SHKRIMI
e mërkurë, 08 korrik 2020

DRITAN GOXHAJ: KOSOVA LINDORE DHE PSEUDOPATRIOTËT

Tiranë, 27 qershor 2020: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë tri komuna që ndodhen në jug të Serbisë, thënë ndryshe: Kosova Lindore. Këto tri komuna të banuara ende nga shqitarët, ku ende flitet shqip, janë sot kufiri i fundit i trojeve tona me sllavët e jugut. Shqiptarët e këtyre tri komunave gjithnjë e kanë parë veten si banorë të një shteti shqiptar, edhe pse të vetëdijshëm se jetojnë nën pushtetin serbo-sllav. Megjithatë, ka kohë, pothuajse që nga mbarimi i luftës çlirimtare në Kosovë, ata thirren shqiptarët e Luginës; një term ky i shpikur nga ana e serbëve për të bërë ndarjen midis Medvegjës e dy komunave të tjera: Preshevës e Bujanocit.

Dhe, për ta bërë të sa më të besueshme këtë ndarje, kryetari serb i komunës së Medvegjës thotë: Medvegja nuk ka si të jetë në luginë, ajo ndodhet 86 km larg Preshevës, ndaj nuk duhet llogaritur si pjesë e saj.

Dhe, çuditërisht, në këtë shekullin e ri, në të gjithë trevat tona ku flitet e shkruhet shqip, pothuajse të gjitha mediat e tyre, sa herë që japin lajme për Kosovën Lindore i kanë dhënë të drejtën e qytetarisë kësaj djallëzie serbe, duke përdorur në vend të emërtimit të saj shekullor, toponimin serb ”Lugina e Preshevës”. Përdorimi i këtij toponimi të shpikur prej serbëve është bërë me paramendim, për ta përjetësuar ndarjen e Medvegjës dhe të malësisë së Bujanocit prej Kosovës Lindore, duke e vënë faktikisht në jetë, pasi, prej vitit 2002 kjo trevë po përjeton një spastrim etnik të kohëve moderne.

A dëshironi të bindeni për këtë?

Po ju jap vetëm një fakt: në regjistrin civil të vitit 2005 shkruhej se në Medvegjë ndodheshin rreth 7000 shqiptarë; ndërsa në regjistrin civil të zgjedhjeve të 2020-së rezultonin vetëm 531 shqiptarë(!).

Vetëm ky fakt do të mjaftonte që Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të mos bëjnë të paditurin dhe të mos shërbejnë si patericë për pushtetin e Vuçiçit dhe të integrimit të partisë së tij në të ashtëquajturën Luginë, pasi tashmë Medvegja është pastruar etnikisht. Qeveria shqiptare e Edi Ramës dhe ajo e Kosovës së Hashim Thaçit e Isa Mustafës, miq të ngushtë të Vuçiçit, në këto zgjedhje parlamentare të Serbisë, të mbajtura më 23 qershor 2020, u angazhuan me kërkesë të posaçme e direktivë të Serbisë aq sa e lejoi dhe sa i duhej Serbisë në Kosovën Lindore.

Ministri i jashtëm në detyrë i Shqipërisë arriti t’i bëjë bashkë partitë shqiptare në Kosovën Lindore që të dilnin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë, ndërkohë që këto zgjedhje opozita serbe i bojkotoi totalisht! Si rrjedhojë, Vuçiçit i duhej një patericë, për të treguar se në zgjedhjet parlamentare mori pjesë edhe opozita në Kosovën Lindore, alias Lugina e Preshevës. Dhe, ku ka më mirë për Vuçiçin sesa ta trumpetoi pjesëmarrjen e shqiptarëve opozitë në ato zgjedhje?! Në këtë mënyrë dalin të fituar edhe Gëbels, alias ministri i informacionit i Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç, i cili është personi kryesor që qëndron pas spastrimit etnik të këtyre tri komunat shqiptare, edhe Ed Rama, edhe Hashim Thaçi, edhe Isa Mustafa, edhe Ramush Haradinaj, të cilët i bënë thirrje atij populli shqiptar të delte në ato zgjedhje, duke shitur patriotizëm të rremë, i cili i duhet shumë Vuçiçit pikërisht tani që pritet të rifillojnë bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i asaj thirrjeje prej Tirane dhe Prishtine: që Vuçiçi do ta përdori këtë ”patriotizëm” maskarenjsh për të bindur shqiptarët që të pranojnë çdo lloj marrëveshjeje që do të dalë nga këto bisedime.

Po do thonë që edhe shqiptarët atje fituan, ngaqë, për herë të parë u përfaqësuan me 4 deputetë në parlamentin serb. Mirëpo, kjo është një fitore totalisht e pavlerë po të kemi parasysh, se nga 250 vende që ka gjithsej parlamenti serb, 220 i ka marrë partia e Vuçiçit. Qeveritë shqiptare, e Tiranës dhe e Prishtinës, asnjëherë nuk e kanë vrarë mendjen për pastrimin etnik që po u ndodh shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e aq më tepër të jenë angazhuar ndonjëherë atje sikundër është Serbia e angazhuar për serbët në Kosovë. Por, mund të thotë dikush: ”Po ja që i ra në mend Ed Ramës”. -Po, i ra, është e vërtetë, por për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij genocidist Aleksandër Vuçiçit, i cili ishte ministër i propagandës, alias Gëbels, në qeverinë e Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë. Me Serbinë e Vuçiçit Tirana dhe Prishtina mund t’i normalizojmë marrëdhëniet vetëm nëse ata nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës; nëse e kalojnë proçesin e ballafaqimit me të kaluarën e tyre kriminale; nëse kërkojnë falje për krimet e kryera në Kosovë; nëse tregojnë për fatin e personave të zhdukur; nëse e kthejnë pasurinë shqiptare të plaçkitur; nëse i kompensojnë dëmet që kanë bërë në Kosovë të paktën ato gjatë dy viteve të luftës së armatosur; dhe nëse i dorëzojnë të dyshuarit për krime lufte, të cilët mbahen të strehuar në Serbi me të gjitha privilegjet dhe përkujdesje shtetërore, si heronj të saj.

Po ta hante Ramën meraku për shqiptarët e këtyre tri komunave, Ai do të bënte të njëjtin veprim edhe para 4 vitesh në zgjedhjet e kaluara të Serbisë, por në ato zgjedhje Vuçiçit nuk i duhej ndihma e Ramës, pasi në ato zgjedhje opozita serbe mori pjesë e gjitha.

Po ta hante Ramën meraku për shqiptarët në këto tri komuna shqiptare, atëherë Ai do të ishte angazhuar që edhe në zgjedhjet lokale shqiptarët të kishin dalë të bashkuar e jo të garonin me 5 subjekte secili për vete, pasi për shqiptarët atje më e rëndësishme është pushteti lokal sesa ai qendror.

Por në zgjedhjet lokale Vuçiçi nuk i dha leje dhe as i kërkoi ndihmë Ramës që të përzihej, sepse aty kërkon të shtrijë dominimin e tij në këto komuna.

Nëse Ramës do ta hante meraku për shqiptarët e Kosovës Lindore, do e kishte kundërshtuar pastrimin etnik të vendbanimit që po ndodh nëpërmjet indiferentizmit të Tiranës dhe të Prishtinës. Një shpikje e bërë nga presidenti serb Boris Tadiç, i cili qëndronte pas Ramës e Metës në ditën që këta të dy nënshkruan aleancën e ngjalave, ju kujtohet besoj. Çudi, këta genocidistë serb kanë qenë gjithnjë miq të mirë të Partisë Socialiste! Mos vallë i lidh ideologjia pansllaviste apo feja, apo mos ndoshta ndjenja antishqiptare?!

Dhe, sikundër u shprehëm edhe më lartë, si të mos mjaftonte paterica Rama, Vuçiçit i dolën në ndihmë edhe dy aktorë të tjerë në trevat tona, dy presidentët: Thaçi i Kosovës dhe Meta i Shqipërisë si dhe dy ish-kryeministra të Kosovës: Isa Mustafa e Ramush Haradibaj!. Ai i Kosovës u ka bërë thirrje shqiptarëve në këto tri komuna që të merrnin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të Serbisë si mik i vonshëm i Vuçiçit; ndërsa ky i Tiranës, dua të besoj që e ka bërë në vvijim të shpalljes së Libofshës komunitet serb kur ishte Kryeministër si dhe për t’u bërë tashti edhe më patriot se në atë rast.

Shteti shqiptar dhe ai Kosovës, nëse do të drejtoheshin nga atdhetarë të vërtetë, do të duhej t’i bënin bashkë shqiptarët në këto tri komuna dhe të uleshin e të përpilonin një platformë kombëtare për gjallërimin e këtyre komunave si dhe të kundërshtonin, në daç miqësisht, në daç ndërkombëtarisht, pastrimin etnik në proçes.

Shteti amë duhet t’i kërkojë Serbisë që shqiptarët në këto tri komuna të konsiderohen si minoritet, sepse Serbia në kushtetutën e vitit 2008 nuk i konsideron më shqiptarët minoritet dhe kjo, me qëllim të pastrimit etnik.

Shteti shqiptar, në vend që të bëjë patericën e Vuçiçit dhe të Serbisë, duhet të kërkojë dhe të punojë për themelimin e asocacionit të komunave shqiptare në Serbi dhe të këkojë për ta të njëjtat të drejta që Serbët kërkojnë për bashkkombësit e tyre në Kosovë, pasi tashmë shqiptarët në këto tri komuna kanë vetëm dy alternativa: ose atë të qëndresës ndaj pushtetit represiv serb, ose atë të emigrimit nga trojet e tyre.

Shteti amë nuk duhet të bëhet më pjesë e lojrave politike të sllavëve të jugut, por të punojë fuqishëm që shqiptarët atje të kapen fort vetëm pas alternativës së parë: të qëndresës ndaj Serbisë; një qëndresë kjo që duhet sponsorizuar e faktorizuar jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht nga Tirana zyrtare, përfshi këtu Presidentin dhe Kuvendin e Republikës.

Duhet ndërhyrë fuqishëm që shqiptarët aty të mos ndihen sikur nuk kanë Mëmëdhe, si dhe të mos ndihen as të përdorur për interesa politike të vrasësve dhe të miqve të tyre.


PS: Në atë ditë të zgjedhjeve në Serbi presidenti Meta, çuditërisht, na përmendi Avni Rustemin. Aman, more, mos e luani Avniun, lëreni të qetë atje ku është! O Avni djali, aman, mos i dëgjo këta që të thërrasin të dalësh këtej se do çuditesh, me çdo shohësh! Do çuditesh kur të shohësh që Shqipëria është bërë një stan me lepuj. Do çuditesh kur të shohësh që çamët kanë vajtur deri në Dibër, po më shumë do çuditesh kur të mësosh se edhe në Mirditë ka dalë një grek me emrin Aleksandris Lleshis, alias Aleksandër Lleshaj, i cili po kërkon që minoriteteve t’ua zyrtarizojë si gjuhë të dytë të Republikës së Shqipërisë gjuhën e tyre, duke e pshurrur kushtetutën që presidenti ynë e ka aq shumë merak.

Por edhe po të ngjallej Avniu, e kam një bindje se nuk do të vriste asnjë nga këta jo, po do të na vriste neve që shohim si qyqe, e vetëm opinionizojmë.

Tiranë, 25 qershor 2020


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks