SHKRIMI
e enjte, 02 prill 2020

INTERVISTË E IMPROVIZUAR ME FAIK BEJ KONICËN. KONICA: 'POLITIKANËT KANË ZËNË T'I VËNË KAZMËN SHQIPËRISË'

Tiranë, 3 shkurt 2020: Faik Bej, ju faleminderit që pranuat të zhvillojmë këtë intervistë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cytem të bëj këtë intervistë me Ju, sepse jeni patriot dhe i zgjuar. Shqiparët po ikin në emigracion, ndërkohë që të huajt po grabisin gjithë pasuritë. Shqipëria e konçesionuar po boshatiset…


Intervistën e improvizuar e bëri Ahmet Sali Ҫollaku



1. Si është Shqipëria në zemrën tuaj?



Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu teket së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj vendi ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë…



2. Cili është virusi shqiptarë më i keq?



Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.



3. Ka raport të mirë midis popullit dhe drejtusëve?



Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.



4. Kemi ndonjë trimëri që të mburremi?



Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie.



5. Raporti i shqiptarëve me njëri-tjetrin?



Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi.



6. Cilët janë armiqtë real të Shqipërisë?



Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj.



7. Si e shikoni raportin e politikanëve me njëri-tjetrin?



Çakajtë e përgjakur e të urët, që kafshohen dhe ulërijnë për një kockë në Tiranë…, në pastë Shqipëria para, ata ua gjejnë lehtë vendin: dy njerëz të paguar ndezin një zjarr gjëkundi, - dhe përpara sergjerdetë me harxhet! … O-derra buçe, atdheu është në rrezik!..



8. A do të përparojë Shqipëria ndonjë herë?



Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë në mend këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.



9.Raporti Shqipëri-Evropë?



Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

T’i japim botës një provë urtësie, të bëjmë një çap të ri të madh në udhë të qeverimit të shtruar



10. Trishtohem shumë… A ka shqiptari nostalgji për skllavërinë?



Skllavëria, si çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mbi zverk, e durojnë me gëzim. … Ata jo vetëm s’marrin vesh ç’do me thënë liri, po ndjejnë njëfarë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit e të zinxhirit.



11. Mund të qeveriset mirë një popull?



Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet [financat] dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret në krye, qoftë me president.



12. A i takon Shqipërisë të jetë në Evropë?



Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.



13. Sa i lashtë është kombi shqiptarë?



Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.



14. Italia është afër, a mundet të bëjmë ndonjë krahasim me të?



Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë.



15. A kanë ideal shqiptarët?



Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht.



16. Jemi në kohën moderne, Demokratike, si e shikoni raportin qeveri-popull?



Kanunet [ligjet] e bëra me qëllimin që t’u lehtësohet faji njerëzve pak a shumë të fuqishëm dhe që shumica e barrës të rëndojë mbi kurriz të njerëzve të popullit, lënë ngaherë deriçka shpëtimi për ngrehësit e pusive…Sa kohë të mbetet e pandryshuar mendësia e errët se vrasja është një mjet i ndershëm, Shqipëria do mbetet një njësi afrikane në mes të Evropës.



17. Ҫfarë mund të thoni për shtypin dhe mediat shqiptare?



Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”.



18. Ҫfare do tu këshillonit shqiptarëve?



Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot…Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes.



19. A ka Shqipëria të ardhme?



Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë.



20. A keni mall për Shqipërinë?



Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij; kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirëserdhe”! Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari…Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks