SHKRIMI
e enjte, 23 maj 2019

MEHMET HAJRIZI: DEMONSTRATAT E VITIT 1968 (5)

Pashtriku, 24 mars 2019: 13 Demonstratat e vitit 1968

Viti 1968 mund të karakterizohet si vit i trazirave dhe shqetësimeve në plan rajonal e ndërkombëtar. E pakënaqur me gjendjen ekzistuese në vendet e tyre dhe në botë, e revoltuar për tensionin e luftës së ftohtë në plan ndërkombëtar dhe për rrezikun e një lufte botërore shkatërruese, jatë vitit 1968 rinia e disa vendeve të zhvilluara, si Franca, Gjermania, Anglia etj., e organizuar në “Lëvizjen e të Majtës së Re”, vërshuan rrugët për të demonstruar këtë pakënaqësi dhe me objektiv të zgjerimit të valëve demonstruese, për ta ndryshuar botën e ndërtuar “keq dhe padrejtësisht”. E motivuar nga këto ngjarje, në demonstrata u ngrit edhe rinia e Beogradit, por zërat progresivë dhe revolucionarë aty pothuajse u mbytën nga britmat çetnike, shoviniste të elementëve serbomëdhenj.24


Bashkimi Sovjetik, duke shfrytëzuar edhe forcat e Traktatit të Varshavës, një koalicion ushtarak që e mbante nën tutelë, më 1968 ushtroi agresion të hapur ndaj Çekosllovakisë. Nga një agresion i ngjashëm kërcënoheshin edhe Jugosllavia dhe Shqipëria. Në Shqipëri forcat sovjetike planifikohej të hynin për ta neutralizuar kundërshtimin shqiptar ndaj imperializmit sovjetik, për ta realizuar ëndrrën ruse për dalje në bregdetin shqiptar dhe për t'i kënaqur interesat e shovinizmit serb, i cili mund të ndillej në këtë aventurë të rrezikshme. Hyrja e trupave sovjetike në Shqipëri do të bëhej nëpërmjet territorit të Kosovës, duke u përpjekur edhe për një nënshtrim të ri të saj. Më vonë, kur ky rrezik ende nuk kishte pushuar, udhëheqja e Grupit Revolucionar të Kosovës, në frymën e programit të tij dhe me tërë seriozitetin deklaronte se ushtarët sovjetikë mund të hynin në Shqipëri nëpër territorin e Kosovës, vetëm mbi trupat e vdekur të kosovarëve. Duke ndier këtë rrezik, Enver Hoxha i dërgonte mesazhe Jugosllavisë, se populli shqiptar ishte gati të luftonte krah për krah me popujt e saj në rast të një agresioni sovjetik. Ndërkaq, Tito, po kështu me mesazhe nëpërmjet ambasadorësh i përgjigjej atij: “Rusët kanë kërkuar të kalojnë territorin jugosllav për të sulmuar Shqipërinë. Ne nuk do të lejojmë asnjë këmbë ushtari sovjetik në territorin jugosllav”.25



Ndër shqiptarët po diskutohej mundësia e avancimit të statusit të Kosovës në Republikë jugosllave. Ideja e Republikës së Kosovës ishte e hershme dhe e vetë PKJ-së. Më 1923 në një nga dokumentet zyrtare të PKJ-së, të shkruar nga Mosha Piade, lidhur me Kosovën theksohej: “Zgjidhja e çështjes kombëtare edhe këtu mund të arrihet me formimin e Republikës së Kosovës së lirë punëtore-fshatare, nëpërmjet përmbysjes revolucionare të regjimit serbomadh fashiimperialist. Kjo zgjidhje për shqiptarët, turqit dhe myslimanët sllavë do të thotë që në masë të plotë të fitojnë pronësi të lirë të tokës, të lirohen nga shtypja kombëtare dhe të krijohen kushtet për zhvillimin e tërësishëm të lirë nacional-politik e kulturor. Duket se edhe fshatarësia dhe punëtoria serbe e atyre viseve tashmë ishte e pjekur për të miratuar këtë parullë”26

Josip Broz Tito gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, tek organi qendror i tij i shtypit “Proleter”, më 1942 e konfirmonte këtë qëndrim dhe siguronte që shqiptarët në Jugosllavi do të trajtoheshin me të gjitha atributet si popull. Në kuadër të diskutimeve publike për ndryshimet kushtetuese, në Kosovë kërkohej Republika si status i ri politik i krahinës. Kjo kërkesë fillimisht bëhej pothuaj hapur, edhe nga disa intelektualë dhe funksionarë të organizmave të sistemit politik. “Liria” më 1981, duke iu referuar shtypit zyrtar (Rilindja, 4.12.1968) nënvizonte se “Përveç në shumë tubime, këtë kërkesë ia paraqiti Titos edhe një delegacion krahinor. Por Titua refuzoi t'i përgjigjej një kërkese të tillë, duke u arsyetuar se “Republika nuk është faktor i vetëm i cili i zgjidh të gjitha problemet”27



Dëshmori i Kombit Murat Mehmeti


Megjithatë më 1966, pas rënies së Rankoviqit, madje edhe zyrtarë përfaqësues të lartë serbë, si Bobi Radosavljeviq dhe Dushan Petroviq Shane, gjatë përgatitjes së Plenumit të shtatë të Serbisë, në një mbledhje të mbyllur të KQ të LK të Serbisë, kanë përmendur mundësinë e pavarësimit të Kosovës nga Serbia. Më vonë, meqenëse udhëheqja zyrtare e Kosovës, e porositur nga Beogradi ua mbylli gojën atyre që e hapnin këtë temë diskutimi, si Ali Hadri, Dervish Rozhaja, Fehmi Agani etj., një grup studentësh atdhedashës, në përbërje prej Osman Dumoshit, Skënder Kastratit, Adil Pirevës, Xheladin Rekaliut, Ibrahim Gashit, Selatin Novosellës, Ilaz Pirevës, Afrim Loxhës, Skënder Muçollit, Hasan Dërmakut dhe Shemsi Hoxhës, të organizuar në Grupin politik, po përgatisnin demonstrata në kërkim të avancimit të statusit të shqiptarëve dhe të Kosovës. Një rrethanë favorizuese e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe e frymëzimit patriotik të masave para demonstratave ishte pa dyshim shënimi i 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si do të jetë dhjetë vjet më vonë 100-vjetorit i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për demonstratat e vitit 1981. Aktualiteti politik dhe ekonomik kolonial i Kosovës ndërkaq ishte një faktor tjetër shtytës për veprim.

Pas demonstratave të organizuara më 6 tetor në Prizren, më 8 tetor në Suharekë dhe më 19 tetor në Pejë, më 27 nëntor 1968 rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 dhjetor në Tetovë. Në demonstrata masive mbaheshin lart parulla si, “Republikë”, “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipëri, jemi nji”, “Marksizëm-leninizëm”, etj. Me ndërhyrjen brutale të forcave policore, demonstratat u lanë në gjak. U vra nxënësi Murat Mehmeti dhe u plagosën shumë demonstrues kurse në vijim u dënuan rreth 100 vetë. Anëtarët e grupit organizator u dënuan me burgim nga 2-5 vjet, kurse nga 1-6 muaj u dënuan shumë kundërvajtës.

Udhëheqësit e demonstratave u dënuan rëndë sidomos në Tetovë. Pa mohuar ndikimin që kishin pasur në to lëvizjet studentore në botë dhe në Beograd, demonstratat shqiptare, ndryshe nga ato, kishin karakter nacionalçlirimtar dhe përbënin stad të avancuar të Lëvizjes Kombëtare në kontinuitet. Demonstratat shqiptare më 1968, sikur edhe më vonë, më 1981, nga shembujt e huaj të demonstratave, sidomos në Evropë, morën vetëm formën, sepse përmbajtjen e kishin të vetën. Xhafer Shatri, veprimtar i Lëvizjes, duke trajtuar demonstratat e vitit 1968 vlerëson se “Vetë shpërthimi i demonstratave ishte paralajmërim konkret i një Rilindjeje të vërtetë kombëtare dhe fillim i një forme efikase të luftës politike, e cila me kohën do të marrë përmasat e një kryengritjeje të pandalshme të popullit shqiptar në Jugosllavi...

Përndryshe demonstratat e vitit ‟68 ishin edhe vazhdim i një lëvizjeje të gjerë demokratike të rinisë studentore dhe inteligjencies që pati përfshirë atëherë gjithë Evropën... Këto demonstrata në të vërtetë kanë qenë vazhdim i aktivitetit të mëparshëm të Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve të Adem Demaçit. Programi dhe idetë e kësaj organizate kanë shërbyer si platformë... e demonstratave”. 28



Demonstratat e vitit 1968, për të drejta kombëtare dhe liri, përbënin sintezën e përpjekjeve dhe të rezistencës së pas Luftës së Dytë Botërore të popullit shqiptar kundër shtypjes dhe robërimit kombëtar, por edhe motivimin e ri dhe shtytjen drejt avancimit të Lëvizjes Kombëtare. Rinia shqiptare në demonstratat e organizuara për herë të parë në përmasa të tilla, e pa forcën e popullit të revoltuar, e popullit të bashkuar e të organizuar, materializimin e ideve patriotike në praktikë; ajo kishte gjetur rrugën që duhej ndjekur për realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptar.


Ilustrimet: © Pashtriku.org

________

Referencat:

24 Adil Pireva: Gjashtëdhjeteteta shqiptare, Prishtinë

25 Enver Hoxha: Kosova është Shqipëri, Neraida, 1999

26 Arkivi i PKJ-së, Fondi i KQ të PKJ-së, nr,14-12/1940; cituar sipas, Libri i bardhë, Prishtinë, 1992

27 Populli shqiptar në Jugosllavi asnjëherë nuk vendosi për fatin e tij, “Liria” nr. 4-5, gusht 1981

28 Xhafer Shatri: “Pse dergjet në burg Adem Demaçi?”, Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror, Bernë, 1990. F. 82-84

VIJON…

***

MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA E PASHUAR KOMBËTARE (4)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8600


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks