SHKRIMI
e shtunë, 24 gusht 2019

SHERADIN BERISHA: KOMPLEKSI MUZEAL I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Pashtriku, 12 Korrik 2019: Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqet njërën nga periudhat më të ndritshme të historisë sonë Kombëtare, atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 - 1881). Kompleksi i Lidhjes shtrihet në pikën më delikate të hapësirës urbane të qytetit, i rrethuar nga Lumbardhi, Kompleksi i Marashit dhe shtëpitë e Kalasë së Prizrenit. Përveç që ka vlerave të shumta të arkitekturës sonë, Kompleksi ka një rëndësi të madhe historike, pasi që në Medresenë dhe Xhaminë e Mehmed Pashës u mbajt Kuvendi Themelues i LSHP, më 10 qershor 1878.

Për këtë arsye ky Kompleks, më 26. 02. 1968 është vënë, nën mbrojtje të shtetit me vendimin nr. 260 të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Historike dhe Rariteteve Natyrore të Prizrenit. (Enti për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Komunës së Prizrenit, është themeluar me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nr. 01/4434/67, të dt. 19.4.1967).

Më 10 qershor 1968, në selinë e Rezidencës së Qeveritare të LSHP-së u hap Muzeu i LSHP-së,

Aty gjendet Sektori Historik me tematikë historike te Lidhjes, ku prezentohen dokumentet e shkruara, armë të vjetra dhe pamje të figurave historike e politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ndërsa me rastin e shënimit të 100 vjetorit të LSHP-së në vitin 1978, Muzeu në ndërtesën e Medresesë (të Bajrakli Xhamisë) u pasurua edhe me:

- Sektorin e Etnologjisë,

- Sektorin e Arteve Figurative dhe

- Bibliotekën e specializuar për LSHP-në.

Ne katin përdhesë të medresesë gjendet Sektori Etnografik, me veshje karakteristike nga trojet e banuara nga shqiptarët, dhe në katin e parë gjendet Galeria e Arteve me piktura - me tematikë kushtuar personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

***

Pak histori:

ROLI HISTORIK I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT (1878 - 1881)


Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë:

- administrative,

- politike dhe

- ushtarake që prej kohës së Skënderbeut, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura.

Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX - njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale, në katër vilajetet shqiptare atë të Kosoves, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës dhe formimin e shtetit shqiptar autonom.

***

Lidhja Shqiptare e Prizrenit si organizatë, shenonte një hap të madh nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të vendit krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.

***

Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë.

Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar, si:

- Abdyl Frashëri,

- Ymer Prizreni,

- Sulejman Vokshi,

- Shuaip Spahiu,

- Ahmet Koronica,

- Zija Prishtina,

- Mustafa pashë Vlora,

- Ali pashë Gucia,

- sheh Mustafa Tetova,

- Iljaz pashë Dibra (Qoku) etj.,

LSHP mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare.

***

Një nga fjalimet që u mbajt mend në LSHP ishte ai i Abdyl Frashërit: "Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë".

Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.

***

Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga ushtria e Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike.

***

Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.

***

Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare. Përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.

***

Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë - në 28 nëntor 1912...







kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks