XHEVAT BISLIMI: MEDIET QË CENOJNË RËNDË LIRITË DHE TË DREJTAT E BAJRUSH XHEMAJLIT

Viti, 16. 07. 2013 – Shkrime, reagime, komente, protesta, padi, akuza… pa fund nga gazetarët, përfaqësuesit e tyre dhe mediet e shkruara dhe elektronike kundër atyre që shkelin liritë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të medieve. Fushata që bëjnë për mbrojtjen dhe garantimin e lirive dhe të drejtave të tyre (vetanake) mediet dhe organizatat e tyre është për çdo “lavdatë”. Të krijohet përshtypja se mediet dhe gazetarët janë “jashtëtokësor”, me super liri dhe me super të drejta! E tërë shoqëria, institucionet dhe çdo qytetar i këtij vendi duhet t’u qëndroj gatitu medieve dhe gazetarëve të tyre! Ky është mendimi i tyre për veten e tyre dhe për liritë dhe të drejtat e tyre të ardhura nga qielli ose nga Hyji! Ne, shoqëria jonë, institucionet tona (përfshi edhe partitë tona) kemi garantuar (edhe me Kushtetutë) liritë dhe të drejtat e medieve. Një sistem demokratik nuk mund të mendohet pa lirinë dhe të drejtat e garantuara të medieve dhe gazetarëve të tyre. Por, mediet, gazetarët dhe përfaqësuesit e tyre nuk duhet të harrojnë asnjëherë se liritë dhe të drejtat që vlejnë dhe janë garantuar për ta vlejnë dhe i janë garantuar edhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Pushteti i medieve është vërtetë me peshë dhe rëndësi të pazëvendësueshme për zhvillimin dhe demokratizimin e një vendi. Në fund të fundit, mediet jashtë këtij funksioni edhe nuk ka kuptim të quhen të tilla.
Në vendin tonë, mbase ende në fazën e kuptimit dhe të përplotësimit të të drejtave dhe të lirive të munguara ndër shekuj, shpesh po keqkuptohet dhe po keqpërdoret e drejta dhe liria e fjalës së lirë dhe pushteti i medieve. Disa medie dhe disa gazetarë në mënyrë sistematike janë bërë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e fushatave politike, partiake (për ose kundër një partie, një institucioni a një figure politike-publike) për qëllime dhe përfitime politike (mbase edhe ekonomike, etj).

– Bajrush Xhemajli – 

Shembulli më i mirë i shpërdorimit të medies dhe i të drejtës dhe lirisë për të folur e për të shkruar është rasti i njeriut, shqiptarit, intelektualit, politikanit dhe kryetarit të dalluar, Bajrush Xhemailit. Fatkeqësia e tij në qarkullimin rrugor u shfrytëzua nga disa medie dhe nga disa gazetarë (të sponsorizuar nga nëntoka dhe mafia politike…) për fushatë të papresedan kundër personalitetit të Bajrush Xhemailit. Trysnia, përfolja, nxitja e antipatisë dhe urrejtjes kundër Bajrush Xhemailit ishte dhe është e pashembullt në historinë e medies. As në kohën e regjimeve më antidemokratike-autoritare nuk është parë një fushatë dhe presion kaq tendencioz, denigrues, antinjerëzor dhe kaq i orkestruar ndaj një figure publike, ndaj një njeriu në fatkeqësi! Qindra (fatkeqësisht) aksidente ndodhin në rrugët tona, ende larg standardeve të kërkuara të ndërtimit, sinjalizimit, etj. Rreth njëqind qytetarë humbin jetën (shumë e dhimbshme) gjatë vitit në rrugët tona nga këto përplasje makinash. Ndonjëherë në këto aksidente janë përfshirë edhe vetura zyrtare, vetura të policisë, të KFOR-it dhe vetura të UNMIK-EULEX-it. Ka edhe figura qeveritarësh, zyrtarësh të ndryshëm, politikanësh (figura publike) që janë përfshi (gjithmonë pa dëshirën dhe vullnetin e tyre) në aksidente rrugore dhe u kanë shkaktuar edhe lëndime dhe vdekje të tjerëve. Ndonjëherë janë lënduar dhe kanë vdekur edhe vetë. Se kush do të vdes në një aksident komunikacioni nuk varet nga drejtuesit ose udhëtarët që ndodhen në ato makina apo automjete tjera. Por, për këto aksidente të përditshme nuk na ka ra të dëgjojmë apo lexojmë fushatë mediale. Është dhënë një lajm-informatë dhe kaq! Kjo ka ndodhur dhe po ndodh vetëm në rastin-fatkeqësinë e Bajrush Xhemailit!
Në fatkeqësinë që pati Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, pati një të vdekur (fatkeqësisht). Por, secili njeri me dy kokrra mend në kokë e kupton që i vdekuri mund të ishte edhe Bajrush Xhemaili, por, siç e thotë populli, nuk ishte e shkruar, nuk kishte për të vdekur. Prej asaj kohe janë bërë me dhjetëra shkrime gazetash, portalesh, por edhe komente e kronika televizive. Shumica e këtyre shkrimeve dhe komenteve televizive përshkohen fund e krye nga pakënaqësia pse nuk kishte vdekur edhe Bajrush Xhemaili! Këta gazetarë antinjerëz nuk e fshehin fare dëshirën për vdekjen edhe të Bajrushit në atë fatkeqësi!
Por, meqë nuk vdiq edhe Bajrushi (“ringjallja” e tij ishte një lloj mrekullie), disa medie dhe disa gazetarë morën përsipër (kush i ngarkoi me këtë detyrë kaq antinjerëzore?) të bënin fushatë dhe presion publik, duke shpërdoruar skajshëm pushtetin dhe lirinë e të drejtën e medies, edhe mbi sistemin dhe organet e drejtësisë! Qëllim dhe kërkesë e çdo shkrimi dhe komenti a kronike televizive ishte dënimi dhe burgosja e Bajrush Xhemailit! Krahas këtij qëllimi dhe për arritjen e tij këto medie dhe këta gazetarucë (që janë turpi i gazetarisë) nuk lenin rast dhe as gurë pa lëvizur për ta nxitur dhe “bindur” familjen që kishte humbur djalin e saj kundër Bajrush Xhemailit. Në çdo rresht dhe fjalë të tyre këta gazetarucë sikur i bënin thirrje familjes që humbi tragjikisht djalin e saj: mos ia falë, ndiqe, padite në gjykatë që të dënohet! Ka komentues me shpirt krimineli që kërkojnë edhe vrasjen e Bajrushit! Dhe askush nuk merr masa ndaj tyre dhe ndaj portaleve që i botojnë! Kjo sjellje e këtyre medieve (portaleve) dhe gazetarëve nuk është në kundërshtim të plotë vetëm me etikën e gazetarit, por edhe me etikën njerëzore dhe me traditat më të mira të popullit tonë shqiptar.
Pas vërtetimit të dënimit këto medie dhe këta gazetarë (ri)nisën fushatën e tyre me moton: e duam Bajrushin në burg! Fushata e tyre synonte dhe kërkonte t’i cenonte dhe mohonte të drejtën themelore Bajrushit për t’u ankuar dhe për t’u mbrojtur në rrugë ligjore! Këto medie dhe këta “gazetarë” morën përsipër të ushtronin edhe pushtetin e drejtësisë, të bënin prokurorin dhe gjykatësin! Rikthimi i lëndës-rastit të Bajrushit në rigjykim i tërboi fare këto medie dhe sponzoruesit e tyre! Nisi një fushatë edhe më e egër kundër këtij njeriu, qytetari me të drejta dhe liri të plota si të çdo qytetari tjetër. Këto medie dhe këta gazetarë, që të ngjajnë më shumë në inkuizitorë të Bajrush Xhemailit, po këmbëngulin t’ia cenojnë dhe mohojnë liritë politike, qytetare dhe njerëzore që ia ka garantuar Kushtetuta. Madje, këta gazetarucë dhe këto medie të karakterit surrojan e titist duhet të mos harrojnë kurrë se Bajrush Xhemaili është njëri prej shqiptarëve që ka flijuar rininë dhe familjen e tij burgjeve të Jugo-Serbisë për këto liri dhe të drejta që janë garantuar sot edhe me Kushtetutë e që i gëzoni dhe shpërdoroni e dhunoni edhe ju “gazetarë” e medie që nuk bëtë dhe nuk po bëni asgjë për këtë liri. Madje me soj e sorollop ishit kundër kësaj lirie. Prandaj, nuk po na habisni aspak. Ishit dhe mbetët ata që ju kemi njohur. Megjithatë, ejani në vete dhe shfrytëzojini këto liri dhe të drejta edhe për t’i respektuar dhe thelluar liritë dhe të drejtat e bashkëkombësve dhe bashkëqytetarëve tuaj!
Ligësia, tendenca dhe urrejtja primitive ndaj Bajrush Xhemailit në mënyrë shembullore u dëshmua kur u propozua ligji për amnestinë. E tërë fushata e këtyre medieve dhe gazetarëve u përqëndrua në emrin dhe figurën e Bajrush Xhemailit! Këto medie dhe këta “gazetarë” i harruan fare krimet monstruoze të Serbisë dhe të shumë serbëve edhe pas luftës, i harruan dëmet dhe shkatërrimet kolosale që pësoi dhe po pëson ekonomia dhe qytetari ynë, i harruan edhe shumë vepra tjera të rënda, që mund të faleshin me këtë ligj dhe iu vërsulën Bajrush Xhemailit, rasti i të cilit nuk parashikohej askund të falej nga ky ligj (as me neni 3 dhe as me nenin 5)!
Sipas këtyre medieve dhe “gazetarëve” Bajrush Xhemaili, edhe pse qytetarë i lirë, duhet të mbyllet në ndonjë bodrum (meqë nuk mundën ta përplasnin prapa grilave, siç bënin në kohën e “artë” të Jugo-Serbisë) dhe të mos e shikoj dritën e diellit! Bajrushi nuk ka të drejtë, sipas “kushtetutës” dhe “ligjeve” të këtyre “gazetarëve” dhe medieve, të ushtroj liritë dhe të drejtat e tij qytetare, politike, njerëzore… Veprimtaria e tij politike brenda PDK-së, fgurë dhe njëri nga drejtuesit e së cilës është, duhet të marrë fund, sepse këtë ia kanë ndaluar “gazetarët” dhe mediet e tyre jodemokratike, të sponsorizuara dreqi e di nga kush! Kjo është liria, kjo është e drejta, kjo është demokracia e këtyre medieve dhe e këtyre gazetarëve-rrogtarëve të tyre! Liritë dhe të drejtat që cenojnë liritë dhe të drejtat e tjerëve nuk janë më liri dhe të drejta, por cenim dhe dhunim i lirive dhe të drejtave, cenim dhe dhunim i lirisë që është fituar me një çmim të madh. Prandaj, ju bëj thirrje me ndërgjegjien dhe shpirtin e një njeriu liridashës: Lereni të qetë Bajrush Xhemailin! Respektojini (e keni detyrim moral, njerëzor dhe ligjor e kushtetues) liritë dhe të drejtat themelore njerëzore, politike e qytetare të këtij njeriu që dha shumë për t’i fituar dhe garantuar për çdo qytetar të këtij vendi këto të drejta…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura