XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (8)

Pashtriku, 16 qershor 2020:  (1) Greva e Minatorëve të Kombinatit “Trepça”
Nga 20-28 Shkurt 1989 filloj greva e Minatorëve të Kombinatit Xehtaro-Metalurgjik “Trepça”. Në horizontin e tetë të kësaj miniere u ngujuan 1.300 minatorë, kurse në palestrën sportive në Prishtinë u ngujuan 10.000 studentë. Këshilli grevist i minatorëve përpiloi 10 kërkesa. Ndër kërkesat ishin: ndërprerja e politikës shoviniste serbe, ruajtja e autonomisë së Kushtetutës së vitit 1974 dhe dorëheqja e tre udhëheqësve të Lidhjes Komuniste në Prishtinë, Rrahman Morina, Hysamedin Azemi dhe Ali Shukrija. Punëtorët po kërkonin mbrojtjen e autonomisë së vitit 1974 dhe po kundërshtonin ardhjen e Millosheviqit në krye të Serbisë.

Ndërsa LPRK-ja në krye me Afrim Zhitinë dhe Fadil Vatën me shokë, nëpërmjet trakteve, po u bënin thirrje grevistëve dhe popullit për Kosovën Republikë.
Pas një jave qëndrimi në nëntokën e Kosovës, minatorëve iu afrua një vendim për gjoja plotësimin e kërkesave të tyre, pra për dorëheqjen e Ali Shukriut, Hysamedin Azemit dhe Rrahmon Morinës. Në fakt kjo ishte një lëvizje mashtruese e LKJ dhe e Millosheviqit, sepse minatorët posa dolën në sipërfaqe u arrestuan nga policia jugosllave, u shpall gjendja e jashtëzakonshme, nga dhuna ushtarake e policore u përgjakën demonstruesit anembanë Kosovës, ndërsa në Kuvendin e Kosovës u organizua votimi për suprimimin e autonomisë. Në Beograd, Kongresi i LKJ-së i ndërpreu punimet me braktisjen e komunistëve sllovenë dhe kroatë. Ky ishte fundi i LKJ-së, i cili paralajmëronte fundin e RSFJ-së. U arrestuan: Azem Vllasi, Aziz Abrashi, Burhan Kavaja, Mensur Fejza, Riza Musliu, Smajl Limani, Ibush Jonuzi, Veli Osmani, Mursel Haziri, Sinan Kurteshi, Ramiz Kadriu etj. Në bazë të vendimit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, organet e punëve të brendshme zbatuan masën e “qëndrimit në vend të caktuar (izolim) edhe ndaj 34 personave: Lazër Krasnici, Bahri Oruçi, Ekrem Arifi, Ibrahim Osmani, Xhafer Gashi, Mustafë Goga, Emrush Dibra, Xhemshit Vokrri, Fadil Citaku, Salih Lulaj etj. Mirëpo, Qeveria serbe nuk përfilli vullnetin e shqiptarëve dhe në vend të kësaj përsëri vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, që i përngjante një shtetrrethimi ushtarak. Ndërsa, më 23 Mars 1989, nën rrethimin policor e ushtarak të Parlamentit të Kosovës u imponua votimi dhe numërimi i votave në aspak korrekt dhe jo-transparent, ku Kosova humbi autonominë e saj.

Delegatët që votuan kundër shfuqizimit të Autonomisë së Kosovës
Kundër pezullimit (suprimimit) të autonomisë kanë votuar këta delegatë: Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Avdi Berisha, Ejup Qorri dhe Hysen Shabani (për dy të fundit është e vërtetuar me foto se kanë votuar kundër, mirëpo çuditërisht në disa shkrime nuk është shkruar për këta ish delegatë të Kuvendit të KSA të Kosovës. (Xh.P). Menjëherë filluan protestat e demonstrata kudo nëpër Kosovë, ku pati shumë të vrarë dhe të plagosur.
Demonstratat popullore kundër shfuqizimit të autonomisë së Kosovës
Më 27 dhe 28 mars të vitit 1989, në qendër të Prishtinës, por edhe në qytete të tjera të Kosovës, filluan demonstratat, si dhe përleshjet e protestuesve shqiptarë me forcat e shumta policore serbe e jugosllave. Rinia shqiptare ishte më e vendosur se kurrë. UDB-a filloi të arrestonte demonstruesit më të vendosur. Në mesin e tyre ishte edhe, Ismet Krasniqi i cili me shkathtësi iu shmang kapjes, duke i palosur për tokë dy inspektorë të UDB-së. Në demonstratat e 27 dhe 28 marsit në Kosovë, kanë ranë 28 dëshmorë, dhe ishin plagosur e arrestuar qindra të tjerë. Vetëm në Prishtinë, kanë rënë dëshmorë: Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.
Tre dëshmorët: Xhymshit Badallaj, Xhylbehar Badallaj dhe Hajrim Badallaj kishin rënë në Zhur gjatë intervenimit të policisë në shkollën e fshatit, 20 të tjerë kanë rënë në qytete të ndryshme të Kosovës. Në këto përballje të fuqishme të rinisë shqiptare kundër forcave policore okupuese serbo-jugosllave, vlen të përmendet edhe heroizmi i demonstruesit, Sevdat Xhafolli, i cili duke u përpjekur t’i shkelte policët serbë me buldozerin që e kishte siguruar në Fabrikën e Tjegullave afër Xhamisë së Llapit, bie dëshmor.

Shtruhere (Vushtrri) 1991: Ramadan dhe Xhemajl Pllana, Myrvete dhe Ferki Morina, Selvete Greiqevci dhe Myrvete Mirena

(2) Demonstrata e grave dhe vajzave të Pantinës
Më 23 Mars 1989, Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nën presionin e UDB-ës, serbe, votoi amendamentet për shfuqizimin e Autonomisë së KSA të Kosovës. Ky veprim antishqiptar u pasua me protesta e demonstrata të shumta, të cilat u shuan me dhunë, me gjak e me burgje për rininë dhe popullin shqiptar. Po në këtë ditë, policia serbe, dëboi me dhunë dhe me gaz-lotsjellës dhe nxënësit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Pantinës. E gjithë kjo orgji shoviniste antishqiptare serbo-jugosllave, nxiti një organizim e demonstrim spontan të grave trimëresha të lagjes Shaqiri të Pantinës. Dhe këtij organizimi e demonstrimi po i prinin gratë dhe vajzat sypatrembura të këtij fshati si: Fatime Shaqiri me kunatën, Zojë Shaqiri (Nailja), Hana Shaqiri, Halide Shaqiri dhe Arife Shaqiri, të cilat u bënë thirrje të gjitha grave të lagjes për t’iu bashkuar demonstratës. Ato u arrestuan dhe u dënuan për vepër penale, ”Cenim kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 i Ligjit Penal të Jugosllavisë”. Gjykata e Qarkut e Mitrovicës në proceset e mbajtura gjyqësore në verën e vitit 1989 i akuzoi se “Në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në demonstratat armiqësore të organizuara nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar” dhe i dënoi si vijon:
1.Fatime Xh Jashari-Shaqiri, nga fshati Sumë (Pasomë) me v. b. në Pantinë 2 muaj burg,
2.Zoja A Shaqiri, nga fshati Koshtovë me v. b. Pantinë 2 muaj burg,
3.Luljeta Q Salihu nga Mitrovica me v. b. Pantinë, 40 ditë burg,
4.Metullahe (Metije) R Hasani, nga fshati Vërrini (Vërnica)me v. b. Pantinë 2 muaj burg,
5.Rahime Q Hasani, nga fshati Buçaj, (Tërllabuq), me v. b. në Pantinë, 2 muaj burg,
6.Sadije Rexha nga fshati Pantinë, 40 ditë burg.

Më 28 Mars 1989 gratë dhe vajzat tona sypatrembura kishin demonstruar dhe Mitrovicë e në Ferizaj.
Burgosja ose “Izolimi” i dytë
Në vitin shkollor 1988/89, me ndihmën e disa miqve (Musli Salihu, Kadri Tërnava etj.) jam punësuar në SHMT “Nikolla Teslla”në Obiliq. Atë natë isha në Prishtinë në një banesë me qera në lagjen “Veternik” të cilën sapo e kisha marrë. Isha së bashku me shoqen, Selveten dhe Drilonin e vogël 6 muajsh. Edhe Dani pas demonstratës kishte ardhur në banesën time. Për fat të mirë ai u zgjua më herët dhe kishte shkuar te Hysen Daci (ish i burgosur politik), i cili ishte aty afër me shtëpi. Në ndërkohë banesa ime u rrethua nga policia. U futën Brenda, kontrolluan në imtësi, deri dhe në oxhak të shtëpisë. M’i konfiskuan disa libra dhe literaturë që më kishte qëlluar dhe, i sollën tre dëshmitar që gjetën atypari!
Ndër dëshmitar e sollën dhe të nderuarin Hysen Daci! Mirëpo baca Hysen kishte ngulur këmbë dhe assesi nuk pranonte që të nënshkruante procesverbalin e të gjeturave. Më kot u përpoqa dhe unë që ta bindja për të nënshkruar, sepse nuk kishte ndonjë material ose diçka që do mund të më rëndonte. Në fund më urdhëruan që të bëhesha gati dhe të shkoja me ata, vetëm për një bisedë informative? Isha i sigurt, se e kundërta do të ndodhte, prandaj i thashë shoqes time të më sillte një pallto lëkure, e cila më është dashur shumë për ata muaj sa qëndrova nëpër burgjet e ftohta serbe. Mirëpo shpëtimi i Danit ishte një lehtësim për mua, sepse ai kishte mbajtur 6 vite burg të rëndë dhe kjo ma lehtësonte qëndrimin tim në burg. Tërë ditën e 28 marsit na mbajtën nëpër lokalet e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës. Më morën në pyetje dhe kërkuan që të tregoja lidhur me organizimin e fshehtë, për shokët, për aksionet e për…, më në fund më thanë, se do të flisja diku tjetër dhe patjetër bile?! Dikur pasdreke na zbritën në oborrin e burgut të Prishtinës, aty e vërejta dhe Ferki Morinën dhe shumë të tjerë. Mua më vendosën në një autobus përplot me veprimtarë, burra e intelektual të dëshmuar. Pak para se të perëndonte dielli autobusët u nisën, në drejtim të tregut të gjelbër, kah xhamia e Llapit, pastaj u kthyen në të djathtë në drejtim të Medreses dhe vazhduan rrugën që shkonte në drejtim Leskovcit. Gjatë rrugës kemi takuar dhe fshatarë serbë, të cilët në vend se të ndjenin dhembje, bënin gjeste duke na treguar sikur donin të na prisnin kokat neve që ishim në autobus! Mbase dhe e dinin se çfarë do të ndodhte me ne?! Po atë ditë, në burgun e Prizrenit ishte vrarë me torturë dëshmori i kombit Xhemajli Berisha.

Në burgjet serbe, pikturoi nga Sylë Mujaj

Pritje dhe tortura huliganësh në burgun e Leskovcit
Posa autobusët u futën brenda burgut të Leskovcit, autoritetet dhe stafi i tyre na kanë pritur me britma huliganësh, na kanë futur nëpër korridore, na kanë zhvesheshur dhe na nxirrnin një nga një duke na goditur policë e gardianë të rreshtuar nëpër korridoret e këtij burgu famëkeq. Diku kah mesi ishte zyra e mjekut, i cili “konstatonte” gjendjen tonë shëndetësore. Ndërsa ai mjeku si “human” që ishte, ua jepte “vizën” policëve, që të vazhdonin mëtutje deri sa na fusnin në birucat e ftohta të këtij burgu. Në dhomë kam gjetur të dërrmuar H. Shehollin, Ahmet Zekën, B.Ulajn. Këtu kam qëndruar në një dhomë dhe me Rexhep Ismajlin, Naip Zekën, Adem Salihajn nga Peja, Agim Vllasin e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Na dhanë një ushqim me një lloj xhemi që të kapej si ngjitës e nuk shkonte dot. Të nesërmen na morën një nga një, gjoja për të na marrë dhënat personale, duke na pritur te dera si djajtë e duke na goditur, në të shkuar e në të kthyer te zyra e administratës. Mua më caktuan si udhëheqës i dhomës. Prandaj duhej të raportoja për çdo mëngjes. Ditën e tretë më urdhëruan të dilja përsëri, por këtë herë nuk më goditën, por më dërguan në një qoshe ku ishin një palë rroba të bardha e të përgjakura. Më urdhëruan që t’i merrja me vete. Dyshoja se dike e kishin mbytur. I dërgova në dhomë, pastaj e sollën Sadri Tafilajn, i cili tregoi se rrobat ishin të tij. U gëzuam shumë që ai ishte i gjallë dhe po mbahej mirë. Si i ri kishte shkuar në Shqipëri, ishte shkolluar e kishte punuar në arsim si profesor i Matematikës. Pastaj ishte kthyer në familje, ishte martuar dhe sa ishim në burg i lindi fëmija i parë. Në ndërkohë filluan të na merrnin në pyetje duke llogaritur, se pas atyre torturave ne do të pranonim gjithçka që na kërkohej. Më morën në pyetje dy operativistë, njëri ishte nga Beogradi dhe njëri nga Gjilani, i cili quhej Isa Bunjaku. Operativisti nga Beogradi më pyeste por nuk ushtronte dhunë, ndërsa Isa meqë nuk i jepja asgjë që dëshironte, më doli nga prapa dhe tinëzisht më goditi fort dhe me të dyja shputat e duarve, përnjëherë në të dy veshët, sa që nuk besoja se do të dëgjoja më. Paraprakisht isha zotuar para shokëve të dhomës se pavarësisht pasojave nuk do të jepja asnjë emër.
Vizita e delegacinit federativ dhe organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International
Në fillim të javës së dytë filluan të vinin delegacione nga Federata Jugosllave, delegacione të organizatës për të drejtat e njeriut (Amnesty International), nga jurisprudenca e Kosovës. Nga dhoma jonë e morën Binak Ulajn, i cili na tregoi se e kishte raportuar të gjithën duke e dëshmuar dhe me plagët në trupin e tij. U kuptua se gjendja ishte alarmuar, prandaj ishte një si lehtësim dhe për ne, të paktën se do të ndërpriteshin torturat dhe maltretimet.
Pas vizitave të delegacioneve na transferuan nëpër burgjet tjera
Pas dy jave, na transferuan nëpër burgje të tjera. Mua më dërguan në burgun e Zajeçarit. Aty nuk na priten sikurse në Leskovc, mbase sepse ishte alarmuar opinioni jugosllav dhe ai botëror për çmendurinë e burgut të Leskovcit. Në burgun e Zajeçarit tortura më e madhe ishte të ftohtit dhe muzika çetnike e cila po dëgjohej nga altoparlantët e vendosura enkas nëpër qoshet e tavaneve të dhomave, e cila nuk pushonte ditë e natë. Atje na u lejuan vizitat, mua më erdhi vëllau, Selimi i cili ishte vonuar, sepse dhe lidhjet e komunikacionit ishin të rralla. Në ndërrim më qëlloi një gardian vllah, i cili sillej korrekt me ne, më tha se duhej të flisnin në gjuhën serbe. Unë pranova, jo se doja të flisja në gjuhën serbe, por sa të më shihte vëllai, sepse e dija se dhe ata ishin tepër të shqetësuar për atë që kishin dëgjuar për ne. I ndërruam disa fjalë më shumë shqip se serbisht. E pyeta dhe për Danin, e për familjarët në përgjithësi. I thashë se isha shumë mirë dhe mos të brengoseshin fare.
Lirimi i shokëve dhe transferi im në burgun e Mitrovicës
Kah fundi i muajit maj kishte lëvizje të gardianëve nëpër korridore, hapeshin e mbylleshin dyert e dhomave, shokët po ftoheshin një nga një, nuk i mbanin shumë dhe kuptuam se po liroheshim. Për çudi mua nuk më thirrën fare.
Gjithë të burgosurit kosovarë i futën në autobus, ndërsa mua, Meriman Brahën e Ahmet Zekën na lidhën me pranga për duar dhe na futën në një veturë policie. Udhëtuam duke u provokuar deri në burgun e Leskovcit. Pastaj na futën dhe neve nëpër autobusë. Me të hyrë në territorin e Podujevës filluan t’i lironin disa nga shokët. Ndërsa, neve që ishim të lidhur na dërguan në burgun e Prishtinës. Pastaj mua më futën në një veturë policie e më dërguan në burgun e Mitrovicës. Aty takova minatorë, demonstrues e të tjerë, me të cilët kemi kaluar mirë. Si zakonisht na vizitonte dhe drejtori i burgut, Sherafedin Azemi, i cili nuk lëshonte rastin pa hallakatur sidomos rreth krevatit. Në burgun e Mitrovicës më kanë mbajtur deri me 12 Korrik 1989, pas manifestimit të tubimit të “Vidovdanit” të organizuar enkas nga Millosheviqi në Gazimestan. Gjatë kësaj kohe kam pasur dhe vizita, nga shoqja dhe nga vëllezërit. Ndërsa Dani për disa muaj ka qëndruar në ilegalitet, nëpër miq e shokë, dhe në Republikën e Sllovenisë.

VIJON…
_________
Referenca:
1 2009;Grup autorësh: Vushtrria – Viciana me rrethinë (monografi)
2 2009;Grup autorësh: Vushtrria – Viciana me rrethinë (monografi)
_______________________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (7)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10140

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura