YMER HALIMI: SHTETI I KRIMIT DHE VESI

/Ditari i një epoke – 30.01.’97/ – Sot ishte si ditë vere. Është muaji i Ramazanit. Diku pak para iftarit, dëgjova se në afërsi të Nedakocit, në rrugë Prishtinë-Vushtrri ishin vrarë tre djem të rinj, në një pritë të milicisë serbe. Familjarë të mi, që jetojnë në hyrje të Vushtrrisë, më rrëfyen në telefon atë që e kishin parë: Se policia, të rruga që ndahej për në Samadrexhë, për një kohë nuk kishte lejuar asnjë veturë të kalojë në drejtim të Prishtinës. Të gjitha automjetet i kishte detyruar të shkojnë rrugës dytësore. Edhe nga ana e Prishtinës, në hyrje të Maxhunajve, po ashtu i kishin ndaluar veturat e tjera për të lëvizur për në Vushtrri. Kështu kishte mbetur një distancë prej rreth dy kilometrash, në të cilën nuk po lejohej qarkullimi i automjeteve.
Së shpejti u mor vesh se në këtë fragment rruge ishte pritur të kalonte një veturë e shënjuar. Në kohën kur nga drejtimi i Prishtinës kishte ardhur vetura e pritur, jo larg pikës ku ndahet rruga për Samadrexhë, nga të dyja anët e rrugës, pa paralajmërim, policia kishte shtirë me armë në veturë. Ata që kishin zënë pritë nuk ishin të uniformuar me veshje policore e as ushtarake, dhe pranë nuk kishin vetura zyrtare të milicisë, por private. E gjithë kjo ishte bërë, që prita të ishte sa më e maskuar, që njerëzit në veturës të ishin të pa vëmendshëm për ndonjë një kurthe ndaj tyre. Në TV, menjëherë u lajmërua se u vranë tre terroristë dhe u shpalosen emrat e tyre: Zahir Pajaziti, Edmon Hoxha dhe Hakif Zenullahu. U shqetësova si shumica shqiptare në Kosovë. Kjo ndodh, mbase, se është një kohë ku si komb jemi të ngjeshur, në shumicë, njeri pranë tjetrit dhe çdo vdekje të kësaj natyre e përjetojmë si një vrasje të një të afërmi të familjes. I telefonova një mikut llapjan, I. Berishës, me qëllim që të kuptoj diç më shumë. Ma preu shkurt: shihemi në varrim. Përgjigjja kaq e shkurtër më dha shumë me kuptua.

………………………………………

Pas kësaj bisede, diçka tjetër më tronditi aq sa edhe vetë vrasja: Pse ata djem të rinj shkojnë aq lehtë rrugëve të kontrolluara nga milicia, të vetëdijshëm për rrezikshmërinë e veprimtarisë së vet. Organizimi i vrasjes me vuri në një rrafsh dyshimi dhe më erdhi ndërmend diçka që kisha dëgjuar kohë më parë.
Kur një kushëriri im, Hyseni, ishte helmuar dhe për pasojë ishte detyruar të shtrihej për ca kohë në Spitalin e Mitrovicës (aso kohe edhe minatorët e “Trepçës” ishin të ngujuar në minierë), në dhomën ku lëngonte ky ishte edhe një serb i moshuar nga Kolashini. Aty bisedohej edhe për gjendjen politike që mbretëronte në atë kohë. Në një rast kolashinasi u kishte thënë hapur: “Ju shqiptarëve do t’ju sundojë Serbia, për aq kohë sa do të ketë shqiptarë që punojnë për të”! Ai e kishte thënë një të vërtetë, e cila nuk vlen vetëm për shqiptarët, por për të gjithë të pushtuarit. Por, vrasja e këtyre djemve më shqetësonte edhe më shumë sa më shumë që dëgjoja rrëfime që lidheshin me ta. Më vuri në dilemë morale “kush punoi për ta”. Kuptova se një ditë më parë ata kishin qenë në Vushtrri. E gjithë kjo më ngjason, nga ana tjetër, në një rrëfim që kisha dëgjuar nga profesori T. Imami, por edhe akademik O. Imami, se si e rrëfenin rastin e vëllait të tyre, Abdurrahmanit, i cili jetonte me karrierë oficeri të marinës, në Rjekë të Kroacisë. Ngjarja, Abdurrahmanit i kishte rastisur në një kontinent jashtë Evropës.
Në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, kur Abdurrahmani ishte edhe kapiten në anijen “Galeb”, me të cilën komunisti Tito kishte shkuar në një ekspeditë njëmujore në vendet e Afrikës dhe Azisë, për qëllimet e krijimit të bllokut të tretë të “Shteteve të Painkuadruara”, se si në një hotel në Aleksandri, ku kishte qëndruar plot tridhjetë ditë, në një mbrëmje deri sa ishte ulur i vetëm në një tavolinë, nga një tavolinë në distancë, një i panjohur pak sa më i moshuar i kishte bërë shenjë me dorë, duke e ftuar që t’i bashkohej në tavolinën e tij, ose anasjelltas. I vetmi shkas ishte se të gjitha tavolinat e tjera ishin në shoqëri më shumë veta, përveç këtyre të dyjave ku këta rrinin të vetmit, veç e veç. Abdurrahmani kishte shkuar te tavolina e tij. Ishte kuptuar se është shqiptar nga Jugosllavia, ndërsa miku i tavolinës ishte italian. Që në fillim, Italiani ishte kureshtar të dinte se nga cili vend konkretisht ishte Abrdurrahmani. Abdurrahmani si e injoroj njohjen e gjeografisë së italianit dhe me mospërfillje i kishte thënë: atje nga jugu i Jugosllavisë. Italiani ishte përgjigjur duke filluar t’i përmendë me radhe emrat e qyteteve si: Prizrenin, Gjakovën, Shkupin, Pejën, Prishtinën. Abdurrahmani ishte befasuar tej mase përballë një njohjeje kaq të saktë të italianit, për qytetet e Kosovës. Kush është ky njeri që këtu, në Aleksandri, në këtë mbrëmje që i shpjegon për Kosovën?! Italiani kishte sqaruar se kishte qenë në Kosovë gjatë viteve 1941/43, si pjesëtar i ushtrisë fashiste të Musolinit. Abdurrahmani e donte përshtypjen e tij dhe nuk kishte ngurruar t’i shtrojë pyetjen: Po si kaluat atëbotë atje?.
Pas një ofshame të lehtë, ndoshta nga kujtimet e kohës, oficeri i pensionuar kishte rrëfyer:
– Unë isha në Afrikë, edhe kur u pushtua Etiopia. Atje hasëm në një rezistencë të pashoqe. Edhe kur i kapnim njerëzit e rezistencës ndaj ushtrisë sonë, për asnjë çmim nuk kemi arritur të mësojmë fshehtësitë e organizimit të rezistencës së tyre. Heshtnin edhe kur i kërcënonim me vdekje, por edhe kur informatën e tyre e peshonim me ar. Për asnjë çmim nuk tregonin se ku gjendeshin forcat e tyre të rezistencës, që na luftonin pa mëshirë. Ndërsa në Kosovë, sa kam qëndruar unë, kemi pasur informata me bollëk, për ca njerëz që bënin një rezistencë te vogël. Bile edhe na bezdisnin, informatat e panevojshme. Ndoshta kjo ndodhte kështu – thoshte oficeri italian – se ai popull, pati robëri mijëra vjeçare, dhe është mësuar t’u shërbejë të huajve, e kështu, edhe e ka humbur besimin tek vetvetja.
Për të mohuar këtë mendim të oficerit italian, meqë ndjehej keq Abdurrahmani, për bindjen e këtillë, kishte shtuar: mos kjo gjendje ishte krijuar ngase sundimi serb ishte më mizor, se ai qe e kishte vendosur Italia fashiste. Italianët patën hapur shkolla shqipe edhe administratën e kishte shqip, ndërsa Serbia na ka vrarë po ta gjente abetaren shqip në shtëpi. Ndoshta për këtë ishit ajo mbeshtetje!?
– Jo, ishte përgjigj oficeri, se krejt ngjashëm ishte edhe n’anën tjetër, në shqipëri.
-Po, si gjithkund njerëzit i vishen forcës, përderisa nuk shohin rrugë tjetër. Por, në veçanti te ne, nuk ekzistoj një bosht shpirtërorë koheziv që të shfaqnim një tërësi unike as në kohën e Bizantit e as në kohën e sundimit Osman, që të zhvillonim, s’paku, mëvetësinë e brendisë tonë shpirtërore kolektive përveç gjuhës. Disi, si me lehtësi u veshëm me rite bizantine e pastaj me shallvare Osmane. Në çdo kohë e përvetsuam atë që erdhi në lakmin e ndryshimeve, po edhe të ndryshimit të qenies tonë shpirtërore. E gjitha si nuk kishim besim të vetja e jonë. Derisa fqinjët vepruan më ndryshe, ruajtën brendin shpirtërore dhe për një shekull më parë se ne u zgjuan si kombe.
* * *
Nuk di pse këto rrëfime m’u kujtuan bash në këtë çast? Ndoshta se më lindi dyshimi se vesi për t’u shërbyer të tjerëve, është ende në shprehje! Megjithate kësaj radhe kemi një frymë kolektive që po na diferencon nga të gjitha kohët e shkuara. Por, unë jetoj me bindjen e thellë se gjërat nuk janë edhe të rastësia.

……………………………………………

Makina e Zahir Pajazitit, me të cilën atë ditë kishin udhëtuar në drejtim të Vushtrrisë.

…………………………………………….

Miku llapjan, në ditën e varrimit të tyre, më sqaroi se më 29 janar, Zahiri ishte në Vushtrri dhe e kishte lënë që të shkonte të nesërmen në kohën e caktuar. Ndoshta, për të mos thënë me siguri, koha e fiksuar me njeriun në Vushtrri, apo individët me të cilët ishte ndarë në Prishtinë në çastin e nisjes, ishin kobi i jetës së tyre! Miku Llapjan, më tha se Zahiri ishte një djalë shumë i vendosur dhe të gjitha aksionet në Llap lidhen me emrin e tij. 
Si do që të jetë, një është e vërtetë, se Zahirin, Edmondin dhe Hakifin, milicia nuk i deshi të gjallë, sepse po t’i donin të tillë, do t’i kishin po atë ditë, por ata i duheshin të vdekur. Vrasja ishte qëllimi i shtetit serb, i cili veç po hyn në një spirale dhune, jo më me dajak, por me vrasje. Shqiptaret më nuk kanë pse t’i shpalosin lakuriqësinë e mavijosur apo fytyrat e përgjakura para kamerave. Tash janë të vrarët. Ndërsa ne, në çdo çast po fitojmë lirinë, lirinë shpirtërorë. Por kjo edhe nuk është pak.
Në atë mbrëmje na bashkojë dhembja ku, me prof I. Dedushaj e I. Krasniqin dhe N. Shabanin, në banesën time, qëndruam deri vonë duke kuvenduar për një kohë e procese krejt të padeterminuara.

(Autori është Profesor në Fakultetin e Mjekësisë në UP dhe ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës – në vitin 2007.)

…………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura