XHEMAJL PLLANA VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (13)

Pashtriku, 6 gusht 2020:
Regjimi i Millosheviqit filloi ndjekjen, arrestimin dhe vrasjen e pjesëtarëve të UÇK-ës
Nga ana tjetër regjimi serboçetnik i Millosheviqit, survejonte dhe po ndiqte, pjesëtarët e UÇK-së. Kështu, me 28 Janar 1997 në Prishtinë, arrestohet Nait Hasani. Tri ditë më vonë më 31 janar 1997, në një pritë të organizuar nga policia serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë vriten tre udhëheqësit e lartë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Në vjeshtën e vitit 1998 policia serbe i rrëmbyen dhe u zhdukën Xhavit Hazirin, Hafir Shalën dhe Hysen Zogjanin. Ndërsa në Mars 1997, në Shqipëri, ndodhën revoltat e mëdha të qytetarëve kundër skemave piramidale, duke e sjellë shtetin shqiptar në një kaos politik dhe ekonomik, në pasiguri dhe viktima të shumta. Këto ngjarje u përjetuan shumë rëndë tek shqiptarët kudo që ishin në trojet e tyre, edhe jashtë, sepse lufta që ishte në prag, kërkonte një Shqipëri të qëndrueshme, të fortë dhe krah i fuqishëm i çështjes së Kosovës.

Mehë Ramë Uka, 1962 – 1996

Inskenimi i vrasjes së veprimtarit të paepur Mehë Ramë Uka
Mehë Uka lindi më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë. Më 6 qershor 1979, në prag të vizitës së Titos,së bashku me shokë, shpërndau parulla dhe afishe me mbishkrimin: Trepça punon – Beogradi shfrytëzon. Shpirti i tij luftarak shpërtheu në demonstratat e 26 marsit dhe 1 e 2 prillit 1981, kur dënohet me dy muaj burg. Në janar 1984, sa ishte në shërbimin ushtarak, dënohet me shtatë vjet burg. “Unë dua të qëndroj, të luftoj e ta çliroj Kosovën! – i kishte thënë drejtorit të burgut në Sombor, kur ai i kishte propozuar të ikte, me qëllim që ta vrisnin”.
Pas amnistisë në prill të vitit 1990, edhe Mehë Uka lirohet. Me ca shokë formoi Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilin për disa muaj e udhëhoqi vetë.
Ideal i tij jetësor ishte çlirimi i trojeve shqiptare dhe bashkimi kombëtar. Me tërë qenien përpiqej për unitet kombëtar. Anëtarësohet në LKÇK, por nuk i shkëput lidhjet me LPK-në. Posa u formua krahu i luftës, ai krijoi lidhje me tri bazat kryesore: me Drenicën (Hamzën e Ademin), me Llapin (Zahir Pajazitin) dhe me trevën e Vërrinit (Badallajt e Zhurit).
Edhe si mësues në vendlindje ishte i palodhshëm. Shtëpia e tij ishte bastisur dhjetëra herë, ndërkaq vetë kishte qenë shumë herë në biseda informative. Sipas dëshmive të bashkëshortes së tij, Resmie Badallaj, në mbrëmjen e 28 dhjetorit të vitit 1996 Mehë Uka ishte nisur në një detyrë të caktuar për në Mitrovicë. Në fshatin Lushtë, në hyrje të qytetit i ishte inskenuar vrasja aksidentale nga policia sekrete serbe. Mirëpo, nga plagët e vërejtura në trupin e tij, ishte hetuar se nuk ishte aksident komunikacioni, por likuidim i paramenduar. Gjatë kohës së luftës, emrin e Mehë Ukës e mori Brigada 141 e UÇK-së e ZOSH-it.
Vrasja në pritë e dëshmorëve të kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha
Duke parë padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar nga regjimi serb, të rinj e të reja, burra, gra, fëmijë e pleqë ngritën zërin e tyre në protesta e demonstrata të shumta.
Megjithat dhuna, burgosjet politike, vrasjet dita ditës po rriteshin në Kosovë. Rezistenca që populli shqiptar po i bënte regjimit serb me demonstrata po shtypej edhe më shumë se në vitet e ’80-ta.
Prandaj gjithë këtë kaos nuk do mund ta duronin Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushefci dhe shokët tjerë që do t’ju bashkoheshin më pas.

Më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti së bashku me bashkëluftëtarin dhe nipin e tij Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarin tjetër Edmond Hoxha nga Juniku, ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë. Forcat policore serbe kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku që të tre bien heroikisht në luftë me këto forca çetnike. Heronjtë tanë ranë në pritën e organizuar nga regjimi serb, ndërmjet fshatrave Pestovë dhe Maxhunaj të Vushtrrisë. Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin pjestarë të celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Prishtinës, që kanë mbajtur lidhje të forta me grupet e armatosura të asaj kohe në Drenicë, të udhëhequra nga Komandanti legjendar Adem Jashari. Edmond Hoxha ishte varrosur në Junk, Hakif Zejnullahu në Lladovc, kurse Zahir Pajaziti në Turuçicë.
Zahir Pajaziti ishte një ndër udhëheqësit e shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte i kyçur drejtpërsëdrejt në organizimin e shumë atentateve ndaj forcave policore ushtarake serbe të kryera në regjionin e Podujevës, Prishtinës dhe Mitrovicës.
Ramadan Pllana përbuz dorën e zgjatur të Komandantit famëkeq të policisë së KK të Vushtrrisë
Në një rrugë të qytetit të Vushtrrisë,Vuçina Janiçieviç, për ta komprometuar në publik ia zgjat dorën Ramadan Pllanës, ndërsa Dani ia refuzon me: “nuk e ndyj dorën time me tënden”.
Gjatë vitit 1997 Dani është ndaluar, është maltretuar e torturuar shpeshherë. Në Prill 1997 jemi ndaluar dhe në fshatin tonë, ndërsa Dani mbahet në stacionin e policisë, me pretekstin se nuk e kishte mbaruar burgun, mezi ia kemi gjetur fletëlëshimin, dhe është liruar me kusht, për t’u paraqitur prap në stacionin e policisë. Më 1 gusht 1997, Ramadan Pllana arrestohet vetë i pesti, në një kafe-çajtore të Vushtrrisë, ku akuzohet për veprimtari në guerile. Për pasojë Danit i keqësohet gjendja shëndetësore, prandaj më 01.08.1997, së bashku me vëllain Selimin udhëtuan për në Ulqin, ku u takuan me Xhavit Hazirin dhe Sabit Kadriun.
Me këte rast, dhe me pëlqimin e Xhavit Hazirit, Dani kaloi në Shqipëri e pastaj në Zvicër. Në Zvicër, Dani vazhdoi aktivitetin në LPK dhe veçanërisht në Fondin “Vendlindja Thërret”. Ka qenë kryetar i Këshillit të LPK-së për Lozanë, anëtar i Kryesisë së LPK-së për Zvicër si dhe anëtar i Këshillit të LPK-së Dega jashtë vendit.
VIJON …
_________________
XHEMAJL PLLANA VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (12)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10292

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura