SHKRIMI
e mërkurë, 03 mars 2021

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (IV)

Pashtriku,19 shkurt 2021: Në dallgët e jetës

„Karakteri zhvillohet në rrymat e forta të jetës njerëzore.“ Gëte

„Çdonjëri është fëmijë i kohës.“ L. Shefer

Veprimet e përditshme, rrethi familjar dhe shoqëror e formonin çdo ditë karakterin e Naserit. Ai po rritej shëndetshëm, duke u bërë veçanërisht i bukur, komunikues, i shkathët dhe shumë i dashur. Djali i bukur kishte filluar të belbëzonte herët disa fjalë, por duke i zëvendësuar shumë tinguj dhe duke i shprehur me maje të gjuhës. Emrin e vet e shqiptonte “Nasej”, sepse sikur të gjithë fëmijët, tingujt “r”, “th”, “dh” etj., i mësoi më vonë.


*

Naseri u rrit, tamam djalë për shkollë dhe filloi klasën e parë në Shkollën e Hencit, por sapo e mbaroi vitin shkollor, familja e tij, pas 18 vjet jetë në Henc, u shpërngul në Prishtinë. Kamberi në kërkim të kushteve për jetesë dhe më shumë tokë të bukës, më 1953 e kishte lëshuar me dhembje në shpirt Strofcin e tij të dashur, kurse tani po shpërngulej përsëri, për t’iu afruar familja shkollës dhe punës.

Naseri u ndodh në një rreth të ri, me nxënës dhe mësues tjerë, por u ambientua shpejt dhe u shoqërua me moshatarët. Sikur edhe në Henc, ai në Prishtinë vazhdonte të mësonte shumë dhe doli me rezultate të shkëlqyera.



Naser Hajrizi nxënës në shkollën fillore


Vitet kalonin dhe Naseri filloi të mësonte për familjen e tij të madhe, për kushërinjtë në Strofc, për dajallarët dhe fqinjët e moshatarët me të cilët luante futboll, por edhe për historinë e popullit shqiptar. Ai kishte dëgjuar se forcat militare serbe më 1921, gjyshit të tij ia kishin pushkatuar vëllain e vetëm, Zymberin bashkë me dy kushërinj, Hajrizin dhe Osmanin. Pushtuesit serbë kishin ndërmarrë atë vit një ekspeditë ndëshkuese e hakmarrëse pas humbjeve që kishin pësuar nga Çeta kryengritëse e Drenicës, në krye me Azem e Shotë Galicën. Beqiri, i mbante mend kujtimet e më të vjetërve për atë vit të kobshëm, kur forcat pushtuese serbe kishin hyrë nëpër shtëpi të fshatit. Kë kishin gjetur nga burrat nëpër shtëpi dhe ara, i kishin lidhur me litar. Babai i Beqirit ndodhej në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Beograd. Njëri nga të zënët, që e kuptonte serbishten, i kishte dëgjuar kriminelët tek flisnin për pushkatimin e 24 fshatarëve të kapur.

O vëllezër, u drejtohet të lidhurve, kush mund të zgjidhet le të ikë, se do të na vrasin!

Hajrizi arriti të shkëputet nga litari, por duke vrapuar e morën plumbat.

I plagosur, barkas vazhdon deri në një përroskë, pi ujë dhe vdes. I vrasin të gjithë...

Fshati ishte në gjëmë e në zi, ra hataja për të satën herë mbi Strofcin. U mblodhën ata pak burra të fshatit.

Kur do të bëhemi një sofër burra, bre, kishte thënë njëri, duke nxjerrë thellë frymën nga gjoksi. Më plaku, ia kishte pritur:

Malet e Qyqavicës janë kala, kurse Strofci njëra prej hyrjeve të saj; ja përse na sulmojnë. Kemi rezistuar gjithmonë, prandaj duan ta thyejnë këtë portë.

Do të thyejnë qafën në këto gërxhe, se nuk pushtohen kalatë tona, jo.

Të lumtë goja!

*

Gjatë Luftës së Parë Botërore edhe Kamberi kishte rrokë armët, duke kaluar ndeshtrasha të mundimshme. I plagosur u strehua te një plakë mirëbërëse në Gadime, e cila u kujdes duke ia trajtuar plagën disa javë.

Në Luftën e Dytë Botërore, shtëpia e tij ishte një bazë e sigurt për partizanët e brigadave shqiptare, që kishin hyrë në Kosovë për çlirimin e saj nga pushtuesit fashistë. Ata e mbushnin shtëpinë, por nuk qëndronin gjatë. I zienin rrobat për të shpëtuar nga tifoja e morrit që po përhapej, hanin ca bukë, përqafonin fëmijët dhe iknin në front. Në radhët e tyre kishte hyrë dhe Zenel Hajrizi, biri i tretë i Zymberit të pushkatuar më herët. Zeneli mori pjesë edhe në Kryengritjen e udhëhequr nga patrioti, Shaban Polluzha.

Beqiri ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç, kur këto brigada hynë në Kosovë. Një brigadë shqiptare po kthehej nga Sremi i Serbisë, ku kishte qenë në luftime, rrëfente ai. U bë një mosmarrëveshje në Mitrovicë. Duke menduar se ishin forca serbe, një grup shqiptarësh të armatosur u kishin dalë përpara. Ishte zhvilluar një përleshje aty, ku u vra një njeri. Më pas erdhën në fshatin tonë. Një grup e morëm në shtëpi.

Sidomos nga fundi i LDB, partizanët serbë i kishin hedhur maskat, duke nxjerrë fytyrën e vërtetë dhe karakterin shovinist që kishin kundër shqiptarëve. Beqiri e kishte përjetuar një dëshmi nga fshati i lindjes:

Kishte ardhur një brigadë nga Serbia dhe i ishte afruar Strofcit. Hyjnë në një shtëpi dhe e vrasin një fshatar. Filloi lufta. Ne dolëm të gjithë në oborr. Pipat e kumbullave binin në tokë nga plumbat. Një plumb hyri nëpër dritare dhe ra në shtrat. Na thonë, ikni se është mbushur plot çetnikë! Të gjithë, pleq e fëmijë, jemi nisur bjeshkës përpjetë dhe shkuam në Gradicë. Ne shkonim andej, kurse nga Drenica vinin burra të armatosur, të cilët po shkonin në luftime.

Mos u tutni se këmbë shkau s'mund të hyjë këtej, na jepnin zemër ata.

Dhe vërtet ashtu doli. Afër Sllatinës, në një greminë, kishin mbetur dy kufoma serbësh. Ne qëndruam dy ditë në Gradicë dhe u kthyem në shtëpi.

Nënë Fatimja i tregonte Naserit përjetimet e veta kur forcat partizane serbe hynë në Gradicë. Ishte dimri i egër i vitit 1945. Fashistët ishin dëbuar nga Kosova, por një fashizëm i ri, regjimi serbo-jugosllav, me zjarr e hekur e ripushtoi Kosovën. Në Drenicë u vranë dhjetëra mijë shqiptarë. Unë isha atëherë një çupëlinë dhjetë vjeçe. Një ditë ushtarët serbë hynë në oborrin tonë. Nuk kishte asnjë burrë në shtëpi. Gra dhe fëmijë. Na hyri frika në palcë, se i mbanin armët me gishtin në këmbëz, hakërroheshin dhe rrëzonin çfarë gjenin para vetes. Hynë brenda në kullë. E bënë rrëmujë, duke rrotulluar çdo orendi, arkë e gjësende tjera. Gjyshja ime që ndodhej brenda kishte kundërshtuar t’i hynin në dhomë, por e përplasën pa ndjenja për toke dhe ia thyen derën. Gratë e reja ishin strukur rreth e rrotull nga frika se mund t’i përdhunonin. Doli një oficer nurzi duke bërtitur gjithë inat:

Ku janë burrat, ku janë fshehur, tregoni se do t’ju vrasim të gjithëve!

Unë fillova të qaj, duke mbuluar fytyrën me të dyja duart. Një oficer tjetër po mbllaçiste një rrip mishi të terur dhe në duar mbante edhe të tjerë. Pas tij edhe dy të tjerë po kollofitnin me babëzi ushqim të përgatitur atë ditë. Dolën ushtarët që kishin bastisur, duke bartur bashkë, fuqi me zarzavate të dimrit, dardha turshi, miell, fasule, rroba, stoli nusesh dhe gjithë prokopinë e familjes, çdo gjë që kishte njëfarë vlere. Një ushtar nxirak e hodhi tej pshurriqen e fëmijëve, pasi e nuhati erën kundërmuese. E ngarkuan mallin në rimorkio, shkundën duart dhe hipën edhe vetë e shkuan duke çarë baltën e rrugëve të fshatit. Bashkë me uturimën e makinave, u dëgjuan disa krisma armësh. Hymë brenda dhe nuk dolëm gjithë ditën që andej. Gjyshja kur erdhi në vete, duke mbajtur duart mbi prushanë, psherëtiu dhe tha:

Jo bre, gjermanët nuk bënin kështu, këta na nxiruan jetën...

Më vonë morëm vesh se ushtarët serbë kishin vrarë edhe tre burra të fshatit që i gjetën në shtëpi, ose në rrugë.

Hordhi shoviniste, të shpërndara gjithandej, terrorizonin një krahinë të tërë.

*

Bisedat e netëve të gjata të dimrave të acartë, përveç vuajtjeve të pafund, temë të preferuar kishin edhe luftërat çlirimtare, këngët, përjetimet personale të gjyshit e gjyshes, prindërve e xhaxhallarëve të Naserit, i cili sa vinte mbushej urrejtje kundër armiqve të popullit të vet.

Në vitet gjashtëdhjetë xhaxhai i Naserit, Zeqiri dhe kushëriri, Zeneli u organizuan në Lëvizjen Kombëtare, në organizatën “Komiteti Revolucionar i Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”, të udhëhequr nga veprimtarët e shquar, Kadri Halimi dhe Ali Aliu. Ata kishin përgatitur për luftë të armatosur çlirimtare dy aradhe luftëtarësh në Artakoll të Vushtrrisë, nën komandën e tribunit popullor të asaj ane, Zenel Hajrizi. Kjo organizatë, programin e saj e bazonte te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, te ajo e Pejës dhe te vendimet e Konferencës së Bujanit, për vetëvendosje e bashkim me Shqipërinë...

Vetëm një vit para se të lindte Naseri, veprimtaria e tyre dhe e organizatës u zbulua nga UDB dhe Zeneli e Zeqiri, bashkë me dajën, Banush Ademi, u dënuan me burgim të rëndë, të cilin e mbajtën në Nish dhe në Goli Otok-un famëkeq.

Pushteti policor udbesk i shovinistit serb, Aleksandër Rankoviq, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, ishte në kulmin e tij. Veprimtarë çlirimtarë burgoseshin dhe dënoheshin me afate të gjata burgimi, ose me vdekje. Të tjerë mbyteshin me torturë nëpër qelitë e errëta të kazamateve. Rrjeti i spiunëve dhe agjentëve çanaklëpirës ishte zgjeruar shumë, edhe ndër shqiptarë. Patriotë dhe intelektualë të ndershëm identifikoheshin dhe kapeshin si gjahu, dënoheshin apo vriteshin pa gjyq, ndiqeshin e persekutoheshin çdo ditë. Populli jetonte në varfëri të skajshme dhe diskriminim të thellë. Ende kullonin plagët e fushatës barbare kundër shqiptarëve në aksionin e koduar “Mbledhja e armëve” që ishte ushtruar gjatë dimrit të egër të viteve 1955-1956. Qindra mijë familje u dëbuan në shkretëtirat e Anadollit...

Nailja i dëgjonte burrat në odë tek flisnin me druajtje për gjithë çfarë po i ngjante Kosovës së martirizuar nga regjimet serbe. Ajo e kishte përjetuar rëndë burgosjen e birit të saj, Zeqirit. Shkonte fshehurazi në arë dhe shkrehej lirshëm në vaj. Priste natë e priste ditë t’i vinte lajmi për vdekjen e tij. Pasi ulej në tryezë të bukës, pa vënë kafshatë në gojë, ngrihej në këmbë dhe me cepin e shamisë fshinte lotët që i rrokulliseshin faqeve. Nuk mund të hante, se Zeqën e kishte në dorë të hasmit; pa bukë e pa ujë. Ajo, me peripeci kishte mundur ta vizitonte të birin në Burgun e Prishtinës nja dy herë, por më mirë të mos e shihte, sepse ai kishte marrë tuberkuloz në mushkëri gjatë hetimeve të gjata dhe me tortura sistematike, prandaj ishte bërë kockë e lëkurë, sa askush në shtëpi nuk besonte se do të shpëtonte i gjallë. Organet e burgut nuk ndërmerrnin asgjë për shërim, prandaj tuberkulozi përfshiu edhe veshkat, të cilat më vonë u bllokuan tërësisht. Për Zeqirin kujdesej veçanërisht shumë, vëllai i tij i madh, Beqiri. Një kohë të gjatë organet e burgut dhe të sigurimit, nuk i jepnin asnjë informatë për vëllain e burgosur, por ai nuk shqitej. Ushqimin që ia sillte vëllait, shpesh ia refuzonin, por Beqa nuk e kthente në shtëpi, se mërzitej familja. Ua jepte lypsarëve në rrugë. Pas disa muajsh arrijnë ta vizitojnë bashkë me nënën, por çfarë të shihte?!

Zeqa mezi mbahej në këmbë, thoshte Beqiri. Polici e solli për krahu te grilat, ku duhej të bisedonim. Në një moment më shikoi polici në sy, duke më bërë shenjë që ta ndërpresim takimin, sepse e vuri re që Zeqiri s'mund të rrinte në këmbë, aq keq ishte. Unë ia ktheva po ashtu me shenjë që ta ndërpresim, sepse nuk doja që të rrëzohej para nënës. Zeqa ka hequr shumë...

Kur u dënuan anëtarët e organizatës, i degdisën nëpër kazamatet jugosllave. Zeqirin dhe dajën Banush, i dërguan në Goli Otok. Kjo ujdhesë u asociononte njerëzve tmerrin dhe torturat sistematike kundër të burgosurve, sidomos atyre shqiptarë. Ata punonin në një kodrinë me gurëthyes, ku prodhonin fraksione të gurëve të bluar. Secili nga të burgosurit kishte gurin e vet të rëndë që duhej bartur në shpatulla çdo mëngjes deri në kodër, ku ishte kantieri dhe ta kthente në mbrëmje te barakat ku flinin. Si Sizifi...poshtë -lart, lart-poshtë.

Pas dënimit të Zeqirit, në familje erdhën shumë dashamirës për të shprehur solidaritetin me të në dhembjen për birin e saj, shumë të tjerë nuk kishin guxim të dukeshin aty, por kishte edhe nga ata që hynin e dilnin për të bërë punën e grethit, ose të kundërshtarit të hapur të idesë së lirisë. Një burrë, me natyrë demoniake që mbahej si plak pleqnar, i erdhi në odë Kamberit.

Kamberi kishte në shtëpi një mik, karakter shpirtmirë e babaxhan nga Gradica e Drenicës, i afërm i Fatimes. Murat e quanin. Kishte ardhur me kuajt e tij për të shirat e grurit. Në përroin që gjarpëronte pranë shtëpisë kishte shumë ushunjëza. Murati, me trup të leqendisur, i fuste këmbët si kleçka deri në gju aty që t’i ngjiteshin shushunjat dhe siç thoshte ai, t’ia pinin gjakun e keq. Sapo kishte mbaruar një nga këto seanca, ai ngjatoi kuajt në livadh dhe hapaçel shkoi në odë. U përshëndet me mysafirin që dukej nyç, por nuk u ngrit në këmbë.

Pasi u përshëndetën, mysafiri pyeti për Zeqirin, pastaj nisi të flasë me fabula:

Gjeraqina, duke fluturuar në qiell, paskësh parë poshtë në tokë një kokërr meli. Mbledh krahët dhe pingul lëshohet ta kapë, por bie në kurthin e ngritur. E shkreta, e kishte pikasur atë kokërr të vogël, por nuk e dallonte kurthin aq të madh!

Përralla për gjeraqinën, i lëndoi ndjenjat e Kamberit dhe të Muratit, sepse e fyente edhe Zeqirin e idealin e tij. Kamberi ishte në konakun e vet, kurse Murati mendoi t’i përgjigjej atij me romuze nga ato të Drenicës, por zgjodhi të ishte më i drejtpërdrejtë. Shikoi Kamberin, sikur të kërkonte miratimin e zotit të odës që t’ia ndreqte samarin plakut ngucakeq dhe pasi e piu kafenë me gjithë fundaq, iu drejtua me natyrshmëri:

Heu bre burrë, ç’po më dukesh si Ahuri i Januzit ti. Një mbrëmje pasi fshiva grurë gjithë ditën me kuaj, u vrenjtë havaja, e nuk mund t’i lija jashtë kuajt si netëve të tjera. Ishin të djersitur e mund të ftoheshin nga shiu. Më thanë se këtu afër, një Januzi e kishte ahurin e madh. E pyetën nëse mund t’i dërgoja kuajt aty dhe kishte thënë, “le t’i sjellë.” Nuk dalloja mirë në mug, por në derë ahuri m’u duk shumë i pastër brenda dhe si tepsi shkëlqente. Hyra me kuajt për frenash, por këmba më ra në llapërçinë me ujë gjirizesh, deri në pulpa. M’u duk sikur ajo lluca te ushunjëzat, vallahi. Thonë, dielli i lëshon rrezet edhe në pleh, po nuk e paskësh kapur dielli aty. U llangosa me bajga e shurrë dhe ika me gjithë kuajt. Qetësia e rrafshinës së plehut të lëngshëm më mashtroi, bre. Edhe ti me këto mustaqe të dredhura, me tirq galana e plis të bardhë, më mashtrove he burrë, a si me të thënë...

Mysafiri palosi thartë buzët, kërkoi izën duke hedhur një vështrim vëngër nga Murati, zgurdulloi sytë rrotull odës dhe iku me barkun pallaskë.

Mos m’u hidhëro o mik se njëmoshës qenkemi, i tha nga larg fjalët e fundit Murati.

Dreqi kur plaket, bëhet mësues i dreqërve të rinj, vazhdoi muhabetin me Kamberin Murati, duke dredhur një cigare. Më katolik se papa ishte, bre Kamber. Pale, edhe ndysëkeq, na qenka!

*

Më në fund u liruan nga burgu veprimtarët e organizatës. Naseri i vogël kishte dëgjuar familjarët mbrëmjeve tek flisnin për xhaxhin Zeqë, siç e quante ai Zeqirin. E kishte përjetuar rëndë në shpirt gjendjen e tij. Kur e pa në shtëpi, e përqafoi fort. Ditët në vijim u bënë shokë të mirë dhe shëtisnin bashkë livadheve...

Bashkëveprimtarët e Zeqirit, të përmalluar mblidheshin herë pas here edhe në odën e Kamberit dhe bisedonin për tema të ndryshme. Bisedat e tyre ishin më të hapura, më të guximshme dhe pa alegori, sepse ndjeheshin më të sigurt në rrethin e vet.

Naseri i dëgjonte me kureshtje dhe interes mysafirët e tij të dashur. Bacë Zeneli, kujtonte çastin kur mori lajmin në burg për lindjen e Naserit. Ishte gëzuar shumë dhe ua kishte shpërndarë të burgosurve një qese me sheqerka që e ruante për vete në dollap. Kadri Halimi, Ali Aliu, Enver Tali etj. ishin intelektualë eruditë dhe me kulturë. Ata shpjegonin me kompetencë zhvillimet botërore në përgjithësi dhe luftërat çlirimtare të popujve të kolonizuar, në veçanti. Kadriu ishte etnografi i parë në Kosovë dhe studiues i shquar. Ai i shpjegonte në odë me gjuhën bisedore, doket, zakonet, kulturën shpirtërore e materiale shqiptare, gjenezën e emrave shqiptar e Shqipëri, të Flamurit kombëtar etj. Aliu ndërkaq, plot zjarr dhe energji fliste për revolucionet nacional-çlirimtare, për Ilirinë e lashtë etj.

Në një rast, Kadriu pa një djalosh në odë, i kthyer i tëri në sy e vesh, tek po përpinte çdo fjalë.

I kujt është ky djalë? pyeti.

I Beqës, i thanë.

Si e ke emrin?

Naser e kam.

Ai tashmë ishte rritur dhe e shqiptonte mirë emrin e vet.

Naser, tha, eja këtu midis meje dhe Aliut, na ndaj pak.

Naseri shikoi nga babai, duke marrë me shenjë miratimin dhe u ul atje. Sytë dhe qëndrimi i tij, shprehnin gëzimin e papërmbajtur nga surpriza që iu bë. I shikonte herë njërin, herë tjetrin dhe ndjente respektin që i ngjallnin dy burrat. Iu duk sikur i kaloi emocionet, por pa veten që duarve nuk po u gjente vend.

*

Bashkëfshatarët dhe rrethi i gjerë në Artakoll dhe në rrafshin e Kosovës, interesoheshin më shumë për veprimtarët e dënuar të familjes Hajrizi. Besimi dhe respekti, diku i hapur e diku i heshtur, po shtohej për këtë familje të madhe. Veprimtaria dhe sakrificat e familjarëve të tij, u bënë burim edukimi dhe frymëzimi shpirtëror për Naserin e ri. Ai lexonte me pasion dhe e formonte karakterin duke ecur para kohës së vet. Që fëmijë, ai i kishte lexuar mbi dyqind libra për të vegjël, kurse si adoleshent lexonte literaturë serioze dhe të ndaluar. Shkrimtarët shqiptarë, në mënyrën e vet artistike, e kishin futur gjithashtu thellë në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.



Mehmet Hajrizi dhe Jahir Hajrizi, 1970.


Që nga lindja e Naserit, familja e tij kishte siguruar një transistor, i cili u kthye në mjet të pazëvendësueshëm për edukimin patriotik të saj. Rrahim Shabani, një mik shtëpie nga Dumnica e Vushtrrisë, i cili më vonë do të jetë një nga veprimtarët e çështjes kombëtare, me t’u kthyer nga Egjipti, ku kishte qenë ushtar në forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, sjell për familjen e Kamberit një transistor të prodhimit japonez. Prej atëherë në këtë familje valët e Radio-Tiranës ishin bashkë me bukën dhe kripën, ushqimi i saj i përditshëm…Radio-Tirana dëgjohej në Kosovë në valët e shkurtra 60 m dhe më dobët në valët e mesme. Pak kishte radioaparate atëherë, por edhe më pak me këto valë. Ndërkaq, po të hetonte policia, apo të denonconte ndonjë bashkëpunëtor i UDB-së, se po dëgjoje këtë radiostacion, të dënonin sikur të kishe bërë një krim të rëndë. Radio -Tirana jepte çdo ditë informata e komente, duke ngritur zërin kundër shkeljes brutale të të drejtave elementare njerëzore e kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi. Duke u rritur edhe Naseri i ndiqte emisionet e “përtej Pashtrikut” dhe frymëzohej për veprim kundër robërisë.

*

Gjatë viteve shtatëdhjetë u arritën disa marrëveshje të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë në fushë të tregtisë, të kulturës, të arsimit etj. që kishin të bënin më shumë me Kosovën. Josip Broz Tito, thuhej se i paskësh siguruar kolegët e vet në Beograd se asnjë rrezik nuk i vinte Jugosllavisë nga Shqipëria. Për më tepër, ajo duke mbrojtur kufijtë e saj përbënte faktor mbrojtës edhe për vendin e tyre. Tito i dërgonte fjalë Enver Hoxhës, se Sovjetët i kishin kërkuar leje që trupat e tyre të kalonin nëpër Jugosllavi për ta pushtuar Shqipërinë, por ky nuk e kishte miratuar atë kërkesë. Enveri, ndërkaq thuhej t’i jetë përgjigjur se në rast sulmi të Bashkimit Sovjetik mbi Jugosllavinë, Ushtria Shqiptare do të hynte përsëri brenda territorit të saj që ta luftonte pushtuesin. Tito nuk e bënte këtë për Shqipërinë, po për vete, por as Enveri nuk premtonte për Jugosllavinë, po për krahinat shqiptare atje. Përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Kosovës ndërkaq, paralajmëronin shtetin amë, se mësymja eventuale nëpër Kosovë e cilësdo forcë pushtuese ndaj tij, do të ndeshej paraprakisht me rezistencën e shqiptarëve nën Jugosllavi.

Liberalizimi i lëvizjes së mallrave, njerëzve, kulturës e ideve në kufirin shqiptaro-jugosllav, kishte pasthënien e ndikimit jugosllav në Shqipëri, por edhe të ndikimit të Shqipërisë, sidomos në Kosovë. Në Universitetin e Kosovës vinin pedagogë nga Tirana për të ligjëruar në katedrat e tij, ansamblet shqiptare, trupat teatrore, me artistët dhe këngëtarët më të mirë, e çonin peshë publikun kosovar. Filmat shqiptarë me tematikë të zgjedhur ndikonin, sidomos te rinia, për organizim të rezistencës kundër pushtuesit. Valët e Radiotelevizionit Shqiptar u forcuan me relej në bjeshkët e Kukësit. Me vështirësi, por edhe në Prishtinë në ekranet televizive arrinin sinjalet e RTSH-së.

*

Beqiri, duke u kthyer nga puna një pasdite, kishte blerë një antenë televizive të gjatë për kanalin 12. Ai hipi mbi çati, ku mbahej në oshmak, kurse Naseri po merrej me kabllot dhe televizorin. Komunikonin nëpërmjet të dritares së hapur. Beqa e rrotullonte në pozita të ndryshme antenën, por kot, nuk kishte sinjal. Shkuan disa net përpjekje. Një ditë Beqiri e saldoi një tub metali mbi dhjetë metra të gjatë, e përforcoi me tela anësorë dhe nëpërmjet mekanizmit lëvizës, e sillte antenën.

Ndale! thirri Naseri, si Arkimedi kur kishte këlthitur: “Eureka”.

Beqiri e ndali dhe e fiksoi antenën.

Zbrit se ka sinjal!

A është mirë?

Po, po, mirë është.

Beqiri hyri në dhomë. Pa folësin në ekran tek po i mbaronte lajmet qendrore të mbrëmjes në revistën televizive.

Eh! bëri dhe u ul në divan.

*

Lëvizja e rezistencës kundër pushtimit në Kosovë nuk kishte pushuar kurrë. Më 1968 shpërtheu uragani i revoltës së shqiptarëve nën Jugosllavi. U derdh gjaku. Sa herë përgjakeshin kërkesat dhe aspiratat shqiptare, hendeku midis serbëve dhe shqiptarëve thellohej dhe pritjet e një pajtimi midis tyre shuheshin, si t’i përpinte flaka.

Satrapi Rankoviq kishte rënë nga pushteti, por jo rankoviqizmi. Në vitet shtatëdhjetë ndaj shqiptarëve të robëruar po kombinohej politika e kërbaçit me atë të kulaçit. Reforma kushtetuese i dha Kosovës disa të drejta, duke ndryshuar statusin e saj politik në krahinë autonome, si element konstituiv i Federatës, me kushtetutë të veten, por gjithnjë në kuadër të Republikës së Serbisë. Pleqtë thoshin se me serbin brenda, Kosova kurrë s’ka me qenë e lirë.

Retë e iluzionit të lirisë megjithatë e kishin mbuluar qiellin e Kosovës. Regjimi në Beograd dhe megafonët e tij në Kosovë bënin punën e tyre propagandistike. Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u nanuris, por shtrëngoi radhët që t’i zhdavariste këto re dhe të bënte edhe ajo punën e saj...

- VIJON -

_________________

MEHMET HAJRIZI BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (III)

http://www.pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10897


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks