SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: HISTORIKU I MBROJTJES INSTITUCIONALE TË MONUMENTEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE - HISTORIKE, ME THEKS TË VEҪANTË NË TREVAT SHQIPTARE

Mitrovicë, 25 mars 2021: Termi monument, në kuptimin bashkëkohor, emërton, krahas realiteteve të tjera, edhe veprat arkitekturore apo ndërtimore me vlera të dyfishta historiko-kulturore, të cilat si të tilla mbrohen me ligj. Koncepti monument, me përmbajtjen e mësipërme kuptimore, është krahasimisht i ri në jetën kulturore të Kosovës.

Ndjeshmëria ndaj këtyre vlerave, dhe për pasojë vënia e tyre në mbrojtje shtetërore në vendet e zhvilluara europiane i përket shek. XIX, ndërsa në Kosovë koncepti monument bëhet pjesë e jetës kulturore pas Luftës së Dytë Botërore. Koncepti monument, në kuptimin e dëshmisë historiko-kulturore, ka një shtrirje të gjerë, duke përfshirë vepra të trashëgimisë së luajtshme dhe të pa luajtshme. Në këtë kuptim termi monument do të përfshij vetëm ato vepra, të cilat për vlerat e tyre historiko-kulturore kanë fituar një status të veçantë duke u mbrojtur me ligj.

Në bashkësinë e madhe të gjinive të monumenteve, me shtrirje kohore që prej muzgut të historisë deri në ditët e sotme, monumentet arkitekturore zënë një vend të rëndësishëm në bashkësinë e trashëgimisë së kulturës materiale. Me monumentet arkitekturore kuptojmë mbarë veprat ndërtimore, të ngritura krejtësisht prej dorës njerëzore, apo përshtatjet e mjedisit natyrorë për t’u shfrytëzuar për banimë, apo funksione të tjera jetësore. Këto vepra, në momentin e vënies nën mbrojtje, në cilësinë e monumentit, mund të jetë në gjendje të shfrytëzueshme, apo rrënojë, duke qenë këto të fundit, përgjithësisht të dala në dritë prej gërmimeve arkeologjike.

Veprimtaria për identifikimin e veprave arkitekturore për t’u cilësuar monument, dhe për pasojë për t’u mbrojtur me ligj është thelbësisht veprimtari kërkimore, e cila kërkon kompetencë të lartë shkencore në lëminë e historisë arkitekturore dhe njohuri të historisë së hapësirës në të cilën kryhen kërkimet.

Identifikimi i monumenteve nëpërmjet përzgjedhjes së tyre, në bashkësinë ndërtimore të së kaluarës dhe të sotmes, në vende me tradita në këtë fushë, nuk ka qenë një akt i vetëm, por një proces, madje tejet i gjatë.

Në praktikën e identifikimit të monumenteve, ndeshemi shpesh me raste kur në hapësirën kohore ndërmjet identifikimit të veprës për t’u vënë në mbrojtje dhe shpalljes së aktit zyrtar që ligjëron mbrojtjen, kryhen dëme të shkallëve të ndryshme deri në shkatërrim të vlerave historiko-kulturor.

Për të shmangur dëmtimet e vlerave të trashëgimisë kulturore për shkaqet e mësipërme duhet të ekzistojë koncepti i mbrojtjes paraprak, me afat të caktuar, i cili ka ligjërisht të gjitha atributet e mbrojtjes ligjore të monumentit.



Shumë fushata ushtarake, kanë pasur për qëllim, përveç tjerash edhe plaçkitjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Edhe sot e kësaj dite në shumë muze të botës moderne kemi të ekspozuara (padrejtësisht), vlera kulturore të cilat nuk i takojnë popullit apo territorit në të cilin gjendet muzeu që i ekspozon, por, që janë marrë nga vendet dhe popuj të tjerë, jo gjithmonë nga neglizhenca e tyre që në të vërtetë u kanë takuar. Kjo ka rezultuar edhe me nevojën e miratimit të akteve ligjore që sanksionojnë këtë fushë.

Vënja në mbrojtje e monumenteve në një hapësirë shtetërore, parakupton konsolidimin e veprave të çdo etnie, e cila për arsye historike ka krijuar në trojet e një etnije tjetër. Çdo shkelje e këtij parimi, do të ishte me pasoja tejet negative për të vërtetën historike. Në trojet tona historike dhe aktuale, ruhen ndërtime antike, të ngritura nga koloni greke në hapësirat ilire, të cilat mbrohen dhe trajtohen ashtu si mbar monumentet.

Vënia në mbrojtje e monumenteve, në vendet e zhvilluara europiane, është veprimtari e cila shfaqet në fillimet e shekullit XIX, duke qenë natyrshëm e shoqëruar me legjislacionin për mbrojtjen e tyre si dhe për përkujdesjet restauruese.

Nevoja e ruajtjes së këtyre vlerave të trashëgimisë ka determinuar me angazhimet konkrete për të realizuar menaxhimin e organizuar të trashëgimisë kulturore në nivel institucional kombëtar dhe ndërkombëtar.

Me synimin për të penguar veprimtarinë shkatërruese ndaj pasurisë kulturore të trashëguar, Papa Piu II me një dekret të posaçëm më 28 prill 1462, në emër të Papatit, shënon të parin ligj për mbrojtjen e monumenteve.

332 vjet më vonë miratohet ligji i cili rregullon mbrojtjen e monumenteve, është ligji i vitit 1794 në Francë. Në aspektin ndërkombëtar, që nga viti 1877 deri më 1999, janë aprovuar shumë dokumente në formë të kartave, konventave dhe rekomandimeve. Këto dokumente në shtrirje kanë karakter ndërkombëtar, rajonal dhe kombëtar. Në mënyrë kronologjike këto dokumente na janë paraqitur:

mes viteve 1877-1904, janë miratuar dy dokumente,

mes viteve 1930 – 1939, katër dokumente,

mes viteve 1950 – 1959, katër dokumente,

mes viteve 1960 – 1969, shtatë dokumente,

mes viteve 1970 – 1978, dymbëdhjetë dokumente,

mes viteve 1980 – 1989, trembëdhjetë dokumente,

mes viteve 1990 – 1999, tridhjetë e tre dokumente.


Pra, në një periudhë prej 122 vjetësh janë aprovuar rreth 75 dokumente me karakter ndërkombëtar, që rregullojnë shumë fusha të trashëgimisë kulturore.

Në trojet tona etnike, historiku për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore ka filluar me zbulimet e para arkeologjike, duke filluar nga shek. XV, me “Qiriakon e Anonës”, kryesisht, në mënyrë joprofesionale nga udhëtarë apo studiues të ndryshëm, gjeograf.

Më vonë në Shqipëri mbrojtja e monumenteve sa për mos të mbetur prapa vendeve të tjera është, Akti normative i Perandorisë Osmane, rregullorja e brendshme që mban datën 01.05.1889 (1305 H), për rregullimin e Muzeumit Mbretëror. Kjo rregullore me 43 nene nuk gjeti as më të voglin zbatim në Shqipëri. Të njëjtin fat pati edhe ligji i datës 09.07.1912 (1328 H) “Mbi mbrojtjen e monumenteve”, sipas të cilit quheshin monumente fortesat, ledhet dhe gjdo gjë tjetër e vjetër.

Me Pavarësinë e Shqipërisë, akti i parë në këtë drejtim për mbrojtjen e pasurive të kulturës materiale është qarkorja e Ministrisë së Arsimit Nr. 932 dt. 19.06.1922, që porosiste gjithë inspektorët e arsimit të kujdeseshin për gjetjet dhe ruajtjen e vjetërsirave.

Akti më i plotë juridik i nxjerrë nga qeveritë e para Luftës së Dytë Botërore është ligji mbi “Monumentet Kombëtare”, Nr. 129, dt. 28.05.1929. Ky ligj, që pothuajse nuk gjeti ndonjë aplikim të rëndësishëm, siq ka treguar dhe analiza e tij, është kopijuar me sa duket nga vendet e tjera.

Akti i parë normative real për mbrojtjen e pasurive kulturore të vendit tonë i takon periudhës pas Luftës së Dytë Botërore; ai është Ligji nr. 568 të dt. 17.03.1948, i cili dekretohet më, dt. 24.05.1948, Nr. 609, “Mbi mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të sendeve natyrale të rralla”, me këtë ligj bëhet edhe lista e parë e monumenteve shqiptare në hapësirën e Shqipërisë politike. Në vitin 1955 doli rregullorja “Mbi ruajtjen e monumenteve të kulturës”. Një rëndësi të veçantë për punën kërkimore, për vënjen në mbrojtje të monumenteve të reja, e sidomos të qyteteve muze, pati një vendim i vitit 1959, ku perfshiheshin edhe masat në fushën e monumenteve historike, kulturore dhe artistike. Në vitin 1961 u vunë në mbrojtje shtetërore në cilësinë e qyteteve muze, qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës. Në viti 1963, Universiteti Shtetror i Tiranës shpalli listen e re të monumenteve, shumë më të madhe në numër dhe ҫ’është me e rëndësishmje në të përfshiheshin një sërë objektesh të gjinive të ndryshme, siç janë ndërtesat me rëndësi historike, monumentet historike, si dhe banesat popullore qytetare. Në vitin 1971 doli ligji i ri “Mbi mbrojtjen e monumenteve kulturore e historike dhe pasurive natyrore të rralla”. Ligji u pasua nga një Rregullore e posaçme në vitin 1972.

Me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 1974, ndërtimet popullore me vlera arkitektonike-historike dhe etnografike në fshat dhe në qytet duhet të grumbulloheshin në mënyrë të organizuar nga një sërë institucionesh që u ngarkuan për këtë qëllim, dhe kjo punë duhet të përfundoi brenda viteve 1978-80.

Me përmbysjen e regjimit komunist si rezultat i vështërsive ekonomike që pasuan dhe rikonstruktimin tërësorë të aparatit shtetëror pati një zvogëlim të përkujdesjes shtetërore në fushën e pasurive kulturore. Megjithatë për të përforcuar mbrijtjen e pasurive kulturore në vitin 1994 u miratua ligji “Për mbrojtjen e pasurive kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme”, ky ligj u pasua me Ligjin e ri numër 9048, të dt. 07.04.2003.

Në Kosovë përkujdesja institucionale për vlersimin e monumenteve zë fill pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kontekst, në vitin 1945 hyn në fuqi “Vendimi për mbrojtjen e monumenteve”, i cili një vit më vonë fuqizohet për t’i lënë vendin Ligjit për “Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Rariteteve Natyrore”. Në Kosovë, në vitin 1977 hynë në fuqi Ligji mbi “Mbrojtjen e Përmendoreve të Kulturës”.

Dy banesa të vëna nën mbrojtje shtetërore, ku njëra sot është seli e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, dhe tjetra e cila sot është ish selia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Këto dy banesa janë vënë në mbrojtje shtetërore përkatësisht në vitin 1955 dhe 1957.

Lufta e viteve 1997-99, përveҫ viktimave, dhunimeve, persekutimev, dëbimit të një numri shumë të madh të popullsisë shqiptare (mbi 1 mil.), nuk kurseu as monumentet me vlera historike, kulturore ҫofshin ato publike, private, sakrale apo të tjera u shkatërruan në masë të madhe.

Pas ҫlirimi të Kosovës më 1999, filloi rruga e sigurt drejt mëvetësisë, duke u krijuar kushte për rivlersimin e kujdesshëm të gjendjes faktike në fushë e trashëgimisë kulturore materiale dhe asaj shpirtërore në gjithë territorin e Kosovës.

Në sistemin e administrimit të Republikës së Kosovës, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, është e rregulluar me kuadër ligjor sipas paraqitjes në vijim:

Trashëgimia kulturore e Kosovës mbrohet me:

- Kushtetutën e Republikës së Kosovës,

- Ligji mbi Trashëgimi Kulturore (Nr. 02/L-88, 2006)

- Ligji i Planifikimit Hapësinor (Nr. 2003-14 dhe Ligji Nr. 03/L-106; Nr. 2003-14)

- Ligji i Ndërtimit (Nr.2004/15)

- Dokumenti i Statusit të Kosovës, - (Pakoja e Ahtisarit, P. H.) Aneksi V (2007)

- 7 Akte nënligjore (MKRS/2008)

- Ligji për zonat e veçanata të mbrojtura (Nr. 03/L-039 2008)

- Kodi Penal i Kosovës, etj.


Qëllimi parësorë i kuadrit ligjor është mbrojtja e trashëgimisë kulturore pa dallim përkatësie etnike, religjioni apo periudhe historike.

Platforma themelore përmes së cilës rregullohet veprimtaria e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, është Ligji për Trashëgimi Kulturore (Nr. 02/L-88, 2006). Korniza e këtij ligji përbehet prej 12 neneve kryesore, përfshirë: dispozitat e përgjithshme; nocionet; inventarizimi, dokumentimi dhe mbrojtja e përkohshme të trashëgimisë kulturore; mbrojtja dhe masat legale; financimi dhe masat fiskale për trashëgiminë kulturore; trashëgimia arkitekturore; trashëgimia; arkeologjike; peisazhet kulturore; trashëgimia e luajtshme; trashëgimi shpirtërore/jomateriale; sanksionet; dhe dispozitat përfundimtare.

Që prej tetorit të vitit 2008, Lista e Trashëgimisë Botërore përfshin 878 pasuri që formojnë një pjesë të trashëgimisë kulturore të cilën Komiteti i Trashëgimisë Botërore e konsideron me vlerë universale të jashtëzakonshme.

Lista përfshin 679 pasuri kulturore, 174 pasuri natyrore dhe 25 pasuri të përziera në 145 Shtete Nënshkruese të Konventës mbi Trashëgimin Kulturore Botërore. Që prej nëntorit të vitit 2007, 185 Shtete Anëtare kanë ratifikuar Konvenventën e Trashëgimisë Botërore.

Nga monumentet e trashëgimisë shqiptare pjesë të listës së UNESKOS janë: Shqipëri, Butrinti (1992, 1999, 2007), Qendra Historike e Beratit dhe Gjirokastrës (2005, 2008), Kosovë, Monumentet Mesjetare në Kosovë (2004, 2006), edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s.


Ilustrimi © Pashtriku.org


_______________

Literatura:


- Adhami, Stilian, [2001]. Muzeologjia shqiptare, Titanë;


- Arkitektura tradicionale dhe metodat e dokumentimit, [2010]. CHwB, Prishtinë;


- Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, [2008]. Ligji për Trashëgimin Kulturore, viti III / NR. 29/1 Korrik 2008, Prishtinë;


- Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, [2008]. Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura, viti III / NR. 28 / 4 Qershor 2008, Prishtinë;


- Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, [2008]. Ligji për ndryshimin e ligjit për planifikimin hapsinor, viti III / NR. 42 / 25 Nëntor 2008, Prishtinë;

- Jeleff, Sophie, Konventat e Këshillit të Evropës për trashëgimi kulturore. Trashëgimia e Evropës - një pasuri e përbashkët.


- Jukilehto, Jukka, Feilden, M. Bernard [2010] Udhëzues për menagjimin e trashëgimisë kulturore botërore, ICCROM, UNESKO, ICOMOS, Cultural Heritage without Borders, CHwB, Prishtinë;

- Jokilehto, Jukka [2005]. A History of Architectural Conservation, England;


- Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 15 qershor 2008.


- Meksi, Aleksandër [2004]. Restaurimi i monumenteve të arkitekturës, Tiranë;


- Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, 2 shkurt 2008.


- Riza, Emin [1997]. Mbrojtja dhe restaurimi i monumenteve në Shqipëri, Tiranë;


- Riza, Emin [2002]. Teoria dhe praktika e restaurimit të monumenteve të arkitekturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë,


- Riza, Emin [2005]. Monumentet e Kosovës, Monumentet e arkitekturës dhe identifikimi i tyre, Prishtinë,


- Riza, Emin, Halimi, Njazi [2006]. Banesa qytetare kosovare e shek. XVIII – XIX, Prishtinë;

- Svirca, Baki [2004]. Monumentet e Kosovës, Politikat drejtuese në fushën e trashëgimisë, Prishtinë;


- Thoma, Pirro, Riza, Emin, Muka, Ali [2004]. Vendbanimet dhe banesa popullore shqiptare I, Tiranë;


- Zonat e mbrojtura dhe zonat e veçanta të mbrojtura, [2010]. Të kujdesemi për trashëgiminë kulturore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, ICO, Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit e Kosovës, Prishtinë.


***

Dr. Sc. Pajazit Hajzeri

Kolegji UBT – Higher Education Institution,

Lagjja Kalabria,10000 Prishtine, Kosovo

{Pajazit Hajzeri, pajazit.hajzeri@ubt-uni.net, phajzeri@gmail.com}


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks