YLLI POLOVINA: BASHKËPUNIMI I AGJENTIT SHQIPTAR ME AMBASADËN AMERIKANE NË ROMË (4 MAJ 1999) DHE ‘BOMBA’ E SALI BERISHËS NË SHTYPIN ITALIAN (7 MAJ 1999) (8)

Tiranë, 18 mars 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i tetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për gazetèn “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

***
Ditën kur do të zhvillohej takimi i ministrit të Jashtëm të Vatikanit, arqipeshkvit francez Zhan Luis Toran me Ibrahim Rugovën për t’i hapur rrugë takimit të presidentit të Kosovës me Papa Xhovani Pali II, më 7 maj 1999, për një rastësi në gazetën e komunistëve “Il Manifesto”, u shfaq një intervistë e ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha.
Kuptohej që ajo ishte dhënë shumë pak orë pasi Ibrahim Rugova pati mbërritur në Romë dhe patjetër para se ai të përfundonte, në mbasditen e vonë të ditës së 6 majit, konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Masimo D’Alema dhe ministrin e Jashtëm Lamberto Dini.
Prej përmbajtjes së intervistës dallohej qartë gjesti i dërgimit të një mesazhi apo “rekomandimi” për Rugovën se çfarë duhej të deklaronte tani para kancelerive të Perëndimit dhe përballë opinionit publik ndërkombëtar.
Kjo bisedë e “Il Manifesto” me dikur presidentin shqiptar, të cilin gjatë trazirave të motit 1997 kjo e përditshme e pati shpallur person shumë të kritikueshëm, të shkaktonte menjëherë ndjenjën e surprizës, madje të artificiales, të mirëkuptimit nga zori. Domosdo që politikani i njohur i Tiranës po përpiqej ta përdorte gazetën ekstremisht të majtë për qëllimet e veta të luftës politike brenda Shqipërisë, por edhe kjo e fundit duhej të kishte diktuar diçka të përafërt të Sali Berishës me ta.

Gazetari Guido Rotolo në intervistë u përqëndrua në gjashtë pyetje dhe ndër përgjigjet më karakteristike të tij qenë katër. Po i poshtëshënojmë.
E para: “Dëshirojmë të bisedojmë me Rugovën për t’i dhënë fund përçarjeve të brendshme të forcave në Kosovë…të krijuara nga autoritetet e Tiranës, nga presidenti Rexhep Meidani…”
Ky qe mesazhi i parë i Sali Berishës për Ibrahim Rugovën: të takoheshin në Romë apo kudo gjetkë jashtë kufirit. Mbase edhe nëpërmjet një vizite në Tiranë.
Në mbrëmjen e po asaj dite të 7 majit 1999, kur botohej intervista, ndërsa Rugova pati një takim me ministrin e Jashtëm shqiptar si edhe ambasadorin në Romë Leontiev Çuçi. Paskal Milo e kishte ftuar, në emër të qeverisë, për të ardhur në Tiranë dhe ai i qe përgjigjur se do të vinte së shpejti, pasi të kryente disa angazhime ndërkombëtare në Evropë, Francë, Gjermani, Bruksel, Londër etj.
Presidenti i Kosovës nuk e pati kundërshtuar propozimin për të mbledhur gjithë faktorët politikë të Kosovës në Tiranë, por e shtyu me kujdes deri në një çast të duhur.
Në të vërtetë mbërritja në Itali e Ibrahim Rugovës e kishte lehtësuar mundësinë e takimeve të tij me politikanë bashkëkombës, përfshi edhe atë të parealizuar deri ato çaste, të takimit me Sali Berishën. Siç edhe nëpërmjet intervistës po ua bënte të ditur komunistëve italianë, por edhe tërë opinionit publik të këtij vendi, sepse “Il Manifesto” qe gazetë tërheqëse dhe jo pak e lexuar nga njerëz me ide të tjera politike (tirazhi i saj ditor këtë kohë shkonte në 145.000 kopje), tema e bisedimeve të përbashkëta mes tyre do të përfshinte edhe luftën politike ndaj qeverisë së majtë në Tiranë.
Si edhe Presidentit të Shqipërisë, i cili qe i po këtij krahu.
Siç tashmë dihet një takim Rugova-Berisha nuk do të realizohej dot gjatë kohës së qëndrimit të presidentit të Kosovës në Romë, por edhe në çdo kryeqytet tjetër të Perëndimit, ku ai ndërkohë kreu takime të larta shtetërore.
Tek libri “Në hap me Rugovën”, Adnan Merovci shpjegon jo vetëm përse Ibrahim Rugova gjatë Luftës së Kosovës nuk u takua konkretisht me Sali Berishën (madje edhe Rexhep Meidanin), por edhe përse ai “sillej shumë i balancuar me spektrin politik në Shqipëri” (fq.213). Në faqen 356 Merovci shkruan se Ibrahim Rugova “Nuk është mbështetur shumë në Shqipërinë dhe Sali BERISHËN, edhe pse ka pasur kontakte të shpeshta”.
Përgjigja e dytë e spikatshme e ish-Presidentit shqiptar për gazetarin Guido Rotolo ishte: “Ditën që Rugova u shfaq në Beograd bashkë me Millosheviçin, autoritetet e Tiranës e damkosën si një tradhëtar. Dhe i dhanë jetë qeverisë Thaçi për t’i përçarë gjithnjë e më shumë përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë të Kosovës…”
“Il Manifesto” ndërkohë qe shprehur vazhdimisht me gjykim shumë pozitiv për të dy takimet e kryera deri atëherë mes Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviçit.
Përgjigja e tretë: “Për gjashtë vjet bashkë e Rugovën kam mbështetur zgjidhjen politike të Kosovës…” Kjo donte të thoshte jo të luftës me armë. Të paktën kështu kuptohej nga italianët.
Tjetër deklarim i ish-Presidentit të Shqipërisë brenda të njëjtës përgjigje: “Kur UÇK filloi fushatën e luftës frontale me ushtrinë serbe e kritikova këtë strategji. Kërkova që ajo të ndryshojë për të qënë e tipit të guerriljes”.
Kjo përgjigje e tretë vijonte edhe me fjalët: “Është e vërtetë që ekzistojnë kampe stërvitore të Bukoshit, të drejtuara nga ish-oficerë të ushtrisë jugosllave si edhe të të tjerëve. Megjithatë në betejën me serbët UÇK është e bashkuar”.
Në përgjigjen e katërt ndodheshin fjalët “I kam kërkuar qeverisë Majko që të mbështesë të gjithë UÇK-në por qeveria ka pranuar kampet stërvitore, dhe për këtë gjë nuk e kritikoj dhe kallashnikovët ia ka dhënë UÇK-së së Thaçit. Por vetëm me kallashnikovë nuk mund të fitohet një luftë. Autoritetet e Tiranës duhet të kenë kurajon të mbështesin zyrtarisht UÇK-në”.
Po ashtu: “Millosheviçi duhet të kapitullojë. Mbetem i bindur se zgjidhja më e mirë është ajo e sulmit tokësor në kohën më të shkurtër”.
Kjo përgjigje e fundit qe shumë e fortë, pothuaj “bombë”, krejt ndryshe prej të parave, ku Sali Berisha manovronte për t’i pëlqyer kursit botues të “Il Manifesto”. Ndërkohë kjo ishte edhe e para deklaratë e këtij lloji nga politikanë shqiptarë para opinionit publik italian.
Njëzetë e katër orë pas mbërritjes së Ibrahim Rugovës në Romë një të tillë e kishte shqiptuar pak çaste pasi Berisha ja pati shprehur Guido Rotolos të “Il Manifesto”, Bianka Jagger në debatin e emisionit “Porta a Porta” të Bruno Vespës në kanalin parë të televizionit publik italian.
Veprimtarja e shumënjohur në botë e të Drejtave të Njeriut në mesnatën mes 6 dhe 7 majit 1999 kërkoi futjen e trupave tokësore në Kosovë si shpresa e vetme për të shpëtuar popullin kosovar nga pastrimi etnik.
(Në po atë emision pjesëtarët e një familjeje kosovare të ftuar në studio, deklaruan po ashtu dëshirën për futjen e trupave tokësore si edhe shprehën mëdyshje për Rugovën e simpati të hapët për UÇK-në).
Deklarata e fortë e Sali Berishës ngjasonte dhe qe në të njëjtën frymë me atë të presidentit malazez Gjukanoviç, i cili sapo kishte thënë se “Sllobo ka mbaruar dhe do të dënohet si një kriminel lufte”.
Ishte po ashtu me të njëjtën forcë si e Ismail Kadaresë, i cili dyzetë e tetë orë më parë në një intervistë dhënë të përditshmes italiane “La Stampa” dhe francezes “Le Monde”, mes të tjerash pati ngulur këmbë se “Në historinë serbe krimet kundër popujve të tjerë shpesh janë shpallur madje si programe kombëtare, nacionaliste. Por asgjë nuk është bërë për ta shkulur nga rrënjët ose të paktën për ta neutralizuar këtë aparat të krimit”.
Më e fortë se të gjitha këto qëndrime ishte vetëm ajo në 3 maj 1999 e profesorit amerikan në Harvard, Daniel Goldhagen, sipas të cilit NATO duhej të sulmonte drejtpërsëdrejti Beogradin dhe ta merrte, njëlloj si një gjysëm shekulli më parë u sulmua dhe u çlirua Berlini i Hitlerit. Kjo thënie brenda një artikulli të të sipërpërmendurit shkaktoi polemikë të madhe mes italianëve. Kjo ndeshje opinionesh vijonte edhe ditën e 7 majit dhe të publikimit të intervistës së Sali Berishës.
Deklarata – “bombë” e tij për ndërhyrjen e menjëhershme të forcave tokësore të Aleancës Atlantike në Kosovë për ta çliruar atë binte ndesh me një lajm të përhapur me shumë pasion dy ditë më parë nga vetë “Il Manifesto”, e cila i gëzohej lajmit që në portin e Barit ishin bllokuar 32 kamionë ushtarakë zviceranë të blerë nga qytetarë kosovarë. Këto po niseshin në ndihmë të UÇK-së.
Mos ky deklarim radikal i Sali Berishës qe një këshillë e prerë për homologun e tij bashkëkombës? Pra, kështu duhej të shpallej që në takimin e parë me autoritetet italiane apo me median vendase?
Apo ishte një mënyrë për të mos e lënë Rugovën të dremitej shumë në djepin e pacifizmit të tij karakteristik, i cili në Itali në vend që të refuzohej si mes shqiptarëve, gjente të anasjellën, mbështetjen masive? Presidenti i Kosovës kishte shkuar në një vend të shumë krishterë dhe nuk mund të pritej prej atij populli thirrje për luftë.
Por sfidën e Sali Berishës Ibrahim Rugova nuk mund ta bënte për shumë e shumë arsye. Njëra prej të cilave qe se asnjë prej politikanëve italianë nuk do ta mbështeste, madje mund të ndodhte e kundërta e padëshiruar. Do të tregoj në këtë cikël shkrimesh nervozimin mjaft të shprehur (parë me sytë e mi) të nënkryeministrit Marko Miniti, kur Rugova përsëriste e përsëriste, ndonjëherë si në kllapi, pavarësimin pa kushte të vendit të vet. Miniti qe organizatori kryesor i mbartjes së presidentit të Kosovës nga Prishtina në Beograd dhe pastaj në Romë.
Ndërkohë ditën që Berisha plaste “bombën” e tij në shtypin italian kryeministri Masimo D’Alema pati deklaruar se “Unë mendoj se rrugëdalja mund të jetë një nismë e OKB-së, organizatë kjo e papërzjerë në konflikt, që fton njëherësh rikthimin e refugjatëve dhe ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s. Vetëm OKB mund të jetë autoriteti moral dhe i treti që mund të ndihmojë paqen”.
Në 4 maj ish-kryeministri italian dhe eksponenti i lartë i Bashkimit Evropian Romano Prodi në Strazburg kishte propozuar një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin, ku parashikonte edhe ndihmat për rindërtimin e Jugosllavisë.
Qe mjaft e ndërlikuar ajo që në këtë kohë ndodhte në Itali dhe mbase Sali Berisha, tashmë në opozitë dhe pa në ndihmë struktura shtetërore për informim të plotë dhe të shpejtë, nuk mund dhe s’kish si ta dinte këtë. Sadopak, por edhe duke rrezikuar se kishte përherë gjasë të gabonim, mund ta ndjenim dhe kuptonim ne që shërbenim në Ambasadë.
Po tregoj një episod që pasqyron këtë ndërlikim.
Në mbrëmjen e vonë të 4 majit, pra kur realisht Ibrahim Rugova i larguar po atë ditë nga Prishtina ndodhej në Beograd, në disa rrethe mediatike romane u përhap fjalënaja se në rrugëtim e sipër ai i kishte humbur gjurmët. Nuk dihej ku ndodhej.
Mund edhe të qe vrarë.
Në orën njëmbëdhjetë të natës në celularin e konsullit Drini Bello, i cili realisht ishte punonjës i shërbimit të fshehtë civil shqiptar, ra një zile ngulmuese. Qe partneri i tij (CIA) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Romë, me të cilin muajt e fundit, pas disa kontakteve të para të miat dhe të kolegut Leon Kosta me të (çfarë do të rrëfehet në një rast tjetër të këtij cikli) Bello bashkëpunonte.
Në telefon amerikani pyetjen e parë në atë orë të vonë ia bëri të drejtpërdrejtë:
“Ku je?”
Drini iu përgjigj:
“Në shtëpi”.
“Të lutem, foli shkurt tjetri, a vjen dot deri tek ambasada jonë?”
“Po vij”.
Nga Viale Eritrea, ku diplomatët shqiptarë në Romë kanë apartamentet e tyre, deri në Via Veneto, në qendër të qytetit, atë natë kur po mbyllej 4 maji 1999, Drini Bello e bëri me makinën e tij personale në më pak se një gjysmë ore.
Gjithë rrugën mendoi se për çfarë informacioni zbuluesi amerikan interesohej me aq ngut. Kishte merak se mos ajo çfarë i duhej atij nuk qe në dijeni të tij. Nuk pati ndodhur vetëm një herë kur gjendej pa asnjë informacion korrent. Ngjarjet rreth zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri ecnin marramendshëm. Me shpejtësinë e tyre të nxirrnin jashtë loje sa herë të dëshironin.
Vetëm kur iu afrua kompleksit të shumë godinave të Ambasadës së SHBA në Via Veneto, Drini Bello, në përpjekjen e tij për të gjetur arsyen përse zbuluesi amerikan e kërkonte në mesnatë, u duk sikur u bë më i qetë. E vuri veten nën kontroll.
Sapo u takuan, amerikani i tha shkoqur: “Shërbimi ynë është shumë i shqetësuar dhe duam patjetër informacion mbi gjendjen e Ibrahim Rugovës, pra është gjallë apo i ka ndodhur gjë jetës së tij”.
Bello u gjend i befasuar. Me një rrjet të gjerë dhe të përsosur për grumbullim informacioni, përfshi edhe ambasadën e tyre në Tiranë, përse ia kërkonin atij në Romë një të dhënë që mund ta merrnin prej kolegëve të tyre në kryeqytetin shqiptar? Ndoshta shefat e lartë të shërbimit të fshehtë amerikan të njëjtën kërkesë paralelisht ua kishin bërë të gjithë vartësve të tyre.
Kolegu rrinte në këmbë para tij dhe, duke e parë ngulshëm, priste përgjigje. Besonte se homologu shqiptar duhej ta dinte të vërtetën. Kishin tërë Kosovën që e informonte shtetin e tyre.
Atëherë Drini Bello, i cili nuk dinte asgjë, por kishte besim se e vërteta duhej të qe ashtu siç mendonte ai, i tha amerikanit prerë: “Rrini të qetë se Rugova është gjallë”.
Tjetri e falënderoi dhe hyri në ambasadë.
Tashmë kishte kaluar mesnata. Bello e ngau me shpejtësi makinën drejt ambasadës së tij, në Via Asmara. E zgjoi shifrantin, i cili jetonte në ndërtesë bashkë me familjen dhe ky fillimisht i përgjumshëm, nuk po e pikaste çfarë i kërkohej me kaq shumë nxitim në atë orë tepër të vonë. Megjithatë pas një çerek ore, pasi u kodua, radiogrami u nis drejt shërbimit të fshehtë civil në Tiranë.
Në thelb në të thuhej çfarë kërkonin amerikanët e misionit partner. Përgjigja nuk vonoi me shumë orë. Mbërriti dhe thoshte pak a shumë “Ke vepruar drejt. Ibrahim Rugova është vërtet gjallë. Mund ta konsumosh këtë fakt me kë të duash. Megjithatë ne nuk e dimë se për ku është drejtuar. Kjo e dhënë do të na interesonte”.

(VIJON…)
_________________
YLLI POLOVINA: TAKIMI RUGOVA – MILO NË ROMË (MAJ 1999) DHE FILOZOFIA E BISEDAVE TË RUGOVËS ME MILLOSHEVIQIN DHE MLLUTINOVIQIN (PRILL 1999) (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8445
***
YLLI POLOVINA: MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8458
***
YLLI POLOVINA: SHKËLQIMI I EDI RAMËS NË STUDION ‘PORTA A PORTA’ TË BRUNO VESPËS, 18 MAJ 1999 (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8486
***
YLLI POLOVINA: 19 MAJ 1999, ANGAZHIME RRETH LUFTËS NË KOSOVË! (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8499
***
YLLI POLOVINA: TAKIM SHUMË I NGUTSHËM ME KËSHILLTARIN POLITIK TË AMBASADËS GJERMANE (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8514
***
YLLI POLOVINA: SHQETËSIMI I PASKAL MILOS NGA NJË SHTREMBËRIM LAJMI RRETH NJË DEKLARATË TË TIJ PARA GAZETARËVE ITALIANË NË KUKËS (6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8543
***
YLLI POLOVINA: OPERACIONI PËR “SHPËTIMIN” E IBRAHIM RUGOVËS NGA “KTHETRAT” E SLLOBODAN MILLOSHEVIÒªIT! (7)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8554

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura