(Preshevë, Maj 2012) – Presheva është komunë shqiptare dhe aktualisht në Serbi të Jugut. Ajo shtrihet në Luginën e Preshevës dhe përfshin vendbanimet e Karadakut në perëndim dhe të Rujanit, në lindje. Sipas gjeografit serb Jovan Cvijiq, fushëgropa e Preshevës dhe e Shkupit kanë rëndësi më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Andaj edhe Presheva në reformat administrative, territoriale dhe politike gjatë periudhave të ndryshme të ekzistimit të saj i takonte bashkësive të ndryshme administrative, territoriale dhe politike. Mirëpo në aspektin territorial, etnik, kulturor e tjerë, ajo gjithnjë dhe gjithmonë ishte e lidhur me Kosovën dhe Maqedoninë.
“Në kohën parahistorike, territori i Moravicës së sotme me Preshevën i takonte popullit të vjetër Dardan”. /K.Jiricek, Istorija Srba, I, Beograd, 1922 f. 255/
Mbretërinë Dardane, ku bënte pjesë edhe Rajoni i Preshevës, e sulmuan Sllavët e Jugut qysh në shekullin VI dhe VII, pastaj luftërat me Maqedonët e dobësuan, ndërsa e pushtuan: Roma, Bizanti, Serbia(1103), Bizanti(1104) dhe prap Serbia(1106) në shek.XII.
”Në fund të shek. XI pjesën nga Presheva e në veri e morën sunduesit serbë; ky fakt nuk është i mjaftueshëm të pohojmë se popullsia e këtyre anëve kishte përbërje monolite etnike. Pushtimi turk i Preshevës dhe i Karadakut u bë në shek XV(1441-1445) bashkë me Vranjën dhe rrethinën. Në këtë rast nuk do lënë pas dore në asnjë fakt se turqit ishin pushtues të të gjitha popullsive. Ata u larguan pjesërisht më 1878 e plotësisht më 1912”. /Rexhep Ismajli, Mbi disa toponimi në Serbi të Jugut dhe në Maqedoni të Veriut, Gjurmime albanologjike, nr.1-2, Prishtine, 1970, f. 262/
Presheva në kohën e Turqisë Otomane
Turqia Otomane e pushtoi Rajonin e Vranjës dhe Preshevës më 1445.
“Në fillim të shekullit XV fillojnë sulmet e përkohshme dhe shkatërrimet e kësaj ane, kështu që në mesin e shekullit XV i gjithë Rajoni bie nën pushtetin e osmanlinjëve, me çka paraqet impuls për ndryshimet e kompozicionit etnik dhe lëvizjeve migruese. Me vendosjen e pushtetit osmanlinj fillon islamizimi shkallë shkallë i Anës së Vranjës”. /Dr. Srboljub Dj. Stamenkovic, Osnovne promene u etnickoj strukturi vranjskog kraja, Vranjski glasnik, knj. XX, Vranje1986, f.115/.
Në shekullin XVI, rajoni i Preshevës i takonte Kadillëkut të Vranjës dhe ishte pjesë përbërëse e Sanxhakut të Qustendilit.
Presheva në Kadillëkun e Vranjës, në shek XVI.
________________________________
Në shek. XVI Vranja dhe rrethina e gjërë e saj ishin pjesë përbërëse e Sanxhakut të Qustendilit, si njësi administrative, politike dhe ushtarake në kuadër të beglerbeglukut apo elajetit të Rumelisë. Rajoni i Vranjës i fundit hyri në përbërje të Sanxhakut të Qustendilit dhe formoi Kadillëkun e Vranjës.
Në Kadillëkun e Vranjës bënin pjesë këto nahi:Vranja, Morava, Moravica, Presheva, Pçinja dhe Inogoshta. Në Kadillëkun e Vranjës ndodhin tre regjistrime të popullsisë në shekullin e XVI; në vitin 1519, 1528 dhe 1570.
Tabela 1-Struktura nacionale e familjeve dhe banorëve në Vranjë
Nga tabela 1, pra, sipas regjistrimit 1570, konkludojmë se rritet popullsia e Vranjës më tepër në pjesën e dytë të shekullit XVI, duke i falemnderuar rritjes së popullsisë myslimane. Numri i banorëve ka dalur nga ajo se kemi llogaritur se çdo familje mesatarisht ka 5 anëtarë.
Duke kaluar përskaj Vranjës, më 1582, udhëpërshkruesi françez Zhan Palern Forezjen, Vranjën e quajti qytezë të banuar kryesisht me Turqë.
Tabela 2-Numri i familjeve në vendbanimet e Preshevës, në Kadillëkun e Vranjës, në shekullin XVI.
Nga të dhënat e lartëpërmendura në tabelë shihet se dominon familja e krishterë ndaj asaj myslimane. Për atë kohë e arsyeshme, sepse sapo filloi përhapja e ismamit në këto troje.
Poashtu konstatojmë se vendbanimet janë me numër të vogël banorësh, pos disa vendbanimeve, të cilat e kalojnë numrin e familjeve, më shumë se 100 familje: Presheva ka 102 familje, pastaj Tërrnava me 98 familje e kështu me radhë.
Pra, në vendbanimet e Preshevës dominon popullata e krishterë, që na çon në konkludim se popullata ishte e krishterë, por e përkatësisë ortodokse dhe asaj katolike, me çka vërtetohet se popullata e vendbanimeve në Preshevë: ajo e Malësisë ishte e përkatësisë katolike, për të cilën shumë studiues, në mesin e tyre edhe shumë studiues serbë shkruajnë se Karadaku ishte bastion i katolicizmit, ndërsa fusha dhe popullata e saj ishte e përkatësisë ortodokse dhe më pak myslimane. Për ta vërtetuar, po përmendim disa emra që i përkasin emrave të krishterë, katolikë dhe ortodoksë: Avram, Aleksij, Andreja, Atanas e tjerë. Për ta vërtetuar këtë thënie po cekim disa studiuesë:
“Pushtimi serb i shek XII i gjente popullsinë shqiptare të viseve veriore dhe verilindore të lidhura kishtarisht me ortodoksinë bizantine(Kosovë e Maqedoni) e me katolicizmin roman(Diokle-Zetë)”. / Pëllumb Xhufi, Shqiptarët në Mbretërinë serbe të Nemanjidëve, Kosova, nr 4/1994, f. 18/.
“Në territorin e Serbisë Jugore të sotme ekzistonte kristianizmi edhe para ardhjes së Serbëvë dhe ishte i rrënjësuar thellë në popullatën e atëhershme. Poashtu ekzistonin organizata kishtare të fuqishme me shumë seli episkopike(Stobi, Skupi, Ulpiana, Liplani, etjerë). Në Siujdhesën Ballkanike eshtë e shkruar dhe rregullë, e cila vazhdon edhe sot, se pas çdo ngjarjeje të madhe politike ndodhin ndryshime të mëdha etnike”.
/ Mil. S. Filipovic, Etnicke prilike u Juznoj Srbiji, Skoplje, 1937, f. 396, 428/.
“Në defterët turke nga viti 1519 ishte i regjistruar vendbanimi me emrin Banja( dhe Banjica) në nahinë e Preshevës. Aleksandar Stojanovski me të drejtë thotë se “ky fshat ishte i lidhur ngushtë me lumin Banjka”. Gjithësesi, ajo gjendej në afërsi të vijës dhe vrellës Banjka”. /Momcilo Zlatanovic, Bitke Nikole Skobalica 1454.godine, Vranjski glasnik, knj.XXII, Vranje, 1990, f.138
“Rreth fillimit të shekullit pesë(V), në këtë anë filluan të arrijnë popullatë e madhe e Slavëve të Jugut, ndërsa rreth gjysmës së shekullit shtatë(VII) arrijnë edhe Serbët, nga vendlindja pas Karpateve. Dhe pas shumë shetitjeve nëpër Siujdhesën Ballkanike, në fund vendosen në tokat, në të cilat edhe sot jetojnë. Në këto toka, vende arrin edhe Serbia. Në vendlindjen e tyre të re, Serbët takojnë popullatën latine provinciale dhe të gjysëm të latinizuar, mbeturinat e vendasve, Ilirët dhe Thrakasit, të cilët ishin më tepër çobanë dhe jetonin në male, si dhe në përgjithësi në vende kodrinore…”. / Vladimir Karic, Srbija(opis zemlje, naroda i drzave), Beograd, 1997, str. 85-96/.
Me formimin e Vilajetit të Kosovës më 1887, i cili përfshinte 7 sanxhaqe: të Prishtinës( ku bënin pjesë Kazaja e Prishtinës, e Pejës, e Vrajës, e Gjilanit dhe e Vushtrisë) të Prizrenit, të Shkupit, të Jeni Pazarit(Novi Pazarit), të Nishit, të Pirotit dhe të Dibrës. Presheva i takonte këtij Vilajeti dhe atëherë ishte qytezë. Me reformat administrative politike të viteve 1887-1912, sidomos pas Kongresit të Berlinit më 1878, bëhen disa ndryshime administrative,territoriale, politike në Vilajetin e Kosovës. Kështu më 1878 formohet Kazaja e Preshevës, me rradhë e pesta në Sanxhakun e Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës. Kazaja e Preshevës përfshinte Nahinë e Bujanocit dhe të Tërgovishtës deri më vitin 1912.Pra, Kazaja e Preshevës ndahet nga Kazaja e Vranjës.
Përbërja etnike e Vilajetit të Kosovës më 1899
“Më 1 shkurt 1878 formohet Vilajeti i Kosovës me shtatë sanxhaqe. Me marrëveshjen e Berlinit prej 13 korrikut 1878, në nenin 36 përcaktohen kufijtë e ri ndërmjet Serbisë dhe Turqisë”. Kazaja e Preshevës multietnike dhe kufitare /1878-1912/ në Turqi përkufizohet me Serbinë, Bullgarinë, Kazanë e Kumanovës dhe Kosovën…” /Momcilo Zlatanovic, Presevska kaza(1878-1912), SANU, Zbornik radova sa naucnog skupa odrzanog 1. i 2. decembra 1999.godine, Beograd, 2003, str.177, 183/
Sipas Dr. Skender Rizaj, në punimin : Struktura stanovnistva Kosovskog Vilajeta u drugoj polovini XIX stoljeca, Vranjski glasnik, knj. VII, Vranje, 1972, f. 91-113 :
Popullata e Vilajetit të Kosovës për vitin 1882, sipas Sallnames të Vilajetit të Kosovës të vitit 1300 të Hixhrës /fillimi më 12.XI.1982 dhe mbarimi në 1.XI.1983/, Kazaja e Preshevës kishte: 15.846 banorë, prej tyre, 8.525 muslimanë dhe 7.321 jomuslimanë.
Sipas Sallnames të vitit 1302/fillim i vitit 21.X.1884, mbarim i vitit 9.X.1885/, Kazaja e Preshevës kishte : 20.829 banorë, prej tyre 7.343 muslimanë dhe 13.486 jomuslimanë.
Sipas sallnames së vitit 1311/fillim i vitit 15.VII.1893, mbarimi i vitit 4.VII.1884/, Kazaja e Preshevës kishte 26.047 banorë të përkatësisë serbe dhe maqedonase dhe 15.938 banorë të përkatësisë shqiptare, boshnjake dhe musliman.
Kazaja e Preshevës /Rrethi/ bënte pjesë në Sanxhakun e Prishtinës dhe kishte 134 fshatra, 22.224 banorë muslimanë, sipas Shukri Rahimit, në librin:Vilajeti i Kosovës më 1878-1912, Prishtinë, 1969, f. 13 dhe 17.
Të shtojmë se Kazaja e Preshevës përfshinte edhe dy nahi: Bujanocin dhe Tërgovishten.
Sipas shënimeve zyrtare të organeve të Vilajetit më 1893, Kazaja e Preshevës kishte 41.983 banorë dhe sipas strukturës fetare: 15.038 myslimanë dhe 26.047 serbë, ndërsa sipas shënimeve të njëjta, por të viteve 1890-1900, Kazaja e Preshevës kishte 6.958 shtëpi dhe 122 fshatra: Norça, Tërrnava, Miratoci, Kurbalia, Rahovica, Murashefqa(Murashevci), Ilinca, Bugovqa e Epërme(Bukoci), Gaspokenqe(Gosponica), Garja, Bukovqa(Bukoci), Shushai(Shoshaja e Epërme dhe e Poshtme), Qernotanqe(Corrotica), Rainqa(Rainca), Berqefqa(Bërçeca), Gramada, Virban(Verbani), Dobrosh(Dobrosini), Inasalqa(Nesalca), Oslar(Osllara), Loqan(Lluçani), Konqol(Konçuli), Levosoja, Bujanofqa(Bujanoci), Tirnifqa(Tërrnoci i Madh dhe i Vogël), Lopardinca, Gradeniku, Krelejeva, Bernqe, Mehofqa(Muhoci), Ramizbuqe(Ramabuqa), Cari, Soharina(Suharna), Novosel, Hashan(Novosela), Gjurgjeci, Bulgarina(Bugarina), Tabanofqa(Tabanoci), Garlmpol, Lerani, Bratoselca, Bilah(Bilaçi), Bogofqa, Saharlinqa, Novosel, Bilaq, Bogdanofqa,(Bogdanoci), Kosharna, Pashtriqa, Zibofqa(Zarbinca), Koshoviqa(Kosharna), Kalnfuqa, Trajk, Lukarqe(Lukarce), Sotipenka, Drezhnica, Kushtica, Spançevci, Bernjara, Starci, Brezine(Breznica), Paralofqa, Spaqe, Baralevci, Bushtrani, Hristjan, Rusce, Zejake(Zarbinca), Ladofqa, SuhoSelishte(Suho mezraa), Novosel Ibshne, Parbaxhe, Malerka, Voganci, Jablanica, Maglenxha, Ternica, Lanidol, Gornovci, Dimbija, Parelek, Shiqanqe, Shahiqe Marganci, Bunushofqe, Berzevica(Breznica), Konore, Tarniqa, Tergovishte, Gorekrqe(Gjerekare), Kozji Dol, GornjoKozji Dol, Kormani, Begishte, Nerva, Leshnica e Epërme dhe e Poshtme,Karlova, Sorliqe(Shajinca), Berolsini, Cerna reka, Dukati, Cervengrad, Radovnica, Stajovci, Banja Bulana, Galug, Kornoviq Pole, Irladovci, Dijenqa, Cernovci, Manastir çifligi, Konorica, Bukuroci, Ravinqa, Cokarka(Çukarka), Jurovci, Pozhenovci, Zhuzhelica, Belanci, Zhbevci.
Presheva në Jugosllavinë e Vjetër
Kjo ndarje administrative, territoriale e politike e Rrethit të Preshevës vazhdoi edhe në Mbretërinë Jugosllave të vitit 1931(Nehat Hyseni, Uspon i pad Preseva kao regionalnog centra u istoriji) deri më vitin 1947.Atëherë Rrethi kaloi në Bujanoc.
Banovina e Vardarit përfshinte Serbinë Jugore, Rajonin e Vranjës, Shkupin, Bregallnicën, Manastirin, pjesën jugore të Kosovës, Rajonin e Nishit: rrethin e Vlasotincës, Lekovacit dhe të Jabllanicës dhe një pjesë të Rajonit të Zetës: Gjakovën.
Në aspektin administrativ Banovinën e Vardarit e formonin 46 rrethe dhe 525 komuna.
Rrethi i Preshevës sipas regjistrimit të vitit 1931 kishte 10 komuna, 98 vendbanime, 7.299 shtëpi me 45.645 banorë: Bilaçi me 1.022 shtëpi dhe 6.279 banorë; Bujanoci me 1.708 shtëpi dhe 10.630 banorë; Zhbevci me 272 shtëpi dhe 1.830 banorë; Zhunica me 718 shtëpi dhe 4.787 banorë; Klenike me 631 shtëpi dhe 4.179 banorë; Klinovaci me 397 shtëpi dhe 2.281 banorë, Levosoja me 526 shtëpi dhe 3.396 banorë; Novosella me 276 shtëpi dhe 2.160 banorë; Presheva me 1.323 shtëpi dhe 7.529 banorë dhe Shainca me 402 shtëpi dhe 2.869 banorë.
Popullsia e rrethit ishte 65% e krishterë dhe 35% muslimane.
Rrethi i Preshevës përkufizohej me Bullgarinë, në lindje, me Vranjën, në veri, me Gjilanin, në perëndim dhe Kumanovën, në jug.
Sipas shënimeve statistikore zyrtare të Serbisë së Vjetër të vitit 1914,/Mil.Ant.Vujicic, Recnik mesta u oslobodjenoj oblasti Stare Srbije, po sluzbenim podacima, U Beogradu, 1914, f.77,78/
Rrethi i Preshevës kishte 9 komuna, 95 vendbanime, 2 qyteza, 2 manastire dhe 37.945 banorë.
Presheva i takonte Banovinës së Vardarit, ishte qendër e rrethit dhe i takonte Qarkut të Kumanovës, me qendër në Shkup. Në Preshevë ekzistonte posta dhe telegrafi, manastiri Prohor Pçinjski dhe Hekurudha Ristovc-Shkup-Selanik me Stacionet hekurudhor në Preshevë dhe Bukuroc.
Rrethi i Preshevës përfshinte 9 komuna: Bilaçi, Bujanoci, Zhunica, Klenike, Klinoci, Levosoja, Novosella, Presheva dhe Shainca. Pra, Rrethi I Preshevës përfshinte 91 fshatra(vendbanime) dhe dy qyteza :Preshevën dhe Bujanocin me 37.945 banorë. Po i cekim vetëm komunat, ku përfshihen vendbanimet e komunës së sotme të Preshevës. Komuna e Bilaçit kishte 4.301 banorë me këto vendbanime: Bilaçi me 1.271 banorë, Bërçeci me 136 banorë, Bratosellca me 157 banorë, Bushtrani me 510 banorë, Gramada me 71 banorë, Letovica me 408 banorë, Negovci me 122 banorë, Novosella me 290 banorë, Rainca me 652 banorë, Samolica me 482 banorë.
Komuna e Zhunicës kishte 3.241 banorë, me këto vendbanime: Bukoci me 80 banorë, Bugarina me 195 banorë, Gerajt me 235 banorë, Golemidolli me 178 banorë, Zhunica me 483 banorë, Miratoci me 1.144 banorë, Lerani me 339 banorë, Strezoci me 287 banorë, Çukarka me 129 banorë dhe Shoshaja me 171 banorë.
Komuna e Preshevës kishte 5.868 banorë me këto vendbanime: Presheva me 2.991 banorë, Bukoci me 38 banorë, Garja me 178 banorë, Gosponica me 79 banorë, Kurbalia me 183 banorë, Norça me 377 banorë, Rahovica me 1.259 banorë dhe Tërrnava me 576 banorë.
Të dhënat dëshmojnë se në Rrethin e Preshevës jetonte popullsi me përkatësi të ndryshme etnike, në të cilën kishte më tepër popullsi serbe: 19.732 apo 48,7% nga popullsia e përgjithëshme e Rrethit të Preshevës, popullsia që kishte gjuhën shqipe amtare përbënte 43,5% nga popullsia e përgjithëshme, ndërsa popullsia me gjuhë të tjera përbënte 7,7%.
Atëherë Rrethin e Preshevës e përbënin edhe Nahia e Bujanocit dhe ajo e Tërgovishtes me popullsi dominuese serbe.
Sipas shënimeve statistikore të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene të vitit 1925, /Kraljevina Srba, Hrvata i Slovenaca “Recnik mesta, 1925, Beograd, f.59,60/Rrethi i Preshevës i takonte Qarkut të Kumanovës, me qendër në Shkup, në Banovinën e Vardarit. Komunat e Rrethit të Preshevës ishin: Bilaçi, Bujanoci, Zhunica, Klenike, Klinovci, Levosoja, Novosella, Presheva dhe Shainca.
Komuna e Bilaçit kishte 939 shtëpi me 4.737 banorë dhe përfshinte edhe këto vendbanime të komunës së sotme të Preshevës: Bushtranin me 100 shtëpi dhe me 480 banorë, Bukurocin me 46 shtëpi dhe me 269 banorë, Corroticën me 98 shtëpi dhe me 518 banorë, Raincën me 130 shtëpi dhe me 717 banorë, Bërçecin me 24 shtëpi dhe me 121 banorë. Në komunën e Bilaçit bënin pjesë po ato vendbanime të komunës së sotme të Bujanocit, sikur në shënimet e vitit 1914.
Komuna e Zhunicës kishte 85 shtëpi dhe me 553 banorë, Ajo përfshinte këto vendbanime; Leranin me 63 shtëpi dhe me 350 banorë, Golemidollin me 27 shtëpi dhe me 161 banorë, Gerajt me 47 shtëpi dhe me 311 banorë, Bugarinën me 32 shtëpi dhe me 207 banorë, Çukarkën me 19 shtëpi dhe me 139 banorë, Shoshajën me 29 shtëpi dhe me 180 banorë, Novosellën me 9 shtëpi dhe me 42 banore, Miratocin me 200 shtëpi dhe me 1.218 banorë, Mamincën me 10 shtëpi dhe me 50 banorë, Strezocin me 45 shtëpi dhe me 282 banorë dhe Bukurocin me 13 shtëpi dhe me 78 banorë.
Komuna e Preshevës kishte 1.160 shtëpi me 5.953 banorë. Ajo përfshinte këto vendbanime: Preshevën me 656 shtëpi dhe me 3.214 banorë, Rahovicën me 221 shtëpi me 1.248 banorë,Tërrnavën me 105 shtëpi dhe me 606 banorë, Norçën me 67 shtëpi dhe me 337 banorë, Ilincën me 36 shtëpi dhe me 219 banorë, Kurbalinë me 27 shtëpi dhe me 144 banorë, Gosponicën me 14 shtëpi dhe me 78 banorë dhe Bukocin me 5 shtëpi dhe me 25 banorë.
Rrethi i Preshevës më 1931
Pas Luftës së Dytë Botërore, në fillim të vitit 1945, Shqiptarët e Preshevës u ndan sërish nga tërësia e popullatës shqiptare të Kosovës dhe nga ajo e Maqedonisë, për të mbetur Presheva qendër rrethi në fillim, ndërsa më vonë qendër komunale në kuadër të Serbisë. Në asnjë prej shteteve të deritashme, Shqiptarët e Preshevës nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin, në përbërjen e të cilit shtet apo njësi administrative duan të jetojnë.
Presheva në Jugosllavinë socialiste
Me Ligjin mbi ndarjen administrative të RP të Serbisë të 18 prillit 1947(Fletorja zyrtare RPS, nr. 17/1947), u caktuan njësi administrative-territoriale: rrethet, qytetet dhe rajonet e qyteteve. Me këtë ligj Preshevës i merret e drejta të jetë rreth si përpara, kështu nga viti 1947, Presheva i takon herë rrethit të Bujanocit, herë rrethit të Vranjës, herë bashkësisë ndërkomunale në Leskoc dhe në fund rrethit të Pçinjës. Kjo ndodhi, sepse rrethet ishin drejtperdrejte të lidhura me pushtetin qendror, ndërsa komunat me rrethet. Preshevës ia morën të drejtën e rrethit që të mos ketë lidhje me qendrën, por të qeveriset nga Bujanoci, Vranja, Leskoci.
Rrethi i Bujanocit, gjendja e vitit 1948
Më 1947, komunës së Preshevës i bashkangjiten edhe këto fshatra: Staneci, Seferi, Buhiçi, Caravajka, Peçena, Buhiçi, Depca, Maxherja dhe Ranatoci, të cilat i takonin komunës së Gjilanit.
Sipas shënimeve partiake të vitit 1949, të gjetura në Arkivin Historik të Vranjës, Rrethi i Bujanocit përfshinte 20 Këshilla Popullore të Vendit:Bujanoci, Tërrnoci, Muhoci, Rakoci, Levosoja, Nesalca, Rainca, Corrotica, Gosponica, Caravajka, Presheva, Miratoci, Strezoci, Zhunica, Svinjishta, Bilaçi, Klinoci, Klenike, Spançevci dhe Zhbevci.
Këshilli Popullor i Vendit i Raincës përfshinte: Bërçecin, Gramadën, Letovicën dhe Raincën.
Këshilli Popullor i Vendit(KPV) i Corroticës përfshinte: Bukurocën, Shoshajën e Poshtme dhe Corroticën, KPV i Gosponicës përfshinte:Ranatocin, Bukocin, Garën, Shoshajën e Epërme, Gosponicën, Maxherën dhe Ilincën. KPV i Caravajkës përfshinte: Buhiçin, Depcën, Peçenën, Seferin, Stanecin dhe Caravajkën. KPV i Preshevës përfshinte Preshevën, Kurbalinë, Norçën, Rahovicën dhe Tërrnavën. KPV i Miratocit përfshinte Miratocin dhe Cakanocin. KPV i Strezocit përfshinte: Strezocin, Gerajt dhe Bugarinën. KPV i Zhunicës përfshinte: Golemidollin, Zhunicën, Leranin dhe Çukarkën.
Fshati Bushtran përfshihej në KPV të Bilaçit.
Sipas Statutit të Këshillit Popullor të Rrethit të Bujanocit të vitit 1953. Rrethi i Bujanocit përfshinte këto komuna: Bujanoci, Presheva, Miratoci, Caravajka, Zhunica, Bilaçi, Rainca, Levosoja, Rakoci, Tërrnoci, Muhoci, Zarbinca, Zhbevci, Klenike, Spançevci dhe Novosella.
Me Ligjin mbi territoret e komunave dhe rretheve të Republikës Popullore të Serbisë/Fletorja zyrtare RP të Serbisë, nr.56, e datës 20.VII 1955/ Presheva caktohet në Rrethin e Vranjës.
Rrethi i Vranjës i përfshinte këto vendbanime: Bareliqin, Bilaçin, Bosilegradin, Bujanocin, Kleniken, Klisurën, Kriva Fejën, Lepenicën, Muhocin, Preshevën, Ristocin, Surdulicën, Tërgovishtën, Vlladiçin Hanin, Vlasën, Vllasinën-Okruglicën, Vranjën, Vranjska Banjën dhe Zlatokopin. Pra, në Rrethin e Vranjës hyn 22 komuna.
Në mbështetje të Kushtetutës së RPF të Jugosllavisë dhe Kushtetutës së RP të Serbisë të vitit 1963, Këshillat Popullore të Komunave shndërrohen në Kuvende komunale. /Fletorja zyrtare e RPS, nr.14/1963/.
“Për sendërtimin e bashkëpunimit të përhershëm, planifikimit, të zhvillimit dhe harmonizimit të planeve e programeve të veta dhe pruarjen e planeve të përbashkëta si dhe për ushtrimin e ca punëve të interesit të përbashkët komunat: Bojnik, Bosilegrad, Bujanoc,Cërrna Travë, Leban, Leskovc, Medvegjë, Preshevë, Surdulicë, Tërgovishtë, Vlladiçin Han, Vllasotincë dhe Vranjë, në mënyrë vullnetare dhe sovrane me Ujdi shoqërore/Fletorja zyrtare RSS, nr. 33/ 1975/, janë deklaruar mbi bashkimin në Bashkësinë ndërkomunale regjionale të Moravës Jugore me seli në Leskovc”./ Feti Shaipi, Funksionimi i Bashkësisë Ndërkomunale Regjionale e
Moravës Jugore, Panorama, nr. 2, Preshevë, 1980, f. 16/
Në Tabelë, me qëllim e futëm edhe rubrikën e përkatësisë etnike turke në këtë rajon, për t’i parë numrin e madh të popullsisë turke gjatë viteve 1953 dhe 1961, atëherë kur ndodhi shpërngulja e madhe e të ashquarëve “turqë”, ndërsa kishte të bënte me shqiptarë të shkruar si “turqë”, arsye e vetme ishte marrja e vizave për Turqi.
Nga tabela përfundojmë se zvogëlohet numri i banorëve sebë dhe kemi rritje të numrit të banorëve shqiptarë, në periudhën kohore 1948-1981.
Të dhënat e tabelës 4a na tregojnë se popullsia serbe është në përqindje më shumë, pastaj ajo shqiptare, bullgare e kështu me rradhë. Popullsia serbe përshkak të natalitetit të vogël zvogëlohet dhe prej 68,2% në vitin 1948 arrin në 62,2% në vitin 1981, ndërsa popullsia shqiptare prej 13,9% në vitin 1948 rritet më 23%, thuajse dyfish më tepër, përshkak të natalitetit të lartë të popullsisë. Poashtu kemi rritje të popullsisë rome dhe asaj jugosllave të deklaruar.
Në komunën e Bosilegradit zvogëlohet numri i banorëve bullgarë: prej 17.989 apo 94,7% në vitin 1961, në 9.426 banorë apo 63,2% në vitin 1981. Rritet numri i banorëve Jugosllavë prej 1,5% në vitin 1971 në 26,1 në vitin 1981.Gjithashtu rritet numri i banorëve serbë, prej 291 banorë në vitin 1961 në 616 në vitin 1981.
Komuna e Bujanocit karakterizohet me rritjen e popullsisë shqiptare: prej 16.618 në vitin 1961 deri në 25.961 në vitin 1981 apo shprehur në përqindje prej 42,5% në 55,4%, ndërsa kemi zvogëlim të popullsisë serbe prej 51,3% në vitin 1961 në 34,1% në vitin 1981, si pasojë e migrimit të popullsisë serbe në Vranjë dhe qytete të mëdha industriale të Serbisë, për jetesë më të mirë. Rritja e popullsisë shqiptare është pasojë e natalitetit të madh dhe migrimit të popullatës shqiptare nga Malësia e Bujanocit në Bujanoc, për jetesë më të mirë.
Karakteristikë tjetër për Bujanocin është rritja e popullsisë Rome prej 6,4% në vitin 1961 deri në 8,8% në vitin 1981.
Për komunën e Preshevës kemi të njëjtat karakteristika dhe shpjegime për rritjen e popullsisë shqiptare dhe zvogëlimin e popullatës serbe, sikur te Bujanoci.
Sipas tabelës nr.5, konkludojmë se komuna e Preshevës në vitin 1961 kishte 26.738 banorë, prej të cilëve, shqiptarë: 18.229 banorë apo 68,2%, 6.741 banorë serbë apo 25,2% dhe 268 apo 6,6% banorë të përkatësisë tjetër, nga popullsia e përgjithëshme në
Preshevës
Komuna e Preshevës, në vitin 1981 kishte 33.948 banorë, prej të cilëve 28.967 shqiptarë apo 85,3%, 4.198 banorë serbë apo 12,3% dhe 783 banorë të tjerë apo 2,4% nga popullsia e përgjithëshme e Preshevës.
Karakteristikë e komunës së Bosilegradit dhe Surdulicës është se zvoglohet numri i banorëve të popullatës bullgare, ndërsa rritet numri i banorëve të popullatës të deklaruar si jugosllavë. Ky fenomen ndodh thuajse në të gjitha komunat e Anës së Vranjës.
Numër më të madh të popullsisë ka komuna e Bujanocit, ndërsa dendësi më të madhe ka komuna e Preshevës. Medvegja edhe pse është dy herë më e madhe përkah sipërfaqja, ka dy herë ma pak popullsi se komuna e Preshevës. Sipas dy regjistrimeve të fundit komunat e Preshevës dhe e Bujanocit tregojnë rritje të popullsisë , ndërsa ajo e Medvegjës tregon zvoglim për rreth 20%.
Në kampanjën kundër Kushtetutës së vitit 1974, në vitet 1990, e cila kryesisht ishte e përqëndruar në marrjen e Autonomisë së Kosovës, në vitin 1991 u hoqën bashkësitë ndërkomunale regjionale të deri atëhershme dhe në Serbi u futën si ndarje administrative-territoriale dhe politike qarqet. Kështu në Serbi u formuna 29 qarqe, kurse në Serbinë Jugore u formua Qarku i Pçinjës me këto komuna:Vranjë, Surdulicë, Vlladiçin Han, Bosilegrad, Tërgovishtë, Bujanoc dhe Preshevë.
Në vitet: 1941,1944, 1968 dhe 1981, qytetarët e Preshevës i përsëritën kërkesat publike për Bashkim me Kosovën, tërësi e cila do të siguronte mundësi optimale për zhvillim të gjithanshëm, por edhe do të ndihmonte në shuarjen e burimeve të përhershme për konflikte ndëretnike në këtë anë.
Në Referendumin e 1 e 2 Marsit 1992, Shqiptarët e Luginës së Preshevës dolën në mënyrë masive dhe u deklaruan për: Autonomi Territoriale Politike me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Vendbanimet e Moravicës së Preshevës janë: Çukarka, Strezoci, Bugarina, Laniku, Gerajt, Lerani, Golemidolli, Zhunica, Bukuroci, Bushtrani.
Vendbanimet e Karadakut të Preshevës janë: Miratoci, Tërrnava, Norça, Presheva,
Kurbalia, Staneci, Seferi, Caravajka, Depca, Peçena, Buhiçi, Ilinca, Bukoc, Gare, Maxhere, Ranatoci, Gosponica, Rahovica, Shoshajë, Cororticë, Raincë, Bërçeci.
Rrethi i Pçinjës përfshinë këto komuna: Vlladiçin Hani, Surdulica, Bosilegradi, Tërgovishta, Vranja, Bujanoci dhe Presheva. Selia e Rrethit është në Vranjë.
Sipas regjistrimit të Popullsisë të vitit 2002, Presheva kishte 48.008 banorë dhe 36 vendbanime: 1.Gerajt me 1.390 banorë, 2.Bërçeci me 19 banorë, Buhiçi me 120 banorë, 4.Bukuroci me 1.067, 5.Bukoci me 137, 6.Bushtrani me 1.086 banorë, 7.Garja me o banorë, 8.Golemidolli me 384 banorë, Shoshaja e Epërme me 133 banorë, 10.Gosponica me 42 banorë, 11.Depca me 519 banorë, 12.Shoshaja e Poshtme me 474 banorë, 13.Zhunica me 1.777 banorë, 14.Ilinca me 178 banorë, 15.Kurbalija me 154 banorë, 16.Laniku me 29 banorë, 17 Maxherja me 235 banorë, 18.Miratoci me 4.673 banorë, 19.Norça me 1.316 banorë, 20.Rahovica me 5.146 banorë, 21. Peçena me 141 banorë, 22.Presheva me 16.363 banorë, 23.Stacioni Hekurudhor me 1.628 banorë, 24.Rainca me 2.938 banorë, 25. Ranatoci me 89 banorë, 26.Lerani me 944 banorë, 27.Svinjishta me 107 banorë, 28.Seferi me 58 banorë, 29.Bugarina me 537 banorë, 30.Staneci me 77 banorë, 31.Strezoci me 1.372 banorë, 32. Tërrnava me 1.671 banorë, 33.Cakanoci me 271 banorë,34.Caravajka me 79 banorë, 35.Corrotica me 2.231 banorë dhe 36.Çukarka me 623 banorë.
REFERENCAT
1.Vardarska banovina, Kumanovski okrug, srez Presevo, knjiga III, Beograd, 1938
2.Banovina Vardarska, opsti pregled, Skoplje, 1931
3.Kraljevina Srba, Hrvata i Slovenaca, Recnik mesta 1925, Beograd, 1925
4.Nehat Hyseni, Uspon i pad Preseva kao regionalnog centra u istoriji, www.presheva.com, Presevo, 25. februara 2010.godine
5.Xhemaledin Salihu, Përfaqësimi i Shqiptarëve të Rrethit të Preshevës në organet dhe institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-47, www.Zemra shqiptare, 02.08.2010
6.Dr. Srboljub Dj. Stamenkovic, Osnovne promene u etnickoj strukturi vranjskog kraja, Vranjski glasnik, knj. XX, Vranje1986
7.Feti Shaipi, Funksionimi i Bashkësisë Ndërkomunale Regjionale e Moravës Jugore, Panorama, nr. 2, Preshevë, 1980,
8.Aleksandar Stojanovski, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985
9.Pëllumb Xhufi, Shqiptarët në Mbretërinë serbe të Nemanjidëve, Kosova, nr 4/1994
10.K.Jiricek, Istorija Srba, I, Beograd, 1922
11.Mil. S. Filipovic, Etnicke prilike u Juznoj Srbiji, Skoplje, 1937
12.Rexhep Ismajli, Mbi disa toponimi në Serbi të Jugut dhe në Maqedoni të Veriut, Gjurmime albanologjike, nr.1-2, Prishtinë, 1970
13.Vladimir Karic, Srbija(opis zemlje, naroda i drzave), Beograd, 1997
14.Momcilo Zlatanovic, Presevska kaza(1878-1912), SANU, Zbornik radova sa naucnog skupa odrzanog 1.i 2. decembra 1999.godine, Beograd, 2003
15.Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosoves me 1878-1912, Prishtine, 1969
16.Mil.Ant.Vujicic, Recnik mesta u oslobodjenoj oblasti Stare Srbije, po sluzbenim podacima, U Beogradu, 1914
17.Fletorja zyrtare RPS, nr. 17/1947
18.Sipas shënimeve partiake të vitit 1949, të gjetura në Arkivin Historik të Vranjës.
19.Fletorja zyrtare RP të Serbisë, nr.56, e datës 20.VII 1955
20.Fletorja zyrtare e RPS, nr.14/1963
21.Fletorja zyrtare RSS, nr. 33/ 1975
22.Srboljub Stamenkovic, Centralna naselja i fundamentalne prostorno-demografske osobenosti njihovog komplesnog podrucja u Vranjskom kraju, Vranjski glasnik, knj.XVII, Vranje, 1984
23.Hartat e vitit 1931, 1948, 1961 i mora nga: Nehat Hyseni, Pozita e Preshevës si qendër rajoni gjatë historisë, RadioPresheva, më 04.10.2010.
Preshevë, 11 maj 2012