ZHVILLIMET POLITIKE NË SHQIPËRI (1913) NË FOKUS TË GAZETËS

Pashtriku.org, 23. 10. 2015: Gazeta “Djelli” filloi të botohet për herë të parë me 15 shkurt 1909 në Boston. Ishte gazetë e përjavshme dhe atë e udhëhiqnin Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi e Kristo Dako. Nga numri 1 deri të numri 116 ishte organ i shoqërisë “Besa-Besë” dhe më vonë gazeta qe organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. “Dielli” ndiqte zhvillimet politike dhe gjendjen në teren se çfarë ndodhte me fatin e Shqipëris dhe të shqiptarve ne përgjithësi dhe i komentonet ato. Gazeta “Dielli” i kushtoi një vëmendje të madhe edhe Konferencës së Ambasatdorve në Londër, për atë që diskutohej dhe rolin e Fuqive të Mëdha për fatin e kufijve të shteti shqiptar.
Kjo gazetë përshkruante po ashtu edhe gjendjen sociale, ekonomike, politike e kulturore të shtetitit të sapo formuar shqiptar, fatin e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë etj. Gazeta Dielli transmetonte në faqet e veta shkrimet e gazetave angleze, italiane, turke dhe shqiptare që dilnin në atë kohë. Gazeta Dielli është gazeta më jetëgjatë në historinë e gazetarisë shqiptare, e cila vazhdon të botohet edhe në këtë kohë.( Hamit Boriçit, Mark Marku “Histori e shtypit shqiptar-nga fillimi deri në ditët tona,Tiranë,2010,f,158-163).

Konferenca e Ambasadorëve në Londër sipas gazetës “Dielli”
Gazeta “Dielli” e datës 1 gusht 1913 në një kolumne më titull ”Vullkani i Ballkanit” shkruante: Në Shqipëri, në Kosovë dhe në vilajetin e Janinës shumica është shqiptare edhe nuk kanë të drejt të rrëmbejnë viset e Shqipërisë as Greqia, as Serbia e as Mali Zi. Të gjitha këto vise duhet t’i bashkohen Shqipërisë autonome… Vetëm një zgjedhje e këtillë do ta mbaj paqen në Ballkan, ndryshe vullkani ballkanik do të jetë gjithnjë në veprim, edhe për herë do të shkumzojë. (Dielli, 1 gusht 1913).
Lidhur më çështjen shqiptare kishin folur dhe kishin lobuar shumë njerëz që kishin ndikim në çarqet diplomatike të Evropës. Me iniciativën e kolonisë shqiptare në Amerikë një ndër ta ishte edhe Dr. Diloni i cili kishte botuar një artikull në “Dayly Telegraph” më datën 14 maj 1913. Ai iu bënte thirrje Fuqive të Mëdha që Mbretëria Shqiptare s’duhet të jetë nën hije të Turqisë, sikur që ishte më parë Bullgaria. Ai ishte për një Shqipëri të pavarur dhe të ndarë nga Stambolli, dhe kështu të ketë rastin të përparojë pa u ndalur nga intrigat e huja. (Dielli, 27 maj 1913.) Lidhur më këtë çështje Mehmet Konica një nga delegatët e Qeverisë Shqiptare duke iu përgjigjur Lordit Njuton theksoi edhe pse Fuqitë e Mëdha arritën ta njohin Shqipërinë, tërësia Shqipërisë u sakrifikua, duke e copëtuar në favor të Greqisë dhe të Serbisë. Dhe bënte thirrje që Kazaja e Janinës, e Gjirokastrës dhe e Korçës të mos i jepen Greqisë, dhe deklaronte se pa këto qytete Shqipëria do të jetë vetëm një emër. (Dielli,18 korrik, 1913.)
Gazeta “Dielli” në numrin 274, 11 Vjeshtë III, 1913, transmeton një shkrim të gazetës londineze ”Daily Telegraph” të datës 1 nëntor 1913 ku shkruan: “Guvernatorët e Austrisë dhe Italisë janë dakorduar ta zgjedhin çështjen e kufijve shqiptaro-grek në çdo mënyrë, edhe në qoftë se komisioni ndërkombëtar s’e përfundon punën e vet. Austro-Hungaria dhe Italia do të bëjnë marrëveshje me aleatin e tyre, Gjermaninë që të mos lëshojnë as edhe një pikë për këtë çështje, në qoftë se Greqia, ashtu siç i ishte kërkuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër që t’i largojë të gjitha forcat e veta nga Shqipëria, në të kundërtën do të merren masa vepruese ndaj saj. (Diellli, 14 Vjeshte III 1913).
Me tej gazeta “Dielli” transmetonte Daily Telegraph-in se çfarë raportonte, për çështjen shqiptare, pasi që Komisioni ndërkombëtar i kufijve, nuk e mbarojë punën më 30 nëntor (1913) dhe Greqisë i jepej një muaj kohë për të zbrazur vendet që i takonin Shqipërisë deri më 30 dhjetor. Po me propozimin anglez jepej edhe dy muaj kohë që Greqia ta zgjasë mbajtjen e atyre viseve. Kjo gazetë boton një shkrim ku thuhet se Franca dhe Rusia ishin pajtuar me propozimin anglez për të mbajtur viset e Shqipërisë se Jugut dhe dy muaj. Austro-Hungaria dhe Italia ishin kundër këtij plani, qe ushtria greke nuk mund të qëndrojë në tokat shqiptare pas 31 dhjetorit. Por nëse ky propozim pranohej nga Austo-Hungaria dhe Italia ushtria greke do të qëndronte deri me 30 janar te vitit 1914. (Dielli, 30 dhjetor 1913).
Krimet mbi popullsinë shqiptare sipas gazetës “Dielli”
Në Jug të Shqipërisë, nga gazeta “Dielli” raportohen mizoritë e shumta të grekëve ku me dhunë para Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit shqiptarët detyrohen të shtiren si grekë, ata që nuk iu bindën këtyre urdhrave rriheshin pa mëshirë ose dërgoheshin në burgjet greke. (Diellli, 14 Vjeshte III 1913.) Edhe shtypi i huaj raportonte se në Shkup serbët po thernin gra, fëmijë dhe në vendet shqiptare mizori bëhen edhe kur s’ka pasur fare kryengritje. (Dielli, Boston, 11 vjeshtë e III)
Gazeta “Dielli” e datës 22 gusht 1913 shkruante se këto ditë kemi marrë lajme të veçanta nga Shqipëria, që: grekët kur mësuan se Korça, Gjirokastra, Delvina, Himara dhe Permeti etj., i mbetën Shqipërisë, grekët u tërbuan po bëjnë barbari të cilat as hotentotët e Afrikës nuk do pranonin ndonjëherë ta bëjnë. “Në Korçë, ushtarët grekë zënë dhe dhunojnë gratë dhe vajzat në mes të rrugëve, si kafshë të egra! Burrat që guxojnë të kundërshtojnë i vrasin menjëherë. Kështu, të birin e Delian Panaritit e vranë, duke e goditur me një dru në kokë, nga se tentoi ta mbronte një zonjë, të cilën oficerët e Greqisë e kishin zanë ta turpëronin. (Dielli, , 22, gusht, 1913)
Gazeta “Dielli” lidhur me gjenocidin dhe shfarosjen që po bëhej mbi popullatën shqiptare shkruante: “Për çudi moti 1912-1913 na tregoj që Turqia megjithëse humbte luftën, por ushtria e saj u tregua e qytetëruar, se s’trazoj, s’prishi, s’therri njeri, për kundër Aleancës Ballkanike që banë të gjitha barabarzmat, ushtritë e tyre qenë bashibozuk, kasape, vandale, kanibale. Këta s’lanë gurë mi gurë, përmbysën, theren, dogjen, çnderuan, të tëra të ligat i bën këta qena. Pastaj kanë sy e fytyrë e faqe e thonë luftojmë për kryq e të krisherë. (Dielli,1 Gusht, 1913).
Esat Pasha edhe bejlerët sipas gazetes “Dielli”
Gazeta “Dielli” shkruante për problemet dhe pasojat të cilat i shkaktuan shtetit shqiptar bejlerët gjatë viteve 1912-1914. Në një artikull të gazetës ‘Dielli’ shkruante kështu: Një problem i pazgjidhur te i cili varet një pjesë e përparimit kombëtar, është edhe sjellja e bejlerëve tanë…se ne humbëm Janinën dhe më të madhen pjesë të Toskërisë dhe fajin se kanë as grekomanët po bejlerët tanë, ato dinasti barbare që me shthurjën e tyre një pjesë të popullsisë e shtynë të mohonin kombësinë e tyre. (Dielli, 2 Shtator 1913). Ndër të tjera kjo gazetë shkruante: Levizja e Esat Toptanit na thotë që gjoja ka mbledhur 3000 ushtarë dhe do kryengritje kundër qeverisë. Zoti na ruajtë se mos e coptojnë këtë çike atdhe që na e fali Evropa. (Dielli, 11 nëntor 1913)
Gjatë kohës para se ta dorëzonte Shkodrën, gazeta “Dielli” dhe të tjerat, Esat Pashën e ngrinin në qiell, madje gazeta “Dielli” shkruante: Nacionalistët shqiptar të Amerikës të mburrur nga trimëria jote, u bën gati të ta bëjnë një pallat të florinjtë të qëndisur me diamante, por kur dëgjuan që e le Shkodrën, ndoshta nga e keqja deshe të bëheshe mbret i Shqipërisë e humbe përnjëherësh famën tënde dhe u quajte si një tradhtar, na vjen shumë keq të pëdorim fjalë të ashpra por atdheu s’na le te qetë. (Dielli, 17 Vjeshtë II 1913)
Gazeta “Dielli” shkruante: Pardje u mbajt një miting i math këtu në Vlorë kundër Esat Toptanit, i cili me gjithë që e di që s’është koha për të tilla kërkon të bëhet diktator i Shqipërisë. Esati pandehu se duke mos qenë më të shumtën të kënaqur nga I. Qemaili, do ta përkrahin dhe do ta rëzonin kryetarin e qeverisë. Po shqiptarët e vërtetë nuk duan ta këmbejnë Ismail Qemailin me një ushtar Alldup. Në këtë miting folën shumë oratorë, të cilët karakterizuan sjelljen e Esatit si tradhti. (Dielli, 14 tetor 1913)
Kjo gazetë aso kohe ishte zëdhënësi dhe mbrojtësi më i mirë i shtetit të sapoformuar shqiptarë dhe i shqiptarëve si në shtetin e ri, aq më shumë për ata që pushtuan nga grekët, serbët dhe malazezët. (Shpend Avdiu)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura