SHKRIMI
e martë, 18 qershor 2019

Dr.Sc.FITIM RIFATI: IDRIZ GJILANI, I VËLLAZËRUAR ME SHQIPTARËT, POR KURRË ME SERBËT!

Prishtinë, 28 janar 2019: Sentencat janë mendime filozofike të shprehura në pak fjalë, që përmbajnë një të vërtetë jetësore në përmasa e aspekte të ndryshme. Në anale të historisë, historiografisë, folkloristikës, religjionit dhe kulturës shqiptare, veç tjerash, me lakonizmin e tij ka hyrë edhe Idriz Gjilani, personalitet i shquar dhe poliedrik shqiptar. Janë të shumëllojshme sentencat e tij, por spikasin ato mbi trinominë e mbijetesës së popullit shqiptar, si: atdheu, kombi dhe lufta, që u bënë të njohura para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën sa Idriz Gjilani ishte figurë qendrore dhe lider popullor, ushtarak, fetar, arsimor e shpirtëror i shqiptarëve.



Dr.Sc. Fitim Rifati


I. A T DH E U

Idriz Gjilani tërë jetën e tij e kishte preokupim kryesor atdheun. Në konceptin e tij, nocioni i atdheut zbërthehet si segment universal i jetës në trungun etnogjeografik. Tërësia territoriale në të cilën struktura shoqërore, organizative, kulturore e arsimore frymon e funksionon shqip, sipas pikëpamjeve realiste të Idriz Gjilanit përbën atdheun. Ai ishte plotësisht i bindur se gjuha dhe religjioni i shërbejnë atdheut dhe bashkimit të tij. Në sentencën e njohur: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot - dhe - Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut, të kufirit të Shqipërisë... përballë armikut shekullor”, Idriz Gjilani shpreh një përkufizim metafizik.

Së pari, e vë atdheun në rend të parë si vlerë autoktone dhe detyrë unike për shqiptarët.

Së dyti, minon e shuan propagandën fetare dhe pretendimet për përçarjen e shqiptarëve mbi baza të saj. Në këtë kontekst, atdheu sendërtohet dhe merr vend superior e diakritik në sentencën: “Nuk ka fe pa atdhe”. Prandaj, në këndvështrimin e Idriz Gjilanit, shqiptari nuk duhet t’i dorëzojë armët, por duhet të luftojë e të therorizohet për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut. Sipas tij, lufta e shqiptarëve është përpjekje, sakrificë dhe e drejtë historike, natyrore e shoqërore. “Humbë vetëm ai popull që nuk lufton për atdheun e vet”, konstatonte ai në një maksimë tjetër kushtuar atdheut.

Idriz Gjilani njihte konfiguracionin e kufijve historikë, etnikë dhe politikë të Shqipërisë. Trashëgimia territoriale, e tkurrur në vargonjtë shekullorë, është komponentë themelore në ruajtjen e saj dhe pengimin e procesit të copëtimit të trojeve shqiptare. Sipas tij, të mbrosh kufijtë e Shqipërisë prej 74000 km2 dhe të flijohesh për lirinë e tyre konsiderohet pavdekshmëri, ndërsa të mos punosh e të mos luftosh për bashkimin e Shqipërisë është tradhti. Për këtë arsye, vetëmohimi për Shqipërinë etnike niste nga shembulli personal i Idrizit: “Njëqind vjet t’i kisha jetë, të gjitha kam për t’i kaluar kaçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë”. Përgjithnjë, sipas Idriz Gjilanit, rruga e vetme për lirinë e atdheut kalonte nëpër homogjenitetin, koherencën dhe unitetin e plotë midis shqiptarëve.

II. K O M B I

Kombi si bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike, të formimit psikik dhe afirmimit kulturor, është kategori e njohur në mendimin intelektual të Idriz Gjilanit. Mirëpo, shkalla e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, në diskursin politik të kohës kur jetoi dhe veproi ai, kishte nivel të pamjaftueshëm për t’i rezistuar platformave shoviniste e asimiluese të pushtuesit të huaj. Idriz Gjilanin veçanërisht e shqetësoi në masë procesi i emigrimit të shqiptarëve drejt Turqisë e Shqipërisë ndërmjet dy luftërave botërore. Rrjedhimisht, vetëdija për përkatësinë kombëtare ishte thelbësore për shqiptarët e Kosovës. Turmave popullore që kishin marrë rrugën e emigrimit iu tërhiqte vërejtjen: “Ju nuk jeni as myslimanë e as shqiptarë! Kurrë nuk do të bëheni Turq! Ktheni kaparet (paradhëniet, F.R) e tokës dhe qëndroni me pushkë e sëpata në dorë!”. Ai konsideronte se ndaj kombit ngarkohej me përgjegjësi historike secili shqiptar që braktiste varret e paraardhësve të tij.

Në vizionin për të ardhmen e Shqipërisë etnike, Idriz Gjilani theksonte: “...Bashkimi i Shqipërisë... është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”. Në funksion të këtij ideali irredentist ai ngarkoi me përgjegjësi edhe klerikët e prijësit religjiozë, që liturgjitë dhe predikimet fetare t’i kryenin në gjuhën shqipe; në gjuhën amtare të shqiptarëve. Mirëpo, dy faktorë relevantë që ai vuri në spikamë për të ardhmen e bashkimit kombëtar, kishin të bënin me divergjencat dhe konvergjencat që përcaktonin procesin e këtij akti. Së pari, sentenca në formë porosie: “Nëse nuk mund të ndihmosh, mos shkatërro atë që na e fali koha dhe puno që shtëpisë t’i vihet kulmi”, i adresohej heshtjes së sabotatorëve dhe kundërshtarëve të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Së dyti, duke llogaritur se kombi serb ishte armiku historik i kombit shqiptar, nënvizonte: “I vëllazëruar me shqiptarët, por kurrë me serbët”. Në këtë kontekst, Idriz Gjilani aludonte në bashkëpunimin e elementëve komunistë shqiptarë si aleatë politikë e ushtarakë me komunistët serbo-sllavë, që qe përcaktues i çështjes së bashkimit kombëtar. Mirëpo, për Idriz Gjilanin ideja e bashkimit kombëtar ka karakter doktrinar. Ajo “duhet të ruhet edhe me sakrifica mbinjerëzore, duke bërë theror veten, fëmijët, familjet dhe miqtë”.

III. L U F T A

Lufta e armatosur, si fenomen diakronik shoqëror dhe ushtarak, që zhvillohet ndërmjet forcave kundërshtare gjatë një vargu betejash, është aksiomë profesionalisht e njohur për Idriz Gjilanin. Ai, ndeshjet e armatosura i përjetoi si i ri, ndërsa arti i luftës përgjithësonte përvojën e tij nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Lufta ishte rruga e vetme për liri. Idriz Gjilani e ndjeu peshën e detyrës së komandantit ushtarak të forcave vullnetare për të mbrojtur kufirin e Shqipërisë etnike nga depërtimi i forcave agresore armike. Për këtë arsye ishte i vetëdijshëm dhe u përgatit që detyrën ushtarake ta kryente me ndershmëri. Kësisoj, Idriz Gjilani profilizoi mënyrën dhe metodat e luftës, për të unifikuar dhe kompaktësuar radhët e vullnetarëve në frontin e kufirit.



Mulla Idriz Gjilani, i ulur në mes (1901 - 1949)


Për të kishte rëndësi të madhe përsosmëria, vigjilenca, trimëria dhe guximi për të luftuar i vullnetarit të armatosur. Nuk dëshironte tradhtinë, neglizhencën, sabotimin, tërheqjen, plaçkën e dhunën ndaj armikut. Një ndër sentencat mbi luftën, që ngërthen burimin e mendimit të tij analitik, drejtuar e proklamuar shpesh ushtarëve, ishte: “U është e lejuar lufta atyre që sulmohen. Të rreptë në luftë, por të ndershëm e zemërbutë me robërit dhe familjet e armikut”. Vetëmohimi ishte kulm i therorizimit. Në këtë kontekst, nën prizmin e tij, sentencat mbi luftën zbërthehen deri në imtësi. Vdekja ose rënia në altarin e trupit të atdheut ishte akti më i admirueshëm për Idriz Gjilanin. “Ai që vdes për atdhe është djalë i merituar, është i dashur i Perëndisë. Ai është dëshmor. Pa atdhe të lirë nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as parajsë”, është një maksimë afirmative e Idrizit, pohuar shpesh në fronte të luftës e mjedise të shoqërisë shqiptare.

Ai përkufizoi edhe rangun e dëshmorit. Sipas tij “dëshmor bëhet vetëm ai që ka fatin të goditet nga ana e përparme, në ballë”. Si drejtues i forcave vullnetare të armatosura, veçonte mobilizimin mendor e emocional të ushtarakëve, duke këmbëngulur që ushtria armike të mos lejohej të depërtonte në tokat shqiptare pa kaluar më parë mbi trupat e tyre. Për këtë arsye tërhiqte vërejtjen: “Asnjë minutë nuk guxojmë për t’i mbyllur sytë para fatkeqësive që na kërcënohen. Vigjilenca është kusht për fitore, kurse pakujdesia është hap në tradhti.”. Ai nënvizonte se fitorja e luftës qëndron në disiplinën e përgjithshme, në ndershmërinë, në moralin shqiptar dhe në bindjen ushtarake të luftëtarëve ndaj hierarkisë së udhëheqësve të grupeve luftarake.

Për të, mbrojtja e popullit dhe e vatrës nga dhunues e pushtues, është detyrë e shenjtë. Specifikonte pozitat strategjike që befasonin forcat e armikut dhe nuk dëshironte gabime e as përsëritje të tyre. “Përsëritja e gabimeve ka përgjegjësi para historisë”, u thoshte shpesh ushtarakëve. Në perceptimin e tij për luftën, rezultatet dhe konkluzionet e saj, pa dyshim, ndër sentencat dhe botëkuptimet më vizionare, veçohet: “...Gjaku ynë ka për të qenë argument për kërkesat tona historike dhe armë për luftën e bijve tanë, që u lindën në kohën e këtyre luftërave për Shqipërinë etnike”.

Për sa më sipër, sentencat e Idriz Gjilanit në trinominë piramidale <<atdhe-komb-luftë>>, janë mendime të avancuara, iluministe dhe vlera kombëtare, që i kanë shërbyer si frymëzim forcave liridashëse shqiptare për realizimin e aspiratave historike. Afishimi i tyre nëpër institucione arsimore, universitare, shkencore, politike, ushtarake, fetare e artistike, do të shërbente si fanar ndriçues mbi ndërgjegjen kolektive.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks