Preshevë, 18. 04. 2014 – Më 15 shtator të vitit 1943, në Xhaminë e Poshtme të Preshevës, Natën e Ramazanit, kur Xhemati shkonte për të fal Terravit, ndodhi një masakër e madhe. Edhepse ishte kohë lufte, Lufta e Dytë Botërore, kur Presheva ishte e okupuar nga Bullgaria fashiste, Preshevarët në Xhaminë e Poshtme gjatë faljes së Namazit nuk venin roje për rreth Xhamisë. Këtë e dinin forcat e kontraçetës serbe me pushtetarët bullgarë, të cilët së bashku vendosën të hedhin bomba në Xhaminë e Poshtme, e cila më pak ishte e mbrojtur, se sa Xhamia e Ibrahim Pashës, në qendër të Preshevës.
Kështu gjatë faljes së Namazit, këta i mbyllën derën kryesore të Xhamisë së Poshtme dhe i hodhën bombat për dritare, kah oborri i xhamisë. Ndërsa disa prej sulmuesve ishin vendosur në shtëpitë e afërta serbe për ti gjuajtur ata që dalin të gjallë nga xhamia. Mirëpo me ndëgjimin e shpërthimeve dhe qitjeve me armë, dalin banorët shqiptarë dhe fillojnë të gjuajnë sulmuesit. Njëri prej tyre ishte edhe Zymber Kurbalia, i cili me pushkë në dorë hapi zjarr në serbosllavët.
Preshevarët thonë se i pari e hodhi bombën Sazda i Preshevës. Një prej bombave të hedhura e kapi me dorë Ramiz Agushi i Mëhallës së Dodajve të Preshevës, të cilën deshi ta kthejë tek sulmuesit, mirëpo ajo i shpërtheu në dorë, kështu gishtat i mbeten të ngjitur për tavanë të Xhamisë.
Ndodhinë, masakrën në Xhaminë e Poshtme e kishin ditur disa nga banorët lokalë serbë. Kështu më vonë disa deshmitarë okularë, pjesëmarrës në Xhami rrëfehen se kanë pasur paralajmërime nga baba / plaka / Qipra, sigurisht banore serbe e rrugës së sotme Ramiz Sadiku në Preshevë.
Kështu rrëfen Halit Ramadani nga fshati Sllupçan i Kumanovës, i cili më 1943 ishte 13 vjeçar dhe kishte ardhur te daja Hajredin Limani/Totorllozi/, në rrugën R.Sadiku të Preshevës.
Atë natë nisen për të shkuar në Xhami dhe në rrugë i del fqinja baba/plaka/ Qipra, e cila i drejtohet Agës Dini/Hajredin/ , duke i thënë pse po e merr në xhami këtë djal të ri?. Këta të dy nuk ia vejnë veshin dhe vazhdojnë në xhami, ku hidhen bombat. Ngjarjen e tregoi Halit Ramadani më 1996, i cili ishte plagosur në xhami.
– Presheva e vjetër –
Poashtu baba/plaka/ Qipra nuk ndejti rehat, ajo duke e parë komshin e vet Shukri Eminin e Hamishëve të Preshevës i drejtohet po me të njëjtat fjalë pse e ka marrë për xhami edhe nipin e tij Qazimin. Qazim Abdullahu/Emini/ i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës, atëherë fëmijë i kujtohen fjalët e baba/plaka/ Qipros dhe thotë se nuk i kujtohet se a ishin nisur për xhami apo për të shkuar te të afërmitë aty afër xhamisë, tek Aga Nijazi i Mëhallës së Derrajve të Preshevës. Deklaratat e Halit Ramadanit dhe Qazim Abdullahut i shënoi Edmond Kamberi, i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës.
Masakrën në Xhaminë e Poshtme, sipas të dhënave gojore e organizuan:
1. Jagosh Jovanoviq, kryesori me moshë 45 vjeçare,
2. Zafir Tërrnava, ndihmës i Jagoshit, të dytë nga Reka e Tërrnavës,
3. Sazda i Preshevës, 40 vjeçar,
4. Stanimir Gërnçari I Preshevës, në shtëpia e tij përballë Xhamisë u bë plani i masakrës dhe
5. Dushan Presheva, 39 vjeçar.
Në këtë masakër humbën jetën:
1. Rexhep Sherifi, me moshë 50 vjeçare, i Mëhallës së derrajve të Preshevës,
2. Rifat Kamberi, 42 vjeçar, i Mëhallës së Kamberëve të Preshevës,
3. Ramiz Agushi, me moshë 30 vjeçare, i Mëhallës së Dodajve të Preshevës/vdiq në spitalin e Kumanovës, ka thënë Rexhep Salihu Hoxha, i cili vet e çoi Ramizin në spital/dhe
4. Lutfi Mehmeti, i njohur si Lutë Tuxhari, 49 vjeçar/vdiq në spitalin e Kumanovës/.
Në Xhaminë e Poshtme u plagosën 28 veta, por shënime kemi për këta:
1. Idriz Aliu, 40 vjeç,
2. Mahmut Kurtishi, 32 vjeç,
3. Ibrahim Kamberi, 38 vjeç,
4. Arif Rushiti, 26 vjeç,
5. Jonuz Aliu, 54 vjeë,
6. Qamil Kurtishi, 44 vjeç,
7. Shefqet Agushi, 23 vjeç,
8. Beqir Ahmeti, 54 vjeç,
9. Jahja Veliu, 27 vjeç,
10. Mehmet Boshnjaku, 25 vjeç,
11. Hamdi Jonuzi, 34 vjeç,
12. Alisahit Sadiku, 41 vjeç dhe
13. Halit Ramadani, 13 vjeç
Bomba në xhami – versioni I
Ishin mbledhë o, shtat tet shkie
Kishin marr pes litra rakie
N`kafe Tozës jan ul me pi
Kshyr çka thot Jagoshi i zi`e
Ngoni shok e ngoni vllaznie
N`xhami t`eperm na s`guxojm me hie
Aty kan lon disa devrie
N`xhamie të poshtme na me shkue
N`katër on xhamin o, me rrethue
Nga dy bomba more m`i lishue
Njo për t`gjall mos me lon me pshtue
Se çashtu shkit kan veprue
N`xhamie t`poshtme jan drejtue
N`katër on e kan rrethue
Nga dy bomba i kan lshue
Ramiz Doda djal i ri
Deshti bombën me ja kthye
Bomba n`dorë djalit m`i krisi
Të pes gishtat n`tavan ja nxhiti
Kënga e Xhamisë-versioni II
Terri i zi na ka ra,
n’ ket Presheve e n’ ket kaza.
Disa bugar’ me do shki,
n’ kafe t’ Tozes kishin hi.
Tu pi ven’ , tu pi raki,
bajshin llaf per shiptari,
çysh m’ i myt’ t’ ton’ n’ xhami,
kush paj pa e kush paj ni.
– Ngoni kha, ju zapti,
po ju thot Jagoshi i zi.
N’ kater on’ me ndu devri.
Kur t’ vin’ shiptart’ ne’ jaci,
mloni ftyrat me shami,
çitni bombat ne xhami,
Kur u nisen taravit’ ,
ju afrun xhamis’ devrit’ .
Disa bumba i lishun,
me mashinka i ndihmun.
Aty u vrane’ kater vet’ .
U plagosen nizet e tet’.
Në Preshevë “Këngën e Xhamisë së Poshtme” e kënduan Selver e Shukri Emini i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës.
“Këngën e Xhamisë” aktuale për atë kohë dhe shumë të njohur e këndoi edhe Selver Ramadanii Mëhallës së Kajallarëve të Preshevës.
Teksti i “Këngës së Xhamisë së Poshtme”-versioni III, shënuar nga djali i Selverit, Sylejman Ramadani-Sylki :
Hej, se në Preshevë, çka ka bo vaki,
Ishin mbledh dy tri shki të zi,
Në kafe të Tozës paskanë hi,
Në kafe Tozës paskanë bisedue,
Hej xhamisë poshtme me i mshue,
Se xhamisë së epërme s’po guxojmë me i ra,
se shqiptarët po bojnë devri,
Ky Jagoshi foli, xhamisë së poshtme me i ra,
Se në këtë xhami nuk ka devri,
Po ju thot Jagoshi i zi,
N’katër anët me ndu devri,
Kur t’vin shiptart në jaci,
Hudhni bombat në xhami,
Mloni ftyrat me shami,
Shiptart duhet krejt faru,
Hi e pluhun mej maru.