SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

KADRI REXHA: DEMONSTRATA E VITIT ’81 - NJËRA NDËR FAQET MË TË NDRITURA TË HISTORISË SONË TË RE (I)

Pashtriku, 26 mars 2021:

Hyrje

Në kontinuitetin e përpjekjeve, luftërave dhe qëndresës shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, demonstratat e pranverës së vitit 1981 shënojnë njërën ndër faqet më të ndritura dhe më të rëndësishme të historisë sonë të re. Si ngjarje kthesash të mëdha historike dhe shoqërore, ato shprehin sintezën e vetëdijes dhe virtyteve më të larta morale e patriotike të rinisë shqiptare dhe aspiratat shekullore të popullit tonë të lashtë. Duke ndikuar fuqishëm në faktorin e brendshëm, në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në shkallën më të lartë, si dhe në faktorin e jashtëm, pra, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së Kosovës në veçanti, ato në horizontin mbarëshqiptar e hapën një shpresë të madhe dhe një perspektivë të re.


Demonstratat e vitit 1981 shpërthyen si protesta mbarëpopullore të shqiptarëve kundër një gjendjeje të padurueshme shtatëdhjetëvjeçare që mbretëronte në Kosovën e ndarë me dhunë nga trungu i atdheut, në Kosovën e pushtuar, në Kosovën e robëruar dhe të terrorizuar nga okupatori serb. Demonstratat ishin rebelim dhe kryengritje e një populli kundër shtypjes kombëtare, kundër diskriminimit social dhe shoqërorë, kundër eksploatimit të egër të pasurive natyrore dhe të trajtimit të Kosovës si burim lëndësh të para, apo thjeshtë, si zonë koloniale serbe... kundër varfërisë dhe mjerimit të skajshëm të popullit, kundër padrejtësive thelbësore politike dhe ekonomike, kundër zbatimit të gjenocidit dhe të papërspektivës kombëtare të popullit shqiptar.

Që të ngrihej në demonstratat e vitit 1981 popullit shqiptar iu dasht të kalojë një rrugë të mundimshme shtatëdhjetëvjeçare, e cila kaloi përmes ferrit dhe golgotës politike dhe ushtarake serbe, përmes masakrave individuale dhe atyre kolektive, përmes varrezave individuale dhe varrezave masive, përmes djegëjeve të katundeve dhe shkretërimit të krahinave të tëra, përmes të ndërrimit të fesë me dhunë dhe të çkombëtarizimit masiv, përmes dëbimit nga vatrat shekullore dhe gjenocidit mbi qindra fshatra të Sanxhakut të Nishit, përmes masakrave të pashembullta në Drenicë e në Gjilan, në Llap e në Ferizaj, në Tetovë e në Burim, në Pejë e në Gjakovë, në Mitrovicë e në Prizren, në Tivar e në Srem, përmes vrasjes me uri në emër të tepricave, përmes kolektivizimit, përmes aksioneve për mbledhjen e armëve, përmes shpërnguljeve me dhunë, përmes ndalimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, përmes ndalimit të gjuhës dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare...

Në këtë rrugë të gjatë dhe të rëndë të qëndresës së paepur, popullin shqiptar e mbajti të papërkulur vetëdija e lartë kombëtare e përkatësisë shqiptare, vetëdija e lartë e një populli të lashtë autokton, vetëdija e një populli që në trojet e veta nuk ishte as ardhës dhe as pushtues, por zot i tyre që nga stërgjyshet Ilirë e këndej, zot legjitim i tyre me bekimin tokësor të Hyjit ilyrian dhe me bekimin hyjnor të Zotit fuqiplotë. Në këtë rrugë vuajtjesh të shumta dhe krajatash të padurueshme popullin shqiptar e mbajti gjallë në jetë ideja e pashuar e lirisë, e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar. Pra, popullin shqiptar e mbajti gjallë e të papërkulur puna dhe veprimi i pandërprerë, shpresa dhe besimi i patundur në fitore të sigurt dhe në një ardhmëri të ndritur. Kështu, deri në muajt e parë të vitit 1981, atëherë kur thika serbe kishte depërtuar deri në ashtin e një populli, atëherë kur durimit të padurueshëm i kishte ardhë fundi, atëherë kur një popull kishte ardhë në përfundimin sublim se liria dhe pavarësia i tejkalon të gjitha vlerat e kësaj bote, se liria dhe pavarësia janë më të shtrenjta se vetë jeta. Por, vërtetë, çka ndodhi në muajt e parë të vitit 1981 dhe si shpërtheu deti i vuajtjeve të një populli? Si filluan dhe si u zhvilluan demonstratat? Pasojat dhe perspektivat qe ato hapen?



Të fillojmë me radhë.

Shovinizmi serbomadh në ofensivë

Se gjatë muajve të fundit të vitit 1980 dhe muajve të fillimit të vitit 1981 diçka e madhe po lëvizte, se diçka e madhe po bëhej gati të shpërthente në Jugosllavi, shihej qartë nga të gjithë. Mbledhjet e bashkësive lokale, të organizatave të punës së bashkuar, të organizatave shoqërore-politike zgjateshin deri vonë pas mesnate. Flitej gjatë për rezistencën që po i bëhej nga patriotët afganistanas agresorit sovjetík, të cilën gjë kjo e fundit nuk e kishte pritur, ndaj akoma bënte përpjekje të justifikohej se gjoja është e ftuar për ndihmë vëllazërore atij populli. Flitej gjerë e gjatë se viteve të fundit Jugosllavia ka zënë të goditej rëndë nga inflacioni, nga ngritja e çmimeve, nga mungesa e artikujve më të domosdoshëm, nga papunësia, nga armiku i brendshëm klasor, nga antikomunistët e të gjitha ngjyrave, nga presioni i vendeve të zhvilluara për t'ua kthyer kreditë, etj. etj. Bisedat dalëngadalë ktheheshin në gjendjen dhe në situatën e rëndë politike dhe ekonomike të KSA të Kosovës. Në rrugë, në vende të punës dhe kudo përsëritej botërisht se aktualisht gjatë vjeshtës së vitit të kaluar dhe gjatë atij dimri në hetuesitë e Kosovës merreshin në pyetje mbi 2.000 persona të burgosur shqiptarë për aktivitete politike.

Si rezultat i situatës së keqësuar politike, në Kosovë kishin vërshuar gazetarët e agjencive të huaja si dhe përfaqësuesit e Amnistisë Internacionale, të cilët interesoheshin të mësonin të vërtetën lidhur me shkaqet dhe numrin e saktë të personave të arrestuar gjatë burgosjeve masive muajve të fundit si dhe lidhur me kushtet e rënda në të cilat mbante burgun e tretë Adem Demaçi. Me gjithë interesimin e tyre të madh e vërteta mbulohej me trillime dhe minimizime të pabesueshme për askënd. Në këtë drejtim, në një situatë të rëndë u gjend edhe kryetari i KK të LKK, Mahmut Bakalli, i cili para gazetarëve u detyrua ta mohojë kumtesën interne të KK të Kosovës, në të cilën theksohej se në burgje ndodheshin mbi 50 persona, të dhëna të cilat disa ditë më parë i kishte kumtuar edhe gazeta qendrore jugosllave "Politika".

Gjithashtu temë dite u bë edhe biseda lidhur me të ardhmen e Jugosllavisë pas vdekjes së kryetarit të saj J.B.Tito. Tito prej disa muajsh lëngonte dhe dergjej në shtratin e vdekjes, ndërsa konsiliumi i mjekëve lidhur me gjendjen e tij shëndetësore njoftonte opinionin për çdo orë nëpërmjet radios dhe televizionit. Thuhej se pas vdekjes së Titos Jugosllavia do të shkatërrohej duke u ndarë në dysh, në vijën ajrore Sisak-Dubrovnik, sipas një marrëveshje të fshehtë mes SHBA-ve dhe BRSS-së. Po ashtu përsëritej se serbët nuk do ta pranojnë këtë variant, meqë ata gjithë strategjinë e vetë e kishin orientuar në vendosjen e sundimit të tyre mbi tërë Jugosllavinë, duke i shtypur dhe duke i dëbuar me shpërngulje të dhunshme popujt e saj si në kohën e Mbretërisë së Karagjorgjeviçëve. Një variant tjetër thoshte se republikat e Jugosllavisë do të shkëputen dhe do të bëhen shtete të pavarura, e në këtë rast edhe Kosova dhe viset e saj do të bashkohen me truallin nënë, RPS të Shqipërisë. Flitej e çfarë nuk flitej asokohe. Prognozat ndërroheshin brenda ditës disa herë. Vetëm një gjë shihej konkretisht. Sërish filluan të vihen kujdestaritë dhe rojat në të gjitha objektet e rëndësishme shoqërore, duke filluar nga objektet e forumeve të larta shtetërore, në ndërmarrjet industriale e deri te objektet edukative-arsimore. Sidomos mungesa e artikujve më të domosdoshëm për jetesë në mënyrë më të theksuar ndihej në Kosovë. Mungonte mielli, vaji, sheqeri, qumështi, ilaçet, detergjentet, kafeja, etj. Popullatës serbe dhe malazeze këta artikuj i ndaheshin në mënyrë të organizuar, shtëpi për shtëpi. Një favor i këtillë aplikohej edhe për shtresën e lartë dhe kuadrat politike-shoqërore të kombit shqiptar. Me mungesën e artikujve më të domosdoshëm ushqimorë dhe atyre të amvisërisë, me krijimin e rreshtave të gjatë para shitoreve, u futën në përdorim edhe triskat dhe padrejtësitë e tjera. Pakënaqësia e popullit shtohej gradualisht. Pleqve nuk u mbyllej goja. Ata habiteshin pa masë dhe të çuditur pyesnin: pse artikujt e sipërpërmendur nuk kishin humbur as gjatë kohës së luftës, ndërsa një gjë e këtillë ndodhte tashti pas kaq vjetësh propagande të shfrenuar për liri dhe bollëk të pakufishëm?

Objekt kryesor i sulmit u bë populli shqiptar

Secila heshtje dhe secili veprim në këtë kohë linte përshtypjen e thellë të pasigurisë së pushtetit, të halleve të mëdha të qeverisë...Shkurt, pëshpëritjet, reagimet e zëshme, pakënaqësia e përgjithshme, burgosjet masive, elektrizimi politik i stërngarkuar i popullit, presioni i padurueshëm mbi popull etj., ishin sinjale të sigurta që premtonin shpërthim të afërt të furtunës rrënimtare. Fuçisë së barotit i mjaftonte vetëm një shkëndijë e vogël. Opozita jugosllave, e djathta borgjeze, kisha dhe shovinizmi serbomadh, në aleancë me Bashkimin Sovjetik, kishin vlerësuar se koha po punonte për ta. Andaj, qarqet intelektuale serbe e sidomos Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe këtë kohë e shfrytëzuan me një revan të shfrenuar. Duke lëshuar tezën e njohur të tyre se "Serbia i humbi në paqe të gjitha ato që i fitoi në luftë" si dhe tezën tjetër gjoja të frikës për asimilimin e serbëve që gjendeshin jashtë territorit të ngushtë të Serbisë, intelektualët serbë filluan një propagandë të sëmurë gjoja në mbrojtje të elementit serb, por që drejtohej kryekëput në rrënimin e Jugosllavisë federale. Në librat dhe në revistat që ishin botuar deri atëherë dhe që po botoheshin me një nxitim të madh, në ligjëratat që mbaheshin në Universitetin e Beogradit si dhe në tubimet e organizuara nëpër klube të ndryshme dhe në shtëpitë private po i fryhej zjarrit pansllav, hegjemonisë serbe në Ballkan. Lëvizja e re serbomadhe, duke e vazhduar politikën e Rrethit Kulturor Serb dhe platformën e Lëvizjes çetnike, e cila organizimin e Jugosllavisë së re e shihte të lidhur ngushtë me krijimin e "Serbisë së Madhe, etnikisht të pastër në kufijtë e Serbisë-Malit të Zi-Bosnjëhercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës", duke e bërë në të njëjtën kohë "spastrimin e territorit shtetëror nga të gjitha pakicat kombëtare dhe nga elementët joserbë", mbështetej edhe në idenë e Stevan Moleviqit, i cili theksonte se serbët duhet ta frymëzojnë dhe t'ia japin vulën e vet mbarë Jugosllavisë. Parimi i Moleviqit se "serbët duhet të kenë hegjemoni në Ballkan, e për të pasur hegjemoninë në Ballkan patjetër së pari duhet të kenë hegjemoninë në Jugosllavi", u përqaf pa asnjë vërejtje nga frymëzuesit e Lëvizjes së re serbomadhe e që aktualisht në Evropë paraqiste një lëvizje të re fashiste. Natyrisht që objekti kryesor i sulmit të kësaj lëvizjeje u bë populli shqiptar, si popull josllav dhe që paraqiste pengesën kryesore të realizimit të kësaj ëndrre të sëmurë të ideologëve shovinistë serbë.

Kosova në dimrin e ashpër politik, ekonomik dhe shoqëror

Vjeshta e thatë dhe e lodhshme e Kosovës kish kohë që kishte ikur. Pos frutave të stinëve të shkuara, në planin politik, ekonomik dhe në atë shoqëror, vjeshta kishte sjellë edhe dhunë e padrejtësi të reja. Kështu, Kosova po hynte në dimrin e saj më të ashpër politik. Shovinizmi serbomadh po ziente në kuzhinën e Beogradit dhe priste çastin më të përshtatshëm të gulfimit. Re të zeza qëndronin pezull sipër Kosovës, duar të përgjakura po zgjateshin drejt saj. Edhe pse para opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm akoma vazhdohej të flitej me mburrje për barazinë e popujve në Jugosllavi, kryetari i Kryesisë të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Mahmut Bakalli, i detyruar nga situata politike shoqërore, në mbledhjen e XV-të të KQ të LKJ-së, të mbajtur në dhjetor të vitit 1980 në Beograd, pohonte: "Nuk u arritën synimet për zvogëlimin e diferencave në shkallën e zhvillimit të Kosovës në krahasim me mesataren e vendit. Përkundrazi, u bë një thellim i mëtejshëm i diferencave...Kësisoj, në vend që dinamika e zhvillimit të Krahinës të jetë 60 për qind mbi dinamikën e zhvillimit të vendit, siç ka qenë planifikuar, dinamika e zhvillimit të Kosovës ishte 46,9 për qind nën mesataren e vendit. Kjo tendencë e rritjes së këtyre diferencave vazhdon që nga viti 1947 e deri tani. Ky proces i thellimit të diferencave, shprehej ai, ka arritur kufijtë kritikë..."

Sipas të dhënave statistikore që i publikonte shtypi jugosllav, të ardhurat kombëtare për banorë në Kosovë ishin 6 herë më të ulëta se ato në RS të Sllovenisë dhe 5 herë më të ulëta se ato në RS të Serbisë. Gjatë viteve të fundit ritmi i rritjes së prodhimit industrial në Kosovë kishte qenë 4-5 herë më i vogël se ai i Serbisë. Shkalla e papunësisë ishte 20 herë më e madhe se në Slloveni dhe 2,5 herë më e madhe se në Serbi. Numri i punëtorëve që kish emigruar për punë jashtë Kosovës e Jugosllavisë i kalonte 110.000 vetat, duke mos llogaritur këtu edhe mbi 70.000 të tjerë që pritnin nëpër entet për inkuadrim të Kosovës, kryesisht punëtorë të kualifikuar. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, nënkryetari i RSFJ-së, Fadil Hoxha, gjatë një turneu nëpër Kosovë, në vend që të ofronte ndonjë program lidhur me zbutjen e këtyre plagëve shoqërore, çirrej dhe përjargej në fjalimin e tij të mbajtur më 2 mars 1981 në Viti, fjalim të cilin në mbrëmje për masën e gjerë e transmetoi edhe TV Prishtina në emisionin special. Në mes të tjerash, Fadil Hoxha kërcënonte me këto fjalë: "Pse po i thirrni të kthehen punëtorët kosovarë të inkuadruar në botën e jashtme. Çka po u duhen ata këtu... Ne, siç po e shihni edhe vetë, nuk po kemi çka me u ba atyne me shkollë që na kanë mbetë pa punë e po sillen teposhtë e përpjetë... Ku me pasë atë nafakë me i shti në pune atje edhe dy hise... edhe pesë hise... e këndej ju i thirrni të kthehen edhe ata që janë atje... Masandej, këta që kanë mbetë te papunë, çka i kanë hapë sytë vetëm në Kosovë. Jugosllavia është e madhe... prej Gjevgjelisë e deri në Trigllav...le të dalin të rijtë e të lypin punë. Kosova nuk i nxen të tanë...". Kësisoj, Fadil Hoxha u thyente shpresat kurbetçinjve ekonomikë që të mos kthehen në vatrat e veta, në gjirin familjar; kështu ai ua priste shpresat të rinjve, të cilët me vuajtje dhe sakrifica të mëdha kishin mbaruar shkollat dhe pritnin t'i shërbenin popullit dhe Kosovës së shumëvuajtur. Këto fjalë shqiptoheshin jo nga një politikanxhi katundi, por nga nënkryetari i shtetit.

Të gjitha këto thuheshin në kohën kur populli po e kuptonte se Kosova kish mbetur në mëshirën e fatit, në kohën kur rreziku po ndihej më afër se asnjëherë tjetër. Dhe asnjë fjalë nuk thuhej për shfrytëzimin e burimeve të pafundme minerare të Kosovës, për shfrytëzimin e fushave pjellore të saj, për shfrytëzimin e njerëzve të saj trima e punëdashës. Asnjë fjalë nuk thuhej për milionat e tonelatave të qymyrit që nxirrej nga barku i Kosovës. Asnjë fjalë nuk thuhej për miliardat e kilovatëve të energjisë elektrike që prodhohej, për plumbin e Trepçës që po rridhte lumë, për kromin, për hekurin, për nikelin, për magnezitin, për argjendin, për arin... që ngriheshin si male të larta. Asnjë fjalë nuk thuhej për grurin, për bagëtinë e shijshme të Kosovës që mbushnin eshalone të tëra vagonësh dhe shkonin në të gjitha tregjet e Evropës.

Në rrethana të këtilla, Kosova e pasur në mundësi dhe e varfër në fakt përkundej në shtratin e urisë, të mjerimit, të skamjes, të padrejtësisë dhe të presionit. Dimri i egër i vitit 1980/81 ishte tepër i gjatë, nuk i shihej fundi. Mungonte mielli, mungonte buka, mungonte detergjenti, mungonin lëndët djegëse. Qarkullimi i mjeteve të komunikacionit numëronte tiketat e fundit. Reduktimi i rrymës elektrike kish kaluar çdo parashikim. Rreshtat e gjatë para shitoreve nuk kishin të sosur. Shitoret ishin boshatisur më shumë se kurrë. Pagat e punëtorëve nuk ishin marrë prej disa muajsh me radhë. Çmimet dhe taksat rriteshin pa fije kontrolli. Shqiptari, si qytetar i dorës së dytë fyhej në rrugë, në vendin e punës, në zyrë. Dhe, mbi të gjitha, shqiptari ngacmohej, provokohej rrehej, burgosej, torturohej dhe vritej pa kurrfarë përgjegjësie. Me dhjetëra kufoma të shqiptarëve ishin gjetur nëpër vise të Kosovës vetëm gjatë vitit që kishte kaluar. Kriminelët serbë jo vetëm që nuk gjurmoheshin, por edhe nëse ndonjëri prej tyre zbulohej rastësisht, aty për aty tërhiqej nga hetuesitë e Kosovës dhe dërgohej në Beograd, ku shpallej i sëmurë psikik. Ndërsa, në të kundërtën, nëse shqiptari hakmerrej ndaj serbit atëherë e priste dënimi me vdekje. Kështu, zemërimi i masave kishte arritur kulmin. Kupa e vrerit kish kohë që ishte mbushur. Durimi i popullit kishte mbaruar. Shkëndija e ndezur në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, më 11 mars 1981, premtonte se kupa e helmit dhe durimi i popullit do të derdheshin brenda një kohe të shkurtër në mbarë Kosovën, duke e ndezur kështu zjarrin e madh të atdhetarisë së vërtetë, me të gjithë tragjedinë dhe lavdinë që do të sillte ai në vete.

E tërë Kosova në demonstrata masive

Më 11, më 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat nga studentët në Universitetin e Kosovës. Vetëm pas pesë ditësh, më 1 e 2 prill, si edhe gjatë ditëve të tjera të atij muaji, demonstratat e para u pasuan me demonstrata të reja. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm, si deti në baticë, dhe kështu zbrazi pezmin, revoltën dhe urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë serbe. Në demonstrata masive u ngrit Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Besiana, Drenasi, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Peja, Burimi, Deçani, Gjakova, Kaçaniku, Theranda, Lypjani, Kastrioti dhe pothuajse të gjitha lokalitetet e Kosovës. Në demonstrata morën pjesë studentët, punëtorët, fshatarët, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë etj. të cilët kështu formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak. Përveç kërkesave ekonomike, demonstruesit shtruan edhe kërkesa politike, duke kërkuar liri dhe të drejta demokratike. Në kuadër të së drejtës së ligjshme të popujve për vetëvendosje, përmes demonstratave në rrugë, populli i Kosovës kërkoi statusin e republikës në kuadër të federatës jugosllave. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me zjarr dhe me hekur.

Ndonëse opinioni ndërkombëtar dhe shtypi botëror këto demonstrata i cilësoi paqësore, në Kosovë vërshuan njësi të shumta të policisë dhe të ushtrisë nga Serbia dhe nga republikat e tjera të Jugosllavisë Federale. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën bombat lotsjellëse, shkopinjtë e gomës, gazrat kimike helmuese, armët e zjarrit, tanket, helikopterët, autoblindat dhe aeroplanët luftarakë të tipit MIG-21. E tërë Kosova u la në gjak. Më dhjetëra njerëz u vranë. Më mijëra të tjerë u plagosën, u arrestuan dhe u arratisen jashtë atdheut. Një gjeneratë e tërë u zhduk dhe u flijua në altarin e Kosovës, për të drejtat më njerëzore që i takojnë secilit popull të planetit tonë.

Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në mbarë Kosovën u shoqërua me shpërthimin e terrorit të egër të ushtruar nga shovinizmi serbomadh. U bastisën shtëpitë, u ndaluan grumbullimet publike, u ndaluan dasmat dhe të gjitha manifestimet e tjera të qytetarëve me karakter gëzimi dhe hidhërimi. U mbyll Universiteti i Kosovës dhe të gjitha shkollat. U ndërpre qarkullimi i postës dhe i të gjitha lidhjeve telefonike. Patrullat policore dhe ushtarake bënin kontrollimin e të gjithë kalimtarëve dhe të mjeteve të komunikacionit. Duke e izoluar nga pjesët tjera të Jugosllavisë si dhe duke e shkëputur çdo lidhje të saj me botën, serbomëdhenjtë e kthyen Kosovën në një kamp të tmerrshëm ushtarak. Megjithëse në demonstrata morën pjesë masat e gjëra popullore, megjithëse kërkesat që u shtruan nga populli ishin krejt të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë Kushtetutës së RSFJ-së, demonstratat u cilësuan si "kundërrevolucion", ndërsa pjesëmarrësit në to si "armiq", "kundërrevolucionar" dhe "irredentistë shqiptar".

Ndaj pjesëmarrësve në demonstrata u zbatuan masat më të egra represive, duke i përgjakur e keqtrajtuar. Duke i torturuar në mënyrat inkuizicionale dhe duke i dënuar me burg të rëndë deri në pesëmbëdhjetë vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua masa e izolimit total. Në këtë vazhdimësi, pak ditë më vonë, në Beograd u mbajt edhe mbledhja e KQ të LKJ-së, e cila, lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, e aprovoi të ashtuquajturën "Platforma politike e LKJ-së për çështjen e Kosovës". Të gjitha tezat e asaj mbledhjeje dhe të asaj platforme ishin të paligjshme, gjenocidale, johumane dhe thellësisht antishqiptare.

Platforma për Kosovën - gjyq inkuizicional kundër kombit shqiptar

Kështu pra, duke ecur besnikërisht në jetësimin e platformës dhe të skenarit të hartuar nga e djathta radikale intelektuale borgjeze serbe, KQ i LKJ-së dhe Kryesia e RSF të Jugosllavisë, ky gjyq i përbashkët inkuizicional në mbarim të shekullit XX, kjo juntë ushtarake në qendër të kontinentit të vjetër, në vazhdim të krimeve të vjetra dhe krimeve të reja, në ditët e para të prillit të vitit 1981, në Beograd bëri edhe një krim njerëzor të pa precedencë dhe në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi kudo në botën e qytetëruar. Me vendimin arbitrar të këtij gjyqi, përmes "Platformës politike të LKJ-së për çështjen e Kosovës", demonstratat e marsit dhe të prillit 1981 u shpallën kundërrevolucion, ndërsa pjesëmarrësit në to armiq, kontrarevolucionarë, irredentistë, seperatistë, shovinistë, fashistë, terroristë, dhunues e kështu me radhë, ndërsa me të njëjtin vendim në Kosovë vërshuan hordhitë e milicisë speciale serbe dhe federative si dhe repartet e ushtrisë së APJ-së, kur edhe u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe administrata e dhunshme ushtarake.

Në këtë mënyrë edhe u kurorëzua një periudhë e gjatë e fushatës së tërbuar kundër popullit shqiptar në Jugosllavi dhe në të njëjtën kohë u hap në perspektivë edhe një kapitull I ri dhune, terrori, gjenocidi dhe demonstrimi të forcës në Kosovë, gjë që realisht paraqiste jo vetëm shtypjen e gjithmbarshme të një populli, në këtë rast popullit shqiptar, por paraqiste edhe rrezikun real për shkatërrimin e Jugosllavisë, për prishjen e paqes dhe të sigurisë në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë. Kjo aventurë e rrezikshme e Beogradit, kjo lojë me zjarr e me barot dëshmonte edhe një herë, qoftë përpara popullit shqiptar qoftë edhe përpara opinionit jugosllav dhe atij ndërkombëtar, se qeveria zyrtare e RSFJ-së ishte duke ecur me këmbëngulje në rrugën e zbatimit të doktrinës famëkeqe të V. Qubrilloviqit për zbrazjen e Kosovës prej popullsisë shqiptare nëpërmjet shpërnguljeve, terrorit të egër, gjenocidit në masë, reprezaljeve, masakrave, vrasjeve, burgosjeve, mohimit të lirisë më elementare për jetë etj., doktrinë kjo e përkundur dikur edhe në djepin e ëndrrave të kralëve të Serbisë e carëve të Rusisë, të cilët cak të fundit kishin zhdukjen e popullit shqiptar nga faqja e dheut, në mënyrë që pastaj, të lirë dhe pa pengesën e askujt, ta përdornin Ballkanin për interesa dhe për qëllime të tjera të errëta dhe destruktive.

Hapi më i ri i të dy kryesive të Federatës, natyrisht i gabuar si edhe shumë hapa të tjerë para këtij, i ndërmarrë nën presionin e shovinizmit serbomadh, fliste bindshëm se qeveria e Jugosllavisë as pas më shumë se 35-vjet të ekzistencës së saj nuk ishte e zonja të merrte në duart e veta fatin e popujve në kuadër të shtetit të vet, as pas më shumë se tri dekadash nuk ishte e zonja të ulej shtruar për t'i peshuar drejt, me zemër të çiltër dhe pa nervozitet, kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar, të sublimuara në kërkesën gjithëpopullore për t'iu njohur Kosovës statusi i republikës. Në mungesë të aftësisë dhe të forcës së vet, kjo qeveri në kalbëzim, për kob të kokës së vet, po u jepte dorë të lirë qarqeve më të errëta të shovinizmit serb që të nëpërkëmbin të drejtat dhe liritë e popujve, për të cilat kishin derdhur gjak gjatë shekujve. Në vend që të kujdesej për zbatimin e ligjeve në jetë, në vend që t'i jetësonte të drejtat politike të cilat i premtonte Kushtetuta e RSFJ-së, Qeveria në fjalë ende i kënaqte orekset e pangopshme të shovinizmit serb duke i shkelë brutalisht dhe duke i prerë si me thikë edhe ato pak të drejta, të cílat juridikisht figuronin edhe për popullin shqiptar.

Shpallja e kundërrevolucionit, aplikimi i administratës së dhunshme ushtarake në Kosovë si dhe ngulfatja me zjarr dhe me hekur i çdo të drejte dhe lirie të një populli, i cili për nga numri i banorëve zinte vendin e tretë në Federatë, pas Serbisë dhe Kroacisë, të dy kryesitë e Jugosllavisë i nxirrte faqe botës me fytyrën e tyre të vërtetë prej tirani si dhe me qëndrimin shekullor antishqiptar. Tashti për të gjithë po bëhej e qartë si drita e diellit se klani unitarist serb kishte ngulur këmbë në synimet e veta që ta shndërronte mbarë Jugosllavinë në një shtet të ngjashëm me atë të para Luftës së Dytë Botërore, kur ligjin dhe shkopin në duart e veta i mbante hegjemonizmi serb. Duke dashur ta provonte forcën e grushtit të vet, reagimin e opinionit të brendshëm dhe reagimin e opinionit të jashtëm ndaj synimeve të tij, unitarizmi serb në Kosovë e krijoi një situatë të acaruar dhe një gjendje të padurueshme etnike dhe në të njëjtën kohë po hapte një hendek të thellë ndërmjet dy popujve fqinj, shqiptarëve në njërën anë dhe serbëve në anën tjetër.

Shpirtrat e ngjallur të Karagjorgjeviqëve dhe të Rankoviqëve Kosovën e mbanin në gjendje dhe në klimë lufte, në alarm dhe në tension të vazhdueshëm. Thirrjet histerike antishqiptare të udhëheqësve politikë, shoqërorë e kulturorë të Serbisë, si edhe ato të kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe u ngjanin borive të luftës së kryqëzatave mesjetare. Në atmosferën e elektrizuar, kur në Kosovë minuta nuk po i ngjante minutës, ora nuk po i ngjante orës, dita nuk po i ngjante ditës, popullin shqiptar nuk e çuditnin tashmë aspak këto veprime të çmendura, obskurantizmi mesjetar dhe i gjithë helmi dhe vreri antishqiptar, që po buronte nga bodrumet e kafeneve të Beogradit. Në këtë vazhdë, shokët, bijtë dhe nipat e Garashaninit, të Pashiqit, të Gjorgjeviqit, të Save Batares, të Kosta Vojvodës, të Miliq Kërstiqit, të Drazha Mihailoviqit, të Ivo Andriqit, të Vasa Qubrilloviqit, të Aleksandar Rankoviqit, të cilët aktualisht i mbanin postet më vitale në hierarkinë e Federatës, nuk lanë gur pa luajtur për ta fshehur të vërtetën e dramës tragjike të Kosovës.

Në vend që t'i shpjegonin shkaqet ekonomike, politike, shoqërore, historike e kombëtare që qëndronin në bazë të ngjarjeve të Kosovës, ata në fjalimet e tyre të panumërta, nga tribunat e forumeve politike dhe të atyre shoqërore, në shtypin e përditshëm dhe revyal, nëpërmjet publikimeve të veçanta publicistike dhe pseudoshkencore, në radio dhe në televizion, me fyerje dhe me sharje nga më të ultat, me epitete të zhargonit politik, me akuza të përbindshme, bënin kërcënime të hapëta kundër mbarë popullit shqiptar, që jetonte në troje të veta, duke e akuzuar këtë si shkaktarin kryesor të krizës politike, ekonomike, shoqërore dhe morale të mbarë Jugosllavisë që nga Lufta e Dytë e këndej. Në fakt me këtë ata synonin ta degradonin pozitën kushtetuese të Kosovës si dhe ta molisnin, ta lodhnin dhe ta frikësonin popullin shqiptar deri në atë shkallë, sa ta detyronin atë të pranonte çdo gjë që i afrohej, ta detyronin atë të heshtte apo të fliste me dhunë, siç e kërkonte rasti dhe nevoja dhe kështu të shikonte me dyshim edhe të sotmen dhe të ardhmen.

Në vend që të pranonin faktin se shqiptarët e Kosovës i posedonin të gjitha tiparet dhe karakteristikat që e përbëjnë një komb, se shqiptarët e Kosovës jetojnë në një territor kompakt, se shqiptarët e Kosovës kanë gjuhën, kulturën dhe konstitucionin shpirtëror të përbashkët, se shqiptarët e Kosovës kanë numrin e mjaftueshëm të banorëve që të ngrihen në rangun e një republike në kuadrin e Federatës, si të gjitha republikat e tjera, qarqet serbomëdha në sundim nuk lanë mënyrë pa përdorur që ta detyrojnë popullin shqiptar për të mohuar gjenezën e tij, historinë e lashtë dhe atë të re, heronjtë e moçëm dhe ata të kohës më të re, gjuhën, kulturën, flamurin, dhe, me një fjalë, gjithë qenien e tij kombëtare. Por, duke parë se përpjekjet e tyre hasën në rezistencë të fortë dhe të ndërgjegjshme të popullit shqiptar, atëherë ata u detyruan që të përdorin mjete dhe metoda nga më të egrat dhe më të turpshmet, të cilat vetëm praktika e tyre i njeh si të tilla, e të cilat, pa fije dyshimi, brezat e ardhshëm të tyre do t'i gjykojnë një ditë, si mishin e tyre të keq, si turpin dhe si mjerimin intelektual dhe njerëzor të një kohe. Në rrugën e tij të padrejtë dhe anticivilizuese, unitarizmi serb, duke e shfrytëzuar dominimin e tij në të gjitha republikat dhe krahinat e Federatës, e përdori forcën e shtetit duke filluar nga LKJ-ja, Sigurimi i Punëve të Brendshme, Armata Popullore e Jugosllavisë e deri tek administrata në bashkësinë lokale. Unitarizmi serb i shtrëngoi dhëmbët që nga aeroplani e tanket e deri në foltoret e Kuvendit Federativ. Shovinistët serbë vranë dhe masakruan masën e pafajshme shqiptare për të vetmin faj pse u ngrit në këmbë dhe kërkoi lirinë, barazinë dhe drejtësinë që i takonte. Ata i mbushën burgjet me qindra mijëra djem e vajza, lulen e trimërisë shqiptare, duke i aplikuar ndaj tyre torturat më të egra. Në këtë vazhdë ata i aplikuan edhe masat e diferencimit brenda familjeve, brenda bashkësive lokale, brenda kolektiveve punuese, brenda shkollave dhe universitetit si dhe brenda çdo qelize të jetës publike të Kosovës. Me metodat inkuizicionale i vranë rëndë edhe plan-programet mësimore të shkollave në gjuhën shqipe. Kufizuan në mënyrë drastike regjistrimin e nxënësve dhe të studentëve nëpër vatrat e diturisë. Me fjalët më fyese dhe diskriminuese e fyen të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve. E ofenduan kulturën, traditën dhe personalitetet e shquara kombëtare të popullit shqiptar. Atyre u pengoi flamuri, shenjat dhe simbolet kombëtare shqiptare. U pengoi plisi dhe çiftelia. U pengoi nataliteti dhe gjithçka tjetër shqiptare.

Po ashtu, në rrugën e tij dritëshkurtër, shovinizmi serb provoi në çdo mënyrë që ta njollosë mbarë popullin shqiptar, të cilin për moral të pastër e njeh historia mijëvjeçare. Në këtë drejtim ata inskenuan edhe ekscese nga më të turpshmet, duke filluar nga dhunimet e kurdisura e deri tek zjarret dhe dëmet në fusha. Që t'i mbulojnë dhe maskojnë synimet e tyre të errëta, ata i trilluan edhe shpërnguljet gjoja me dhunë të serbëve dhe malazezve nga Kosova dhe krijimin e territoreve të pastra etnike. Trilluan e çfarë nuk trilluan, por për fat të mirë pakkush i besoi asaj përralle të pabesueshme edhe për fëmijët, të cilën shovinizmi serb e zjeu për një kohë të gjatë në Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Fatbardhësisht, kësaj radhe bota pa dhe gjykoi, ashtu siç bën shikuesi gjatë përcjelljes së një tragjedie në skenën e teatrit. Ajo pa se kush kërkonte bukë, liri e barazi, e kush vriste, burgoste dhe ushtronte gjenocid mbi një popull të pafajshëm; kush detyrohej të braktiste atdheun e lashtë nga dhuna e kush kërkonte me çdo kusht ta bënte Kosovën Serbi; kush vdiste urie si i papunë e kush shkonte në Kosovë si kolon në tokën e premtuar të Eldorados; kush kërkonte jetë të denjë njerëzore e kush kërkonte vdekjen e shqiptarëve; kujt i ndaloheshin edhe këngët popullore lirike e kush këndonte: "Po Kosovu srbin sheta, nema vishe tungjatjeta!"... (Nëpër Kosovë shëtit serbi, nuk ka më tungjatjeta!).

Më në fund bota tregoi se kishte sy të shohë e veshë të dëgjojë dhe se nuk merrte frymë ashtu siç do të dëshironte Beogradi. Ajo tashti jepte shenjë se dinte të dallonte klithmën dhe gjëmën e një populli të pambrojtur e të katandisur në fatkeqësi dhe çjerrjen e sëmurë antinjerëzore të të çmendurit në pushtet. Bota tashti dinte shumë më tepër për popullin shqiptar si dhe për dyndjet e hordhive sllave në këto vise. Bota tashti dinte për gjenezën dhe për shtrirjen gjeografike të popullit shqiptar dikur si dhe për kufijtë e tij të sotëm të cunguar padrejtësisht. Bota tashti dinte më shumë për luftërat e imponuara të popullit tonë, për luftërat e tij të drejta dhe të lavdishme gjatë historisë. Bota tashti dinte edhe për kulturën dhe traditën e popullit shqiptar, ashtu siç dinte edhe për agresionet ushtarake, politike dhe kulturore ndaj këtij populli. Bota tashti dinte edhe për flamurin tonë të lavdishëm, të papërkulur dhe të papërlyer asnjëherë gjatë historisë së vjetër dhe të re.

- VIJON -


_________________________


KADRI REXHA: DEMONSTRATA E VITIT ’81 - NJËRA NDËR FAQET MË TË NDRITURA TË HISTORISË SONË TË RE (I)

http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11064

***

KADRI REXHA: DEMONSTRATA E VITIT ’81 - NJËRA NDËR FAQET MË TË NDRITURA TË HISTORISË SONË TË RE (II)

http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11065


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks