XHEVAT BISLIMI: PRIZRENI TË SHPALLET KRYEQYTET HISTORIK I SHQIPËRISË NDËRSA SHTËPIA E LIDHJES MUZE KOMBËTAR

Prizren, 12. 01. 2014 – Qyteti i Prizrenit është njëri prej qyteteve më të njohura shqiptare për trashëgiminë e tij të pasur kulturore dhe historike. Njëra prej ngjarjeve dhe organizatave madhore të kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ishte themeluar në këtë qytet të Shqipërisë. Kjo ishte ngjarje kulmore për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ishte organizimi më i lartë politik, kombëtar dhe ushtarak për mbrojtjen dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë (katër vilajeteve të Shqipërisë së asaj kohe…) nga pazarllëqet që bënte Perandoria pushtuese Osmane në kurriz të kombit shqiptar me Fuqitë e Mëdha të kohës dhe me fqinjët tanë të uritur për tokat tona dhe të etur për gjak shqiptari… Lidhja ose Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekja më serioze dhe kulmore e kombit shqiptar pas Lidhjes së Lezhës dhe Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Kam pritur dhe kam besuar se për Njëqindvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Prizreni do të Shpallej Kryeqytet Historik i Shqipërisë. Nisma do të duhej të vinte nga Qeveria e Tiranës, por Berisha ishte i zënë me mbledhjen e eshtrave të zogollianve, me eshtrat e atyre që vranë fytyrat më të shquara të kombit shqiptar: Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin… dhe me eshtrat e atyre që për t’u rikthyer në pushtet falën edhe toka të shtetit shqipatr… I kanë mbetur pa kthyer vetëm edhe eshtrat e Esat Pashë Toptanit diku në varrezat serbe të Prisit!

– Xhevat Bislimi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – 

Tirana, Prishtina, Shkupi dhe vetë qyteti i Prizrenit duhet të marrin nismën dhe të ndryshojnë edhe statusin e Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo Shtëpi-Muze sot është e varur nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve dhe të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, ndërsa ky Institut varet nga Ministria e kulturës…! Kjo do të thotë që statusi i këtij Muzeu, i kësaj SHTËPIE mbarëshqiptare është i njëjtë me statusin që ka një hamam, një xhami, një kishë katolike (kishat ortodokse “serbe” kanë status ekstra), një teqe, një urë apo një shtëpi e vjetër banimi në këtë qytet! Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbarëkombëtare, mbarëshqiptare dhe i tillë do të duhej të ishte edhe statusi i Shtëpisë ku u themelua Lidhja. Mbase një ditë, po t’i besojmë nismës për bashkëpunim dhe bashkim të dy qeverive, do ta kemi edhe një Ministri të vetme për kulturën dhe trashëgiminë shpirtërore e materiale të Kombit Shqiptar në Iliri e më gjerë. Kjo SHTËPI duhet të shpallet MUZE KOMBËTAR I SHQIPËRISË (me këtë nuk kuptoj vetëm Republikën e Shqipërisë-shtetin shqiptar, por mbarë Shqipërinë). Këto dy nisma (Shpallja e Prizreni Kryeqytet Historik i Shqipërisë dhe Shtëpia e Lidhjes Muze Kombëtar i Shqipërisë, shpresoj se do të gjejnë vend në mbledhjet e ardhshme të përbashkëta të këtyre qeverive shqiptare. Këtë nismë mund ta marrë dhe i takon ta marrë edhe njeriut, shqiptarit dhe përgjegjësit të përkushtuar të Muzeut të Lidhjes, Parim Kosovës, i cili është njeriu më i merituar për mirëmbajtjen dhe pasurimin e Muzeut me dokumente dhe objekte të ndryshme me vlerë historike, kombëtare dhe kulturore.

………………………………………….

– FOTOALBUMI – 

Më 07. 01. 2014, me miqtë e mi nga Vitia, Xhevat Bislimi, Gaspër Demaj dhe Arban Bislimi, vizituam Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast na priti Përgjegjësi i këtij Kompleksi Mr.Parim Kosova. (Sh.Berisha)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura