ZAFIR BERISHA: KOSOVA DHE KUNJI KINEZ

(Prizren, 17. 09. 2012) – Në realitetin e sotëm në Kosovë është shumë normale të mendosh se kush çka dhe sa po bën për Kosovën. Kjo vjen si rezultat i gjendjes në Kosovë, e cila është në kërkim të identitetit individual dhe politik, ku si rezultat i këtij kërkimi e jetojmë jetën të cilën e jetojmë.
“Jeta është një përplasje vullnetesh e interesash të kundërta” – thotë Harry Box, dhe nëse ia shtojmë edhe mendimin e Bu DDA: “Bota mbahet mbi të panjohurat”, atëherë barazimit të këtij realiteti në Kosovë i nevoitet origjinaliteti i epokës nëpër të cilën po kalojmë, dhe se vështirë mund ta definosh kush, çka është duke bërë në Kosovë, siç është vështirë ta definosh kush, çka po kërkon nga Kosova.
Në këtë “GJYMYSH”, ka filluar të dalë një zë, që dëgjohet i qartë dhe i artikuluar, por që po mbytet shumë shpejtë në realitetin e Kosovës. Standardet në Kosovë ta kujtojnë punën e kunjit Kinez, kur në vitin 1302, në Kinën jugore, Korporata e Zejtarëve shpall konkurs për kunjin më të mirë. Në një konkurs kaq të madh për kohën vendos të merr pjesë edhe një plak, i cili para se të konkuronte kishte shkuar tek komisioni që të pyeste se për çka nevoitej ai kunj, mirëpo komisioni i konkursit nuk i dha përgjigje, sepse edhe ata nuk e dinin se çfarë kunji po kërkonin. Standardet në Kosovë në shikim dhe paraqitje i ngjajnë kunjit kinez, por në zbërthim të esencës së tyre mund të gjesh përgjigje edhe pse dihet ajo, askush nuk e thotë dhe ka rrezik që në përmbyllje të konkursit, komisioni të japë përgjigje të gabuar ose edhe të mos e dijë përgjigjen.

…………………………………………………………..

“Shumë njerëz janë të sëmurë nga mosbesimi në vetvete”,- thotë Harry Box, dhe kur kihet parasysh kjo thënje, s’mund t’i ikësh realitetit në Kosovë dhe të mendosh se politikanët e kanë gjakftohtësinë si forcë që i nevoitet realitetit në Kosovë, kjo që ju desh edhe deri më tani Kosovës së pasluftës. Derisa disa politikanë gjakftohtësinë si forcë e praktikuan, sidomos, ata që dolën nga lufta e lavdishme e UҪK-së, disa të tjerë këtë virtyt e keqpërdorën në interes të planeve mafioze ekonomike, të cilat tash po kalojnë në një mafi politike e cila po rrezikon perspektivën europiane të Kosovës.
Mungesa e stilit origjinal të klasës politike në Kosovë dhe qasja e gabuar në kërkim të këtij stili rrezikon pluralizmin dhe demokracinë, duke u servuar dhe imponuar qytetarëve një politikë “Pozash”, që nuk janë asgjë tjetër veç një kopje e politikanëve dhe politikave tashmë të dështuara. Dembelizmi ka përfshirë skenën politike në Kosovë dhe tendenca e ndonjë politikani për ta thyer këtë sindromë të dëmshëm për shoqërinë, përballet me keqkuptime nga klasa tjetër politike që dembelizmit ja bashkangjesim edhe një ves të keq-mburrje, e që pastaj të dyja bëjnë këtë që e përjetojmë në Kosovë, te qytetarët e opinioni i gjerë po mbeten si komisioni për tenderin kinez.
Në shtetin amerikan Minesotas, guvernatori i shtetit në vitin 1914 kishte shpallur tender për ndërtimin e hekurudhës dhe këtë tender e kishte fituar një firmë e cila kishte qenë më e shtrejta në konkurim. Ndërsa ajo që kishte ofruar çmimin me të lirë dhe me afat më të shkurtër për përfundimin e punimeve, pas një kohe të gjatë kishte kuptuar se tenderin e kishte fituar një firmë vetëm për faktin se ajo kishte qenë firm simpatike për guvernatorin. Ky model i dhënies së tenderëve po ndodh edhe në Kosovë. Jo vetëm se po ndodh kështu, në raport me firmat simpatike por në Kosovë po ngjan diçka që çka ndodhur në fillim të shekullit të kaluar askund në botë. Tenderi i jepet firmës më të lirë, por me kushte interne që brenda afatit të kryerjes së punimeve të bëhen edhe disa kontrata shtesë, që pastaj shuma të kalojë ofertuesin normal dhe mjetet të ndahen me gërshërë përgjysëm me tenderdhënësin.
Kjo praktikë në Kosovën e pasluftës rrezikon ardhmërinë e shtetit, ngarkon taksapaguesit kosovarë dhe krijon teren të përshtatshëm për pasurimin e njerëzve të caktuar, që formohen si klane mafioze ekonomike dhe e ushqejnë mafinë poltike, kështu duke ndikuar edhe në politikë, ves ky i cili është bartur nga Italia në Shqipëri dhe fatkeqësisht tani ka arritur edhe në Kosovë, për gjoja “forcimin” e demokracisë dhe të shtetit në Kosovë.
Duke e soditur situatën e tenderëve në Kosovë më bëhet se Fan S Noli e kishte parashikuar këtë epokë të pasluftës kur shprehet “këtu dergjet Sanqo Panqa/si ay s’ka Parmanqa!/E kishte barkun sa një kosh/E kish kokën fare bosh. Kjo mund t’i duket dikujt folklorizëm por, fatkeqsisht realiteti kosovarë është i tillë, ku juria e këtij folklorizmi po i mbledhë frytet e kësaj epoke. Kosova vazhdon të ecë në Orbitrekun e Top Shop-it si në dekadën e kaluar!
– Autori është Kryetar i Bashkimit Demokratik me seli në Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura