SHKRIMI
e mërkurë, 20 nëntor 2019

BEHXHET SHALA BAJGORA: FUSHATA NUK NDRYSHON ASGJË, KLIENTELIZMI DHE BISEDIMET ME SERBINË JANË PËRCAKTUESE!

Prishtinë, 27 shtator 2019: Përmbyllja e fushatës: Subjektet dhe koalicionet garuese për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kanë hyrë në fazën e arritjes së efekteve mediale shkaku se të gjitha që kanë pasur t’i thonë i kanë thënë gjatë fushatës ilegale e që ka filluar disa muaj më parë. Partitë kryesore , muaj më parë i kanë filluar pregatitjet për zgjedhje dhe vetëm ka pasur paqartësi se kush me kend do të bëjë koalicion. Në një masë edhe koalicionet e mundshme dhe të pamundshme ishin projektuar më parë , disa për të mbijetuar politikisht , dhe jo vetëm politikisht , disa sepse vlerësuan se do të forcoheshin e që nuk është ashtu , së paku ashtu mendoj por se kjo nuk nënkupton se kam të drejtë! Pasi u shpërnda tymi , që në ditën e parë të përmbylljes së fushatës , më 25 shtator , e kemi një situatë që , më shumë është mashtrim optik se që paraqet gjendjen reale , fuqinë politike apo disponimin e votuesve. Realisht , para këtyre zgjedhjeve të parakohshme u bënë disa lëvizje apo llogari që nuk dolën dhe as që do të dalin ashtu si kanë menduar dhe planifikuar subjektet politike. E mira e kësaj situate është se tash kemi katër ( 4 ) parti politike apo koalicione që shpresojnë dhe besojnë se do t’i fitojnë zgjedhjet dhe se , sipas parashikimeve , ta themi të kësaj dite, dallimi midis tyre në vota është i vogël, midis fituesit , të dytit dhe të tjerëve . E keqja e kësaj situate është se , kushdo të jetë fitues i zgjedhjeve dhe çfarëdo përbërje të qeverisë së re , nuk do ta ketë prioritet e as mundësi përmbushjen e premtimeve elektorale për faktin se , sipas atyre që vrajnë e kthjellin në Kosovë , prioritet mbi prioritetet është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje , siç po e quajnë detyruese. Kjo nënkupton se edhe koalicioni pas zgjedhjeve do të jetë në funksion të këtij qëllimi ndërkombëtar dhe se politikanët kosovarë që do të jenë pjesë e bisedimeve dhe marrëveshjes duhet ta kenë besimin dhe duhet të jenë jashtëzakonisht fleksibil apo të dëgjushëm , sipas fjalorit të gjuhës shqipe. Andaj , nuk kanë fare kuptim këto denoncime , premtime dhe mashtrime që po u bëhen votuesve dhe opinionit kur , në fund të fundit, koalicionet nuk i cakton Kanuni i Lekës por ndonjë administrator i ligës së tretë i Trampit apo ndonjë mbetje mortore politike e BE-ssë siç ishte puna e Mogerinit. Po gabohemi rëndë kur po mendojmë se bota po sillet rreth nesh dhe se puna e parë që e bëjnë Washingtoni dhe Brukseli kur të zgjohen në mëngjes është të pyesin se si e kemi Kosovën ?! Që nga përfundimi i luftës në Kosovë , politikën në vendin tonë nuk e kanë udhëhequr kosovarët por se e kanë udhëhequr Serbia dhe ndërkombëtarët ! Është një nonsens që , përkundër fakteve që i kemi , nga një viktimë absolute , jemi shndërruar në një dhunues ansolut në kohën kur një kriminel absolut lufte si puna e Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit , nga përkrahës dhe pjesëmarrës aktiv në krime lufte dhe krime kundër civilëve shqiptarë , janë shndërruar në viktima dhe përcaktues vendimmarrës për punë që janë ekskluzivisht përgjegjësi e Kosovës . Sot , Aleksandar Vuçiq është bërë partneri numër një i evropianëve sikur që po i hapen dyert edhe në Washington në ndërkohë që me ne takohet Johanes Han kur është në gjendje të një dehjeje pak më të menaxhueshme dhe Frederika Mogerini kur është në një gjendje të një frustrimi mesatar. Nuk e di nëse ka fatkeqësi më të madhe për Kosovën dhe shqiptarët nëse ndërkombëtarisht përfaqësohen nga një joprofesionist dhe diletant i politikave kombëtare dhe ndërkombëtare por shumë i shkathët në mbrojtje të intereseve personale siç është miku im , Gjeti ! Prandaj , për mua nuk ka asnjë kuptim kur në kohën kur na duhet një mobilizim i përgjithshëm për ta bërë sa më të vogël dhe më të durueshëm dëmin që i është bërë Kosovës , kemi aq shumë përçarje midis subjekteve politike dhe ftesa përjashtuese . Ta shohim gjendjen e partive politike aktualisht :

1. Lidhja Demokratike e Kosovës : Është një parti tradicionaliste dhe pjesëmarrëse në të gjitha proceset politike në të cilat ka kaluar Kosova. Do të jetë pjesë edhe e proceseve të ardhshme dhe nuk do të përjashtohet nga dialogu sepse nuk e lënë jashtë dialogut. Isa Mustafa e shpëtoi partinë nga ndarja e thellë por se nuk i dha kapacitet të qëndrueshëm dhe vendimmarrës. Deri më tani thuaja nuk ka pasur , as ofertë politike dhe as ofertë ekonomike apo zhvillimore. Vjosa Osmanin e kanë viktimizuar për t’i ruajtur të mëdhenjt që do të dalin pastaj në skenë. Vjosa Osmani , së paku deri tani nuk ka ofruar asgjë përveç refuzimit të bashkëpunimit me PDK-në sikur edhe porosisë kanunore se ; “ se kur ajo thotë kurrë me PDK-në atëherë mbetet kurrë ..”. Nuk ka asgjë më qesharake se kur një subjekt politik përkatësisht organi kryesor ( Këshilli i Përgjithshëm ) merr vendim se : “ nuk ka koalicion me PDK-në ...”. Është normale nëse do të merrte vendim se do ta mbrojnë integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës e që nuk e kanë bërë. Shumë herë patën dhënë deklarata të tilla dhe gjithmonë kanë përfunduar në koalicion me PDK-në. Vjosa Osmani po e konsideron veten sikur të ishte Evita Peroni e Argjentines , Angela Merkeli e Gjermanisë apo Margaret Theçëri e Mbretërisë së Bashkuar. Është e magjepsur nga reflektorët dhe posti i kryeministrit . Vjosa Osmani është në pozitën e të dënuarit të cilin e kanë në dorë ata që e dënuan sepse , më parë ishte përjashtuar nga këta që sot , për interese të veta po e promovojnë politikisht . Vjosa Osmani bëri emër duke e kundërshtuar Isa Mustafën kurse sot po përpiqet të bëjë emër duke kundërshtuar Kadri Veselin , Albin Kurtin , Zog Ahmetin , Ramushin dhe Fatmirin. Kadri Veselin po e përqesh kur ky thotë se e lufton korrupsionin dhe nuk i beson por , në të njëjtën kohë u beson bijve dhe bijave që qençe i kanë shërbyer Titos , Rankoviqit , Sllobodan Millosheviqit dhe Rrahman Morinës . Këtu diçka nuk është në rregull. E sulmon Zog Ahmetin se nuk ka guxim sepse ka pasur frikë nga Albini të dërgojë lule te varri i Him Govës. E pse do të duhej të dërgoheshin lule te ai varr dhe pse ky do të ishte kusht për koalicion?! Askush nuk mund dhe nuk duhet ta gjykojë , as Vjosën e as të tjerët pse shkojnë te varri por askush nuk mund të kërkojë dhe kushtëzojë askend për bashkëpunim me shkuarje te ai varr. Nëse një subjekt politik kërkon vota nga varri , nga Gjykata raciste Speciale , nga vrasjet e pasqaruara pas luftës për të cilat nuk bëri asgjë edhe pse i kishte të gjitha mundësitë dhe në bazë të vendosjes së vijave të kuqe atëherë e bënë këtë sepse nuk ka asnjë ofertë serioze për votuesit. Për publikun dhe për votuesit është shumë me rëndësi oferta për hapje të vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes në arsim , shërbime më të mira shëndetësore dhe sigurime shëndetësore , drejtësi profesionale dhe të pavarur, të ardhura të mira dhe të garantuara , kushte më të mira e të bërit biznes , pensione të dinjitetshme dhe këtë nuk po e bënë Vjosa Osmani . Menyja ofertuese , së paku deri më tani e LDK-së është e dobët dhe pa përmbajtje . LDK-ë po jeton me të kaluarën sepse partia është e uzurpuar nga një kastë klienteliste , e kriminalizuar dhe e pasuruar prandaj nuk duhet t’iu besohet kur flasin për partnerët me të cilët do të bëjnë apo nuk do të bëjnë koalicion. Ta presim 6 tetorin dhe pastaj flasim. Por definitivisht Vjosa Osmani nuk është personi vendimmarrës në LDK për koalicione paszgjedhore dhe ajo mundet , në shenjë mospajtimi vetëm të ofrojë dorëheqje. Po më habit shumë miku im Ismet Beqiri të cilin në LDK e kanë cullakosur nga të gjitha postet dhe perspektiva politike kurse ai ende e përdorë një turbo fjalor kundër të gjithëve. Shiheni listën e LDK-së sa lartë janë renditur bijtë dhe bijat e atyre që i kanë shërbyer ish jugosllavisë kundër Kosovës dhe intereseve kombëtare kurse Ismeti , që unë e njoh si një aktivist dhe patriot që nga vitet 1990 , po bjen në listë poshtë e më poshtë , deri sa ta prekë fundin ! Nuk e besoj se Vjosa Osmani do të bëhet kryeministre por , nëse bëhet do t’ia uroj publikisht dhe do ta përkrahë deri kur mendoj se e meriton përkrahjen time. Por , LDK nuk e ka asnjë të drejtë të akuzojë të tjerët , PDK-në në radhë të parë për kapje të shtetit sepse bashkë e kanë kapur , nëse qenka shteti i kapur ! Nëse e bëni një skanim të posteve të larta në borde , në agjencione të varura dhe në diplomaci , do të shihni sa shumë janë të LDK-së e që janë në lidhje të ngushta familjare pikërisht me këta që po vizatojnë vija të kuqe . pa u skuqur aspak për dyfytyrësinë e tyre !

2. Partia Demokratike e Kosovës : Aktualisht është e vetmja parti që po bënë fushatë 100% në frymën rugoviane ; të gjithë i sulmojnë këta dhe të gjithëve ua kthejnë faqen tjetër për t’i goditur por nuk përgjigjen me dhunë! Janë paluar 100% , si taksa e Ramushit. Po bëjnë politikë të mençur , mbi lëkurën e ujkut e kanë vendosur lëkurën e qengjit ! Dikush po i mëson mirë , madje shumë mirë. Po thonë se e kanë angazhuar një kompani që ka planifikuar dhe udhëhequr fushatat e Aleksandar Vuçiqit dhe Edvin Ramës e të cilët fituan bindshëm në zgjedhjet në Serbi dhe Shqipëri. A nënkupton kjo se edhe PDK do të fitojë në Kosovë ?! Lehtësisht mund të ndodhë kjo . PDK e ka rritur mobilizimin në shkallën 100% duke i kthyer në grigjë veteranët e larguar më parë dhe duke e pasuruar listën me personalitete të reja . Sipas vlerësimit tim lista e LDK-së është 100% në rregull sa i përket kriminalitetit ( të pazbuluar ) kurse lista e PDK-së është 95% e pastër. Është shumë e vërtetë se PDK ka bërë më së shumti ndërhyrje të thella kirurgjike në trupin e partisë e që ka qenë , sa e domosdoshme , aq edhe e rrezikshme. Nuk është njëjtë si ta kapësh për koçe Sami Lushtakun e PDK-së apo Driton Selamanajn e LDK-së ?! Dallimi në reagim është shumë i madh edhe për kah intensiteti , vëllimi , vrazhdësia apo edhe rreziku. E di se kur patën filluar kundërshtimet e hapura kundër ish- atdheut të disa politikanëve të sotëm kosovarë , Jugosllavisë dhe Serbisë , na konsideronin të çmendur sepse kishim hyrë në luftë me një shtet që eksportonte armë dhe dhunë në Amerikën e Jugut , Azi , Afrikë dhe Lindje të Mesme , Jugosllavisë. PDK , gjatë fushatës rugoviane , as nuk po shkonë të varret e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit , personalitete kombëtare dhe politike të 1000 vjetëve të historisë nga të cilët u frymëzuan dhe me të cilët edhe luftuan bashkë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë por, po ofron bashkëpunim me të gjithë , pa përjashtime dhe nuk shfaq asnjë hakmarrje . Kadri Veseli është dashur t’i hjek nga lista nja 5 persona për të na bindur se është kundër nepotizmit dhe korrupsionit por besoj se nuk ka pasur hapësirë për këtë por se , pa asnjë dyshim do t’i margjinalizojë dhe do t’i zhvesh nga çdo vendimmarrje. Kadri Veseli është dashur të jetë shumë më energjik në Besianë dhe t’i largojë ata që ia minuan degën e partisë dhe ia bënë bërrylë . Aktualisht Besiana është pa potencë politike dhe elektorale për PDK-në pikërisht për shkak të këtyre lojërave . Habitem kur lexoj se PDK-ë e ka opozitën e garantuar dhe se do ta zë vendin e tretë. Sipas analizave që i bëjë dhe rrethanave aktuale , në asnjë variant nuk e shoh PDK-në nën vend të dytë dhe jashtë qeverisë së ardhshme. Realisht , në këto rrethana , po të isha kryetar i PDK-së , vullnetarisht do të shkoja në opozitë dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranoja postin e kryeministrit apo t’i udhëheqja bisedimet me Serbinë. Të qenit në opozitë në këto rrethana është gjëja më e mirë , më e shëndetshme dhe investim strategjik fitimprurës për të ardhmën e partisë . Po a e bënë këtë PDK-ë vullnetarisht?! As në ëndërr nuk e besoj se kjo mund të ndodhë. Pikërisht këtë e konsideroj si mungesë të vizionit politik të PDK-së. Por , kam filluar të besoj se PDK e ka seriozisht me procesin e reformave brenda partisë sikur që edhe mund ta luftojë korrupsionin , me disa ndryshime të mëvonshme ! Sa i përket nepotizmit të shprehur në listat për deputetë , LDK është kampione absolute , pas së cilës vjen PDK kurse partitë tjera janë të pastra.

3. Lëvizja Vetëvendosje ! Është në pozitën më të vështirë. Sa nuk bënte ndryshime akuzohej pse nuk po i bënë, tash kur ka bërë shumë ndryshime po e fajësojnë për dyfytyrësi ! Hyp se të vrava , zhdryp se të vrava. Po e akluzojnë se nuk po e përdorë flamurin e Kosovës por ate kombëtar e që është edhe flamur i Shqipërisë. Është kohë shumë e shkurtër që LVV ta bëjë këtë kthesë ; nëse do ta bënte do të humbaste votat kuqezi dhe nuk do të fitonte asnjë votë të flamurit të Tinës ( Kajdanov ). Albini ka deklaruar se nëse bëhet kryeminister , do t’i respektojë simbolet e Kosovës e që për mua është gabim i madh dhe i kushtueshëm . Me vet faktin se jeni pjesë e institucioneve të shtetit ( qoftë edhe i lodhtë ) të Kosovës , domosdoshmërisht nënkupton se duhet t’i respektoni ato simbole e jo edhe t’i duani! Nuk ka respektim të kushtëzuar por ka respektim të obliguar. Këtë duhet ta ketë të qartë edhe Albini. Nëse Albini donë të bëhet kryeministër e që nuk e besoj se do të bëhet , atëherë dodmosdoshmërisht do të bëhet pjesë e skemës së fleksibilitetit gjatë bisedimeve me Serbinë ose për të do të jetë si game over , përfundim i lojës . Sot LVV , përjashtuar 3-4 personave që kanë përfaqësim të denjë dhe mesatar , ka mungesë të madhe të kapacitetit debatues prandaj , Albini , si Jezu Krishti , tërë barrën po e bartë në supet e veta rrugës drejt Golgotës apo përfundimit të procesit zgjedhor. Në momentin e fundit LVV , në planin e përfaqësimit në debate ku kërkohet profil i lartë intelektual , u forcua dukshëm me Agim Bahtirin. Kurse , disa që po flasin në emër të LVV , më mirë do të bënin të mos flasin fare dhe , në këtë mënyrë do t’i bënin shërbimin më të madh LVV dhe do ta amnistonin veten nga të kuptuarit publik se janë injorantë të papërmirësueshëm ! Nuk besoj se LVV shkonë përtej vendit të tretë dhe nëse ndodhë e kundërta atëherë qartazi vërtetohet se jam ndër lule !

4. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dh partia socialdemokrate e Katjushës : Po garon në këto zgjedhje me taksën kundër mallrave të Serbisë dhe Bosnjes të përkthyer në 100% shtet. Nuk kam dyshim se do të ndahet mirë në këto zgjedhje. Mund edhe të mos pajtoheni me mua por jam shumë i sigurt se procesin që e filluan biri i Fahriut dhe biri i Haxhiut për këmbim të territoreve e ka penguar dhe ndaluar pikërisht Ramush Haradinaj apo Rambo Gllogjani. Nëse asgjë tjetër nuk ka bërë gjatë këtyre katër semestrave të qeverisjes , kjo i mjafton dhe kjo e arsyeton sepse , në të kundërtën Agim Bahtiri nuk do t’i binte çiftelisë në Mitrovicë . Ka një listë të mirë dhe të respektueshme dhe që e dallon prej partive tjera dhe ka një përfaqësim të mirë gjinor , si për kah cilësia e përfaqësimit politik ashtu edhe në aspektin vizuel ,duke ofruar ide dhe sharm në këtë listë

5. Lista Serbe : Është parti socialshoviniste e Serbisë në Kosovë e cila , përveç se përfaqëson Serbinë fashiste në Kosovë 100% , gjithashtu 100% i terrorizon edhe serbët e Kosovës që nuk duan të vallëzojnë sipas muzikës së Vuçiqit dhe Daçiqit . Vetëm Kosova , si shtet shumë i lodhët do të duronte një çetnik si puna e kryetarit të Zubin Potokut , që pamëshirshëm e shkërdhen buxhetin e Kosovës e që deklaron se : “ me tabelë apo pa tabelë , Zubin Potoku është territor i Serbisë ...” Në vend që të arrestohet për rrezikim dhe mohim të shtetit të Kosovës , ky farë idioti shpërblehet nga Kosova me një rrogë të majme dhe beneficione të tjera që nuk i ka as ati Amfillohije. Serbët e Kosovës që e pranojnë Kosovën , janë integruar në institucionet e Kosovës dhe nuk vallëzojnë sipas Beogradit nuk ka kush t’i mbrojë ; as shteti i Kosovës nuk e bënë këtë , as BE-ja e as nuk kemi votues aq të vetëdijshëm që të votojnë për ta në mënyrë që ta shkërdhejnë Listën Serbe.


Përfundim : Në mungesë të ofertës politike , Vjosa Osmani ishte në Prekaz ku Himë Gova asnjëherë nuk pranoi të shkonte sepse ishtë i vogël dhe i papërfillshëm para veprës dhe sakrificës së pamatë të Komandantit Legjendar , Adem Jashari. Nuk ka gjë më të pamoralshme se kur bëni përpjekje t’i vendosni në një rrafsh Komandantin Legjendar , Adem Jasharin , komandantin e sakrificës sublime dhe komandantin e nënshtrimit, Ibrahim Rugovën. Nuk e them se Rugova nuk e ka dashur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës apo se ka qenë njeri i keq por e them se , sa për Rugovën dhe Vjosën me kompani përcjellëse , në Kosovë edhe 500 vitet e ardhshme nuk do të kishte luftë dhe se do të bëhej që nënshtrimi të zyrtarizohej si filozofi politike dhe shtetërore . Këtë skemë të nënshtrimit e prishën përgjithmonë ushtarët e lavdishëm të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës , ata që kaluan nën torturë shekuj dhe shekuj burgim në llogoret e ish Jugosllavisë , ata që mbi çdo interes partiak apo personal e kishin idealin e lirisë dhe , mbi të gjitha arkitektët edhe zbatuesit e kësaj lirie ; Hasan Prishtina kryegjeniu i politikës kombëtare dhe Adem Demaçi , zbatues i bindur i kësaj politike sikur edhe Adem Jashari , me bashkëluftëtarë që sakrificën për liri dhe çlirim e bëri mënyrë e të jetuarit dhe të vepruarit ! nuk kam dyshime se , në rast nevoje edhe sot do të luftonin për Kosovësn Ramush Haradinaj , Kadri Veseli dhe Albin Kurti . Nga LDK –ë nuk besoj se përveç Dritonit , Lumirit dhe Avdullahut ndokush tjetër do të bënte luftë çlirimtare. Nga Nisma për Kosovën do të ishin vetëm dy komandantë që do të luftonin , Zafa dhe Gjet Pacolli !


27 shtator 2019 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks