SHKRIMI
e mërkurë, 08 korrik 2020

PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË - MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ҪËSHTJES KOMBËTARE (IV)

Pashtriku, 23 Maj 2020: Politika serbomadhe është bërë kulturë e popullit serb

Gjatë gjithë periudhës së pas LDB, në Kosovë janë ndjekur dhe dënuar shqiptarët me burgim të rëndë, mbi gjashtëqind e pesëdhjetë shekuj. Nga të gjithë të burgosurit politikë në Jugosllavi, me mbi 20 milionë banorë, 90 për qind e tyre ishin shqiptarë, me më pak se 2 milion banorë. Por le t'i kthehemi kohës për të cilën po flasim: vetëm gjatë vitit 1980, kur ende nuk kishte „kundërrevolucion“, në Kosovë u zhvilluan 553 procese gjyqësore politike.


***

Edhe me autonominë e Kosovës vazhdoi shtypja serbe, jugosllave

Pashtriku: Si e vlerësonit realitetin politik në Kosovë në vitet shtatëdhjetë, qasjen e udhëheqjes autonomiste dhe përgjithësisht pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi? Çfarë vlerësime, qëndrime, pikëpamje kishte Lëvizja Kombëtare (GRK, OMLK, FPRK) për pozitën kushtetuese të Kosovës, sipas Kushtetutës së vitit 1974?

Hajrizi
: Procesi i reformës kushtetuese në Jugosllavi zgjati disa vjet për të përfunduar me Kushtetutën e re më 1974, me të cilën sido kudo ndodhi një liberalizim, por edhe decentralizim i Federatës. Kjo reformë u reflektua edhe në Kosovë, nëpërmjet të amendamentimit të Kushtetutës së Jugosllavisë më 1971, të Serbisë më 1972 dhe me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, më 1974, e cila e sanksiononte atë krahinë autonome dhe element konstituiv të Federatës.

Ky status politik dhe juridik i ri i Kosovës, gjithsesi i avancuar, u proklamua me pompë nga regjimi si barazim i plotë i shqiptarëve me popujt tjerë në Jugosllavi, barazim i Kosovës me republikat tjera dhe zgjidhje shembullore e çështjes shqiptare në këtë shtet. Madje edhe sot, disa titostalgjikë mallkojnë Lëvizjen Kombëtare, e cila ua prishi rehatinë, e dëmtoi Kosovën, sepse ishte në rrugë të sigurt për ta realizuar edhe formalisht statusin e republikës në tavolinën e gjelbër, pikërisht nga ata që po e shtypnin në gjak kërkesën plebishitare të shqiptarëve në Jugosllavi për barazi.

Kasta e politikës zyrtare në Kosovë kishte bërë përpjekje për avancimin e statusit të Krahinës me Kushtetutën e re, por pa konsekuencë dhe duke ruajtur me çdo kusht statusin e tyre personal në funksione të larta zyrtare. Ata me frikë e kishin filluar rrugëtimin politik, prandaj e përfunduan me marrëzi.

Në Kushtetutën e Kosovës, në atë të Serbisë e të Jugosllavisë, Kosova shumë qartë sanksionohej Krahinë Autonome Socialiste, madje në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë. Nuk ishte as republikë autonome, siç ishte praktika në BRSS. Ajo ishte element konstituiv i Federatës, por ky fakt nuk i jepte asaj atributet e republikës, d.m.th të shtetësisë dhe të drejtës për vetëvendosje. Statusi dubioz nuk e nxirrte Kosovën nga integriteti territorial serb, sepse Serbia e ruante “pronësinë” mbi të.

Ja përse më 26 mars të vitit 1981, autoblindat dhe forcat serbe, pa u lodhur e shkelën kufirin administrativ të Kosovës dhe “gati-republikën” e saj prej letre, si të hynin nëpër Shumadi.



Nuk mund të imagjinohej asnjë autonomi meritore, pa le më pavarësi e liri, nën vargonjtë e Serbisë. Shqiptarët nuk u barazuan me popujt tjerë të Federatës, prandaj vazhdoi shtypja dhe shfrytëzimi kolonial serb e jugosllav. Në kontekstin historik çështja shtrohej: në Serbi, apo jashtë saj? Statusi dubioz politik i Kosovës do të rrëshqiste jo drejt republikës, por drejt humbjes edhe të autonomisë, siç ndodhi më 1989, me suprimimin e dhunshëm të saj.

Faktet flasin për një gjendje diskriminuese të Kosovës “së barabartë me republikat tjera” dhe për shqiptarët në Federatën jugosllave. “Streha e të varfërve të Jugosllavisë”, siç e quanin Kosovën në botë, nga viti në vit e thellonte dallimin me njësitë tjera federale të Jugosllavisë. Ishte premtuar zhvillim më i shpejtë për 60% se mesatarja jugosllave, por Kosova në vitet 1976-1980 e rriti dallimin negativ me zhvillimin e Jugosllavisë më shumë se gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Produkti shoqëror për banor në Kosovë më 1969 arrinte 34% të vlerës mesatare jugosllave, por dhjetë vjet më vonë, ra në 28%. Sipas vlerësimeve të huaja të papunët kishin arritur shifrën 250.000.

Gjatë gjithë periudhës së pas LDB, në Kosovë janë ndjekur dhe dënuar shqiptarët me burgim të rëndë, mbi gjashtëqind e pesëdhjetë shekuj. Nga të gjithë të burgosurit politikë në Jugosllavi, me mbi 20 milionë banorë, 90 për qind e tyre ishin shqiptarë, me më pak se 2 milion banorë. Por le t'i kthehemi kohës për të cilën po flasim: vetëm gjatë vitit 1980, kur ende nuk kishte „kundërrevolucion“, në Kosovë u zhvilluan 553 procese gjyqësore politike.

Serbia, me “Librin e Kaltër” po përgatitej për revanshizëm

Pashtriku: Megjithatë, Serbia, nuk pushoi ta luftonte as Kushtetutën e vitit 1974 të Kosovës, sidomos pjesa nacionaliste e akademikëve serbë si dhe udhëheqja e Serbisë, e cila inicioi hartimin e “Librit të Kaltër”, me të cilin, udhëheqja serbe kërkonte suprimimin, revidimin e Kushtetutës së vitit 1974 të Kosovës ?

Hajrizi: Serbia e ka larë në gjak Kosovën për ta aneksuar territorin e saj, territorin, por pa shqiptarët. Vetëm qëndresa e pashembullt e gati gjatë gjithë shekullit XX e shqiptarëve ka bërë që planet serbe kurrë të mos realizoheshin në tërësi. Serbia e Milosheviqit famëkeq ishte në gjendje madje me NATO-n të hynte në luftë që të mos e lëshonte Kosovën! Shikoni përpjekjet aktuale të saj, me dhëmbë e me thonj të rezistojë kundër realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj territorial.

Republika rankoviqiste e Serbisë, ndonëse pa Rankoviqin në fuqi, nuk ishte pajtuar kurrë madje as me ato pak ndryshime të statusit të Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974, prandaj hapur e nën rrogoz po përgatitej për revanshizëm, por jo për bisedime në “tavolinën e gjelbër” për t’ua dhënë shqipatrëve republikën. Në këtë funksion ishte dhe dokumenti zyrtar serb, “Libri i kaltër” (sipas ngjyrës së kopërtinave) i vitit 1976, për reduktimin e pastaj suprimimin e autonomisë së Kosovës. Ndonëse si dokument prapakthyes u mbyll në sirtar, përpjekjet e politikës serbomadhe kundër të drejtave të shqiptarëve vazhduan ethshëm edhe në vitet vijuese. Nga fundi i jetës së tij edhe vetë Titua kishte pranuar në Karagjorgjevë se bënë gabim që e avancuan statusin e Kosovës. Serbia e kishte kuptuar këtë qëndrim si një testament, prandaj mezi priste vdekjen e tij që t’i hynte aventurës së madhe kundër Kosovës, fillimisht me vetë lakenjtë e saj shqiptarë, pastaj edhe pa ta, siç bëri më vonë. “E po, e bëri se kryengritja e vitit 1981 e zgjoi luanin e fjetur”, - do të thoshin nostalgjikët, mbase pa e kuptuar se “luani” serb nuk kishte dremitur kurrë në Kosovë!

Antishqiptarizmi në Serbi nëpër vite e shekuj është ngritur në doktrinë. Janë të njohura planet serbomëdha kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe kundër Kosovës në veçanti që nga Naçertania e Garashaninit, me elaboratet e Çubriloviqit e Andriqit e deri te Memorandumi famëkeq i Akademisë serbe, por më pak dihet për një dokument programatik për Kosovën hartuar nga Partia Radikale e Sheshelit, në të cilën atë kohë, sekretar i përgjithshëm i saj ishte presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiq. Dokumenti elaborat është emërtuar me modesti, Kumtesë e Drejtorisë Qendrore Atdhetare e Partisë Radikale Serbe dhe mban titullin : “Kako би српcки paдикaли paзpeшили Kocoвcкo-Metoxijsko пиtaњe“ (Si do ta zgjidhnin çështjen e Kosovës e Metohisë radikalët serbë), publikuar në gazetën e Partisë Radikale Serbe “Velika Srbija“, nr. 55, 14 tetor 1995, në Beograd.


Plani serb për rikolonizimin e Kosovës


Në këtë farë kumtese me rreth 6.000 fjalë, pasi konstatohet se pa Kosovën nuk ka as shtet serb, paraqiten detyrat për të përjetësuar sundimin e Beogradit mbi Kosovën, duke shuar “kryengritjen separatiste shqiptare” në siç e quajnë ata, Kosovë e Metohi, rirregullimin e shtetit unitar serb, heqjen e autonomisë së Kosovës dhe ndërrimin e tërësishëm të strukturës së popullsisë së saj.

Aty parashihej ndalimi i kthimit të të gjithë të mërguarve shqiptarë nëpër botë, shpallja si të ardhur e një pjese të madhe të popullsisë së Kosovës dhe dëbimi i saj, enklavizimi në geto i të mbeturve, duke i ndarë me rrugë përmes vendbanimet e tyre, duke ndërtuar objekte ushtarake, poligone e magazina në këto ndarje, duke reduktuar kushtet e jetesës, izolimin total, ndaljen e rrymës elektrike, të ujit, të mallrave e furnizimeve, duke shtuar presionin ndaj popullsisë, duke u dhënë me lehtësi pasaporta, por duke ndërlikuar në maksimum dokumentacionin tjetër, madje duke ua hequr edhe shtetësinë, për ta bërë të pamundur jetën dhe me qëllim të shpërnguljes nga trojet e veta e të spastrimit të plotë etnik. Rreth objekteve ushtarake dhe policore, do të sillej popullsi serbe. Brenda ushtrisë do të formoheshin njësitë e çetnikëve profesionistë, kurse shqiptarëve do t’u mblidheshin të gjitha armët dhe do t’u pamundësohej organizimi ushtarak. Enklavat shqiptare do të viheshin si në darë nga ato serbe, nën trysni e pasiguri, duke pamundësuar zgjerimin e tyre, me qëllim të zhdukjes graduale, duke u “derdhur” në Maqedoni, në Shqipëri e në botë.

Të gjitha pronat e blera nga serbët, shqiptarëve do t’u merreshin për t’ua kthyer ish pronarëve dhe kishave ortodokse serbe. Po kështu, edhe pronat shoqërore do të ktheheshin në pronësi të tyre, ose edhe të kolonëve serbë që do të vinin të jetonin në Kosovë. Këtyre të fundit do t’u siguroheshin edhe troje e shtëpi. Pronat e kroatëve të Kosovës, pasi të shpërnguleshin do t’u jepeshin serbëve të përzënë nga Kroacia. Me qëllim të një dige kundrejt Shqipërisë, që nga Deçani, Gjakova, Prizreni e deri në Suharekë do të ndërtoheshin koloni për serbët, duke u dhënë tokë të shqiptarëve të shpërngulur dhe makineri për punimin e saj. Gjithë brezi kufitar me Shqipërinë do të popullohej me serbë. Kolonizimi i ri i Kosovës do të bëhej në mënyrë të organizuar mirë, duke mbushur vakumin e të shpërngulurve shqiptarë, por edhe me vendbanime të reja. Për këtë qëllim në Kosovë do të shpërngulej një pjesë e qeverisë serbe dhe ushtrisë e policisë, pjesëtarë të të cilave do të vinin bashkë me familjet, duke përfituar banesa luksoze dhe prona. Bashkë me ta do të vinin edhe ushtarakë pensionistë dhe pasardhësit e tyre.

Me qenë se “shqiptarët janë mjeshtër të shmangies dhe korruptimit”, thuhet më tej, duhet ndalur rreptësishtë korrupsionin dhe vështirësuar procedurat doganore e të lejeve. Duhet sajuar afera të qëllimshme, për t’i zbuluar dhe dënuar sa më shumë shqiptarë. Sigurimi i shtetit do të inicionte dhe formonte organizata të ndryshme kriminale dhe terroriste, për t’i dënuar shqiptarët dhe subjektet e tyre politike. Ndërkaq individë të shquar do të eliminoheshin qoftë duke i kompromentuar, qoftë duke i ekzekutuar në forma të ndryshme, si aksident trafiku, vrasje etj. Një mënyrë tjetër do të ishte infektimi i shqiptarëve, p.sh. me virusin e SID-ës, me qëllim që kur të rritej përqindja e të infektuarve, shqiptarët të izoloheshin në karantinë, si popull infektues!

Dokumenti përcaktonte edhe masa të çoroditjes së rinisë shqiptare, me programe televizive dhe radiofonike me përmbajtje, siç thuhet, dekadente të Perëndimit ndaj të cilave “shfaqin prirje popujt primitivë”, me demek siç janë shqiptarët! Enklavat serbe do të mbroheshin prej këtyre programeve. Do të botoheshin për shqiptarët edhe libra të fshehta, të nëndheshme me ide fatale e mistike.

Derisa për serbët parashiheshin masa stimuluese për rritjen e lindshmërisë, sidomos për fëmijën e tretë dhe të katërt, për shqiptarët do të hiqeshin të gjitha ndihmat dhe favoret e natalitetit, sepse ishin “tepricë demografike”.

Shkollat shtetërore do të kishin përmbajtje dhe kulturë serbe dhe do të mësohej serbisht. Shkollat e minoriteteve do të punonin me të njëjtin program, por do të trajtoheshin si private.

Universiteti i Prishtinës do bëhej shumë tërheqës me kushtet e mira për studentët serbë dhe për pedagogët e tyre nga e gjithë Serbia.

Kjo është përmbajtja shkurtimisht e elaboratit serb për të zezën e Kosovës, hartuar jo para dy shekuj e gjysmë, por vetëm para dy dekadave e gjysmë. Me të është mëtuar të edukohet jo vetëm anëtarësia e partisë, por edhe gjithë kombi serb, me të është synuar të mblidheshin votat e një populli të molepsur me nacionalizëm, shovinizëm e ekspansionizëm. Ju kujtohet kur shefi i kësaj partie, në prag të bombardimeve të NATO-s tha: “Në qoftë se fillojnë bombardimet kundër nesh, asnjë shqiptar nuk do të mbetet në Kosovë”. Të gjitha veprimet e mëtejme serbe kishin këtë synim historik.

Druaj se duhet të kalojnë shumë breza që ky mentalitet, kjo ngarkesë armiqësore e serbëve ndaj shqiptarëve të shuhet, sepse është kthyer në kulturë të një populli të tërë.

- VIJON -

__________________________

PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË - MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ҪËSHTJES KOMBËTARE (III)

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10049


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks