XHEVAT BISLIMI: QËNDRESA INSTITUCIONALE DHE DEMOKRATIKE E OPOZITËS SË BASHKUAR DHE KOALICIONI I DËSHTUAR LDK-PDK-LISTA SERBE!

Prishtinë, 10. 11. 2015: Megjithë sistemin “sui generis” të zgjedhjeve, që u mundëson partive të “forta” dhe bosëve të tyre t’i manipulojnë zgjedhjet dhe rezultatin e tyre pa asnjë kufizim serioz, PDK-ja e Hashim Thaçit (me satelitët e saj) nuk ia doli t’i fitonte zgjedhjet që ta formonte qeverinë në përputhje me dëshirën dhe me interest e anëtarëve dhe votuesëve të saj! Ajo u “shtrëngua” të hiqte dorë nga vendi i Kryeministrit të Republikës dhe ta bënte kryetarin e saj zëvendës të Isa Mustafës!! Kjo ishte kafshata që u detyrua ta kapërdinte elektorati i PDK-së dhe anëtarësia e kësaj partie të lodhur nga udhëheqja jodemokratike, jotransparente dhe e “dhunshme”!! Për t’i siguruar dy të tretat e votave nuk mjaftonte veç LDK-ja e Isa Mustafës. Prandaj, PDK-ja e Hashimit u detyrua të bënte marrëveshje poshtëruese (koalicion) edhe me Listën Serbe të krijuar në Bruksel!! Përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi në dëm të Kosovës dhe Marrëveshjet e Brukselit me Serbinë e vendosën këtë koalicion në pozita të shitjes së interesave të larta të vendit. Asnjëri nga premtimet e bujshme të këtyre dy partive, LDK dhe PDK, nuk u mbajt. Vetëm Lista Serbe i mbajti premtimet e saj dhe po i realizon me ndihmën e partnerëve të koalicionit (LDK-PDK) dhe të Serbisë! Në vend të punësimit të 200 000 qytetarëve u bë shpërngulja e organizuar e mbi 100 000 shqiptarëve vetëm për dy muaj!! Edhe në këtë “projekt” ndihma e Serbisë ishte vendimtare! Ikja e shqiptarëve po vazhdon dhe s’ka të ndalur! Të paktë janë ata shqiptarë, sidomos të rinjtë, që do të mbeteshin me dëshirë në këtë pjesë të atdheut të tyre! I organizuar është nga ky koalicion edhe rrënimi e trafikimi i ekonomisë dhe i pasurive të këtij vendi, pastaj rrënimi i sistemit të drejtësisë, i sistemit të arsimit, atij të shëndetësisë, sigurisë, energjetikës, degradimi i organizuar i pyjeve, i tokës dhe i mjedisit përgjithësisht! Kjo ka bërë që ky koalicion ta humb mbështetjen e popullit të Kosovës dhe të bëhet i urryer. Besueshmëria e qytetarit tonë në këtë koalicion është më e ulët se kurrë më parë! Vetëm 15% e qytetarëve vazhdon t’i gënjejë shpresa te ky koalicion! E vetmja mbështetje dhe shpresë e këtij koalicioni të dhunëshëm kanë mbetur të huajt (miq e jo miq) dhe Serbia, e cila e dëshiron më shumë se kushdo tjetër këtë gjendje të pashpresë të popullit të Kosovës!!

Opozita e Bashkuar shpresë për ndryshime
E vetmja shpresë për ndryshimin (pëmbysjen) e kësaj situate të papranueshme për popullin tonë dhe për miqtë tanë në botë ka mbetur Opozita e Bashkuar, e cila po përballet drejtëpërdrejt me koalicionin e dhunshëm LDK-PDK-Lista Serbe. Për herë të parë Opozita (partitë parlamentare opozitare) nuk po fshihen pas qytetarit dhe protestës në rrugë, por po përballen në institucione dhe institucionalisht me pozitën që tashmë e ka humbur mbështetjen dhe legjitimitetin e saj në Kosovë. Ata që kanë marrë votën dhe mandatin për ta përfaqësuar dhe mbrojtur vullnetin dhe interesin e këtij populli po e bëjnë këtë brenda institucioneve e jo në rrugë, siç do të dëshironte pozita-koalicioni Isa-Hashim. Është e drejtë, është detyrim, është civilizuese dhe është demokratike qëndresa e Opozitës së Bashkuar në Kuvendin e Republikës për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë së këtij vendi e të këtij populli. Nuk ka gjë më të ligjshme dhe më legjitime e demokratike se kundërshtimi i marrëveshjeve që rrezikojnë dhe kërcënojnë interesat jetike të Kosovës dhe të popullit të saj. Opozita e Bashkuar ka kërkuar nga qytetarët që ta shprehin vullnetin e tyre përmes peticionit që kundërshton Bashkësinë (zajednicën) e komunave serbe dhe marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Mbi 200 000 shqiptarë kanë nënshkruar me dëshirën e tyre kundër këtyre marrëveshjeve kapitulluese që kanë nënshkruar “bosët” e këtij koalicioni të pa natyrshëm. Me këtë Opozita e Bashkuar ka testuar dhe ka rikonfirmuar mbështetjen që ajo ka në popull. Edhe protestat spontane para Kuvendit të Republikës kanë dëshmuar se Opozita e Bashkuar ka përkrahjen e popullit të Kosovës. Ndërsa, koalicioni (pozita) nuk ka guxim as ta testojë përkrahjen që (s)ka në popull! Nëse koalicioni (shefat e tij) janë të bindur, siç na çajnë veshët në ekranet e TV-ve, se kanë bërë marrëveshje konform vullnetit dhe interesave të këtij populli, atëherë pse nuk organizojnë një peticion në mbështetje të marrëveshjeve të tyre me Serbinë dhe me Malin e Zi?! Ose edhe një referendum. Nuk ka gjë më demokratike dhe më transparente se nënshkrimi i një peticioni ose deklarimi me referendum: “për” ose “kundër”. Nuk kemi parë qoftë edhe dhjetë veta që t’i vijnë në përkrahje koalicionit dhe marrëveshjeve të kësaj qeverie. Madje, të pakët janë edhe zyrtarët e lartë të qeverisë dhe të partive të koalicionit që dalin dhe mbrojnë marrëveshjet e nënshkruara nga “shefat” e tyre! Në përballje me kundërshtimin dhe qëndresën e Opozitës së Bashkuar “shefat” e koalicionit po mbeten përditë e më të vetmuar. Nuk është e largët dita kur këta “shefa” zemërgjerë e dorëlëshuar me tokat, me interesat dhe me të drejtatë e Republikës së Kosovës do të përballen edhe me kundërshtimin e partive dhe zgjedhësve të tyre… Sa më parë aq më mirë për këtë vend e për këtë popull që nuk meriton sundimin e tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura