SHKRIMI
e hënë, 09 dhjetor 2019

REXHEP KASUMAJ: MOSMARRËVESHJE (Një ide për shtendosje)

Berlin, 9 nëntor 2019:

1.

Një pyetje klasike, e vjetër sa vetë shtetet dhe doktrinat e tyre përhihet ndër shqiptarë.


Përse "Kosova e jashtme" ndërhyn kaq ashpërsisht në punët e "Kosovës së brendshme"?


Në fakt, ky keqkuptim, ftohje, acarim dhe "cënim sovraniteti" është i hershëm. Por, çuditërisht, jashtë rregullit të njohur, deri vonë nuk pati marrëdhënie të prishura. Palë të dëmtuar. Ankestar. Revansh. Gjyq.


Me kalim vitesh, ndërkaq, kur statusi kombëtar i "të brendshmes" do arrijë gjendjen e re, nis e dëgjohet një vaj...Dhe një akuzë që i drejtohet tjetrës, "Kosovës jashtme" fajtore.


Votra ku ngjizet revolta e saj është e gjerë. Një gjithkahnajë zemërate që artikulohet nga rrethe politikë, grupime militantësh, oshënarë, humbës madhështie folklorike, bestytë që shohin shenjë të ligë qielli, hierarkë të rrëzuar, intelektualë oborrtarë, mënirës karriere.


Dhe, natyrisht, më Brutja e të gjithave, është akuza e poetëve...Si mund të transmigrojë aq beftë shpirti lirik i vargjeve të trishta - në tirani pamfletesh vulgare të tregtizës politike?..


Turbullimi fillestar konturohej në trajtën e dilemës: athua? Dhe pse? Por përsëri është e vërteta që kthjellon gjithçka. Sepse, njëmend, a nuk shkeli përfundimisht "Kosova e jashtme" kodeksin dhe praktikat ndërkombëtare?


2.

Rrjedhimisht,


- Si guxoi, vallë, të ëndërronte, të përmallej, të vuante? Të vegimonte Atdhe të lirë. Më vete. E të barabartë në logun e kombeve historikë...Të mbahej nyjëtueshëm për Tokën ku nuk jetonte e kur fëmijët shihnin të tjerë qiej e shira, e mësonin të tjera abetare...


- Pastaj, ç'sfidë arrogante: mendonte, botonte gazeta, revista, madje shkruante poezi! Dhe të gjitha njëj kryemotivi të vetëm: dhimbjen e "Kosovës së brendshme"...


A nuk mjaftonte të shisnin trupin e të robëtonin frymën? Ky ishte misioni i tyre. Mendimi dhe ndjesia ishin një luks që s'iu shkonte. Dhe, fundja, nuk iu përkiste. Ishte i largët për ta si yjet...


- Dhe, tutje akoma, si pati ngasjen, një shtysë absurde të askundparë, të dërgonte lekë, t'i paguante tatim okupimit, t' organizonte projektin unik humanitar "Familja mban familjen". E, poashtu, njëj ideali të vjetëruar, t'i jepte frymë Arsimit të nëpërkëmbur, Kulturës së shtrirë përdhè!


A s'ishte kjo një taktikë largvajtëse për të indoktrinuar vegjëlinë apo rininë me idenë e huaj? Dhe për të gëzuar, më pas, afeksionin e ndaluar për të?


- Ku mori, vallë, të drejtën të demonstronte, t' bënte promemorje, të zhvillonte njohje e të frymëzonte Rezoluta Europe, të ishte pjesë Konferencash të kancelarëve që prejnë kostume kombesh? Për kë? Për "Kosovën e brendshme", një krijesë tashmë e tjetërsuar në bezdinë e vet!


- Jo vetëm kaq. Po si guxoi t' krijonte ilegalisht fonde lirie, të luftonte, të vritej jashtë e të vritej në front nga dora e armikut të "Kosovës së brendshme"? Për kauzën që tani del t'mos ketë qenë e saj..!


Mandej, pas netësh bizantine që do i shpërngulte përgjithmonë dhe gjaku i tyre, iu kthyen gjithë vrull jetik, po të ndëshkueshëm, Ringjalljes: shtëpive dhe varreve si dëshmi, kopshteve të bukura, bukës për gojët e fëmijëve të panjohur...


- Në mbyllje fare, dhe ky është kulmi i përfshirjes diverzive në jetën e një Entiteti të huaj, e dënueshme nga Karta e Organizatës botërore, pse "e jashtmja" nuk derton bëmat e veta? Por merr tagrin t' alternojë me votë regjime të liga? Dhe, ashtu, t'i prishë limontinë njerëzisë së prehur në "Kosovën e brendshme" e cila, nga punëmirat e tyre, zvogëlohet e shprishet vazhdimisht...


3.

Ndaj dhe është koha për t'i vënë në udhë të mbarë ndërsjellësie marrëdhëniet e tronditura. Meqë "brendshmja" s'bën asnjë ndërmjetësim në punët e të "jashtmes", aherë Parlamenti i saj, duhet t'a ligjërojë me ngut një sanksion të prerë. " Kosovës së jashtme", përveç parasë, t'i ndalohet çfarëdo vegëzimi apo dorëvënje tjetër në çështjet e saj t' brendshme.


Në emër të paqes dhe mirëkuptimit në Troje dhe Europë përgjithsisht.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks