Tiranë, 15 Korrik 2019: Shkrimi i njëzetë e pestë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org” kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Ylli Polovina – Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
***
Në datën 28 gusht 1998 në të gjithë Italinë u shpërnda numri i parë i një reviste të re, të titulluar “Liberal”, organ i një fondacioni me të njëjtin emër.
Shfaqja e saj u prit mirë sepse fondacioni i mësipërm kishte prestigj inteligjence të spikatur, aftësie të lartë kulturore, por edhe cilësi baraspeshimi mes korenteve politikë të ndryshme si edhe ndërmjet laikëve dhe katolikëve.
“Liberal” ishte një tru i fuqishëm dhe i respektuar i shoqërisë italiane dhe i opinionit të saj publik.
Ky fondacion qe krijuar në Romë në 1995 dhe ja tani po e rriste profilin dhe rolin e vet. Pritej dhe urohej nga shumë një zhvillim i tillë. Në fundgusht 1998 botimi i revistës do ta spikaste edhe më shumë grupin (komitetin) themelues të tij, i cili përbëhej prej personalitetesh me shumë emër. Tja paraqesim këtë listë të tyre lexuesit do ta vinim në vështirësi dhe mundim të tepërt, sepse ai kaq larg ngjarjeve, por edhe duke mos njohur e jetuar nga afër Italinë e atyre momenteve nuk do ta perceptonte dot përmasën reale të prestigjiit intelektual të tyre.
Mbesa e Musolinit, deputetja pasfashiste, Alesandra Musolini
Sidoqoftë i bëjmë të ditur lexuesit se ndër thelemuesit e fondacionit “Liberal” qe edhe presidenti Karlo Axelio Çampi (Carlo Azeglio Ciampi). Kishte në biografinë e tij jo vetëm poste politike, parlamentare dhe ministeriale, por edhe praninë e shkëlqyer në drejtim të Bankës kombëtare, Bankës Italiane.
Tashmë, siç njoftonin gazetat, revista “Liberal”, e cila do të qe e përmuajshme, që nga numri i parë i saj dhe më tej do të ishte edhe më shumë një laborator kulturor. Ajo do të nxiste edhe më fort në jetën shoqërore, ekonomike dhe institucionale të Italisë rritjen e vlerave etike dhe politike të mendimit liberal.
Flitej se “Liberal” kishte ambicien ta rivalizonte me dy revistat më të mëdha italiane: “Panorama” dhe “L’Espresso”.
Me pak fjalë ai botim i kësaj reviste të re nuk mund t’i shpëtonte interesimit të opinionit publik vendas, por edhe të huajve që punonin në Itali me misione e detyra të ndryshme.
Detyrimisht edhe Ambasadës tonë.
Identifikimi i ngjarjes, për shkak të detyrës si i ngarkuar me median, më takonte mua dhe kështu pasi e vura në dijeni ambasadorin Çuçi, ky ra dakord që revista të blihej.
Nuk do të zhgënjeheshim nga ai botim. Ishte plot befasi.
Në kopertinë revista pati vënë portretin e Sllobodan Millosheviçit të shoqëruar me titullin “Inkriminoheni këtë njeri!” Mbitituj qenë “Foto të llahtarshme të pabotuara të masakrave të pastrimit etnik” dhe “Një fushatë ndërkombëtare kundër Sllobodan Millosheviçit. A nuk e dini?”
Që në faqen 8, e cila në formatin e botimit ishte edhe faqja e parë e lëndës së shkruar të artikujve të revistës, publikohej një foto e madhe kufomash të prishura, të nxjerra nga një gropë e përbashkët.
Shënimi kishte fjalët “Srebrenica 1995”.
Pastaj vijonte shkrimi i Xhuzepe Kruçanit (Giuseppe Cruciani) dhe Gij Peress (Gilles Peress). Në të thuhej se provat kundër Millosheviçit janë të gjitha, por mbeten të mbyllura në arkat e kancelerive perëndimore. Po kështu se SHBA që në vitin 1992 e konsideronte një kriminel, por dëshiruan që ai të ishte faktor për zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit. Tani është vetëm.
Në shkrimin e dytë me titull “Ujku i Ballkanit” autorja Luiza Areco (Luisa Arezzo) arsyetonte pak a shumë kështu: Millosheviçi do të ndëshkohet, por “shpëtimi” i tij është ende çmimi që duhet paguar për paqen në Bosnjë. Megjithatë analistja qe për nisjen e procesit ndërkombëtar të inkriminimit të tij dhe thoshte se “Është ai urdhëruesi i genocidit. Dhe tani sërish shtyp në Kosovë. Atëhere çfarë duhet pritur?”
Në një shkrim të tretë me titull “Mbi 5000 kanë firmosur”, bëhej fjalë për një apel ndëshkues ndaj presidentit të Jugosllavisë së mbetur. Nga nënshkruesit përmendeshin edhe disa personalitete të njohur nga Italia, politikanë të vijës së parë të protagonizmit si Roko Butilione, Antonio Di Pietro, Vitorio Zgarbi…
Mes firmatarëve ishte edhe mbesa e Benito Musolinit, deputetja Alesandra.
Në listën e thirrmëtarëve kundër diktatorit serb, sipas revistës “Liberal”, qe edhe Ismail Kadare.
Gjithsesi e papritura ishte prania e mbesës së diktatorit fashist italian. Në pamje të parë këtë qëndrim të Alesandrës mund ta interpretoje si demagogji politike për të demonstruar frymëzim liberal, prirje kundër tiranive politike, përfshi edhe gjyshin e saj, por nuk ishte kështu. Deri atë ditë kur pashë emrin e mbesës së Benito Musolinit, deputete shumë e pëlqyer nga media për qëndrimet e saj të forta dhe spektakolare, doemos që e dija deri në hollësi rolin e partisë pasfashiste italiane dhe të ndjekësve të saj, të cilët qenë shpallur që në fillim të krizës së Kosovës jo vetëm kundër sjelljes brutale të shtetit serb dhe të Millosheviçit, por edhe dukshëm në mbështetje të shqiptarëve
Përveç asaj spikatjeje të Alesandra Musolinit në grupin e 5000 firmatarëve nga tërë bota ajo në të vërtetë në median italiane nuk u duk posaçërisht e angazhuar në mbrojtje të Kosovës. Por nuk u rreshtua edhe mes atyre që dëshironin të ndihmonin Beogradin zyrtar.
Mund të thuhet pa gabuar se në Itali partia politike më e vendosur që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e mbetur deri në rrëzimin e diktatorit Millosheviç ishte ajo e pasfashistëve. Gjithë të tjetër vinin pas saj. Komunistët radikalë madje qëndronin në anën tjetër.
Alesandra qe pasfashiste, vinte prej këtij mjedisi dhe lexuesi duhet të dijë se në qoftë do të ndodhte një debat televiziv dhe atje do të shfaqej shefi i kësaj partie, Xhankarlo Fini (Giancarlo Fini), ndaj Beogradit do të derdhej një ortek i tërë sulmi.
Nuk na duket e nevojshme që me këtë rast t’i hyjmë temës përse në sloganin propagandistik dhe hileqar të vetë Benito Musolinit gjatë Luftës së Dytë, thënia bombastike “Shqipëria është në zemrën time”, mund të gjeje edhe ndonjë thërrime realizmi. Mes serbëve dhe shqiptarëve ky diktator dhe ndjekësit e tij patën zgjedhur shqiptarët. Krijimi i “Shqipërisë së Madhe” gjatë luftës qe pa dyshim një truk manipulimi politik, por gjithsesi që provonte se Musolini midis Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe zgjidhte këtë të fundit.
Tani le të mos shkojmë më tej në këtë kahje, por të rikthehemi tek thelbi i rrëfimit, tek fakti që Alesandra Musolini ishte mes firmatarëve të qëndrimit që po mbante, në fundgusht 1998, revista e porsashfaqur “Liberal”.
Do të kalonin muaj pas kësaj ngjarjeje që të ngulitej ndër mend dhe do të ishim dëshmitarë se si kjo e përmuajshme nuk do të kishte jetë të gjatë. Ajo nuk do t’i përfundonte dot dy mote. Gjithë kohës së botimit tirazhi i saj nuk do t’i kapërcente 15-20 mijë kopjet, çfarë për mjedisin mediatik italian ishte fare pak, gjendje mbijetimi. Në janar 2000 “Liberal” do të publikonte numrin e fundit dhe për pasojë do ta humbiste përfundimisht ambicien e saj pozitive për të konkuruar me dy revistat më popullore italiane “L’Espresso” (me tirazh deri pothuaj 550.000 kopje) dhe “Panorama” (e cila publikonte edhe njëqind mijë më tepër kopje).
Por duhet ta ngulitim në kujtesën tonë, të gjithsecilit individ dhe në atë kombëtare: përsa jetoi “Liberal” nuk iu nda mirëdashjes ndaj popullit shqiptar.
Në fund të atij gushti, në Romë, si në shumë qytetet të Italisë, Partia Demokratike e së Majtës, ish-Partia Komuniste Italiane, e cila qe në qeveri me vetë kryeministrin Masimo D’Alema, lajmëroi se do të organizonte festën e “Unità”.
Kjo do të ndodhte në 28 gusht.
“Unità” ishte gazeta e tyre historike, me shumë emër, e cila ndryshe nga e kaluara plot lavdi, tashmë nga viti në vit po e bjerrte rolin e saj të madh të dekadave më parë. Tirazhi i qe tkurrur jo pak dhe shfaqte anemi financiare deri në kolaps.
Por festën me emrin e saj paskomunistët e organizonin shkëlqyeshëm, në mënyrë tepër mbresëlënëse dhe autori i këtyre rradhëve nuk kishte mundur në një rast tjetër ta ndiqte nga afër nga që ajo bëhej vetëm njëherë në vit. Në gusht 1998 unë pata tetë muaj që ndodhesha me punë në ambasadën shqiptare. Festën e “Unità” të motit 1997 nuk e kisha përjetuar, sepse pata ardhur në Romë në fillim të dhjetorit.
Gjithsesi këtë herë të parë nuk do të shkoja atje prej ndonjë kërshërie apo rutine pune, sepse edhe veprimtaritë e partive i ndiqnim, por krejtësisht për arsye të domosdoshme, për nevoja më se urgjente.
Kishim kohë që me komunistët dhe paskomunistët italianë punonim për t’i zgjeruar kontaktet miqësore, zyrtare por edhe personale, për të zvogëluar kështu sa më shumë ndikimin frenues të jo pak prej tyre të cilët, për një traditë të vjetër ideologjike qëndronin më afër sllavëve, pra edhe serbëve.
Ndërkohë nuk mundja atë kohë ta përfytyroja se çfarë qëndrimi do të mbante Partia Demokratike e së Majtës në Itali, formacion politik shumë kyç edhe në Evropën Perëndimore, në rast se në Tiranë do të ishin në qeverisje të djathtët e Partisë Demokratike. Ishte Perëndimi i tërë, NATO dhe Shtëpia e Bardhë në Uashington, të cilat zotëronte autoritetin për t’i tërhequr të gjithë aleatët nga pas e për t’i bashkuar në misionin e shpëtimit etnik të shqiptarëve të Kosovës, megjithatë tek sot shkruaj këto rreshta bindem edhe më shumë se fakti që në Tiranë ishin në qeverisje të majtët e Partisë Socialiste, ua favorizonte në Romë njerëzve të D’Alemës mbështetjen për popullin kosovar.
Në festë shkuam nga Ambasada dy diplomatë. Bashkë me mua erdhi edhe Visar Zhiti. Ai mbulonte kulturën, por qe edhe mjaft komunikues në biseda me vendas. Ambasadori Leontiev Çuçi na dërgoi edhe sepse ishim shumë shokë, të harmonishëm në takime diplomatike, çfarë do të thotë që atë e cila i shpëtonte Zhitit e plotësoja unë dhe çfarë e anashkaloja unë, e rikthente bukur në bisedë Visari.
Festën e “Unità” të atij viti Partia Demokratike e së majtës e organizonte bashkë me ICS, Konsorciumin Italian për Solidaritetin, organizatë nën ndikimin e saj. ICS quhej ndryshe edhe Zyra e Refugjatëve Onlus, shoqatë private, laike dhe pa asnjë qëllim përfitimi, e cila vepronte për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve që kërkonin të strehoheshin në Itali.
ICS i kishte selitë e saj operative në veri perëndim të vendit, në rajonet e Triestes, Venecia Xhulias dhe Umbrias. Edhe pse qe me vendndodhje lokale kjo organizatë megjithatë qe e shtrirë në të tërë Italinë.
ICS e njihja sadopak, sepse pata marrë pjesë në një veprimtari të saj në mbrojtje të emigrantëve në qytetin e Firences. I ardhur me përvojën e Shqipërisë ku komunizmi, me gjithë dëshirën e mirë për t’ia përmirësuar jetën popullit, kishte shkaktuar të kundërtën dhe dështuar rëndë, isha dyshues edhe për eurokomunistët.
Por ato dy ditë në veprimtarisë së ICS në Firence më dhanë mbresa të forta. Mënyra se si komunistët e kësaj shoqate organizoheshin dhe luftonin për të mbrojtur emigrantët dhe këtë kohë më të shumtit ishin shqiptarë, të mbushte me respekt dhe mirënjohje të madhe. Shpirti doktrinar ideologjik i tyre si edhe ai i përkushtimit e i sakrificës, tipike për komunistët, në këtë drejtim të aktivitetit nuk i pengonte, përkundrazi, i ndihte shumë.
Nga ai kontakt real me ta do të përfitoja një koregjim të pikëpamjeve të mia për këta besimtarë të Karl Marksit.
ICS, duhet thënë, kishte të hapur në Tiranë një zyrë të saj, çfarë e pati bërë edhe në Prishtinë. Me mbrojtjen e refugjatëve kosovarë ishin mjaft të mobilizuar.
Në Romë, por njëkohësisht edhe në 30 qytete të tjera të vendit, atë ditë të 28 gushtit 1998 Partia Demokratike e së Majtës si edhe ICS temën kryesore të festës “Unità” për vitin 1998 e kishin titulluar “Ditë solidariteti me popujt viktima të dhunës në Kosovë”.
Surpriza, por edhe inteligjenca e organizatorëve, dashamirësia po ashtu, qe se festimi do të kryhej në një vend shumë simbolik për shqiptarët: në Piazza Albania.
Në Sheshin Shqipëria të Romës ndodhet, siç e dini, edhe monumenti i madh e Skënderbeut.
Veprimtaria nisi në mbrëmje dhe duke qenë se u zhvillua në lulishten e madhe të atij territori, në Parkun e Rezistencës së 8 Shtatorit, mes pemëve dhe kaçubeve zbukuruese të saj, shkëlqimit të dritave dhe projektorëve të montuar posaçërisht, stendave të shumta si edhe çadrave, lëvizjes së madhe e të gëzuar të njerëzve, të ngjante vetja si të ishe në një ëndërr.
Në një nga mjediset e festës, ku kishte një klub-bar dhe një podium-skenë, luante një grup muzikor. Këndonte për paqen dhe kundër luftës.
Pranë saj organizatorët patën ngritur një stendë e një tavolinë, ku shpërndahej material propogandistik kundër dhunës në Kosovë.
Koncerti herë pas here ndërpritej dhe pjesëmarrësve të shumtë u bëhej thirrje të firmosnin një apel për Kosovën. Mësuam se ky apel deri ato çaste ishte firmosur edhe nga 50 deputetë e senatorë italianë. Solidariteti me të vazhdonte të tepërtonte edhe tek politikanët e tjerë italiane.
Ndërkaq bashkë me Visar Zhitin vijuam të zhvillonim biseda me disa organizatorë të veprimtarisë, një pjesë e të cilëve, siç konstatuam, e njihnin Ballkanin dhe Kosovën, madje ato ditë kishin shkuar atje për të dhënë ndihma humanitare.
Më vonë ia dolëm të takoheshim dhe të bisedonim shumë ngrohtësisht me dy drejtuesit kryesorë të ICS, Konsorciumit Italian për Solidaritetin. Njëri quhej Paolo Tamiazzo dhe tjetri Nadan Petroviç. Ky i fundit ishte edhe autor librash me temë emigracionin.
Çështja kryesore që trajtuam gjatë takimit ishte ajo e zgjidhjes së krizës së Kosovës, opcionet e ndryshme që kishin për të në ICS, si edhe iu treguam momentet kryesore historike të dhunës sistematike antishqiptare të autoriteteve serbe.
Ndërkohë, në këtë festë të “Unità”, në një tjetër auditor të gjerë të Parkut të Rezistencës së 8 Shtatorit, e mori fjalën edhe Akile Oketo (Achile Ochetto), ish-udhëheqës i Partisë Komuniste Italiane të zhndërruar me nismën e tij në Parti Demokratike të së Majtës, ato çaste kryetar i Komisionit Parlamentar Italian për Politiken e Jashtme.
Po zhvillohej debati “Për një qeverisje më të mirë të botës”. Ndërsa Oketo fliste dhe paraqiste idetë e tij njëri nga shembujt e tij qe keqtrajtimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë si edhe dhuna që ushtrohej atje.
(VIJON ….)
Ylli Polovina – Tiranë, më 25 qershor 2019
_____________
YLLI POLOVINA: MASAKRA SERBE E PREKAZIT, KËSHILLTARI I AMBASADËS SPANJOLLE NË ROMË KËRKON INFORMACION URGJENT (24)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8947