XHEVAT BISLIMI: LIRIA E FJALËS NUK PRODHONË GJITHMONË MIRËKUPTIM, LIRI, DASHURI E PAQE MIDIS NJERËZVE

Viti, 19. 01. 2015 – Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë se “fjala vret më shumë se plumbi”. Media në gjysmën e dytë të shek XX u bë jo vetëm me ndikim në zhvillimet e një vendi dhe të botës, por u bë pushtet që shpeshherë “vuloste” fatin e këtyre zhvillimeve. Liria e tyre e pakufizuar (e pa kornizuar) në shume vende nxiti konflikte civile. Mediet e Serbisë luajtën rol të veçantë dhe ndikuan fuqishëm në përhapjen e ideve shoviniste, neofashiste dhe luftënxitëse kundër popujve tjerë të Jugoserbisë së Titorankovicit. Në fund të shek. XX dhe në fillim të këtij shekulli pushtetit të medies i erdhi në ndihmë edhe interneti dhe rrjetet e tij sociale. Përparimi i hovshëm i teknologjisë së informimit dhe komunikimit edhe i ka shërbyer shoqërisë njerëzore. Falë kësaj teknologjie, sidomos internetit, që ishte zbuluar dhe në fillim përdorej vetëm për nevoja ushtarake, bota dhe shoqëria njerëzore me të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet është bërë pjesë (“pronë”) e çdo vatre, e çdo familjeje dhe e çdo njeriu. Kjo vërtet i ka afruar shumë dhe i ka njohur midis tyre popujt, kulturat dhe qytetërimet e ndryshme.
Demokracitë kapitaliste, sidomos ajo franceze, angleze, amerikane…, aty nga fundi i shek. XIX proklamuan dhe trumbetuan më fuqishëm se kurrë më parë liritë dhe të drejtatë e njeriut. Vend të rëndësishëm midis këtyre lirive zinte liria e fjalës. Krahas zhvillimit të sitemit kapitalist u zhvillua, u thellua dhe u zgjerua edhe liria e fjalës, por jo liria dhe barazia ekonomike! Kjo “armë” (liria e fjalës) u shfrytëzua dhe u përdor nga fuqitë e mëdha kapitaliste sidomos pas Luftës së Dytë Botërore kundër vendeve me demokraci socialiste. Ishte një “armë” mjaft efikase dhe joshëse për popujt e atyre vendeve, të cilët, të ndikuar nga propaganda e fuqishme e fuqive kapitaliste, mezi prisnin të shkelnin në “tokën e premtuar”, në tokën e lirive dhe të drejtave të njeriut. Por, ajo që fitoi në këtë përballje midis këtyre dy botëve (botës kapitaliste dhe asaj socialiste), midis këtyre dy formacioneve ekonomiko-shoqërore ishte ekonomia. Ekonomia kapitaliste fitoi mbi ekonominë socialiste. I vetmi vend socialist dhe monist (i drejtuar nga një parti komuniste) që e fitoi këtë përballje është Kina, e cila edhe vitin e fundit kishte rritën më të madhe ekonomike në botë. Gjatë kësaj përballje, gati njëshekullore, midis dy sistemeve të mëdha ekonomike dhe shoqërore, njerëzimi përfitoi shumë, bota njohu përparime që s’ishin parë ndonjë herë. Shtresat e shtypura dhe të varfëra me shumë përpjekje, luftë e gjak përfituan shumë të drejta dhe liri ekonomike, politike, sociale e qytetare, sidomos në vendet e zhvilluara. Bota socialiste ka meritën e madhe për zbutjen e kapitalizmit, i cili nën trysninë e kësaj bote dhe të lëvizjeve punëtore anembanë botës, u bë më “njerëzor”, u bë një kapitalizëm socialist, siç do ta quanin disa nga sociologët e njohur francezë. Këtë vlerë, këtë meritë duhet njohur botës socialiste dhe levizjeve punëtore-komuniste në botë. Pa këtë frenim borgjezia, me pangopsinë e saj për fitim, shfrytëzim, tregje e sundim do ta shpiente demokracinë kapitaliste në një sistem fashist, siç e kemi parë në Gjermani, Itali, Japoni, Spanjë e gjetiu. Kapitalizmi i pa frenuar nga shtresat e shtypura dhe të shfrytëzuara mund të bëhet kërcënim real për natyrën dhe për shkatërrimin e planetit tonë. Këtë e dëshmon edhe gara e çmendur në armatim…!

Liria dhe barazia ekonomike themeli i lirive dhe barazive tjera
Përfundimi i “luftës së ftohtë” (me humbjen e bllokut socialist) midis dy blloqeve më të fuqishme në botë: NATO-s dhe Paktit të Varshavës, nuk solli edhe përfundimin e konflikteve, të luftrave dhe të gjakderdhjeve në botë. Kudo në botë shpërthyen konflikte dhe luftëra të reja midis popujve me gjuhë, kulturë, fe (religjion) dhe kombsi të ndryshme. Në thelb të këtyre konflikteve dhe luftërave, që ndizeshin dhe zhvilloheshin shpeshherë edhe nën maskën e religjionit dhe të qytetërimeve të ndryshme, ishin interesat për tokë, pasuri dhe për zgjerime territoriale. Shkak dhe shkaqe të këtyre konflikteve dhe luftërave ishin shtypja, shfrytëzimi dhe mohimi i të drejtave themelore popujve të pushtuar dhe të copëtuar sipas kërkesave dhe interesave të fuqive të mëdha në kohë të ndryshme. Pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e këtyre konflikteve dhe luftërave ishte edhe liria e fjalës-mediet. Nuk është synim i këtij shkrimi të trajtojë secilin konflikt ose secilën luftë veç e veç, por të ngre dhe trajtojë shkarazi (pa u thelluar) edhe rolin, rëndësinë, ndikimin dhe peshën e lirisë së fjalës (medies) në marrëdhëniet e mira ose të këqia midis popujve, kulturave, religjioneve dhe qytetërimeve në planetin tonë.
Rastet dhe shembujt janë të përditshëm në botë, por rasti ose shembulli më domethënës i ditëve tona është kryeqyteti i Francës, Parisi, dhe revista “Charlie Hebdo”. Liri e fjalës për shumicën (kryesisht për qytetërimin dhe vlerat e sotme evropiane), provokim dhe fyerje për atë qytetërim që sot është i lidhur fuqishëm me qytetërimin arab-islam dhe sidomos me emrin e profetit Muhamet. Fjala e lirë ose liria e fjalës që cenon lirinë, interesin, traditën, trashëgiminë, vlerën, qytetërimin dhe besimin e tjerit nuk është më liri e fjalës por shpërdorim, provokim, mohim dhe dhunim i lirive dhe të drejtave të tjetrit. Në këtë kontekst edhe sulmi dhe vrasjet terroriste në Paris ishin pasoja dhe jo shkaku…!
Qytetërimi evropian e ka kaluar periudhën e errët të INKUIZICIONIT dhe të inkuizitorëve të Kishës, e ka kaluar kohën kur dyshimi, përgojimi, tallja, mohimi ose fyerja e Krishtit, e Kishës dhe e vlerave të saj, të asaj kohe, shpaguhej me djegie në turrë të druve, me tortura, çfarë nuk i ka njohur kurrë më parë (mbase as më vonë…) njerëzimi, në qelitë e burgjeve të Kishës! Dhe ajo kohë nuk ishte shumë moti! Humanizmi dhe Renesanca, dalja nga kjo errësirë që kishte imponuar Kisha, feudalët, princërit dhe mbretërit e asaj kohe, lindi dhe u zhvillua brenda atij sistemi feudal-kishtar dhe brenda popujve të Evropës. Bartës të asaj lëvizjeje dhe të asaj rilindjeje ishin vetë popujt evropianë. Qytetërimi dhe vlerat e sotme evropiane nuk janë rezultat i imponimit nga një botë-qytetërim tjetër, por rezultat i zhvillimeve dhe evoluimeve, aty-këtu edhe i revolucioneve dhe kryengritjeve të brendshme. Në këtë kuptim, liria e fjalës evropiane nuk do të duhej të bëhej pjesë e atyre shkaqeve ose nuk do të duhej të kontribuonte për keqësimin e marrëdhënieve midis popujve dhe religjioneve të Lindjes dhe Perëndimit. Shumë më i arsyeshëm dhe më i emancipuar ishte Papa në deklaratat e tij…
Profeti Muhamet sot është idhull, është identitet, është simbol, është gati Zot për popujt arabë. Prandaj, popujt, vendet dhe religjionet tjera kanë për detyrë njerëzore ta nderojnë këtë lidhje shpirtërore të këtyre popujve me profetin e tyre Muhamet, t’i vlerësojnë vlerat dhe besimin e tyre dhe të çdo populli, kulture, gjuhe e trashëgimie tjetër në botë. Edhe populli turk është mysliman dhe përhapës i këtij religjioni në botë me shpatë, por ky popull nuk e ka ndjesin shpirtërore që kanë përgjithësisht popujt arabë për Muhametin. Zhvillimi, evoluimi dhe reformat në botën arabe dhe në religjionin islam duhet dhe mund të vijnë vetëm nga këta popuj. Përpjekjet e Amerikës dhe të Evropës për t’i imponuar vlerat dhe konceptet e tyre për demokracinë, lirinë, kulturën, mënyrën e jetesës… kanë shkaktuar dhe po shkaktojnë vetëm dhunë, konflikte dhe gjakderdhje. Në fakt, janë këto fuqi të mëdha që kanë vendosur edhe kufijtë midis këtyre popujve në zyrat e tyre me vizore në dorë pa pëërfillur kufijtë etnik, gjuhësor, kulturor, natyror, etj.! Janë këto fuqi që krijuan edhe shtetin çifut, duke shkaktuar një tragjedi, të cilës nuk po i duket fundi as sot!
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për shqiptarët është Kryehero, Kryeprofet, simbol i bashkimit shpirtëror të kombit, vlerë mbarëkombëtare. Nëse dikush do ta tallte, ta vinte në lojë figurën dhe emrin e tij, do ta fyente, etj., shqiptarët do të revoltoheshin me të drejtë. Kështu do të ishte edhe me figurat dhe ngjarjet tjera të histories dhe kulturës tone. Kështu do të ishte edhe me gjuhën, flamurin, kulturën, traditën, trashëgiminë tonë shpirtërore dhe materiale, me qytetërimin tonë.
Është lehtësisht e kuptueshme që në themele të këtyre marrëdhënieve konfliktuale midis këtyre popujve, kulturave dhe qytetërimeve nuk është religjioni. Në gjendje gati konfliktuoze janë edhe marrëdhëniet me Rusinë e Putinit. Pastaj, si të shpjegohen marrëdhëniet e tendosura dhe konfliktuale edhe midis popujve me religjion dhe origjinë të njëjtë?! Duket që krahas fuqisë ekonomike të vendeve të zhvilluara po rriten edhe orekset për pushtim, shfrytëzim, kontrollim dhe sundim të popujve, vendeve dhe pasurive të tyre (rasti edhe i Turqisë). Këtu edhe duhet kërkuar shkakun e këtyre konflikteve që s’po kanë mbarim! Pra, gjendja e rëndë dhe e pashpresë në botën arabe dhe përgjithësisht në vendet e pazhvilluara nuk do të duhej të shpjegohejë përmes religjionit, ideologjisë, mënyrës së jetesës, etj., sepse rrënjët e saj janë thellë në gjendjen ekonomike, në varfërinë e thellë, në shfrytëzimin dhe pabarazinë ekonomike dhe, në ndërhyrjet politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake të fuqive të mëdha.
Përgjegjëse për këtë gjendje të këtyre vendeve është kryesisht bota e zhvilluar ose, siç thuhet, fuqitë imperialiste, të cilat kanë koncentruar në duart e tyre pasuritë e gjithë botës. Këtyre fuqive tash u është bashkuar edhe Kina, e cila, me “ekonominë e saj të tregut socialist” po bëhet fuqia më e madhe ekonomike (shiko prodhimin e saj të brendshëm bruto). Vendet e pasura dhe ato super të pasura duhet të ndajnë më shumë nga pasuritë e tyre (nëse vertet duan paqen, mirëkuptimin dhe harmoninë midis popujve dhe qytetërimeve në botë) për vendet dhe popujt e varfër dhe në zhvillim. Ndihma për këta popuj dhe për këto vende duhet të jetë kryesisht në mjete pune dhe prodhimi e jo vetëm në ushqime me “recetë”, sa për të mbajtur shpirtin gjallë! Siç thotë fjala e urtë kineze: “jo peshkun, por mjetet për të zënë peshkun”. Sot, më shumë se gjysma e njerëzimit jeton me më pak se dy dollarë në ditë!! Këmbëngulja e fuqive të mëdha për t’i poseduar dhe shfrytëzuar pasuritë e vendeve dhe popujve tjerë, për t’u imponuar atyre mënyrën e tyre të jetesës, të qeverisjes dhe vlerat e tyre detyrimisht shpie në dhunë, konflikt dhe luftë. Ndërhyrjet e tërthorta dhe të drejtëpërdrejta (edhe ushtarake), sidomos në vendet arabe, afrikane, në ato të amerikës latine dhe përgjithësisht në vendet e varfëra kanë prodhuar dhe po prodhojnë vetëm dhunë, vrasje, gjakderdhje dhe luftëra (edhe vëllavrasëse) të “pakuptimta” për qytetërimin evropian. Prandaj, Amerika dhe Evropa e zhvilluar, por edhe Kina dhe Japonia, duhet t’i ndihmojnë këto vende dhe këta popuj që të dalin nga varfëria ekstreme. Kështu do të dëshmonin “epërsinë” e qytetërimit, të demokracisë dhe të vlerave të tyre. Vetëm kështu edhe bota e varfër do të përqafojë vlerat më të përparuara dhe do të reformohet pa “ndihmën” dhe ndërhyrjet ushtarake nga bota e “civilizuar” dhe e vlerave “universale”…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura