri, mblodhi lëndë folklorike e dialektore dhe mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe*. Ka botuar disa vepra për folklorin. Studime themelore të tij janë “Die Volkspoesie der albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë 1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe tekste të tjera nga folklori shqiptar, Vjenë 1922), “Shqipëria rrëfen”, (1956), studimin për ciklin shqiptar të kreshnikëve “Epika popullore shqiptare”, (1958). Pas vdekjes u botua punimi “Mitologjia shqiptare” (1969). Më 1914, në fushën e sintaksës, botoi një monografi për periudhën hipotetike të shqipes. Pas Luftës II Botërore u vendos në RD Gjermane. Botoi “Fjalor shqip-gjermanisht” (1954), “Antologji shqipe” (1955), “Gramatikë” (1959). Shkroi artikuj dhe recensione për botime gjuhësore dhe letrare shqipe. Përktheu në gjermanisht dhe botoi poemën “Lahuta e malcís” të Gjergj Fishtës (1871-1940), si dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, 1916-2002).
Shënim: Komisia Letrare Shqipe (1916-1918) është komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh që u ngrit në Shkodër më 1916 pranë Drejtorisë së Arsimit me nismën e një grupi intelektualësh shqiptarë dhe me mbështetjen e konsullit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë e të Komandës ushtarake austriake në Shkodër, për të zgjidhur probleme të arsimit dhe gjuhës letrare pas Kongresit të Manastirit (1908). Në të morën pjesë Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Hil Mosi, Sotir Peci, Mati Logoreci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Ndre Mjeda, Ambroz Marlaskaj, Ndue Paluca, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi, Luigj Naraçi, Josif Haxhimima të cilët e vunë punën e KLSh në shërbim të çështjes kombëtare. Kryetar u caktua Gjergj Pekmezi.
* * *
Studiuesi i historisë së gjuhës shqipe Henrik BARIQ (Henrik Barić, Dubrovnik, 1888 – Beograd, 1957) ka qenë gjuhëtar kroat, ballkanolog dhe albanolog. Në vitin 1906 i filloi studimet në Grac dhe në Vjenë. Studioi gjuhësinë e përgjithshme, gramatikën krahasuese, romanistikën dhe sllavistikën. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Vjenë. Më 1920, docent, më 1923 profesor inordinar, ndërsa më 1930, profesor ordinar në Universitetin e Beogradit. Pas Luftës II Botërore, profesor ordinar edhe në Universitetin e Sarajevës. Në vitet 1923-1926 botoi revistën “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju“ (Arkivi i lashtësisë, i gjuhës dhe i etnologjisë shqiptare). Është autor i veprave: „Älbanorumänische Studien I“ (Studime rumune-shqiptare, Sarajevë 1919), „Ilirske jezične studije I“ (Studime gjuhësore ilire I, Zagreb 1948), „Poreklo Arbanasa u svetlu jezika“ (Prejardhja e shqiptarëve në dritën e gjuhës, Sarajevë 1954), „Hymje në historinë e gjuhës shqipe“ (Prishtinë 1955), botuar në Sarajevë më 1959 edhe serbisht-kroatisht. Ka botuar edhe një varg artikujsh. Ndërmori një fjalor serokroatisht-shqip nga i cili u botua vetëm pjesa e parë „Rečnik srpskoga ili hrvatskoga i arbanaškoga jezika“, Zagreb 1950. Në shqyrtimet etimologjike të tij, H. Bariqi e shtoi fondin e njohur indoevropian të shqipes dhe trajtoi disa dukuri të fonetikës historike të saj. Trajtoi përkimet gjuhësore ndërmjet shqipes dhe rumanishtes dhe mbështeti tezën trake të prejardhjes së gjuhës shqipe.
Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon BLUMENTAL (Albrecht von Blumenthal, 1889-1945), kurse në vitet ‘60 të atij shekulli – studimet e O. HAS-it.
Historiani kroat Millan SHUFLAJ (Milan Šufflay, 1897-1931) është studiues i historisë mesjetare shqiptare. Pas një udhëtimi në Shqipëri u vra barbarisht nga policia jugosllave. Bashkë me historianin hungarez Ludovik Taloçi (Lajos ose Ludwig Thalloczy, 1854/56-1916) dhe historianin çek Konstantin Jireçek (1854-1918) botoi më 1913 dhe 1918 vëll. I e II të përmbledhjes “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështje të Shqipërisë mesjetare, vëll. I-II, Vjenë 1913-1916). Me bashkautorët e mësipërm botoi përmbledhjen me studime “Illyrisch-Albanische Forschungen” (Studime iliro-shqiptare, I-II, Lajpcig 1916). Më 1924 u botua nga Akademia e Shkencave e Vjenës vepra “Städte und Bürgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht gjatë Mesjetës). Pasojnë punimet “Povijest sjevrnih Arbanasa” (Historia e shqiptarëve të Veriut) dhe “Srbi i Arbanasi” (Serbët dhe shqiptarët). Më 1920, me pseudonimin Alba Limi, botoi romanin historik me temë shqiptare Konstantin Balsha”. Historia e shqiptarëve është për të, histori e një entiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone dhe vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjenerimi. Ajo përfaqëson thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë.
Gjuhëtari gjerman, indoevropianist Hans KRAHE (1898-1965) u mor me zbërthimin e venetishtes dhe të ilirishtes, e në mënyrë të veçantë me problemin e gjuhës në kohën parahistorike, kryesisht në bazë të emrave të lashtë të ujërave (hidronimisë). Studioi emrat ilirë të vendeve dhe të njerëzve. Është autor i veprave “Die alten balkanillyrischen geographischen Namen” (Emrat e vjetër gjeografikë të ilirishtes ballkanike, Hajdelberg 1925); “Lexikon altillyrischer Personennamen “ (Fjalor i emrave të vjetër vetjakë ilirë, Hajdelberg 1929); “Die Sprache der Illyrier” (Gjuha e ilirëve, Visbaden 1955). I ndikuar edhe nga teza e “panilirizmit”, e përhapur që nga fundi i shek.. XIX, ai besonte se kishte gjetur mbetje të ilirishtes në të gjithë Evropën, duke arritur në përfundim se këto ishin gjurmë të përhapjes së dikurshme të ilirëve. Ky koncept sot quhet i tejkaluar. Vetë H. Krahe e pati rishikuar këtë tezë në studimin “Vom Illyrischen zum Alteuropäischen” (Nga ilirishtja në evropianishten e vjetër) të vitit 1964. Në të, emrat e diskutueshëm të vendeve ia atribuon një substrati të vjetër indoevropian të përbashkët.
Gjuhëtari italian Karlo TALJAVINI (Carlo Tagliavini, 1903-1982) ishte romanist, ballkanolog e albanolog. Profesor në Universitetin e Padovës, ku mbajti vite me radhë ligjërata për gjuhën e për letërsinë shqipe. Botoi studime dhe artikuj për çështje të dialektologjisë, të leksikologjisë historike, të historisë së gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë shqiptare. Prej vitit 1941 mbajti për disa vjet rubrikën bibliografike për albanologjinë dhe ballkanistikën në organin “Indogermanisches Jahrbuch”. Në veprën “L’albanese di Dalmazia” (Shqipja e Dalmacisë, Firence 1937) flet për të folmen shqipe të Borgo Ericos (Arbëneshit) të afër Zarës. Në punimin “Stratificazzione del lessico albanese. Elementi indoeuropei” (Shtresëzimi i leksikut të shqipes. Elementet indoevropiane, Bolonjë 1965) ka dhënë ndihmesë për studimet etimologjike në fushë të shqipes. Hartoi monografinë dialektologjike “Le parlate albanesi di tipo Ghego orientale (Dardania e Macedonia nordocidentale)” (Të folmet shqipe të tipit të gegërishtes lindore. Dardania dhe Maqedonia veriperëndimore, Romë 1942) në të cilën dha edhe disa tipare të të folmeve të Kosovës e të Maqedonisë. Në vëllimin “Stratificazzione del lesicco albanese” (1943, 1965) u botua një pjesë e kursit për gjuhën shqipe të mbajtur prej tij.
Gjuhëtari rumun, ballkanolog dhe albanolog Haralamb MIHËESKU (Haralambie Mihaescu, 1907-1985) për gjuhën shqipe flet në veprën “Les elements latins de la langue albanaise” (Elementet latine të gjuhës shqipe, 1966). Ka sjellë ndihmesa në kritikën shkencore me recensionet për vepra rreth gjuhës shqipe. Ka marrë pjesë në veprimtari shkencore albanologjike. Ka sjellë argumente për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe autoktoninë e hershme të popullit shqiptar në trevat e tij të sotme.
Gjuhëtari bullgar, indoevropianist, ballkanolog dhe albanolog Vladimir GEORGIEV (Vladimir Georgiev, 1908-1986) studioi në Sofje filologjinë klasike. Në vitet 1932-1934 kreu një specializim në Vjenë. U mor me probleme të gjuhëve ballkanike, të gjuhësisë indoevropiane dhe të gjuhëve sllave. Në kuadër të studimeve ballkanologjike trajtoi gjendjen gjuhësore të Ballkanit në lashtësi, probleme të etnogjenezës së popujve të Ballkanit sipas të dhënave gjuhësore, lidhjet ndërmjet popujve të lashtë të këtij gadishulli – ilirëve, trakasve dhe grekëve, probleme të substratit ballkanik dhe të lidhjes gjuhësore ballkanike. Mbrojti tezën se në pjesën lindore të këtij gadishulli banonin trakasit në jug dhe dakogetët në veri. Gjuhën shqipe, për nga burimi, e mendonte të afërt me dakomizishten. Është autor i disa veprave studimore. Midis tyre edhe vepra “Introduction to the History of the Indo-European Languages” (Hyrje në historinë e gjuhëve indoevropiane, Sofje 1981). Tregoi interesim për gjuhët e vdekura, si pellazgjishtja, hetitishtja, etruskishtja.
Në vitin 1963 u themelua Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve për Evropën Juglindore (Association Internationale d’Études du Sud-Est Européen – AIESEE). Sekretariati i Përgjithshëm e ka selinë në Bukuresht. V. Georgiev u zgjodh kryetar i parë i saj.
Gjuhëtari dhe albanologu francez Anri BUASËN (Henri Boissin, 1910-1975) diplomoi për anglishten, për disa gjuhë ballkanike, fino-ugrike dhe më 1949 edhe për shqipen. Me kursin e tij “Hyrje në albanologji” (1949) mund të merret si themelues i mësimit të shqipes në Francë. Degën e shqipes e drejtoi deri në vitin 1968. Me disertacionin “Le dialect guégue parlé à Arbanasi en Dalmatie” (Dialekti gegë që flitet tek arbanasit në Dalmaci) solli ndihmesë të re në studimet dialektore. Vepra kryesore e tij është “Grammaire de l’albanais moderne” (Gramatikë e shqipes së sotme, Paris 1975). Për shqipen dhe letërsinë shqipe ka shkruar një varg artikujsh. Më 1962, mori pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë.
Gjuhëtarja dhe albanologia ruse Agnia Vasilevna DESNICKAJA (1912-1992) studioi për filologji gjermane në Leningrad. Në vitet 1976-1988 drejtoi sektorin e studimeve krahasuese-historike të gjuhëve indoevropiane dhe të gjuhësisë areale. Aty u shfaq interesimi për ballkanistikën, e posaçërisht për gjuhën shqipe. Në vitin 1957, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit, themeloi degën e gjuhës e të letërsisë shqipe të cilën e drejtoi deri në vitin 1992. Në vitin 1946 vizitoi Shqipërinë. Më 1957 përsëri vjen në Shqipëri, por tani për qëllime studimi. Po këtë vit nisi botimi i punimeve të saj kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe. Mori pjesë disa herë në veprimtaritë shkencore të mbajtura në Prishtinë në vitet 1974-1986. Në vitin 1990 mori pjesë në kolokuiumin e mbajtur në Tiranë, kushtuar Naim Frashërit.
A. Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve shqiptare: me historinë e gjuhës, dialektologjinë, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes. I dha rëndësi rindërtimit të brendshëm të gjendjes së shqipes së vjetër dhe integrimit në indoevropianistikë të këtij vështrimi me të dhëna të reja rreth shqipes. Ka treguar disa tipare të përbashkëta të shqipes me gjuhët gjermane. Është autore e veprës “Albanskyj jazyk i ego dialekty” (Gjuha shqipe dhe dialektet e saj, Prishtinë 1972) dhe e përmbledhjes “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe” (1987). Paraqiti një tezë origjinale për eposin shqiptar, duke pohuar se ai u formua në etapën e fundit të rendit fisnor, por më vonë mori mbishtresa të reja. Në veprën “Istoria vsemirnoj literatury” (Historia e letërsisë botërore). Në këtë vepër me shumë vëllime, letërsinë shqipe e përfshiu me tre krerë, Moskë, vëll. 5, 1988; vëll. 6, 1989; vëll. 7, 1991.
Gjuhëtari amerikan Erik Pret HEMP (Eric Pratt Hamp, 1920/21-2019) është një nga indoevropianistët e sotm më në zë. Është edhe albanolog. Anëtar i jashtëm i ASHSH dhe i ASHK. Është marrë edhe me studimin e shqipes. Ka shkruar një varg artikujsh për etimologjinë e një numri fjalësh të shqipes, për fonetikën historike, për numërorët e shqipes, për vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane, për marrëdhëniet e shqipes me mesapishten, për tiparet ballkanike të shqipes, për të folmen shqipe të arbëreshëve dhe të arvanitasve. Është autor i studimeve “On the Arvanitika dialects of Attica and Megarit” (Të folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridës, 1961); “The Albanian dialect of Mandres” (E folmja shqipe e Mandrës,1965); “Il sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo Albanese” (Sistemi fonologjik i së folmes së Vakaricit, Kozencë-Rende, 1993). Është autor i studimeve “The position of Albanian” (Vendi i shqipes) botuar më 1966 në “Ancient Indo-European dialcts”; “Albanian” (Shqipja) botuar më 1972 në “Current Trends in Linguistics”, vëll. 9.
Gjuhëtari kroat Radoslav KATIÇIQ (Radoslav Katičić, Zagreb, 1930 – Vjenë, 2019) është studiues i filologjisë klasike, indoevropianist, sllavist, ballkanolog dhe indolog. Prej vitit 1977 profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës. Në fushën e ballkanologjisë ka shkruar veprën “Ancient Balkan Languages” (Gjuhët e lashta të Ballkanit, 1976), në dy vëllime. Në të, me argumente historiko-gjuhësore dhe onomastike shtjellon tezën e prejardhjes ilire të shqipes. Hapësirën onomastike ilire në lashtësi e ndante në tri zona të mëdha: liburne, panone dhe ilire e mirëfilltë (Illyrii proprie dicti). Është edhe autor i një libri për mitologjinë ilire.
* * *
Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX, formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve si dhe autoktonia e tyre në të gjitha hapësirat shqiptare të Gadishullit Ballkanik, sot është pranuar pothuajse në të gjitha qarqet shkencore të Evropës dhe më gjerë. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve përbën ndërgjegje kombëtare për kombin shqiptar.
LETËRSIA GOJORE SHQIPTARE DHE STUDIUESIT E HUAJ – Përmbledhja më e hershme e letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan georg fon Han në trevëllimshin “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jenë 1854). Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor Reinhold, 1810-1880) shërbeu në flotën greke kur u njoh me folklorin shqiptar nga detarët shqiptarë. Në librin “Noctes Pelasgicae” (Net pellazge, Athinë 1855) botoi një përmbledhje me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare, bashkë me një gramatikë të shqipes. Folkloristi italian Xhuzepe Pitre (Guiseppe Pitrè, 1841-1916) në librin “Fiabe, novelle e racconti popolari siciliani” (Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane, Palermo 1875, katër vëllime) botoi një përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia. Konsulli francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891) që e kishte selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe këngë popullore shqiptare në librin “Manuel de la langue chkipe au albanaise” (Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze, Paris 1879). Pas dy vjetëve botoi librin “Contes albanais, recueillis et traduits” (Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera, Paris 1881). Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923) botoi materiale folklorike shqiptare, ndërto një poezi, dy përralla popullore dhe 53 fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin “Prispevky ku poznani nareci albanskych” (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, Pragë 1883). Albanologu austriak Gustav Majeri (Gustav Meyer, 1850-1900) botoi 14 rrëfenja shqiptare në “Albanische Märchen” (Rrëfenja shqiptare, Lajpcig 1884) si dhe një numër rrëfenjash toske si shtojcë e gramatikës së ti shqipes “Kurzgefaßte albanesische Grammatik mit Lesetücken und Glossar” (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor, Lajpcig 1888). Material folklorik botoi edhe në vëllimet V e VI të “Albanesische Studien” të tij (Studime shqiptare, Vjenë 1896-1897). Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), më 1893 vizitoi Shqipërinë, për të mësuar gjuhën dhe për të mbledhur material gjuhësor. Përmbledhja me 35 përralla popullore shqiptare që i regjistroi në Shqipëri dhe në Korfuz, u botua në librin “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, Lajpcig 1895).
– FUND –
_______________
XHELAL ZEJNELI: SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ (I)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10408

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura