XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (1)

Pashtriku, 19 Maj 2020: Të përndjekur nga Toplica
Të parët tanë ishin shpërngulur me dhunë nga Pllana e Toplicës në dimrin e vitit 1887 nga barbarët serbë e rusë. Babai ynë gjatë Luftës së II-të botërore, i ishte bashkëngjitur çetave të Shaban Palluzhës, në rezistencën kundër terrorit që po i bënin aradhat çetnike serbe të kamufluara, me emërimet partizane. Terror ky që bëhej kundër popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë. – Kur, babai juaj, qe kthyer nga kjo luftë, i rraskapitur nga acari, bashkë me çorapet i kishte rënë dhe lëkura e këmbëve, – tregonte nëna atëherë, tani e ndjerë.

Babai ynë, Islam Pllana, na tregonte për beteja të shumta gjatë kësaj lufte, në një dimër të ftohtë, për mungesën e ushqimeve, veshmbathjeve e municionit, tregonte se si me një kalli misri mbijetonin me javë, etj. Pastaj, se si pas “amnistimit” i kishin mobilizuar në frontin e Sremit për të ndjekur ushtrinë gjermane, se si gjatë kësaj periudhe i kishin vrarë djemtë më të mirë shqiptarë, në masakrën e Tivarit e shumë e shumë masakra e krime të tjera. Nga prindërit dhe nga më të moshuarit kemi dëgjuar dhe për zullumin e shkaktuar nga qeveria jugosllave në aksionin për mbledhjen e “tepricës”, duke ua marrë dhe miellin e magjes, se si i kanë mbijetuar urisë duke gatuar disa pite me një petë etj. Pastaj tregimet për dhunën dhe terrorin serb në aksionin për grumbullimin e armëve që nuk i kishin, se si i torturonin fizikisht e se si i detyronin tërë natën të qëndronin të zbathur në të ftohtë e në borë… se si i detyronin qytetarët shqiptarë të blinin të njëjtën armë për ta dorëzuar etj.etj. Pushtuesit serbë, krahas dhunës fizike, vrasjeve e burgosjeve të shqiptarëve kishin përdorur edhe metodën famëkeqe «përçaj e sundo».
Ne me shokë e kemi luftuar dhe e kemi thyer mitin e ndasive të mbjella nga armiku shekullor. Duke i studiuar gjithë këto peripeci të popullatës tonë, ne kemi biseduar me të rinjtë e të moshuarit dhe kemi shpjeguar e sqaruar për qëllimin e vërtetë të armikut tonë të përbashkët, që ishte përçarja e sundimi mbi ne, prandaj jemi angazhuar për eliminimin e këtyre ndasive, kemi nxitur afrimin dhe bashkimin mes vete dhe kemi arritur shumë në këtë drejtim.

Xhemajl Pllana

Literatura e ndaluar dhe RTSH, burim frymëzimi për veprimtarinë tonë kombëtare
Duke lexuar literaturë kombëtare dhe duke dëgjuar Radio – Televizionin Shqiptar, ne pajiseshim me njohuri të domosdoshme lidhur me luftërat dhe përpjekjet e popullit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar. Ne i dëgjonim emisionet e Radio Tiranës (“Emisionin për bashkatdhetarë”, dhe emisione me tematikë kombëtare, kulturore e artistike.) Ndërsa në Televizionin Shqiptar, kur e kur ne përcillnim filma e drama me tematikë edukative e kombëtare. Duke lexuar literaturë, të ndaluar, ne kemi mësuar:
– për LNÇ,
– për vendimet e Konferencës së Bujanit,
– për Kuvendin e Prizrenit të vitit1945,
– për LNDSH,
– për proceset e shumta gjyqësore, siç ishte ai i Prizrenit me 1956,
– për aksionin e mbledhjes së armëve 1956-1957, të udhëhequr nga Rankoviçi,
– për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi (Marrëveshja xhentëlmene jugosllavo – turke e vitit 1953, e nënshkruar mes presidenti Josip Broz Tito dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë Mehmet Kopurly.
Serbia pa hezituar i kishte shpallur për turq rreth 60.000 shqiptarë të cilët në ndërkohë do t’i shpërngulte për në Turqi. Ne, kështu, mësuam për ndjekjet, burgosjet dhe dënimet e pandërprera të intelektualëve shqiptarë, mësuam për mohimin e arsimit në gjuhën shqipe, për ndalimin e përdorimit të flamurit kombëtar etj. Mirëpo rezistenca shqiptare ndaj të gjitha këtyre padrejtësive nuk ishte ndërprerë asnjëherë. Ajo u manifestua në mënyra dhe forma të ndryshme, deri në organizimin e demonstratave të vitit 1968, kur u kërkua Republika, Kushtetuta, Flamuri, Universiteti e të drejta të tjera. Më 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës, i cili ishte tempulli i dijes dhe i përgatitjes të inteligjencës dhe shkencës shqiptare për fitoret e mëtutjeshme kulturore, arsimore e politike për Kosovën. Me këtë rast u realizua e drejta e përdorimit të Flamurit tonë kombëtar, u fitua dhe Kushtetuta e vitit 1974, e cila ua njohu disa të drejta më shumë shqiptarëve, mirëpo mbeti pa u realizuar Republika e cila nënkuptonte barazi me popujt të tjerë të Jugosllavisë.
Organizatat dhe personalitetet që na frymëzuan në rrugëtimin tonë politik e kombëtar!
Metush Krasniqi, u lind më 19 gusht të vitit 1928, në fshatin Dajkoc të komunës së Dardanës. Ai kishte bërë kthesë historike në luftën politike e kombëtare në trojet shqiptare të robëruara nga Jugosllavia. Ai me idetë e para politike ishte paraqitur në vitet 1953-1956. Në qershor të vitit 1957 së bashku me Sejdi Kryeziun dhe Mark Gashin e kishin themeluar “Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave shqiptare me Shtetin Amë (PRBTSHSHA). Ishte burgosur më 3 nëntor 1958. Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar me vdekje, mirëpo në gjykimin përfundimtar ai ishte dënuar me 18 vjet burg të rëndë.
Fjala mbrojtëse e bacës Metush e kishte lënë pa frymë Trupin Gjykues, 1 -7 mars 1959 në Gjygjin e Qarkut në Gjilan. ”…Para këtij gjyqi deklaroj, me përgjegjësi morale dhe politike se e kam themeluar organizatën politike “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin amë “, Referatin e kam shkruar, e kam bërë skicën për formacionin ushtarak-brigadën e luftëtarëve shqiptarë të Anamoravës Lindore (ORGANOGRAMIN), e kam vizatuar Shqiponjën dykrenore që të betoheshim para saj, i kam shkruar poezitë, trakte e proklamata, i kam bërë thirrje popullit tim për luftë për Çlirim Nacional dhe Bashkimin me Atdheun tonë – Shqipërinë. Plotësisht jam, i vetëdijshëm, ia kam pasur borxh popullit tim, andaj, e kam dhënë një kontribut të vogël, pasi që nuk kemi arritur t’i çlirojmë në tërësi trojet shqiptare, prandaj e kam ndjerë detyrim të veproj e punoj për popullin tim e viset shqiptare derisa të arrijmë lirinë, prandaj nuk do të pushoj së punuari në këtë drejtim, për bashkimin e trojeve shqiptare në një SHTET me një emër të natyrshëm, SHQIPËRI”…! “…Vërtet kam shkruar për masakrat e gjenocidin ndaj popullit shqiptar, të cilin e ka shkaktuar shteti jugosllav, pra, kam shkruar dhe do të shkruaj gjer sa t’i realizojmë kërkesat tona. Nuk mund të quhet krim, nëse lufton për çlirimin e popullit dhe atdheut tënd. Nuk është krim nëse e pengon shpërnguljen e popullit tuaj dhe e pengon kolonizimin me serb e të tjerë! Mund të më quani nacionalist dhe irredentist, por unë ndihem krenar, sepse kam vepruar me ndërgjegje njerëzore, prandaj ju nuk mund të më dënoni për krimet që i ka bërë shteti jugosllav ndaj shqiptarëve prej nëntorit të vitit 1944 e gjer në aksionin e armëve më 1955/56 dhe torturat që ia kanë shkaktuar popullit shqiptar, ju mund të më dënoni mirëpo, drejtësia është në anën time dhe shokëve të mi. Nëse sadopak kam thënë të pavërteta atëherë unë, kam përgjegjësi. Nëse mund të më bindni se Sahit Zubakun nuk e kanë varur, policët dhe UDB-a atëherë, do të isha i lumtur sikur Sahiti të ishte i gjallë !” Metush Krasniqi bënte thirrje: “Mos u shpërngulni, mos i lëshoni vatrat tuaja stërgjyshore. Këtu keni lind, ky është dheu i juaj dhe ku jeni mësy ku, atje kurrkush nuk ju njeh dhe nuk do t’ju flasë asnjë fjalë të ëmbël shqip. Mos u bëni fatmjerë, mos i ri-robëroni fëmijët tuaj. Jeni shqiptarë, Shqipëria do të na ndihmojë, nuk jemi jetim, mos ua ktheni shpinën varreve të baballarëve tuaj”! 1
Ideali kombëtar i Metush Krasniqit dhe shokëve të tij, ishte mbi të gjitha çështjet. Fëmijët, na mësonte baca Metush, duhet t’i nxisim që t`i lexojnë me rrënjë veprat e Naimit, Filip Shirokës, të Migjenit e të Esat Mekulit.
– Në politikë duhet të mësojmë shumë nga programi i Adem Demaqit, – thoshte Metush Krasniqi. Transformimi (ndryshimi) sipas Metush Krasniqit, mund të bëhej vetëm me argumentin e forcës ushtarake, sepse armiku serbo-sllav nuk njeh gjuhë tjetër. Mendimi programatik i bacës Metush ishte shumë i qartë, përcaktues, kur shpjegonte, se si të arrihej çlirimi nga robëria. “Nuk mund të behet fjalë për liri pa krijimin e forcës së mirëfilltë ushtarke. Vetëm forca është dëshmuar në histori deri më sot, se është mjet i çlirimit të vërtetë. Ideologjia mund të bëhet njëfarë mjeti shtytës për veprim horizontal dhe vertikal por jo edhe përcaktues për çlirim kombëtar”. Ndërsa në politikën e jashtme i jepte përparësi përmirësimit dhe forcimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ali Aliu – Kelmendi
Ali Aliu – Kelmendi, u lind më 22 qershor të vitit 1924. Ka mbaruar shkollën e Medrezes në Shkup. Si 17 vjeçar, sa ishte nxënës i Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë, antarësohet në Organizatën e Rinisë Antifashiste të Prishtinës. ndërsa Fakultetin Ekonomik në Beograd. Ali Aliu ishte ekonomist i parë shqiptar në viset shqiptare të okupuara nga Jugosllavia. 2
Në Maj të vitit 1960, ish të burgosurit e Goli Otokut, Ali Aliu-Kelmendi (Presheva), Kadri Halimi me të vëllain, Ramadan Hoxha (Halimi) kishin themeluar organizatën “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi me Republikën e Shqipërisë» (KRBTSHJSH). Kjo organizatë shumë shpejt ishte shtrirë në viset shqiptare nën Jugosllavi. Në Artakoll dhe Preshevë ishin themeluar edhe grupe të armatosura. Pasi të formoheshin edhe njësitet e rretheve tjera do të bëheshin aksione të koordinuara në mbarë hapësirën shqiptare në Jugosllavi. Mirëpo aksionet nuk do të bëheshin pa marrë leje nga udhëheqja e Shqipërisë. Për një kohë të shkurtër rrjeti organizativ i këtij Komiteti ishte zgjeruar me shumë sukses në të gjitha viset shqiptare. Prandaj kishin vendosur të mbanin Konferencën e Përgjithshme të Organizatës në Malësi të Preshevës. Mirëpo, kjo Konferencë nuk arriti të mbahej, sepse Organizata ishte zbuluar nga UDB-a, e cila kishte filluar përndjekjet e anëtarëve të organizatës.
Në burgun e Mitrovicës u njohëm me bacën Ali Aliu – Kelmendi
Me rastin e burgosjes e “izolimit” i cili na u bë, me rastin e demonstratave gjithpopullore të vitit 1981, u njohëm me frymëzuesin e Bashkimit Kombëtar Ali Aliu – Presheva. Baca Ali ishte i ngrohtë, i afërt e tepër komunikues, ishte me humor të hollë, prandaj ai na i fitoi zemrat e të gjithëve, derisa kemi qëndruar në “oden e madhe” (kështu i thoshim bodrumit të madh, në të cilin na kishin futur). Baca Ali na tregonte për gjithë përvojën e hidhur nëpër burgjet tepër të rënda e antinjerëzore, nëpër të cilat kishte kaluar ai me shumë të tjerë. Ai na tregonte ngjarje të shumta, madje ai edhe vuajtjet e ndryshme i tregonte me humor të hollë sa që dhe natën na e bënte ditë. Bile një natë vonë gati sa nuk e pësuam sepse të qeshurat tona i kishte dëgjuar dhe roja e karakollit të burgut, por ne shpëtuam, sepse ata nuk ishin të sigurt, se nga cila dhomë po vinin të qeshurat. Pa dyshim se rrëfimet dhe tregimet e Bacës Ali dhe Kadri Halimit me shokë ishin frymëzim dhe motivim për shumë nga ne, që do të vazhdonim veprimtarinë për Republikën dhe Bashkimin.
Adem Dema në ballë të luftës për liri dhe bashkim kombëtar!
Adem Dema u lind më 26 shkurt të vitit 1936,në fshatin Lubç të komunës së Besianës.3 Adem Dema,si gjimnazist, kishte formuar Shoqërinë Kulturore “Shkëndija”. Si 17 vjeçar (1953) kishte botuar tregime në gazetën « Rilindja » dhe në revistat “Zani i Rinisë” e “Jeta e Re”. Ai me tregimin “Kthimi” bënte thirrje të hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Në dimrin e vitit 1955-56 pushteti jugosllav kishte filluar fushatën për mbledhjen e armëve në Kosovë. Me këtë, thoshte Dema, ”pushteti donte të fuste frikë e tmerr në popull për ta braktisur me çdo kusht Kosovën. Njerëzit nxirreshin prej shtëpive dhe keqtrajtoheshin nëpër borë e acar, derisa lëkura u binte si pendla e pulave”. Në vitin 1958, në revistën “Jeta e Re” kishte botuar romanin e vet të parë “Gjarpijtë e gjakut”. Nëpërmjet romanit Dema kritikon traditën kanunore të hakmarrjes, ”Jo atyne që janë trima me e ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë trima me e shtri dorën e pajtimit !”. Ndërsa në esencë ai u bënte thirrje shqiptarëve që t’i lënë vëllavrasjet e t’ia kthejnë pushkën pushtuesve. Në vitin 1958 kishte refuzuar ftesën për anëtarësim në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë.
Adem Dema për herë të parë burgoset më 19 nëntor të vitit 1958. Arsyeja e arrestimit ishte: ”Veprimtaria armiqësore kundër rregullimit shtetëror të RFPJ-së, si angazhim i drejtpërdrejtë për shkëputjen e territorit të Kosovës nga shteti Jugosllav dhe njësimin e saj me Shqipërinë. Ndërsa, para se të nisej gjykimi, më 19 shkurt 1959, Momçilo Canoviç e «këshillonte» Demën: ”Nëse u përmbahesh deklaratave të pendimit që i ke nënshkruar, s’do ta besosh as vetë se sa lehtë do të kalosh”. Ndërsa Dema ia kishte kthyer: “Deri këtu e keni pasur ju, kurse tash e tutje e kam unë në dorë”. “Këto akuza s’janë veçse një pjesë krejt e vogël dhe bile më e buta e atyre që i kam thënë. Unë kam thënë edhe se, që nga vetë formimi i shtetit serb më 1878, politika serbe ka qenë gjithmonë politikë armiqësore ndaj shqiptarëve dhe cenuese ndaj tokave të tyre. Pavarësisht se kryengritësit shqiptarë në tetor të vitit 1912 i çliruan e i bashkuan tokat shqiptare, shteti serb, nga tetori i të njëjtit vit, bashkë me Malin e Zi, sulmoi dhe pushtoi më shumë se gjysmën e këtyre tokave. Kam thënë edhe se, në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, të mbajtur në verë të vitit 1945 në Prizren, regjimi serb padrejtësisht i likuidoi e i burgosi ata deputetë që kërkuan respektimin e Rezolutës së Bujanit për vetëvendosje dhe që e kundërshtuan vendimin për bashkëngjitje të Kosovës me Serbinë. Kam thënë edhe se terrori policor mbi fshatarët në dimrin e vitit 1955 \ 56 dhe burgosja e dënimi i grupeve të të rinjve shqiptarë në Prishtinë e Shkup kishte për qëllim t’i shtonte e t’i përshpejtonte flukset e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi…”.

– Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Halimi dhe Ali Aliu –

Prandaj kishte ndërhyrë prokurori Rakoçeviç, i cili nuk e kishte lejuar Demën të vazhdoj më tutje. Pas dëgjimit të dëshmitarëve, gjykatësi Kallugjeroviç i kishte ofruar të akuzuarit Demaçi ta thotë fjalën e vet, si shans i fundit për t’u distancuar nga qëndrimet që i mbronte me ngulm, ndërsa Adem Dema, kishte deklaruar: “Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq. Ndërsa Prokurori Rakoçeviç kishte reaguar duke thënë ”Ju i keni pasur punët mirë, keni botuar një roman e tregime. Juve nuk ju ka munguar kurrgjë hiç”. Dema i përgjigjet “Ndoshta mua nuk më ka munguar kurrgjë, por populli im është në gjendje të keqe”. Prokurori kishte ndërhyrë: ”Ah, d.m.th., ju e paskeni hallin e popullit”? Ndërsa Adem Dema ia kishte kthyer: ”Unë e kam vetëm hallin e popullit. Asgjë tjetër”.
Më 17 mars të vitit 1959, Adem Dema ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe ishte dënuar me 5 vjet burg të rëndë për propagandë armiqësore kundër rregullimit shtetëror të RSFJ-së.
“Kur vendosa ta formoja organizatën ilegale, “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, e mora një copë letër dhe e shkrova emrin Adem Dema, pastaj me një fije shkrepëse e dogja. I thashë vetes, se ti edhe mund të mos jesh më në këtë jetë”. Kështu që dhe u përshëndeta nga të gjithë sentimentalizmat. U përgatita të ndahesha edhe nga nëna, gruaja, fëmijët. Kështu, as arrestimi e as vetë burgu nuk më janë dukur si diçka e rëndë, sepse kur njëherë vendos se nuk je më, atëherë të gjitha gjërat që mund të të ndodhin i pranon në mënyrë krejt të qetë. Natyrisht, ishte vështirë të merret një vendim të tillë” – thoshte Adem Dema.
“Unë kam simpati për Shqipërinë. Jugosllavia pa të drejtë po e mbanë Kosovën në kuadër të vet. Jugosllavia, duke e ndarë popullin shqiptar në dysh, po e dëmton edhe mundësinë e përparimit të vet dhe të ndërtimit të socializmit.” thoshte Adem Dema para trupit gjykues, (pas një procesi të gjatë të hetimeve). Ndërsa ne, kush më herët e kush më vonë, i dëgjonim gojë më gojë, ose i lexonim në mënyra të ndryshme nga njerëz të besueshëm ose në radiot shqiptare e televizionin shqiptar, prandaj ishin dhe frymëzime për të vepruar ose për të ndihmuar dhe ne sadopak në realizimin e këtyre qëllimeve tona kombëtare. Këto dhe shumë shembuj të veprimtarëve të tjerë, janë disa nga shembujt që na kanë frymëzuar për angazhimin tonë kombëtar.
_____________
Referencat:
1 www,radiokosovaelire.com/prof-dr-hakif-bajrami-metush-krasniqi-promotor-i-levizjes-shqiptare-per-liri-dhe-bashkim-kombetar/ 24 dhjetor 2018
2. www,vetevendosje.org/perurimi-i-librit-ali-aliu-kelmendi-ringjallja-e-prometeut/
3. Gashi Shkelzen,Adem Demaci, biografi:Prishtinë :2010
VIJON….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura