YLLI POLLOVINA: 100 VJET EDHE PËR FALSIFIKATORËT E HISTORIS

(Tiranë, 09. 11. 2012) – 2012’a, i cili po shkon drejt mbylljes së ciklit të tij dymbëdhjetëmujor, duke qenë edhe i jubileut të njëqindvjetorit të pavarësimit të Shqipërisë, me këtë rast edhe i një shekulli të shtetit tonë të lindur në Vlorë e të rritur në Tiranë, i mbarti të gjitha dëshmitë kryesore të identitetit tonë. Autori i këtij shkrimi, kur që nga 1 janari, filloi të skedojë fizionominë e 2012-s, pamje dhe gjeste të politikës, të kulturës, të individëve të veçantë, rolit të mediave dhe ndikimit internetik, të raporteve me vende të tjerë (posaçërisht me grekët, italianët dhe amerikanët) etj. etj., do të befasohej nga një rezultat jo i parashikuar. Mes të veçantave të këtij viti test për të vëzhguar karakteristikat tona themelore falsifikuesit e historisë dhe shtrembëruesit e saj rezultuan mjaft të përsëritur dhe shumë agresivë.
Gjatë periudhave me shtet të monopolizuar në duart e një personi (monarkia dhe diktatura komuniste), këtë shërbim manipulimi e kanë kryer bashkëkombës fillikat apo organizma kolektive që paguheshin dhe vareshin prej qeverive. Kur e administroi Shqipërinë Ahmet Zogu përpunimi i historisë me qëllim personalizimin e saj ka qenë i kufizuar vetëm për të lartuar atë si person (sigurisht edhe familjen e tij). Kulti i Zogut ka qenë tepër grykës dhe gëlltiste prestigj dhe lavde sa të mundte. Ky profil deri tani nuk ka gjetur përshkrues apo interpretues të pasionuar, sepse nga që veprave të tij të mira në dobi të vendit për një gjysmëshekulli iu krye një mohim i pandershëm, ende mendohet që një rikthim te të metat e tij do të rindizte mllefin e dikurshëm. Megjithatë, për të dhënë një nga disa shembuj, nuk mund veç të trajtohet si shtrembërim i historisë fakti që Ahmet Zogu, pra shteti i drejtuar prej tij që nga janari 1925 deri në 8 prill 1939, në të gjitha emisionet e pullave nuk nxori asnjëherë pamjen e ndonjë bashkëkombësi tjetër. Madje as të Skënderbeut, edhe pse shkruesit e paguar nga shteti bënë gjithçka për të argumentuar se, ndërsa Zogollët rridhnin prej derës princërore të Dukagjinëve, e ëma vinte drejtpërsëdrejti prej Kastriotëve. Për katërmbëdhjetë vite pullat (atëherë ato zotëronin fuqi të madhe propagande imazhi brenda dhe jashtë vendit), kishin vetëm portrete të tij. Kur festoi dhjetëvjetorin e mbretërisë vendosi edhe të shoqen, Geraldinë Apponyi, zonjën hungarezo-amerikane, e cila më pas e deri tani mbeti shumë e respektuar dhe dashur për shqiptarët.

Për periudhën staliniste nuk mund të shkruajmë veç atë që dihet fare mirë prej të gjithëve. Në kujtesën kombëtare dëmet prej shkruesve të shtetit kanë qenë gropa të mëdha e të thella sa humnera. Nuk mund madje të përcaktohet dot koha, kur gjithçka do të vihet në vend. Ndërkohë, me në krye të pushtetit Ahmet Zogun apo Enver Hoxhën janë bërë punë të vyera në zbulimin, pasqyrimin dhe restaurimin e vlerave të së kaluarës historike të vendit dhe të të gjithë kombit.
Pas vitit 1990, tashmë në një Shqipëri të dëshiruar t’i hapej lirisë dhe që doli se nuk ishte aspak një punë e lehtë, presioni i shtetit të ri u tkurr, pothuaj u zhduk. Mbeti latent në disa raste të veçuara. Ai u përpoq sa mundi të ndikonte në rivendosjen e baraspeshimit të humbur në memorien kombëtare dhe riardhjen e të mohuarës. Natyrshëm në këtë proces delikat krahë të ndryshëm të politikës pluraliste, në punën e domosdoshme të rifitimit të vlerave të harruara, do të binin në theqafjen e zakonshme të rikthimit nëpërmjet përmbysjes së arritjeve të mëparshme. Këtu u rishfaq vesi i glorifikimit, i heroizimit dhe i lavdizimit të të goditurve padrejtësisht. Veç kjo dukuri, edhe pse është dhe mbetet shtrembërim i historisë, nuk përbënte ndonjë hata të madhe. Më shumë se nga mendësia e kultit të personit, vinte prej një inati të vjetër ideologjik dhe iluzionit se vetëm ashtu, duke i monumentuar, u kthenin në vend dekadat e groposjes.
E pa kryer nga politika apo qeveritë dhe individët e alternuar në krye të tyre, gjatë vitit 2012, jubilarit tonë të njëqindvjetorit, u rishfaq më e pafre dhe më e pacipë, krejt e paturpshme dhe e dhunshme, manipulimi i historisë prej disa individëve, protagonistë të thekur në një mjedis si yni, ku anarkia vlon dhe secili mund të veprojë sipas kokës së vet. E trishtueshmja është se për hir të lirisë së keqkuptuar ata kanë një mundësi të pafundme për të përhapur në opinionin publik manitë vetëmburrëse dhe gënjeshtrat e tyre. Mjafton të nxjerrin nga goja një “çudi”, që përbën llojin e lajmit “njeriu kafshoi qenin” dhe faqet e disa gazetave hapen fët e fët. Edhe qelqet llamburitëse të disa ekraneve ua bëjnë me sy. Për shembull nuk kanë të mbaruar ata që jo vetëm e paskan kundërshtuar hapët e ballëlart, por edhe ia kanë “mbledhur” regjimit diktatorial, madje edhe vetë E.H. Nuk e kemi fjalën për rezistencën e asaj klase atdhetarësh, e cila quhet e ish- të persekutuarve politikë dhe që me të drejtë jo rrallë thuhet se meriton emrin e luftëtarëve për demokraci. Kjo tollovitje disidentësh të sajuar, masivisht prej të përkëdhelurve të dikurshëm ose prej atyre që nga ajo kohë nuk kanë pësuar asgjë, listë e pambaruar me mjaft emërnjohur, por edhe disa të pandierë as në lagje, nuk duhet gjykuar si jo e parëndësishme në dëmin që shkakton.
Duke lënë mënjanë “disidentët”, këta shtrembërues të zellshëm, në vijë të parë të revanshit mbi të vërtetën, gjenden edhe mjaft të tjerë. Nëpërmjet një pjese të medias së shkruar apo elektronike këta kanë goditur shumë ngjarje kyçe të historisë sonë të pas 28 nëntorit 1912. Më e fundit, ajo që e “mbushi kupën”, ishte kjo e një bashkëkombësi jo pa kontribut në zbulimin, grumbullimin dhe publikimin e dokumenteve të perandorisë vjeneze për Shqipërinë. Ky, me një nga dy letrat që paria e Durrësit, ditën e ngritjes lokale të flamurit, i dërgoi konsullatës austro-hungareze dhe asaj italiane (fakt që në Shqipëri përveç mjaft historianëve profesionistë e dinë edhe shumë qindra të tjerë), tentoi ta doktrinojë opinionin me idenë “epokale” se shpallja e pavarësisë është kryer në Durrës dhe se në Vlorë thjesht u formua qeveria. Bashkëkombësi madje, në mënyrë të paramenduar (nuk po themi me këtë rast edhe ndonjë fakt tjetër të pabërë deri tani publik) u përpoq të përdorte strukturat e shtetit si edhe entuziazmin e natyrshëm të kujt dëshiron t’i dalë sa më mbresëlënës sipërmarrja organizative e një festimi të bukur, për të imponuar dhe pranuar shtrembërimin e tij të rëndë historik.
E kësaj përmase brutale ka qenë vetëm ajo teori, e cila me një libër për Skënderbeun, të shkruar mjaft bukur, u përpoq të na bënte t’i bindeshim pikëpamjes së autorit se arsyeja kryesore e aksionit kundërosman të heroit tonë kombëtar qe një motiv gjakmarrjeje me oborrin sulltanor.
Episodet e tjera për shtrembërim total të vetë themeleve të historisë dhe identitetit tonë, tentativa të cilat këtë viti jubilar qenë të disafishta në krahasim me pararendësit, nuk është e nevojshme të rreshtohen në këto radhë. E kanë vendin gjetkë.
Duke u afruar 28 Nëntori dhe me këtë rast duke vijuar, të paktën për qëllime analize, të mbajmë shënim çdo agresion tjetër ndaj historisë kombëtare, na mban shpresa se gjithçka që i parashtruam lexuesit, është pasojë e thjeshtë e një arrogance protagonizmi vetjak. Po ashtu edhe e një vetëndjerjeje mjaft të përhapur në gjindjen e viset tona, sipas të cilët jo vetëm bërja e historisë, por edhe shkrimi i saj fillon “me ne”, pra nga zeroja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura