ING.AGIM BREGU: NË ZGJEDHIM ‘DESH’ TË MËDHENJ NË KRYE TË SHTETIT!

Tiranë, 29. 10. 2016. Grupi im i gjeologve, në shtator të vitit 1970, punonte në Grykën e Këlcyrës. Papritmas, në rrugën automobilistike, nga ana e Tepelenës drejt Këlcyrës, po vinte një kope e madhe delesh (rreth 20 000 krerë). Në krye printe një bari. Ai na tha se ishin delet e fermës shtetërore të Levanit të Fierit, që ktheheshin nga kullotat verore për në Levan, drejt kullotave dimrore. Në krye të kopesë, pas bariut, vijonin rreth 40-50 desh, por edhe në krye të deshve printe dashi më trupmadh, i cili i kishte brirët më të mëdhenj! Kush i nxori deshtë në krye të kopesë? Dolën vet, apo i nxori kopeja? Nuk e di, por kjo renditje, që pashë me sytë e mi, është fakt i pamohueshëm. Në fakt, deshtë janë më trupmëdhenj dhe më të fuqishëm se delet. Ata kanë brirë për të luftuar armikun, dhe kjo i bënë me autoritet në tufë. Dashi në kope është udhëheqës, sundimtar i tufës. Ai është agresiv dhe mbrojtës. Deshtë e vendosin rangun e mbizotrimit në tufë nëpërmjet luftës, kërcënimit dhe konkurencës. Deshtë mbizotrues janë të prirur të jenë më agresivë me delet e tjera.
Ndërmjet deshve, kryesisht madhësia e trupit dhe e brirve janë faktorë, që përcaktojnë autoritetin dhe mbizotrimin në tufë. Pra, kopeja është e renditur sipas rangut të autoritetit.
Delet rrinë në tufa (kope) për tu mbrojtur nga armiku. Ato kanë prirje të natyrshme për të ndjekur pas deshtë, drejt kullotave të reja. Ato lëvizin vullnetarisht pas deshve. Pra, instinkti, për të ndjekur pas qorrazi udhëheqësin (dashin), erdhi në jetë për të shpëtuar delet individuale. Prandaj, deshtë duhet të lëvizin të parët.

UDHËHEQËSIT E SHTETEVE TË BOTËS
Popujt e ndryshëm kanë kërkesa të njëjta për zgjedhjen e kryetarve të shteteve të tyre. Ja disa nga ato: Të jenë të aftë për të udhëhequr popullin drejt përparimit, drejt zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, të jenë besnik ndaj atdheut dhe ta duan popullin…. Udhëheqësit më të suksesshëm kanë qenë të moshuar, të rrahur nga jeta. Le të shohim disa shembuj nga bota:
Pas Luftës së Dytë Botrore, më 1949, Republika Federale e Gjermanisë zgjodhi në krye kancelarin Konrad Adenauer, në atë kohë 73 vjeç. Adenauer e udhëhoqi Gjermaninë deri më 1963 (14 vjet rresht, deri në moshën 87 vjeçare!). Ai ishte i moshuar dhe jo i bukur, por ishte i aftë. Gjermaninë e shkatërruar nga lufta, brenda 10 vjetve (!) e bëri “lokomotivë” të Europës. Kryeministri i dikurshëm i Italisë, Xhulio Andreoti, ishte 70 vjeç kur u zgjodh kryeministër i Italisë. Ai nuk ishte shtatlartë, por ishte i aftë për të drejtuar shtetin. Nën udhëheqjen e tij, deri në moshën 73 vjeçare, Italia u zhvillua nga ana ekonomike.
Golda Meir, ishte grua e moshuar, 71 vjeçe kur u zgjodh kryeministre e Izraelit (1969-1974). Ajo nuk ishte shtatlartë, por kishte mendje të madhe. Në moshën 71-75 vjeçare ajo i siguroi Izraelit fitoren ushtarake mbi vendet e koalicionit arab. Ajo e udhëhoqi Izraelin drejt zhvillimit të gjithanshëm.
Kina, pas Mao Ce Dunit (qysh më 1979 deri më 1997), u udhëhoq nga Ten Hsiao Pin. Ai ishte trupshkurtër dhe i moshuar (75 deri 93 vjeç si udhëheqës!), por ishte shumë i zgjuar. Pas Mao Ce Dunit, edhe nën udhëheqjen e tij Kina u bë superfuqi.
Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, kur u zgjodh kryeministër ishte i moshuar dhe jo shtatlartë, por ishte shumë i zgjuar. Singh e udhëhoqi Indinë kur ishte në moshën 72 deri 82 vjeçare. Ai e bëri Indinë fuqi botërore. Kështu mund të sjellim plotë shembuj nga bota. Populli ynë shqiptar, gjatë gjithë historisë së tij, ka zgjedhur në krye të qeverisë kryesisht burra të rinjë, të pa rrahur nga jeta, të paraqitshëm nga ana e jashtme, që mendjen e kanë tek seksi dhe pasurimi vetjak, fizikisht të fuqishëm dhe shtatlartë, mundësisht edhe të bukur. Pra, mosha e re, paraqitja e jashtme (mundësisht të bukur), shtatlartësia dhe fuqia fizike e tyre kanë qenë dhe janë kërkesat kryesore nga ana e popullit tonë. Për mendjen e tyre nuk ka pasur dhe nuk ka shumë kërkesa. Ajo mund të jetë “e madhe ose e vogël”, ka pak rëndësi! Edhe për ndershmërinë e tyre, besnikërinë ndaj atdheut, dashurinë ndaj popullit, aftësitë drejtuese ekonomike dhe politike, të gjitha pak rëndësi kanë. Populli shkon qorrazi pas këtyre udhëheqësve shtatlartë dhe trupmëdhenj. Ai ka besim të plotë tek udhëheqësit e tij të plotëfuqishëm. Prandaj, ata që pretendojnë të zgjidhen në krye të qeverisë në Shqipëri (shtatlartët!), i kushtojnë shumë rëndësi paraqitjes së tyre të jashtme (plotësojnë kërkesën kryesore të popullit!). Kjo është arsyeja, pse historikisht kemi qenë dhe jemi vend i prapambetur: Ne nuk dim të zgjedhim në krye të shtetit. Zgjedhim ‘desh të mëdhenj!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura