SHKRIMI
e martë, 21 nëntor 2017

SHERADIN BERISHA: UKSHIN HOTI, EMBLEMË E FILOZOFISË POLITIKE SHQIPTARE(II)

Pashtriku.org, 16. 05. 2014 - (Homazhe për martirët dhe burgosja e dytë e Ukshin Hotit) - Dihet mirëfilli se Ukshin Hoti ishte banorë i një treve, e cila në fillim të vitit 1990 u bë vatër rrezatimi për gjithë Kosovën, sepse pikërisht në afërsi të Rahovecit e Krushës së Madhe, në Brestovc, u bënë lëvizjet e para për demokraci, ku në një demonstratë të mbajtur në këtë fshatë (më 27 janar 90) u vranë katër të rinjë: Nesimi Elshani nga fshati Nagavc, Agron Fetahu nga fshati Celinë, Hilmi Krasniqi nga fshati Hoçë e Vogël dhe Halim Hoti nga fshti Krushë e Madhe, si dhe u plagosën 19 të tjerë. Ukshin Hoti, në shkurt të vitit 1992 (në dy vjetorin e vrasjes) duke u vu në krye të një mase banorësh të këtij rrethi niset për t’i nderuar me një homazhë martirët e vrarë, por, policia serbe, duke e trajtuar këtë veprim si provokacion, ua zë rrugën dhe kërkon që të tërhiqen, por të njëjtën gjë e kërkon edhe Ukshin Hoti, ndërkohë policia i vë në përdorim armët e zjarrit, dhe me këtë rast plagosin një student nga Krusha e Vogël. Për këtë akt të guximshëm, Ukshin Hoti do të dënohet me dy muaj burgim, të cilin do ta mbajë një vit më vonë, në mars - prill 1993.

Ukshin Hoti në shkrimin: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!” kushtuar martirëve të Brestovcit, shkruan: “Në mëngjezin e 27 janarit të vitit 1990, nga Krusha e Madhe, një fshat ku degëzohen tri rrugë, ato që të shpien në Prizren, Gjakovë dhe Rahovec, një grup i madh njerëzish, burra e djelmosha, ishte nisur për në Rahovec. Rrugës iu kishin bashkuar edhe të tjerë nga fshatrat e afërta, nga Celina (të cilët ngulnin këmbë se janë nisur nga Celina), Nagavci, Hoça e Vogël, Randobrava, Pirana dhe Brestovci. Kërkonin Liri dhe Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Një numër policësh u kishin vajtur mbrapa. Kishin qenë të armatosur dhe të hipur nëpër makina, të cilat nuk i kishin ngarë shpejt, po vetëm sa për t'u qëndruar afër. Dhe sa më shumë që kolona e demonstruesve ishte zgjatur, ata kishin mbetur gjithnjë e më mbrapa. Në fshatin Brestovc, aty ku rruga fillon të gjarpërojë mengadalë përpjetë për të arritur në Rahovec, ua kishte zënë pritën një togë e policisë speciale, me automjete të blinduara, me rroba speciale anti-plumb, të pajisur me armatim të lehtë këmbësorie.



Brestovc, Shkurt 1992: Ukshin Hoti - homazhe në vendin ku ranë martirët...


Nga pikëpamja taktike, pozita e tyre kishte qenë më e favorshme. Ndodheshin më lart se demonstruesit, të cilëve, për të bërë përpara në drejtim të tyre, u duhej të ngjiteshin përpjetë. Nga ajo pozitë e lartë ata i kishin vënë re demonstruesit që kërkonin Liri e Demokraci dhe që e kishin menduar Republikën. I kishin pasur si në pëllëmbë të dorës. Atje lart ndodheshin edhe skeletet e disa shtëpive private në ndërtim e sipër që mund t'u shërbenin për zënien e pozitave të shkëlqyera në rast lufte me demonstruesit. Por këta të fundit kishin qenë të paarmatosur. Dhe ashtu të paarmatosur, duarthatë e gjysmëzbathur, kishin kërkuar Liri e Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Akoma pa arritur lart, afërsisht kah gjysma e përpjetëzës, përmes megafonit, policia speciale u kishte bërtitur: "Stoj!" Mirëpo këta nuk kishin dashur ta kuptonin "Stojin", sepse kishin qenë në vendin e tyre, ndërsa urdhërin shqip "Ndalu!" nuk e kishin dëgjuar. Kishin bërtitur gjer në kupë të qiellit: "Liri dhe Demokraci", - dhe gjer në thellësitë e shpirtit e të tokës e kishin gjakuar Republikën. Qielli nuk i kishte dalluar, se tokën ndërkaq e kishte mbuluar tymi i zi i gazit lotsjellës. Gumëzhima e krismave të pushkëve dhe të automatikëve e kishte çarë ajrin. Ky i kishte kthyer në jehonë. Fishkëllima e plumbave dhe zhurmërima e autoblindave e kishin shkatuar një zallahi të përgjithshme nga e cila nuk ishin ndjerë dot as dhembjet prej goditjeve të rënda të çizmeve policore. Policia ishte depersonalizuar, ishte shndërruar në pushtet. Ndërsa pushteti në shënjestër.” (Hoti: Krushë e Madhe, janar 1992) 

Përgjakja e Ukshin Hotit te udhëkryqi i Komoranit!

Në Maj të vitit 1993 Ukshin Hoti u përgjak nga forcat e policisë serbe, te udhëkryqi i Komoranit gjersa po kthehej në vendlindje, pas punëve të kryera në Universitetin e Prishtinës dhe vizitës që ia kishte bërë grupit grevistë në krye me Adem Demaçin, në pallatin e shtypit në Prishtinë. Ndonëse kisha kontakte të vazhdueshme me Ukshin Hotin, pas këtij rasti e vizitova në shtëpinë e tij në Krushë të Madhe dhe e mësova se si ka ndodhur ngjarja. Atë ditë Ukshin Hoti, pasi ka marrë pjesë në një takim pune në Universitetin e Prishtinës e ka vizituar Adem Demaçin (në pallatin e shtypit), i cili bashkë me disa gazetarë dhe punëtorë të „Rilindjes“ prej disa ditësh ishin futur në grevë urie, dhe në mbëmje dikur pas orës 21:00 derisa po ktheheshin nga Prishtina për në Krushë të Madhe (bashkë me Agron Limanin), te udhëkryqi i Komoranit i ka ndalur policia serbe. Pasi janë legjitimuar dhe kanë mësuar se kush janë, duke u sjellur me vrazhdësi i kanë dërguar në stacionin policor në Gllogovc. Derisa Ukshin Hoti është provokuar e keqtrajtuar psikikisht, disa policë të tjerë Agronit - ia kishin lidhur duart dhe e kanë rrahur mizorisht! Pas këtij keqtrajtimi Ukshin Hoti dhe Agron Limani janë liruar, dhe gjatë rrugëtimit me makinë, në dalje të Gllogovcit sërish i ka ndalur një patrullë e policisë serbe dhe pa pritur në mënyrë të rrufeshme kanë vazhduar t’i rrahin barbarisht deri në alivanosje. Me këtë rast Ukshin Hoti ka marrë lendime të rënda trupore, në kokë, në fytyrë, në këmbë si dhe i janë thyer disa brinjë! Mbaj mend se, për këtë rast Ukshin Hotin, e kanë vizituar shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, por, edhe një delegacion i misionit vëzhgues të OSBE’së me seli në Prizren.



Ukshin Hoti gjatë vizitës që ju bëri grevistëve dhe Adem Demaçit. Greva u organizu, në katin e 7 në pallatin e shtypit - më 24 maj dhe zgjati deri më 3 Qershor 1993.




*  *  *





Në Maj 1993 Ukshin Hoti u përgjak nga forcat e policisë serbe, te udhëkryqi i Komoranit!


Organizimi politik i Ukshin Hotit, burgosja e tretë dhe gjykimi

Ukshin Hoti në aspektin politik, fillimisht do të angazhohet në Degën e LDK’së në Rahovec, mirëpo për shkaqe të panjohura, ai vendosi të tërhiqet nga kjo parti për të gjetur forma tjera të arganizimit politik. Në një intervistë për revistën “Gurra”, që kam bërë me Ukshin Hotin në fillim të majit 1992 (në prag të zgjedhjeve të 24 majit të atij viti), në pyetjen: “Si e shpjegoni dorëheqjen tuaj nga LDK’ja?” Ukshin Hoti përgjigjet: “Do të doja që LDK’ja të jap shpjegime të duhura e jo unë. Meqenëse ata po e konsiderojnë të arsyeshme që të mos jepen shpjegime, edhe unë do të heshti deri në momentin, kur do të jetë e domosdoshme t´i sqarojmë gjërat.” (Hoti, “Gurra” f.7-9.) Në fakt, më vonë kuptohet se Ukshin Hoti largohet nga LDK për shkak të injorimit që i bëhesh atij nga Dega qëndrore e LDK’së, veçanërisht nga Kryetari Ibrahim Rugova dhe sekretari i Përgjishëm i partisë - Jusuf Buxhovi.

Në vitet 1991 - ’94 Ukshin Hoti merrë pjesë në shumë takime e tryeza të mbajtura në qytete, fshatra, në UP, në disa simpoziume me karakter gjithëkombëtarë që u mbajtën në Shkup, Tetovë e gjetiu, dhe në mënyrë shkencore i argumenton tezat e tij tashmë të njohura politike, duke shtuar edhe një fakt me rëndësi, se në rrethanat e reja ballkanike, kur nuk ekzistonte tashmë shteti federativ siç ishte Jugosllavia, opcioni i vetëm rreth të cilit do të duhej të koncentroheshin Shqiptarët ishte bashkimi i gjithë kombit Shqiptar në Ballkan në një shtet të vetëm. Ky bashkim sipas Ukshin Hotit, do të duhej bërë në mënyrë demokratike dhe paqësore, sepse do të ishte në interes të gjithë rajonit.

Meqenëse atëkohë këto teza të Ukshinit, i përfaqësonte edhe një parti legale në Kosovë, Partia e Unitetit Kombëtar të Shqiptarëve (UNIKOMB’i) atëherë me propozimin e kreut të kësaj partie ai pranon të bëhet Kryetar i saj. Pa humbur kohë harton një deklaratë politike të UNIKOMB’it, me të cilën do t´i bëhej me dije opinionit Shqiptar dhe atij ndërkombëtar, për aktivizimin, freskimin, rigjallërimin dhe luftën politike të kësaj partie për bashkimin e kombit në një shtet të vetëm në Ballkan. „Parimi i proklamuar gjatë fazës së krijimit të shteteve nacionale në Evropë - një komb/një shtet, sipas të cilit pjesa absolutisht më e madhe e një populli përfshihej brenda kufijve nacionalë të shtetit të vet (shtetit/komb), në rastin e shqiptarëve, përkundër vullnetit të tyre, u implementua pjesërisht: më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe më tepër se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar…“ prandaj është i domosdoshëm „bashkimi i shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në një shtet të vetëm.“ - kështu e ka definuar Ukshin Hoti pikën e parë të Deklaratës politike të UNIKOMB’it (Deklarata politike - Maj 1994).



Hartimi i deklaratës politike të UNIKOMB’it, nga Ukshin Hoti - Maj 1994..


Mirëpo, çka ndodhi? Pikërisht, në kohën kur politikani dhe filozofi i shquar Ukshin Hoti po bëhej gati që ta merrte në dorë timonin e kësaj partie, më 17 maj 1994 gjatë rrugëtimit nga Prizreni për në Prishtinë arrestohet nga policia serbe, e cila, siç do të merret vesh më vonë, kishte qenë në dijeni të plotë për aktivitetin e tij gjatë atyre ditëve.

Më 30 Maj 1994, Prokurori Publik i Gjykatës Serbe të Qarkut në Prizren Dobrivoje Periç, ngriti Aktakuzën Kt.br.107/ 94 kundër Ukshin Hotit, ndërsa pas katër muaj e gjysëm hetimesh, saktësisht më 28 shtator 1994, po në Gjykatën e Qarkut në Prizren, Trupi Gjykues i përbërë nga: Nada Haxhi - Periç, kryetare dhe Xhafer Ajvazi e Jovana Denimanoviç, anëtarë të këtij trupi, me procesmbajtësen Zorica Kovaçeviç, shpallë aktgjykimin K.br.28/94 datë 28.IX.1994, ku Ukshin Hoti „U ime Naroda - Në emër të Popullit“!!! dënohet me 5 vjet burgim të rëndë. Po të lexohet me kujdes ky aktgjykim, duket qartë, se gjyqtarja Nada Haxhi - Periç këtë dënim e ka mbështetur kryesisht në pohimet e fjalës mbrojtëse (prej 21 faqesh në dorëshkrim) të Ukshin Hotit, se sa në provat materiale që i ka përdorur trupi gjykues gjatë këtij procesi të montuar politik., siç ishin: “Anëtarësimi i tij në “Partinë e Unitetit Kombëtar - UNIKOMB”, dhe në atë të “Lëvizjes Popullore të Kosovës - LPK” si dhe pesë numrat e revistës “Demokracia Autentike - DeA”...!!! Prej gjashtë faqesh e gjysëm sa ka aktgjykimi, tri faqe i ka vetëm nga fjala mbrojtëse e Ukshin Hotit. (Aktakuza Kt.br.107/94 dt.30.05.1994 dhe Aktgjykimi K.br.28/94 dt. 28. IX. 1994)

Si e mbrojti Ukshin Hoti në foltoren e gjykatës serbe kauzën e Bashkimit Kombëtar

Ukshin Hoti edhe gjatë procesit gjyqësor të mbajtur më 27/28 shtator 1994 kundër tij në Gjykatën serbe në Prizren, e argumenton në mënyrë shkencore bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm në Ballkan. „Populli shqiptar duhet bashkuar.“- thotë zëshëm Ukshin Hoti përpara Trupit Gjykues, dhe vijon: „Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t'i refuzohet a t'i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t'u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët. Kur u bë një gjë e tillë në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane në Londër, premieri i atëhershëm britanik, sër Edward Grey, që e kryesonte atëbotë atë konferencë, pati deklaruar publikisht se ishin të detyruar që ta flijonin këtë popull për shkak të ruajtjes së paqes evropiane.“

Ukshin Hoti - Ideolog i Lëvizjes Kombëtare

„Mirëpo paqja me këtë nuk u ruajt as atëherë dhe as më vonë“ - ka nënvizuar Ukshin Hoti, dhe ka vijuar: „Misionarë të ndryshëm të Lidhjes së Kombeve nga ajo kohë (1919-20) i propozonin popullit shqiptar që gjeniun e vet krijues ta orientonte në drejtim të rritës së brendëshme e të krijimit, ndërkaq Evropa, nga ana e vet, do të dinte që këtë gjë në një kohë të caktuar ta shpërblente. Ai një gjë të tillë e bëri. Dekada të tëra ai e duroi me dinjitet politikën e asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik të regjimeve të ndryshme serbe. Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë më se 240 000 njerëz. Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë të cilëve iu bashkuan edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve e të dëbuarve, por ai sillet diku rreth dhjetëra mijërave. Shkenca bën të njohur se vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, janë vrarë më shumë se 40 000 shqiptarë. Ekzistojnë madje edhe marrëveshje ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi si turq, por Evropa pati heshtur. Asnjëherë nuk i pati gjykuar, ndonëse ua pati premtuar shqiptarëve mbrojtjen e vet.“

Ukshin Hoti para Trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Nada Haxhi - Periq, ka theksuar se: “Ne e dijmë që kufijtë ndërkombëtarë Evropa i ka shpallur të pandryshueshëm, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të tyre me pranimin e palëve të interesuara. Prandaj bashkimi i popullit shqiptar duhet të realizohet në rrugë institucionale dhe me metoda demokratike. Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i Berlinit -1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2 në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë km2 në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.“

Në luftën e vet për bashkimin e tij, - Ukshin Hoti thotë se, - populli shqiptar ka të drejtë të presë ndihmë jo vetëm nga Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por pikë së pari prej atyre popujve të ish’Jugosllavisë me të cilët ka jetuar bashkërisht, dhe në rend të parë nga serbët. Serbët duhet ta kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar…“ dhe krejt në fund Ukshin Hoti nënvizon fuqishëm: “Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht për çfarëdo rregullimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit. Ky bashkim duhet të bëhet në bazë nacionale dhe jo religjioze. Mundësisht me rrugë institucionale. Prandaj njohja edhe de jure dhe konstituimi i plotë i Republikës së Kosovës është një akt me rëndësi të shumëfishtë për zhvilimin e mëtejshëm të situatës në këtë pjesë të Evropës, sepse bashkimi i popullit shqiptar është e drejtë e tij historike, imperativ i kohës, dhe fundja, është fati i tij historik. Popullit shqiptar i duhet të ndeshet me fatin e tij personal politik dhe pa kurrfarë dyshimi, në çfarëdo mënyre qoftë, ai këtë do ta bëjë. Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi që gjendet në qendër të trojeve shqiptare. (Hoti, Gj.Q.P - 28.09.1994)


.......................................


AKTAKUZA Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994 (KUNDËR UKSHIN HOTIT)





.................................................


AKTGJYKIMI K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994. fq.1, 2 dhe 7. (KUNDËR UKSHIN HOTIT)





Cili ishte shkaku i vërtet i mbajtjes së gjykimit kundër Ukshin Hotit

Ukshin Hoti në fjalën e tij të mbrojtjes, para gjyqit serbë, deklaron hapur se kush e ka arrestuar - burgosur dhe cili ishte shkaku i vërtet i mbajtjes së gjykimit ndaj tij. Ukshini, në fjalën e tij të mbrojtjes ka thënë (citoi): “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB’it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s'mund të qëndrojnë absolutisht …” - përfundon citati.

E kreu i asaj pjese të “alternativës shqiptare” për të cilën ka deklaruar Ukshin Hoti në mbrojtjen e tij, ishte padyshim Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova në kohën e arrestimit dhe mbajtjes së procesit gjyqësor kundër Ukshin Hotit, në Prizren, ishte kryetar i “alternativës shqiptare” gjegjësisht ishte kryetar i disa “organeve me përgjegjësi politike”, përmes të cilave ka vënë nën kontroll gjithë aktivitetin e partive politike shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi e në Kosovën Lindore (Luginë të Preshevës).

Sa për ilustrim, Ibrahim Rugova atëkohë kishte këto pozita:

- Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës;

- Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës;

- Kryetar i Republikës së Kosovës;

- Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Kosovë;

- Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish’Jugosllavi dhe

- Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Meqenëse Ibrahim Rugova, ishte kryetar i shumëfisht i “organeve përgjegjëse të Republikës së Kosovës” duket qartë se, ai ishte përgjegjësi kryesor politik “i alternativës shqiptare”, për burgosjen e tretë të Ukshin Hotit, për të cilin tashmë 12 vjet, (qysh nga 16 maji 1999), kur u “lirua” nga burgu i Dubravës, nuk dihet asgjë për fatin dhe vendndodhjen e tij. (Berisha, Pashtriku.org,)

Ku është Ukshin Hoti?! A është gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?!

Ukshin Hoti gjatë procesit të hetuesisë i ka kaluar disa muaj në burgun e Prizrenit ( në vetminë nr.20) dhe pas gjykimit atë e tranferojnë nga një burg në burgun tjetër. Fillmisht nga Dubrava e transferojnë në burgun e Nishit, pastaj nga Nishi në Mitrovicë të Sremit, ndërsa në prill 1999 e sjellin sërish në burgun e Nishit, për ta rikthyer më 29 prill të atij viti (bashkë me shumë të burgosur të tjerë shqiptar) në burgun e “Dubravës”.



Vendimi "Reshenje" nr. 24/2241/05 dt. 16. 05. 1999, për "lirimin me kusht" ukshin Hotit, të lëshuar nga drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq!


*  *  *


Dhe dymbëdhjetë vjet më parë, Ukshin Hoti, derisa ishte në Burgun e Dubravës, dhe po priste daljen nga burgu, papritmas më 16 Maj 1999 (një ditë para përfundimit të dënimit) e merr një vendim “Reshenje” të shkruar në çirilicë, nr. 24/2241/05 dt. 16. 05. 1999, të lëshuar nga drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq. Dhe, në këtë vendim shkruan, se: “Osugjeni Hoti Ukshin…pushta se na USLOVNI OTPUST dana 16. 05. 1999…- “I denuar Hoti Ukshin…lëshohet me kusht më datën 16. 05. 1999” nga burgu, pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren më 28 shtator 1994. Shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) ndërmjet orës 10 - 11 të paradites, i shoqëruar nga dy punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Pas këtij momenti, sot e atë ditë, askush s’mund të thotë asgjë të sakt, për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

Ja, si e shpjegon Bajrush Xhemaili (njëri nga bashkëvuajtësit e tij), çastin e daljes nga burgu të Ukshin Hotit - më 16 maj 1999: “Sapo mora lajmin se po e lironin nga burgu, me të shpejtë vendosa të shkoj për t'u përshendetur me të, ngaqë kur arrijnë gardianët për ta marrë të burgosurin nuk lejojnë që me të të përshëndetesh ashtu siç ta do zemra. E dija edhe atë se gjatë të përshëndeturit do të bëhet kallaballëk. Dhomat i kishim një mur ndërmjet. E ftova edhe Nait Hasanin dhe hymë në dhomën e tij. Kishte qenë në dhomë duke ecur dhe duke i dëgjuar komentimet e "cimerave" të tij. Edhe unë, sapo hyra në dhomë, më shumë për t'i dhënë kurajo, në dhomë, më shumë për t'i thënë si duket është shenjë e mirë që kanë ardhur të dielën të ju lirojnë, pasi ky duhet të jetë insistim i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe me ta, me siguri, ka ardhur edhe motra juaj Myrvetja. Në të vërtetë unë i thashë diçka çka kishim dëshirë të bëhej e që edhe më parë e kishim thënë. Sido që të ishte, kjo ndikoi pozitivisht në disponimin e tij në ato momente ankthi, për të gjithë ne. Dhe, menjëherë u përshëndetëm. Sapo deshi edhe dikush te përshëndetet me të tha: "Jo, nuk dua të përshëndetem më me askend, sepse nuk dua këtë ta marrë si ndarje, nga që së shpejti do të vini edhe të gjithë ju, prandaj dua t'ju përshëndes vetëm me një mirupafshim". Këtë e kuptuam si përpjekje të tij për të na dhënë kurajo. Ne, pastaj, dolëm nga dhoma dhe deri në nisje ishte vetëm me “cimerat” e dhomës së tij. Pas pak minutash, profesori i respektuar Ukshin Hoti, i përcjellur nga dy mbikëqyrës, do të niset drejt dyerve të daljes së burgut. Dhe ne nuk e kemi parë më…“ (Xhemaili, 12.05. 2000)

Ku është Ukshin Hoti?! - pyesin për 12 vjet rresht shqiptarët! A është gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?! - është pyetja e radhës që bëjnë për çdo ditë shqiptarët! Deri më sot, askush s’ka dhënë një përgjigje në mënyrë institucionale, ndërkohë që për këtë rast të dhimbshëm janë thurur parreshtur shumë spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se Ukshin Hoti është gjallë, dhe se ai po mbahet në burg shtëpiak, për „kusuritje politike“ !!!



Würzburg, verë 2008: Gjatë takimit me Motrën Myrvete dhe Afrim Hotin.


Sa për ilustrim: Në një shkrim të Z.Kastratit, botuar në gazetën „Kosova sot“ me titull: „Sipas një avokati nga Presheva - Serbia kushtëzon lirimin e Ukshin Hotit“, thuhet: „Një avokat nga Presheva informon se ka dëshmi të mjaftueshme se Ukshin Hoti, i burgosur politik kosovar, është gjallë. Ky avokat, i cili tani për tani deshi të mbetet anonim, pohon se këto të dhëna i ka siguruar gjatë një kontakti që ka pasur ditë më parë me një avokat serb në Nish të Serbisë, i cili ka theksuar se Ukshin Hoti është gjallë dhe se ai e ka vuajtur burgun, por mbahet në burg shtëpiak. Sipas tij, Ukshin Hoti deri para disa ditësh ka qenë në qytetin e Mitrovicës së Sremit, ndërsa tani ndodhet në Nish. Ky avokat i njohur serb ka theksuar se nëse nga burgu i kampit „Bonstill“ në Sojevë të Ferizajt, lirohen dy serbë të paraburgosur, të akuzuar për krime lufte, lirimi i Ukshin Hotit do të bëhet menjëherë dhe pa kurrfarë problemi. Pra, fjala është për kusuritje politike“. ( !!!) ( Kosova sot, fq.3) 

Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij Myrvetja ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Në një bisedë të gjatë që kam pasur me znj.Myrvete në verën e vitit 2008 (gjatë qëndrimit të saj tek vëllau Afrim Hoti në Würzburg të Gjermanisë), ajo ka deklaruar: se, pas luftës shumë herë i ka takuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës, (në mesin e tyre edhe Ibrahim Rugovën), ata të Shqipërisë si dhe politikanët shqiptarë në Maqedoni, prej të cilëve ka kërkuar që të interesohen seriozisht për fatin e Ukshin Hotit. Në të gjitha takimet, thotë Myrvetja, është pritur shumë mirë, dhe të gjithë i kanë premtuar se, çështja e Ukshinit do të ngritet në çdo takim zyrtar me faktorët relevant ndërkombëtarë, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin dhe vendnodhjen e tij. Por, për fat të keq, deri më sot (pas 12 vjetësh) asnjë premtim i dhënë nga politikanët tanë (pozitë e opozitë) nuk është mbajtur. Prandaj, duket se edhe në këtë përvjetorë, shiptarët do të vazhdojnë të pyesin: Ku është Ukshin Hoti?! A ëshët gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?!



( VIJON… ) 


======================


LEXONI PJESËN E PARË:

UKSHIN HOTI, EMBLEMA E FILOZOFISË POLITIKE SHQIPTARE(I)

http://www.pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1606


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks