SHKRIMI
e hënë, 09 dhjetor 2019

DR.ERMIRA YMERAJ: QËNDRIMI I SHTETIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMET NË KOSOVË, 1982 - 84

Shkodër, 12 nëntor 2019:


 


 


 





 Shoqëria “Lëvizja”, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, Institutin për Trashëgimi Kulturore e Shpirtërore në Shkup dhe me Shoqatën e të burgosurve Politikë të Kosovës, organizojnë: Simpozium shkencor, me temën bosht

Lëvizja Popullore e Kosovës dhe heronjtë:

Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri dhe Zijah Shemsiu

Shkup më 25.01.2018

Tema: Qëndrimi i shtetit shqiptar për zhvillimet në Kosovë 82-84

Dr. Ermira Ymeraj

ymeraje@hotmail.com


Argument: Kosova e 1981 me lëvizjet e saj studentore u vu në qendër të shtypit shqiptar dhe politikës së saj të jashtme. Organet udhëheqëse shtetërore morën një sërë masash për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve të zhvilluara. Më 11 mars, Tirana kërkon nga Ambasadori i saj në Beograd, informacion për ngjarjet dhe komentet e politikës së federatës. Më 16 mars, përfaqësitë diplomatike u vunë në lëvizje për të demonstruar një qëndrim të shtetit shqiptar, u udhëzuan që të jenë të kujdesshëm dhe të mos prononcohen. Më 17 mars në Ministrinë e Jashtme, analizohet greva e 8 shkurtit të 40 punëtorëve në Obiliq.

Më 23 mars, Ambasada në Beograd mbledh informacion për ngjarjet e 11-12 marsit në Universitetin e Prishtinës. Më 23 mars, të gjitha përfaqësitë diplomatike njoftohen përmes artikullit të gazetës “Bashkimi”: “Forca e patriotizmit shqiptar” . Më 28 mars, përfaqësitë diplomatike, janë vetëm mbledhës të informacioneve për zhvillimet politike të 25 marsit në Prishtinë. Më 4 prill, qëndrimi i Tiranës zyrtare ndryshon, ajo udhëzon diplomatët shqiptarë të flasin për ngjarjet e Prishtinës dhe të theksojnë se Shqipëria nuk ka gisht për këtë situatë, përgënjeshtron përfshirjen e Shqipërisë në këto ngjarje. Më 5 prill, në mbledhjen e Byrosë Politike, diskutohet mbi ngjarjet dhe masat që shteti Shqiptar do të ndërmerrte mbi këto ngjarje. Në Byro, u vendos të shkruhej një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” , për të dënuar dhunën serbo-jugosllave ndaj studentëve dhe popullit të Kosovës që u botua më 8 prill: “Pse u përdor

dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”. Më 7 prill, në bazë të udhëzimeve që u dhanë, u bënë 36 telegrame qarkore për dëgjimin, incizimin, studimin, shpërndarjen, sigurimin e një jehone sa më të gjerë dhe vjeljen e artikujve të “Zërit të Popullit”.

Më 14 prill 1981, në qarkoren “Udhëzime lidhur me ngjarjet e fundit në Kosove dhe detyrat e ambasadave”, u udhëzuan ambasadat të argumentojnë qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës.

Fuqia e fjalës.

Shteti amë e qëndrimi i saj pritej me interes të madh, gjymtyra e ndarë padrejtësisht më 1913 që në njoftimin e parë që dha ATSH-ja, mori kthesë gjithnjë e më të gjerë mbas botimit të artikujve të “Zërit të Popullit” , të 8 dhe 23 prillit e 17 majit 1981. Në tre artikujt bazë të “Zërit të Popullit”, Tirana zyrtare i dha përkrahje të fuqishme lëvizjes studentore në Kosovës. Në këtë artikull të “Zërit të Popullit”, thuhet: “T’i jepet fund dhunës e shtypjes policore serbe; të hiqet shtetrrethimi e të tërhiqen nga Kosova forcat policore e ushtarake; t’u kthehen të vrarët familjeve të tyre dhe të lirohen të burgosurit; të shqyrtohen me gjakftohtësi kërkesat e popullit të Kosovës e të zgjidhen drejtë ato; t’i njihet Kosovës statusi i republikës me të gjitha atributet që njeh kushtetuta jugosllave edhe për republikat e tjera.

Me këto qëndrime raportet mes shtetit shqiptar dhe politikës jugosllave, morën kthesa të mprehta . Tirana zyrtare përkrahu kërkesat e demonstruesve “Kosova Republikë” dhe kundërshtoi politikën jugosllave diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Artikujt e botuar në gazetën shqiptare “Zëri i Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit , të transmetuar nga ATSH-ja, paraqitnin qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar. Më 8.04.1981, ZP shkruante se: “Qëndrimi ynë është i pandryshuar”, më 17.05.1981 .

Shteti shqiptar, nëpërmjet analeve diplomatike, ndikoi në afirmimin e çështjes së Kosovës, duke argumentuar kërkesat e drejta të demonstruesve . Qëndrimet e Shqipërisë influencuan pozitivisht, diplomacia botërore po përmes shtypit i bënë jehonë lëvizjes studentore duke dënuar qëndrimet politike të jugosllavëve në Kosovë. Kërkesa e popullit të Kosovës për Republikë e mbështetur fuqimisht nga Shqipëria u bë problem i shtruar për zgjidhje.



Shqiptarët demonstruan se kur padrejtësia shfaqet si drejtësi, atëherë e drejta e popullit që bashkëjeton me këtë padrejtësi nuk do vonojë të shembë iluzionet e një “federalizmi shumëkatësh” të këtij vendi. Liria ishte tharmi etnik i qëndresës shekullore të këtij populli, i cili nënçmohej dhe shfrytëzohej. Kosova dhe çështja e saj nacionale nuk ishte një kapitull i mbyllur për shqiptarët . Studentët u bënë heronjtë e kohës që ky popull i trashëgonte në fytyrat e heronjve që koha ka skalitur në historinë e saj ato ishin shëmbëlltyra e patriotëve Haxhi Zeka; Mic Sokoli, Bajram Curri, dhe sfida e tyre ishte në nderin e historisë shqiptare. Tek kjo sfidë historia sot po rikthehet për të çmuar protagonistët e saj të cilët si heronj pararendën lirinë e shumëpritur.

Shteti shqiptar për protestat e popullit në Kosovë kishte detyrë morale, përgjegjësi politike, detyrim etnik ndaj gjymtyrës së vet të shkëputur padrejtësisht. Nga kjo detyrë ai nuk mund të shmangej, për shumë arsye, shteti komunist interesohej për fytyrën e tij në politikën e jashtme dhe nuk mund t’ia lejonte vetes shfaqjen e dobësisë dhe idenë e dështimit. Në letërsinë politike - kulturore të fillim viteve `82 është përhapur mendimi se shteti shqiptar i periudhës komuniste u gjet i papërgatitur nga ngjarjet tronditëse të Kosovës “që përpiqej të krijonte vlerat e një patriotizmi të thekur si vlera përfaqësuese e një populli me të cilin historia ishte treguar e padrejtë“. Në Parlamentin Evropian, në vitin 1984, mundësohet të dëgjohet referimi i Enver Hoxhës, për masakrat dhe gjenocidin që bënte Jugosllavia mbi shqiptarët.

Ndikim të madh pati dhe Radio Kukësi me këngë folklorike dhe me ngjarje të historisë kombëtare, Televizioni Shqiptar me: Fjala artistike në ekran, drama, etj., që për fat mbulonte këtë regjion.

Secila kohë e ka gurin e vet themeltar, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos a përcakton rrugën e së ardhmes. Për shqiptarët në Kosovë historia provoi se Liria territoriale është ngjarja që e mbajti këtë popull lidhur mbas pengut të ndarjes, për më shumë se një shekull.

Demonstratat e pranverës, mars - prill 1981, janë pikënyja e viteve që lidhin kohët me njëra-tjetrën, dhe si të tilla ata kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij.

Në strukturat iluzore që kishte krijuar regjimi i Beogradit, do të ngrihej një brez, i cili nuk do të ishte kurrsesi i humbur, për të bërë më tej atë që kishin dashur etërit e tyre.

Fakt ishte se populli i Kosovës kërkonte mbështetje dhe atë e prisnin nga shteti amë, Shqipëria. Lëvizja shqiptare në ish Jugosllavi, në fillimin e viteve ‘80 ka qenë pa dyshim, njëra nga ngjarjet, rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta, me të janë marrë njerëz të mendimit nga të gjitha fushat; janë marrë shkrimtarë e sociologë, historianë, protagonistë, gazetarë. Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamendjet, thëniet, gjykimet dhe debatet nga më të ashprat dhe nga më të vrullshmet, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar. Që në fillim janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjitha dilemat e hipotekuara. Pak ose aspak janë bërë përpjekje për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqipëri, kur radiot transmetonin më shpesh se vitet e tjera, drama me motive patriotike që hidhnin dritë mbi një kohë e epokë të përbashkët përpjekjesh për ruajtjen e trojeve, kërkesën e gjymtyrës së shkëputur padrejtësisht, për tu bashkuar me trungun amë, apo idenë e njësimit të kufijve nën një ideal të përbashkët. Thirrjet e heronjve kombëtarë për tu bashkuar në një luftë të drejtë janë thirrjet e ndërgjegjes kombëtare e mendimit intelektual, se si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare, si kanë depërtuar ato në thelbin e mendimit patriotik. Ishte ndikim spontan, njerëzor apo i organizuar dhe i diktuar apo e vërteta qëndron diku në mesin e tyre? Në dramatizime kishte më shumë se hall, frymë brenge, shqetësim e mërzi, kishte diçka përtej vetes dhe së zakonshmes, kishte brengë njerëzore për ata që dinë të lexojnë mesazhet dhe problematikën që përcillte, por edhe kombëtare, fati i pjesës tjetër të kombit ishte në një udhëkryq që koha ia kishte diktuar, mbasi ky popull i mbushur me mllefin e nëpërkëmbjes dhe padrejtësive, kishte kuptuar se s’mund të jetonte me të tilla kushte metamorfoze njerëzore e kombëtare prandaj zëri i ndërgjegjes kombëtare përmes dramatizimeve përcillte të njëjtat thirrje “Gajret e Forcë ”. E shkuara dhe e tashmja ruante në vete, një brez që dëshmoi historikisht se nuk kishte humbur asgjë në Kosovë dhe se kështu nuk mund të vazhdohej më. Atdhedashurisë së një brezi të vjetër nën kuçedrën e Anadollit dhe lakmisë së dushmanit i përgjigjet thirrja se: “Vetëm kur t’ia kemi hekë të keqen vatanit do ta ndjejmë veten të qetë, se Shqiptari se ka hupë kurrë shpresën dhe në ditët ma të zeza ”, ndërsa atdhedashurisë së një brezi të ri të studentëve: Jakup Krasniqit, Mehmet Hajrizit, Gani Sylës, Azem Sylës e pas tyre të një populli të ndërgjegjësuar në thirrjen “Kosova Republikë”, Beogradi i kundërvuri tanket, dhunën policore, vrasjet, burgimet, arrestimet, gjakimet, dënimet e ashpra, dhe, si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, filloi gjuetinë e shtrigave e procesin e jashtëzakonshëm. Titulli i emisionit “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” që Radio Kukësi, transmetonte çdo të shtunë në shkurt të ‘82, jehonizonte mendësinë e një populli që kurrë se ka pranuar ndarjen, ndërgjegjja e një kombi është më e fortë dhe më jetëgjatë se çdo përpjekje e kohës për të tjetërsuar idealet e tij. Asnjë shqiptar i vërtetë nuk shitet as te turku e as te serbi: fara e keqe fle e qohet por populli se harron kurrë emrin e patriotëve , janë mesazhet që era e kohëve të reja po përcillte në ndërgjegjen e çdo njeriu të thjeshtë që e ndjente veten me gjak shqiptari, janë jehona e fatit të 223 viteve burgim që grupi i 21 shqiptarëve kosovarë provoi në atë maratonë gjyqësore njësoj si “Epoka para gjyqit” , ku i njëjti armik me emra të ndryshëm turk a serb ndëshkon përpjekjet e drejta për liri të mohuar një populli që udhëhiqej nga një kauzë e drejtë. Gjithçka që donte të krijonte regjimi i Beogradit – Prishtinës, qëndronte në mundësinë që dinakëria e lakmia e të huajit serb që u rrezikohej interesi i tyre ta përçante, të pazakonshmit të ishin të huaj për Kosovën, të lëçiturit e saj; ndërsa pushtimi, si e zakonshme, të kishte të drejtën e qytetarisë, Kuvendi i Pejës u quajt Lidhje fetare myslimane, e udhëheqësi i saj Haxhi Zeka si udhëheqës fetar të cilin dushmani në shprehjen e tij “Pushka e fshehun ka ngranë shumë koka” përpiqet të minimizojë rrezikun dhe të shuajë frikën e përhershme që i huaji ka nga shqiptarët: Ky dreq vendi gjakun e ka të zelltë, Kupa e mbushun do zbrapset mbi kokat tona , është i njëjtë me përpjekjet e klikës serbe që kthesën historike që solli “Pranvera shqiptare e 81” ta quanin kundërrevolucion dhe ndëshkimi i tyre s’ishte gjë tjetër veçse krekosje e pushtuesit se: ka zbuluar cënuesit e kushtetutës. “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, pikërisht ky titull i emisionit është shprehje e përpjekje e implikimit të shtetit shqiptar në ngjarjet e Marsit. Ky radiodramatizim sjell propagandën që radiostacionet po përhapnin, duke mos harruar kronologjinë e ngjarjeve që vetë shtypi shqiptar mbajti në ditët e para të shpërthimit të demonstratës. Me 8 prill qëndrimi i Shqipërisë ndryshon që në hyrje të lajmit, vazhdojmë me lajmet e brendshme, tregon se politika shqiptare e rriti implikimin e vet në këto ngjarje. Kështu direktivat për të shtrirë jehonën e këtyre ngjarjeve dhe në fushën e radiodramatizimeve si programe që dëgjoheshin dhe ndiqeshin nga radiot lokale prej shumë njerëzve, duke theksuar se një gazetë, një televizion qendror dhe radiot lokale ishin e vetmja mundësi e përhapjes së informacionit në atë kohë. Aktivizimi në njërën anë i emrave dhe zërave korifenj të kohës në realizimin e pjesëve radiodramatike duke sjellë në qendër të vëmendjes emrat e atdhetarëve më me zë të trojeve kosovare si Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi dhe Mic Sokoli ishte jehona e frymës patriotike. Analisti Shaban Sinani në një studim të tijin do ta përcaktonte “kjo ishte nji fazë mpirje e dukshme e opinionit në Shqipëri që, siç duket nga shënimet e vëzhguesve politikë në Kosovë u shoqërua me ankth e padurim” . Paraqitja e të njëjtës problematike në këto dramatizime jehonizonin të njëjtat probleme siç përcolli Lëvizja studentore e 81, nga problemet ekonomike, nëpunësit serbë, taksat e larta që varfëronin këtë tokë pjellore, fëmijët nuk mësojnë gjuhën e nënës, thirrja: se Pushka ven në vend atë që se bën fjala, se: shqiptari ka luftue me fjalë e pendë, apo se zjarri e hekuri i pushtuesit asnjëherë nuk e shujti dëshirën për liri dhe bashkim kombëtar, paralajmëronin qartë qëllimin e qeverisë shqiptare dhe synimet konkrete që i thuheshin popullit të Kosovës përmes dramatizimeve si mbështetje legale e fuqishme e frymëzuese për popullin e vet. Qëllimi, qartësia dhe drejtimi me një program të mirpërcaktuar që më parë pararendin në mënyrë analitike gjithë problemet që shoqëruan demonstratën e 81 që kërkon vetëqeverisje. Besa Besë, Epoka para gjyqit, Për trojet tona , jehonizuan “Lëvizjen studentore” dhe mbarëpopullore që doli me program të caktuar, me detyra të qarta dhe kërkesa të qarta jo vetëm ekonomike por dhe politike e territoriale për “Kosova Republikë”. Për shqiptarët në Kosovë ndodhi që një ngjarje të mbajë mbi vete më shumë se dy dekada jehonë dhe si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjera. Qeveria e Tiranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke, artit, gjuhës, traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj, përkushtimin e pakufishëm të shqiptareve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese e kishte ditur shkëlqyeshëm qeveria e Tiranës. Në Tiranën e viteve 81, pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi, pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta, ansamblet artistike, këngët që ishin përgjithësisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, dramatizimet me tema patriotike, të gjitha këto ishin fakte më se të prekshme dhe të pranueshme nga koha dhe njerëzit e zakonshëm tek të cilët u përcoll jehona e Pranverës Shqiptare të 81.

_______________________

DR.ERMIRA YMERAJ: ARKETIPI I BOTËS FEMËRORE TE MIGJENI, KADARE, KONGOLI DHE KOLIQI

http://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=9181


 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks