SHKRIMI
e shtunë, 19 shtator 2020

KUDUSI LAMA: UҪK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (II)

Tiranë, 6 gusht 2020:

Kosova ka histori të shenjtëruar, asgjë nuk e zbeh atë

Shqiptarët në gjithë jetën e tyre nën pushtimin serb e jugosllav janë ndeshur me pushtuesin pa ndërprerje për ta fituar lirinë. Nuk ishte lufta e fundit një fushatë. Ajo ishte lufta që u fitua. Ajo ishte lufta, krisma e së cilës u dëgjua në gjithë botën. Ishte ajo lufta ku u bë pjesëtare dhe mori lavdi e gjithë bota moderne.


Por ka edhe nga ata që nuk duan të dinë për sakrificat e shqiptarëve. Ka edhe nga ata që nuk dinë ose nuk duan të dinë nëse kanë luftuar ose jo shqiptarët për të drejtat e tyre. Ka edhe nga ata që për t’i shërbyer Serbisë përpiqen ta minimizojnë gjithë rrjedhën e zhvillimeve kombëtare shqiptare në Luftën Çlirimtare të Kosovës e më gjerë. Dick Marty ishte dhe është një prej atyre që, meqenëse pati mundësi, i dha një ndihmë Serbisë, duke shpifur për shqiptarët.

Ka nga ata që kam dëgjuar të thonë, se ka korrupsion në Kosovë, prandaj mirë t’u bëhet. Unë nuk dua të pastroj korrupsionin. Unë dua të mos bëhet me baltë lufta e shenjtë çlirimtare. Ajo ka qenë vlera jonë. Atë vlerë, kur ishte e gjallë në terren, e njohën të gjithë anembanë botës. Ndërsa sot, pasi menduan se e vranë në njëfarë mënyrë, po tentojnë edhe ta përbaltin. Ne shqiptarët jemi tolerantë. Por askush nuk duhet të mendojë se na e ka vrarë luftën çlirimtare të Kosovës. Askush nuk duhet të mendojë se na e ka vrarë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ato janë gjallë dhe do të mbeten vlera të mëdha kombëtare në gjithë historinë shqiptare. Ani pse ka edhe ndonjë ndër shqiptarët që shprehet për UÇK-në – “ajo guerilja që ka bërë krime para 20 vjetëve” – keq për të.

Ajo luftë nuk u diktua, siç tentojnë ta etiketojnë disa. Ajo luftë diktoi realisht luftën e botës moderne kundër Serbisë.

Idetë dhe konceptet lidhur me ardhmërinë e kombit tonë ne nuk i ndërtojmë sipas laramanisë së zhvillimeve të të tjerëve, por sipas koncepteve të qëndrueshme të ardhmërisë së shqiptarëve e trojeve të tyre. Sprovat nëpër të cilat kemi kaluar janë treguesi më i qartë i qëndresës sonë kombëtare. Vizioni ynë kombëtar dhe perspektiva e definuar bëjnë që shqiptarët të jenë në çdo kohë të atyndodhur për t’i mbajtur në dorë të gjitha linjat e rrugëtimit në shoqërinë e kombeve.

Historikisht kemi kërkuar paqen, qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, por gjithnjë duke ruajtur identitetin si një sfidë e cila ka qenë bashkudhëtare në përplasjet e mëdha me armiqtë që kanë tentuar të na zhbëjnë e të na grabisin trojet.

Në vazhdimësi, në momente kthesash të mëdha, ne jemi vlerësuar me nota të ulëta e në mjaft raste të dobëta. Na është thënë se nuk kemi krijuar dot institucione të qëndrueshme, se ato nuk arrijnë të prodhojnë stabilitet dhe siguri, se nuk po arrijmë të krijojmë demokracinë dhe mbisundimin e ligjit, se nuk po arrihen standardet e respektimit të të drejtave të njeriut, sepse nuk po arrihen standardet e respektimit të të drejtave të minoriteteve, nuk po krijohet tregu i lirë dhe aftësia për ta mbijetuar konkurrencën e tregut, pastaj marrja përsipër dhe zbatimi i obligimeve dhe detyrave të dala nga kolegjialiteti evropian etj. Dhe, për çudi, të gjitha këto lindin në Beograd e Athinë dhe bëhen edhe deklarime të përkrahësve të tyre, duke krijuar kështu klane antishqiptare deri në politikën e madhe të Evropës.

Kjo më habit, për faktin se kur ishte në proces lufta për çlirimin e Kosovës, të gjithë ishin të mirë.

Flitej se shteti shqiptar ishte në nivel shumë të lartë, megjithëse në atë kohë realisht ai ishte shumë i dobët; Thuhej se Ushtria Çlirimtare ishte një forcë që po kryente një detyrë humane duke marrë në mbrojtje popullin shqiptar në Kosovë nga masakrat e shtetit fashist të Milosheviqit; Thuhej se populli shqiptar është një popull që meriton të vlerësohet me çmimin nobel për qëndresën, unitetin dhe humanizmin; Thuhej se bashkëpunimi me UÇK-në ishte shumë i frytshëm, prandaj sido që të ishte rezistenca serbe, nuk do të futeshin forca tokësore të NATO-s se ishte UÇK-ja në terren; Thuhej se delegacioni i shqiptarëve të Kosovës në Rambuje ishte në nivelin e bashkëpunimit të gjerë ndërkombëtar, kurse ai serb ishte në nivel tepër vulgar; Thuhej se Shqipëria ishte bërë një terren që prodhonte vetëm humanizëm për të shpërngulurit dhe që menaxhon në mënyrë tepër të lavdërueshme njerëzit në nevojë që regjimi fashist serb i kishte nxjerrë nga shtëpitë dhe pronat e tyre; Thuhej e çka nuk thuhej. Dhe nuk thuhej vetëm nga njerëz të nivelit të ultë, por thuhej nga presidenti Klinton, kryetari i OKB-se Kofi Anan, shefi politik i NATO-s, komandanti i NATO-s, kryetar të shteteve evropiane, gjeneralë, ministra, ambasadorë, delegacione, media etj.

Ndërsa sot thuhen monstruozitete. Kjo është shumë interesante. Nga një komb që i duhej dhënë çmimi nobel për humanizëm, tash një popull kanibal që paska ngrënë njerëz.

Këto ndryshime nuk më duken të rastit. Më shkurt, kur ne ishim të fortë, se kishim në mal një ushtri prej 60 mijë luftëtarësh të zgjedhur, ishim të mirë. Se kishim një popull me vete, se kishim një komb të gatshëm për t’i rrëmbyer armët të cilat kishin përballë një shtet serb të ngarkuar mbi çdo masë me krime kundër njerëzve e popujve.

Por ajo kohë kaloi dhe, siç duket, kaluan edhe ato politika të vlerësimit të shqiptarëve, të cilët vërtet i merituan ato vlerësime. Por që segmente të politikës evropiane po tregon se paskan qenë vlerësime tregu, jo vlerësime bindjesh. Kjo na plagos vërtet ne shqiptarëve kur shikojmë se bëhen lojëra edhe me gjëra të tilla kaq serioze dhe bëhen nga ata që pretendojnë ta mbajnë në dorë timonin e anijes botërore në këtë det të trazuar të kohëve.

Dihet që Evropa ka plane të mëdha. Dhe unë jam plotësisht dakord që këto plane të zbatohen. Konkretisht ajo po tenton të bëhet një fuqi botërore, që të ketë kapacitete për t’u vënë përballë fuqive aktuale siç janë ShBA-ja, Kina, Oqeania etj. të cilat kanë sot tendencën për ta sunduar botën në konkurrencë me njëra-tjetrën. T’i krijosh kushtet për t’u ngjitur në një rang të tillë është lavdi. Evropa në këtë rrugë duhet ta ketë mbështetjen e të gjithë evropianëve, ndër ta edhe të shqiptarëve.

Por kur vjen puna tek uniteti, ai nuk mund të arrihet pa krijuar Evropa disa kushte, prej të cilave vlerësoi:

Së pari, pajtimin fetar, që më duket se nuk po e vlerëson si duhet. Nuk mund të ketë Evropë të bashkuar e të fuqishme pa vlerësim të ideve fetare të individëve. Ndërsa Evropa akoma vazhdon ta mbajë lart flamurin e

Krishtit. Kjo nuk është politikë serioze dhe nuk ka perspektivë. Kurrë nuk mund të jetë Evropa unike dhe e fuqishme duke bërë diskriminim fetar. Ishte një nismë e shkëlqyer e Papa Gjon Palit të II-te (Vojtilës), për të afruar e pajtuar plotësisht besimet fetare, por që siç duket mbeti atje ku e la ai. Sot në Evropë ka jo vetëm myslimanë që duhen vlerësuar, por edhe budistë e të fesë izraelite që duhen respektuar. Pa këtë vlerësim, nuk mund të ketë unitet. Standardet me të cilat po vlerësohen Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, më lënë shije të hidhur, sepse më kanë krijuar mendimin se nuk janë vlerësime për popuj evropianë, por vlerësime sikur të ishin popuj të ardhur dhe kjo më duket vetëm pre në këto vende dominojnë qytetarë të fesë islame.

Kam lexuar të thuhet se: “Bashkëjetesa si dhe e ardhmja e shoqërive nuk mund të kultivohet dhe zhvillohet duke thirrur në racizëm në emër të cilësdo fe”. Ashtu sikurse: “Feja është institucion shpirtëror derisa nuk keqpërdoret, e kur keqpërdoret ajo më nuk është fe, por është anarki!”

Prej këtej unë vlerësoj se realisht po bëhet një punë e pa dobishme duke shfrytëzuar fenë për interesa politike e nacionale. Ne shqiptarët asnjëherë nuk jemi thirrur në emër të fesë, gjithnjë jemi thirrur në emër të atdheut e kombit, me synim lirinë dhe demokracinë. Por realisht sot po duket se feja në momente të ndryshme, nga segmente politike në shumë raste me ndikim po shfrytëzohet politikisht në Evropë dhe nacionalisht me theks të veçantë në Serbi e në Greqi.

Së dyti, vlerësimet kombëtare dhe etnike, kanë shumë rëndësi për një rritje të respektit të ndërsjellë. Unë jam shqiptar, deri dje Serbia më ka vrarë e zhdukur miliona njerëz, ndërsa sot në Evropë akuzohem unë se paskam vrarë disa serb në luftë, që edhe ata nuk dihet nëse janë të vërtetë, apo janë thjesht një pretendim serb. Ky është vërtet absurditet.

Së treti, vlerësimet publike për problemet kriminale, bëhen në mënyrë të tillë sikur shqiptarët paskan qenë shumë të fuqishëm. Kur dëgjoi që në krye të organizatave kriminale evropiane janë shqiptarët, në krye të organizatave të drogës janë shqiptarët, në krye të mafies janë shqiptarët, në krye të prostitucionit janë shqiptarët, në krye të trafiqeve të paligjshme janë shqiptarët etj., ju them sinqerisht me vjen për të qeshur, sepse më duken vlerësime donkishoteske. Edhe po të duan shqiptarët, nuk mund të sundojnë për 20 vjet krimin që sundon Evropën prej 200 vjetësh. Këto janë shaka pa kripë.

Së katërti, vlerësimi i të drejtave të minoriteteve, bëhet me një diferencim të pa kuptueshëm. Për rreth 60 deri 80 mijë serbë në Kosovë apo për 30 mijë grekë në Shqipëri bëhet aq fjalë, sa duket sikur atyre nuk u është garantuar asgjë. Ndërsa për mbi 200 mijë shqiptarë në Serbi e mbi një milion shqiptarë në Greqi as që ngrihet zëri në Evropë, megjithëse serbët e grekët në Kosovë e Shqipëri janë kolonë, kurse shqiptarët në Serbi e Greqi janë autoktonë. Pse duhet të jetë ky tregues në Evropën demokratike? A ka perspektivë me mendësi të tilla?

Së pesti, në përgjithësi duken diferencime, si në procesin e zhvillimit e të fuqizimit ekonomik, politik, social, ushtarak e kulturor, ashtu edhe në vlerësimin e ideve për të ardhmen. Unë pranoj diferencime kur është fjala për projektet e mëdha, të cilat duhet t’i përballojnë të fuqishmit. Por jo diferencime deri tek mënyra e të ngrënit të bukës, që nëse nuk e hamë bukën siç e hanë anglezët, gjermanët, francezët apo zviceranët, ne nuk qenkemi të zhvilluar. Këto për kohën tonë sipas mendimit tim janë vlerësime banale, që janë thjesht pretendime, për t’u gjendur një pretendim, jo për të balancuar vlerat.

Së gjashti, vlerësimi i drejtë i historisë, ka rëndësi të madhe sepse i zgjuar nuk është vetëm ai që ka fuqi e pasuri. Të zgjuar janë edhe ata që janë të varfër. Prandaj, kërkohet që sido të jetë, duhet të marrë secili vlerat historike që i takojnë. Jo të konsiderohen të drejta vetëm ato vlerësime që bëjnë të fuqishmit, qoftë edhe për të vendosur fate popujsh.

Së shtati, veshja e terrorizmit me uniformë islame më duket se nuk është një analizë serioze. Nuk është normale që të vishet me këtë uniformë çdo dështim në reformat perëndimore. Më duket se kjo çështje tashmë po bie erë të keqe, ani pse nuk ka askush fuqi të vihet përballë këtyre analizave. Por veprime të tilla nuk do t’i bëjnë nder as Evropës që tenton të jetë fuqia më e madhe botërore, dhe që nëse do të korrigjojë politikën e saj, ta bëjë me gjithëpërfshirëse dhe me konkretë, për ta parë situatën më afër të vërtetës, me siguri që do të bëhet ajo që aspiron.

Së teti, diplomacia duhet të zhvishet prej rrobës së mashtrimit. Është e ditur që diplomacia është gjithnjë lojë interesash, por ajo do të jetë një lojë shumë e suksesshme, në qoftë se do të arrijë të vesh uniformën e fisnikërisë dhe në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, bashkëpunëtori të mundet prej fisnikërisë, jo prej trysnisë e prej mashtrimit, siç po duket se ndodhë në përgjithësi.

Së nënti, çdo vlerësim duke u mbështetur te vepra e Hangtingtonit, “Përplasja e Qytetërimeve”, është një mashtrim i madh, pasi vetë kjo vepër është një mashtrim, sepse merr përgjegjësi që duket se nuk janë analizuar si dukuri shkencore, por janë analizuar me porosi, sepse dikujt kështu i ka interesuar.

Së dhjeti, nëse nuk i shërbehet me kujdes rritjes së miqësisë, dashurisë dhe respektit të ndërsjellë midis njerëzve në Evropë, asnjëherë nuk kemi për të pasur një Evropë të bashkuar për së vërteti, dhe një Evropë që të sigurojë të ardhme fuqie botërore.

Se njëmbëdhjeti, edukimi i rinisë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Duket se tentohet që me rininë të luhet, duke kërkuar të krijohen disa kulte individësh dhe një turmë e cila të jetë injorante dhe e bindur për të kryer ato detyra që i jepen. Një politikë e tillë nuk ka të ardhme. Injorantët janë të destinuar të bëhen ose skllevër ose kriminelë.

Unë vlerësoj se ka edhe mjaft probleme të tjera të cilat vërtet janë ndikuese për një Evropë të fortë, por nuk po marr përgjegjësinë t’i jap direktiva Evropës. Mua më shqetëson vlerësimi për kombin të cilit i përkas, që nuk dua të jetë banal, dhe te të gjitha këto drejtime që përmenda më lart, kombi ynë ndien goditjen e segmenteve të politikës evropiane.

***

A mos janë edhe vetë evropianët që paguhen për Kosovën informatorë të shpifjeve të Dick Martyt dhe shpifës për ta njollosur luftën e Kosovës për çlirim? 

Unë e dua integrimin. Po për ku? Këtë përgjigje duhet ta japin ata që marrin përgjegjësi të jenë drejtues të Evropës. Unë e dua bashkëpunimin, por me kë? Me Serbinë që thotë nuk dua të dijë nëse ekzistojnë ose jo shqiptarët, apo me Greqinë që po na nxjerrë edhe eshtrat nga varret në trojet tona, për të pretenduar se deri në Shkumbin është tokë greke? Ne e dimë që rreth 18 për qind e popullsisë brenda kufijve të shtetit të Shqipërisë janë të fesë së krishtere ortodokse. Po e di Evropa që Greqia vlerëson se çdo ortodoks është grek? Me këtë a mund të bashkëpunohet në këto kushte? A mos duhet që ne të pretendojmë se çdo mysliman i bardhë në Evropë është shqiptar? Nëse do të bënim këtë, do të vepronim e deklaronim një lloj si grekët. Kjo nuk është e nuk mund të jetë Evropa e bashkuar dhe fuqi e botës, por një Evropë në degradim dhe me tendencë shkatërrimi, thjesht për t’i shfrytëzuar fuqitë e saj të brendshme evropiane për aktorët e kësaj skene që quhet Evropë. Më vjen keq, që Evropa e kulturës botërore ndjek interesat e përfituesve të pakaraktershëm.


Ne jemi të gatshëm të përfitojmë nga përvojat e evropianëve, por ato që janë vërtet përvoja, jo ato që na kthejnë edhe një herë në bazën e nisjes. Këtu duket se sa herë ndërron shtetësia e individëve që ndihmojnë në emër të Evropës, ka një devijim të ndihmës dhe një kthim prapa. A nuk e shohin evropianët këtë apo duan të jenë në këto pozicione? Ata që janë në Kosovë sot, në strukturat e EULEX–it, një punonjës i thjeshtë e ka pagën mujore sa dy a tre fish i pagës së kryeministrit apo presidentit të Kosovës. Po realisht çfarë bëjnë? Pse duhet të ishte Dick Marty ai që ta zbulonte trafikun e organeve njerëzore gjatë luftës, nëse ishte e vërtetë, pse të mos ishin evropianët që paguhen për Kosovën? Kjo duket si lojë volejbolli, kur luhet duke i lënë topin në dorë njëri-tjetrit. A mos janë edhe vetë evropianët që paguhen për Kosovën informatorë të shpifjeve të Dick Martyt dhe shpifës për t’i njollosur luftëtarët dhe luftën e Kosovës për çlirim?

Unë e di se Serbia është e sëmurë dhe vuan nga sëmundja e madhështisë, megalomanisë, hyjnizimit, mbisundimit etj. Por, shtroi pyetjen: a mos kanë dukuri të një sëmundjeje të tillë edhe të tjerë, si Franca, Anglia, Gjermania etj? Më duket se vërtet ka dukuri të mbisundimit edhe në këto politika, që realisht nuk desha të kishte, sepse kam shumë nderim për kulturën dhe historinë e këtyre shteteve.

Ne nuk kemi kërkuar të jemi pjesë e Evropës për t’u asimiluar, por për t’u identifikuar. Nuk kemi kërkuar tandërrojmë sunduesin, por të çlirohemi nga kolonizimi. Kush mendon se ne duhet të qëndrojmë akoma të kolonizuar me pushtues të ri, gabon rëndë. Ashtu sikurse ne nuk e kemi kërkuar Evropën për t’u bërë ndihmës në fuqizimin e dikujt. Jo, ne e duam Evropën, nëse ajo na do ne shqiptarëve, siç do gjermanët, britanikët, francezët, belgët, suedezët, italianët etj. Jashtë kësaj balance dashurie nuk mund të jemi shqiptarët të denjë për Evropën dhe Evropa e nevojshme për shqiptarët. Jemi mësuar me armiqësi, mohim, përjashtim, ekspansion, grabitje, asimilim etj. Por, mjaft më.

Kam lexuar se: “Drejtësia është elementi më i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit, rendit, qetësisë, paqes dhe bilancit në mesin e shoqërive njerëzore. Funksionimi i drejtësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nënkupton edhe funksionimin e respektit dhe vlerave njerëzore për të gjithë pa dallim, ndërsa ngritja dhe mosfunksionimi i saj në mesin e një shoqërie, pashmangshëm paralajmëron anarkinë dhe destabilitetin. Drejtësia është çelësi i qetësisë, kurse nëpërkëmbja dhe anashkalimi i saj është çelësi i turbullirave dhe i luftërave”.

Do të kisha shumë dëshirë që të ishte mbajtur në konsideratë një ide e tillë që realisht nuk është e re. Prandaj edhe apeloj, që bashkësia ndërkombëtare, para se të bëjë politikë të vlerësojë drejtësinë. Po të bëhet një vlerësim në këtë këndvështrim, kuptohet që do t’i jepet haku gjithkujt. Po të vlerësohet drejtësia do të kërkohej për t’u gjetur të zhdukurit shqiptar e pastaj të pretenduarit serb.

Ky qëndrim është vërtet monstruozitet. Serbia shtet, me infrastrukturë moderne evropiane për të gjitha fushat, edhe për mjekësinë; me paramilitarë, ushtri e polici; me mjete tokësore, ajrore e detare; me rrugë e komoditete nga më të ndryshmet; me tregti të jashtme e të brendshme; me diplomaci e marrëdhënie ndërkombëtare komplekse; me shërbim informativ shtetëror, të policisë e të ushtrisë; me gazetarë, gazeta, televizione, radio e faqe interneti; me perandorinë Ruse në ndihmë etj.; dhe nuk paska asnjë kriminel, që të merret me veprimtari të paligjshme, nuk paska fare interesa për organet njerëzore për trafik e transplantime, nuk paska fare probleme kriminaliteti, ani pse, pasi na i kanë përdhunuar vajzat, i kane rrjepur për të vlerësuar se kur njeriu ndjen më shumë kënaqësi, kur përdhunon apo kur rrjepë një njeri; ani pse, na i kanë nxjerrë nga barku i nënave foshnjat, për të parë se si reagon një nënë kur çlirohet nga foshnja e saj në këmbë, pa e ulur në tryezën e operacionit dhe në rrugë pa pasur nevojë për salla operacioni. Ani pse na i kanë vënë djemtë të përdhunojnë nënat e i kanë vënë nënat të hanë mishin e djemve të tyre të pjekur në prush; anipse na i kane vrarë mësuesit dhe trupat e tyre i kanë shkrirë me acid. I kanë vrarë burrat e kufomat e tyre i kanë djegur nëpër furra të industrisë, apo të ngritura apostafat për këtë punë. Na i kanë përdhunuar femrat përpara burrave, baballarëve e vëllezërve të lidhur; na i kanë mbytur pleqtë nëpër puse e gremina; na i kanë… për të gjitha këto nuk ka ndonjë problem. A është e vërtetë se nuk janë problem për Evropën këto? Dua të di.

Shqetësimi është se disa djem patën rrëmbyer armët dhe i dolën zot atdheut, popullit dhe kombit të tyre. Këta djem nuk ishin të dëshirueshëm. Një herë u akuzuan se janë kriminelë, se janë agjentë, se janë islamikë, se janë irredentistë, se janë me probleme, se janë marksistë leninistë, se duan të ndërtojnë një Kubë në Ballkan, se janë fundamentalistë, se janë hajdutë, se janë e ç’nuk janë. Na i thanë të gjitha. Por djemtë dhe vajzat me armë në malet e Kosovës nuk u mundën nga këto etiketime. Ata vazhduan luftën e tyre pa kompromis. Ata vazhduan të forcohen çdo ditë.

Pas këtij momenti, iu dha leje Millosheviqit t’i zhdukë e të krijojë qetësi në Kosovë, në të kundërt nuk ishte përgjegjësia e askujt veçse e tij, nëse një ditë do të ballafaqohej me botën, pasi njëherë ishte falur në Bosnjë.

VIJON ...

______________

KUDUSI LAMA: UҪK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (I)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10349


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks