SHKRIMI
e premte, 28 prill 2017

ELIFE LUZHA: PIKPAMJET E FILOZOFËVE RRETH LIGJIT SI THEMEL I ORGANIZIMIT SHOQËROR (I)

(Në qoftë se njerëzit duan të gjejnë kënaqësi në vetvete duhet ta kërkojnë vetëm në filozofi. Sepse për kënaqësitë e tjera nevojiten njerëzit” - Aristoteli) Filozofia është refleksion që synon diturinë dhe mençurinë. Refleksioni është metoda, pra rruga drejt diturisë, kurse mençuria është qëllimi. Refleksioni filozofik ka për objekt vetë të menduarit. E mendimi filozofik lind për t’u përgjigjur në një pyetje, pra në një shqetësim.

ÇKA ËSHTË FILOZOFIA?

     Që në lashtësi është krijuar koncepti për filozofinë si dije për gjithçka. Edhe vetë emërtimi filozofi vjen nga fjala greke “Philosophia” - “dashuria për të ditur”. Filozofia merret me probleme të përgjithshme dhe fondamentale si: ekzistenca, dituria, e vërteta, e bukura, ligji, drejtësia, vlefshmëria, mendja dhe gjuha (Wikipedia.org). Filozofia nuk është njohje e thjeshtë e botës; ajo të bën të pyesësh veten mbi enigmat që shfaqen në sfondin e kësaj bote që na hapet para syve (Gadamer, 2008:32). Filozofia fillon me ndjenjën e habisë dhe të kuriozitetit njerëzor, i cili shprehet në pyetjet: “Çfarë janë në të vërtetë sendet”? Faktet si lindja, vdekja, rritja dhe shkatërrimi, ngrenë pyetje jo vetëm rreth fatit personal, por edhe si sendet dhe personat fillojnë të ekzistojnë, si mund të jesh i ndryshëm në kohët e ndryshme etj. (Samuel Enoch Stumpf:3). Edhe pse qëndron krahas shkencave në studimin e natyrës, shoqërisë dhe mendimit njerëzor, filozofia ndryshe prej tyre nuk mbështetet në eksperiment dhe vëzhgim por vetëm te mendimi (www.forumi.parajsa.com).









Sokrati




     Filozofia është refleksion që synon diturinë dhe mençurinë. Refleksioni është metoda, pra rruga drejt diturisë, kurse mençuria është qëllimi. Refleksioni filozofik ka për objekt vetë të menduarit. E mendimi filozofik lind për t’u përgjigjur në një pyetje, pra në një shqetësim. Shqetësimi intelektual është element nxitës apo lëvizës i refleksionit filozofik. Për Sokratin ta zgjosh një shpirt drejtë filozofisë do të thotë t'i mësosh atij tronditjen. Kurse përmes tronditjes fillon refleksioni,(www.forumi.parajsa.com). Pa dyshim se mrekullia e parë e madhe në zhvillimin e njerëzimit mbi të gjitha është gjuha (Popper, 2008:16) Filozofia e zbërthyer përmes gjuhës, duhej të ishte fuqia për ta bërë njeriun të lumtur. Por jeta ka vërtetuar se filozofët nuk ishin njerëz të lumtur. Edhe pse mund të parashikonin me saktësi disa gjëra si për shembull eklipsin diellor (p.sh.Talesi), megjithatë ata nuk mund të jepnin receta të gatshme për të zgjidhur çdo vështirësi në jetën e njeriut. Disa kultura herët kishin gjetur përgjigje në lidhje me çështjen e jetës njerëzore siç është: misteri i vdekjes, mrekullia e lindjes apo edhe format e pafund të organizimeve fetare, pasi që njerëzimi ishte kurioz të dinte rreth pyetjeve filozofike, por gjithçka imponohej nga traditat fetare. Civilizimet si ato të Egjiptit, Kinës, Asirisë, Babilonisë, Palestinës, Persisë apo edhe të Afrikës kishin njohur zhvillime të artit, si dhe forma qeverisjeje të avancuara, por asnjëra nga këto nuk kishte të arritura filozofike apo shkencore me përjashtim të Indisë, ku mendimi filozofik ishte i lidhur me fenë. Përderisa në Kinën e kohës së Konfucius (551- 479) kishte përpjekje të zhvillimit të filozofisë, por që i mungonte epistemologjia apo logjika.

     Po si u paraqit filozofia në një çast të caktuar të historisë së njerëzimit? Se bërthama e filozofisë ka rrënjët në Greqinë antike nuk është edhe interpretim i drejtë. Athina është pika kulmore ku kishte lulëzuar kultura greke, por kjo ka ndodh relativisht vonë (Guchet,2008:18). Vendlindja e filozofisë është qyteti bregdetar i Miletit, i cili ndodhet përballë detit Egje nga Athina në brigjet perëndimore të detit Jon në Azinë e Vogël (Samuel Enoch Stumpf:3). Është e njohur edhe “shkolla e Miletit” (nxënës i së cilës ishte Talesi) për të cilat burime na flet mbi të gjithë Aristoteli (Guchet, 2008: 19).

     Zhvillimi i filozofisë si profesion është njohur në shek. 6 p.k. në Greqi, sepse njerëzit atje për herë të parë kundërshtuan të pranonin pa asnjë diskutim parashikimet që vinin nga tradita, dhe vendosën të drejtën zakonore, me ligje të zgjedhura nga vullneti i tyre (Jacoby, 2006:6). Filozofët e parë ishin grekë, kurse Greqia e zhvilloi gjuhën e filozofisë (Gadamer,2008:19). Sokrati, Platoni dhe Aristoteli ishin përfaqësuesit më të denjë të mendimit filozofik dhe politik të Greqisë antike. Ndryshe nga civilizimi kinez filozofia e Sokratit lidhej me njohurinë për hir të pasurimit njerëzor me dije dhe përdorimit të eksperimenteve dhe argumenteve logjike, duke mos u bazuar në argumentet fetare (www.forumi.parajsa.com)









Aristoteli




     Thënia e Sokratit dhe Demokritit se:“Është më mirë të vuajmë padrejtësinë sesa të bëjmë padrejtësi” u bë frymëzim për gjithë ata që virtytet e larta njerëzore dëshironin t’i materializonin me vepra paqeje e zhvillimi njerëzor. Sokrati ishte biri i një gurthyesi në Athinë, dhe një nga figurat më të rëndësishme dhe më enigmatike të filozofisë. Ai nga një spekulues kosmologjik rreth parajsës dhe hapësirave, kaloi te trajtimi i etikës, se si njerëzit duhej të organizonin jetën e tyre. Ideja për modestinë intelektuale buron pikërisht nga Sokrati. Ai na mësoi “Se i mençur është vetëm ai, që e di se nuk është i mençur” (Popper, 2009: 82). Si Sokrati edhe Platoni, shtronin kërkesën se burri i shtetit duhet të jetë i mençur (Popper, 2009:50). Filozofët grekë ishin materialistë, të cilët nuk besonin Zotin, apo jetën pas vdekjes. Thuhet se Platoni është filozofia vetë dhe vetë filozofia është Platoni. Nga Platoni vijnë të gjitha idetë që shkruhen edhe debatohen edhe sot nga kokat e mendimit. Ai ishte baba i filozofisë. Platoni më i madhi, më i thelli dhe më gjeniali i të gjithë filozofëve, ishte edhe themelues i Akademisë më të rëndësishme profesioniste të filozofisë, që u shkri me dekretin e Justinianit (Gadamer, 2008:26)









Platoni




     Në një kuptim ky ishte edhe universiteti i parë që u themelua në historinë e Evropës perëndimore. Si poet i inspiruar, krahas veprave tjera të mrekullueshme Platoni shkroi edhe ''Apologjinë e Sokratit'' (Popper,2009:7) Ishte ndjekës i Sokratit dhe zhvillues i ideve të tij, kur dimë se Sokrati asgjë nuk la të shkruar. Platoni ishte mësues i Aristotelit dhe këshilltar i mbretërve Dionis dhe Dion. Qëllimi i tij ishte formimi i një shteti ideal ashtu siç shkruan në librin e tij ''Republika'', ku thotë se filozofët komandonin me drejtësi. Si u mendua shteti, drejtësia, organizimi dhe fuqia e ligjeve që nga antika e deri në kohët moderne do të shohim në rrjedhën e shkrimit në vijim.

SOFIZMI SI FILOZOFI

     Nuk e kemi edhe lehtë të përgjigjemi në pyetjen çka është filozofia, nga se do të kemi përgjigje të panumërta. Në fakt, nuk mund të flasësh për filozofinë pa marrë parasysh konceptin e kundërt të saj, sofistikën. “Sofistika” është si të thuash të sjellësh rrotull artin e dialektikës, të nxjerrësh në pah kundërthënie vetëm nga dëshira për të pasur të drejtë. Parulla e sofistëve ishte: ta kthesh gjënë më të dobët, falë argumentimeve shumë të mprehta, në më të fuqishmen, nëpër gjykata dhe sidomos debate (Gadamer, 2008: 49). Historia na shpjegon se filozofia ka lindur me Heraklitin (550 p.e.s /480 p.e.s). Edhe Hegeli më pas famën e tij botërore do ta fitoj në Berlin pasi citon disa nga fragmentet e Heraklitit. Nga Herakliti njohim vetëm disa citime të sjellura nga Aristoteli (Gadamer, 2008:37). Përderisa filozofët e mëparshëm u përqendruan në përshkrimin e përbërjes së sendeve, Herakliti e përqendroi vëmendjen në një problem të ri, në problemin e ndryshimeve. Ideja kryesore e Heraklitit ishte se “të gjitha sendet rrjedhin”. Këtë koncept të ndryshimit konstant e kishte shprehur duke thënë se “ju nuk mund të kaloni dy herë në të njëjtin lum”. “Lumi ndryshon sepse “ujërat e freskëta rrjedhin gjithmonë nën ju”. Ky koncept i rrjedhjes ishte i zbatueshëm edhe në të gjitha sendet, duke përfshirë edhe shpirtin njerëzor (Samuel Enoch Stumpf:13). Nëse ‘’gjithçka rrjedh’’ (lëviz) atëherë ne nuk dimë asgjë ngase “gjithçka rrjedh”.









Herakliti




     Platoni nëpër gjurmët e mësuesit të tij, Sokratit ka bërë një revolucion në historinë e filozofisë, megjithatë Herakliti i dha trajtë mendimit filozofik, të cilin e përsosi më vonë Parmenidi (515 p.e.s /450 p.e.s). Nga Parmenidi njohim tekstin e parë të shkruar, tërësisht filozofik, me të veçantat e tija. Është diçka e jashtëzakonshme që ekziston një vepër kaq e gjatë mbi natyrën, kozmosin, gjenezën dhe mbi origjinën e botës. Është ruajtur vetëm pjesa e parë e poemës, që ka ngjallur një interes të thellë në historinë e filozofisë. Dialogu midis mësueses dhe nxënësit shprehur në veprën e Parmenidit, dhe sidomos kur ajo e këshillon atë duke i thënë ‘’Mos ndërro rrugë dhe mos bjer në një pamundësi të tillë si asgjëja’’, do të na shërbejë edhe sot, si një udhërrëfyes apo vizion drejtë edukimit dhe ruajtjes së virtyteve të larta njerëzore.

Sofizmi u paraqit në shekullin V p.e.s në Athinë, duke bërë një kthesë të dukshme në filozofi, e cila deri në atë kohë ishte e përkushtuar vetëm ndaj natyrës. Filozofia tani iu përkushtua edhe realiteteve tjera si: njeriu, shteti, morali, lumturia etj. Vetë fjala “sofist’’ rrjedh nga greqishtja që do të thotë i urtë, i mençur, kurse në shqip do t’i themi, pleqnar. Sofistët kishin horizont të gjerë të dijeve, ishin oratorë, këngëtarë, muzikologë, filozofë, poetë, ndërsa disa i quanin edhe hyjni. Por në anën tjetër, ishin edhe sharlatanë në lëmenj të ndryshëm, sidomos kur me fuqinë e fjalës së tyre, nëpërmjet mjeshtërisë së veçantë retorike që zotëronin, mundoheshin ta shndërronin të pavërtetën në një të vërtetë. (http://filolet.ch/sofistet.htm). Sofizmi ka shpikur mendimin filozofik të politikës (e jo politikën), i cili u përfaqësua nga retorikët më të njohur të asaj kohe: Protagora, Gorgiasi dhe Hipiasi. Thënë thjeshtë, ata vinin gishtin mbi plagën e shoqërisë, por për këtë shpeshherë edhe keqkuptoheshin. Kurse përbuzja që ju bë atyre nga ana e aristokratëve si dhe filozofëve tjerë pasardhës, vinte kryesisht nga fakti se ata realizonin mësimdhënie me pagesë. Është e rëndësishme rimëkëmbja e sofistikës në ditët tona, sa i përket konteksti teorik. Kjo nga fakti se revolucioni sofistik ishte revolucion demokratik.









Protagora




     Athina në kohën e sofistëve ishte e sunduar nga Perikliu, ku aristokracia ishte zëvendësuar me demokracinë. Pikërisht kjo u ndihmoi sofistëve që me prakticitetin e tyre të jenë të përshtatshëm për skenën demokratike të kohës. Mënyra e vjetër e edukimit, ku kërkohej të mësohej gjimnastika, leximi dhe pak muzikë, tanimë ishte e mangët për kohën. Demokracia në fushën e edukimit kërkonte dije dhe sfida të reja. Këto kërkesa të kohës i sollën në pah sofistët, të cilët morën përgjegjësinë të edukojnë qytetarët e lirë (www. Wikipedia.org). Qytetarët në demokraci më lehtë tërhiqeshin në diskutime politike, andaj sofistët me nevojë urgjente jepnin mësime plotësuese, dhe përgatitnin udhëheqës të përshtatshëm. Fuqia e të folurit u bë tepër e nevojshme për athinasit, e sidomos për ata që pretendonin poste udhëheqëse, të cilëve u kërkohej të pasqyronin ide të qarta dhe bindëse nëpër asambletë popullore (Samuel Enoch Stumpf: 30).

Sofistët, si frymë e re për kohën, hapur dyshonin në ekzistimin e Zotit dhe në moralin absolut. Çdo gjë është relative, dhe secili individ e ka një të vërtetë dhe moral personal, theksonin ata. Kurse drejtësia çdo here është në anën e të fortit, për këtë ata shpreheshin: ''Fitimtarët e shkruajnë historinë'', thënie kjo e qëlluar edhe për Greqinë e fuqishme të asaj kohe. Sipas tyre e drejtë është vetëm ajo që kryhet me sukses. Kurse për të pasur një shtet të drejtë, nuk mjafton vetëm gjurmimi i të drejtës në vetvete, por duhet bërë nxitja e qytetarëve që të zotërojnë logos-in, pra ligjërimin (Mere, 2007:14). Gjërat përcaktohen dhe njihen si të tilla, vetëm nëpërmjet ligjërimit njerëzor. Natyra asgjë nuk bënë pa qëllim dhe njerëzit janë qenie e vetme të privilegjuara me aftësinë për të folur. Aftësia për të prodhuar zëra, për të shfaqur dhimbje dhe dëshirë, gjendet edhe tek qenie të tjera të gjalla. Ato e ndiejnë dhimbjen dhe dëshirën dhe ia bëjnë këtë të njohur njëra-tjetrës. Mirëpo, e folura shërben për të sqaruar se çfarë është e drejtë e çfarë është e pa drejtë thoshte Aristoteli (Midgaard, 2007:39).

     Megjithatë, retorika shumë shpejt u bë si thikë e cila mund të përdoret si për të mirë ashtu edhe për të keq (për të prerë fruta ose për të vrarë). Ai që e zotëroi fuqinë e retorikës u bë i aftë për të zgjidhur probleme shumë të mëdha edhe duke imponuar bindjet. Kalimi nga një retorikë te tjetra ishte lehtësuar shumë nga sofistët skeptikë, në at masë që i bëri ata si të dyshimtë. Askush nuk mund t’i kritikonte ata për përgatitjen e juristëve të aftë, për të argumentuar të dy anët e rastit (Samuel Enoch Stumpf:30). Deri sa arti i të folurit është i lidhur me gjetjen e së vërtetës, atëherë asgjë nuk ka për t’u ankuar, thoshin sofistët. Ata vepruan me idetë e tyre sidomos nga viti 480 p.e.s., periudhë kjo kur më të dalluarit ishin sofistët si: Gorgiasi dhe Protagora. Filozofia sofiste dominoi deri në periudhën e Aristotelit. Ky i fundit sofizmat i shihte si jofilozofi (Mere, 2007:12).

SOFISTËT E NDIHMUAN DEMOKRACINË E RE NË ATHINË

     Protagora, ishte i lindur në Abder të Thrakisë nga viti 480 p.e.s. Ishte sofist i përkryer dhe relativist e skeptik, si dhe mik i Perikleut. Ky i fundit e sundoi Athinën gjatë kalimit nga aristokracia në demokraci, sundim ky që zgjati mbi njëzet vjet. Perikleu ishte njohur si burrë shteti me ndikim në Athinën e asaj kohe dhe kishte angazhuar Protagorën për të krijuar ligje. Ai caktoi rrogë për gjyqtarët dhe kështu secili prej demagogëve shkonte gjithnjë përpara duke shtuar pushtetin e popullit derisa u vendos demokracia (Aristoteli, 1978: 74). Perikliu ishte gjeneral, demokrat dhe orator i dalluar, i cili bëri histori edhe me fjalimin e tij të famshëm për të rënët e vitit të parë të Luftës së Poloponezit, kur thotë: “Qeveria jonë është origjinale. Ajo nuk ndjek shembullin e asnjërit prej fqinjëve tanë... Në drejtësinë tonë ndiqet parimi se të gjithë janë të barabartë para ligjit... Ne i emërojmë administratorët në funksionin e tyre, sipas meritës dhe aftësisë që kanë... Asnjë qytetar nuk lihet jashtë punëve të qytetit nëse ai mund të kontribuojë...“.









Perikliu




     Historiani i njohur, Tukididi, ishte kundërshtar politik i Perikliut. I pyetur nga mbreti i Spartës se kush nga këta dy ishte më i fort në gojtari dhe në luftë, Tukiditi ishte përgjigjur: “Po të luftoj unë me Perikliun e mund dhe e shtrij për tokë, ndërsa kur të ngrihet ai do të dijë të tregojë me të tillë elokuencë sikur të ishte ai fitues që më ka mundur mua. Të gjithë të pranishmit do ta besojnë edhe pse e kanë parë me sytë e tyre të kundërtën!” (www.syri3.com).

     Pikërisht ky fakt, na e qartëson fuqinë oratorike prej sofisti të Perikliut, të ndikuar pa dyshim edhe nga Protagora. Protagora udhëtonte qytet më qytet dhe kishte aftësi të mbronte çdo tezë që mund t'i paraqitej! ''Mbi çdo gjë mund të bëjmë dy pohime plotësisht të kundërta'' thoshte ai, duke i dhënë përparësi logos-it pra “gjuhës” ose “ligjërimit”. Ligjet dhe rregullat morale janë të bazuara jo mbi natyrën por mbi konvencionin thoshte Protagora. Çdo shoqëri ka ligjet dhe rregullat e veta morale. Shteti i bën ligjet dhe këto ligje duhet të pranohen nga çdo njeri. Është në interes të një shoqërie paqësore dhe të rregullt, që t’i edukojë njerëzit në mënyrë që t’i ruajnë zakonet, ligjet, rregullat morale dhe traditat e tyre. Të rinjtë duhet të edukohen që të pranojnë dhe të mbështesin traditën e shoqërisë së tyre, jo sepse tradita e tyre është e vërtete, por sepse ajo bën të mundur një shoqëri të qëndrueshme, thoshte ligjbërësi Protagora (Samuel Enoch Stumpf: 32).

     Si Protagora dhe Gorgiasi ishin ndër sofistët më të ndritur, dhe sipas tyre jashtë gjuhës nuk ekziston asnjë normë për të vërtetën. Për ta e vërteta është retorikë ose nuk ekziston fare! Sipas Protagorës logos-i (gjuha) është ajo që mundëson njohjen e gjërave të shtetit (polis-it) (Mere, 2007:13). Por gjithsesi, jo të gjithë sofistët kishin të njëjtin mendim. Vizita e tij në Athinë nga viti 431, ishte edhe vendimtare për jetën e tij, meqë u ngrit padia (procesi) sepse kishte folur kundër perëndisë. ''Unë nuk mund ta di se ekziston a nuk ekziston perëndia'' kishte thënë ai. Por, Protagora i iku procesit dhe duke lundruar për në Sicili, anija u fundos. Që nga zhdukja e Protagorës, u hesht çdo gjë për të dhe rreth tij, duke e shndërruar edhe vet procesin në enigmë. Ky rast ishte heshtur deri një shekull më vonë, kur Aristoteli e përmend këtë proces, duke e bërë të njohur edhe akuzuesin që e vërteton se ngjarja vërtet kishte ndodhur.

     He Gorgiasi në Athinë kishte ardhur si Ambasador nga Sicilia, më 427 p.e.s.. Ai mori një qëndrim radikal ndaj së vërtetës, duke e mohuar plotësisht atë, sa hoqi dorë nga filozofia dhe u kthye te të mësuarit e retorikës. (Samuel Enoch Stumpf:32). Si orator i famshëm për logos-in dhe ligjërimin në përgjithësi shprehej: ''Fjala është despot i plotfuqishëm''! Arti i të folurit dhe manipulimit janë ''Çelësi i pushtetit politik''. Gojëtari e ka mundësinë e të folurit, për të qenë më bindësi para turmës, duke dhënë përgjigjen e duhur për çdo pyetje pa dallim. Nëpërmjet zotërimit mjeshtëror të gjuhës, mund të argumentojmë të vërtetën apo të pavërtetën e një gjëje, shprehej Gorgiasi. Për këtë, sulmin më të egër e mori nga Sokrati dhe nxënësi i tij Platoni. Sipas tyre, sofistët më shumë e nderojnë të mundshmen se sa të vërtetën, çka duhet të jetë e palejueshme. Pikërisht ky kundërshtim i Sokratit dhe Platonit bënë që fjala sofist, shpeshherë edhe sot të ketë domethënie fyese.









Georgiasi




     Aristoteli njeriun e konsideron “Kafshë shoqërore” apo “Qenie politike”. Ajo që e dallon njeriun nga kafshët është kërkesa për një jetë të mirë. Ka edhe diçka tjetër që e karakterizon njeriun, pa të cilën sipas Aristotelit një jetë e mirë politike nuk do të ekzistonte, diçka pa të cilën njerëzit nuk do të ishin tjetër veçse kafshë. Kjo gjë vendimtare, thotë Aristoteli, është fjala, gjuha, ligjërimi (logos) (Mere,2007:25). Nëse ekziston një lidhje shoqërore “natyrore” kjo ndodh për shkak të gjuhës. Pra nëse njerëzit jetojnë natyrshëm politikisht kjo ndodh sepse ata flasin. Lidhja socio - politike nuk do të ekzistonte pa atë që e përbën; fjalën. Parim i gjithë jetës politike është gjuha (Mere, 2007:26). Pikërisht ky mendim na bën të kuptojmë përputhshmërinë e mendimit aristotelian me atë të sofistëve, edhe pse për sofistët ai thoshte se: “ata janë si mjekët që lexojnë vetëm libra, por nuk studiojnë pacientët” (Mcdonald, 2006:97).

     Por, të kalojmë tek Gorgiasi, i cili si edhe sofistët tjerë mbrojtën ''tezën e të fortit''. Konkluzioni shumë i dalluar i Gorgias se: ''E vërteta nuk ekziston'' me të vërtet e vë atë në një shkallë më të veçuar ndaj sofistëve tjerë. Sipas tij, çështja themelore është se si të qartësohemi mes gjërave, apo thënë thjeshtë cili është kriteri i veprimit? Gjithsesi Gorgiasi e përcakton këtë kriter, duke thënë se kriteri i veprimit është volitshmëria, pra nëse është apo jo e volitshme të veprosh. Ta kapësh rastin do të thotë se është e volitshme të veprosh shprehet ai. Çasti i volitshëm (Kajros) është kriter për veprim politik, si dhe normë e çdo politike thotë Gorgias (në kuptim të ngushët të saj kjo nuk është një ide teorike por një maksimë praktike) (Mere, 2007:13). Sofistët e përdorën armën e gjuhës për realizimin e qëllimeve të tyre, aq shumë e kërkuar kjo, për komunikim në demokracitë e çdo kohe. Në zhvillimin e mëtutjeshëm të filozofisë u bë e pamundur që të mos debatohet e shqyrtohet rreth tematikave që sofistët shpalosën në kohën e tyre. Edhe pse sot fjala sofist nga shumë përdoret kryesisht për kundërshtarët e tyre, në të shumtën e rasteve ajo ka konotacion pozitiv si “Enciklopedi në lëvizje”, me çka kuptohet dituria e madhe që kishin marrë sofistët edhe si rezultat nga udhëtimet dhe kontaktet e shumta që kishin ata.

VIJON...

- Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY - Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë - Prishtinë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks