Pashtriku.org, 04. 04. 2014 – Prizreni, para çlirimit nga ushtria e Perandorisë Osmane në krye me Sulltan Fatih Mehmedin e II-të më 21 qershor 1455, ishte në kthetrat të pushtuesve serb, saktësisht të mbretërisë serbe mesjetare të Car Dushanit. Prizreni gjatë pjesës së dytë të shekullit XIX ishte në kuadër të Vilajetit të Kosovës, kryeqendra e të cilit ishte Shkupi, si pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane.
Veçoria e Prizrenit
Shtëpitë në Prizren, për dallim nga qytetet dhe qytezat tjera, janë të një simetrie të ndryshme dhe në oborret e shtëpive gjenden kopshte të bukura, nëpër të cilat (në 80% të tyre) kalon kanali i hapur me ujë të dëlirë i quajtur Kasëmbegu, sipas autorit i cili ka qenë hartues dhe implementues i këtij projekti tejet të rëndësishëm dhe me vlerë të pakrahasueshëm për kohën për qytetarët e Prizrenit, të cilët në ditët e bukura të pranverës e sidomos të verës ia japin një pamje të mahnitshme, nga të cilët ujiteshin kopshtet e shtëpive të pasura me perime dhe pemë të shumta. Në hyrje të qytetit, e sidomos në pjesën lindore dhe perëndimore të saj gjenden pemët të ndryshme, të rrethuar me hardhitë e shumta të rrushit rreth e përqark qytetit, të cilit ia shtonin edhe më tej bukurinë e qytetit. Me pozitën gjeografike që ka Prizreni mund të krenohet dhe si i tillë që është me rrafshinën që e posedon me malet përreth me pyje të pasur si dhe me ujërat të shumtë dhe lumin nëpërmes qytetit, është më i shkëlqyer jo vetëm në tërë Shqipërinë, apo Rumelinë Osmane, por edhe Gadishullin Ballkanit.
Prizreni nga koleksioni i fotografive të Josef Székely, 1 shtator 1863.
Pozita gjeografike
Pozita gjeografike e Prizrenit gjendet nga Stambolli në paralelen 42,11 shkallë nga pjesa veriore dhe 47,54 shkallë nga pjesa perëndimore e saj, me një lartësi mbidetare të vargmaleve të Sharrit me 1200 m lartësi mbidetare nga i cili buron lumi Bistrica (Lumbardhi) e cila derdhet në lumin Drini i Bardhë në fushën e Prizrenit në dalje të qytetit.
Popullsia e Prizrenit
Prizreni gjatë shekullit XIX ka qenë i banuar me qytetarët rezident, dhe se regjistrimet e atëhershme janë bërë sipas përkatësisë fetare, ashtu që në regjistrimin e kryer në vitin 1879 në Prizren jetonin gjithsejtë 39.952 banorë, prej të cilëve 32.494 mysliman, rreth 80%, dhe 7.458 të krishterë, rreth 20%.
Arsimimi në Prizren
Në qytetin e Prizrenit i është kushtuar rëndësi të duhur edhe arsimimit. Për krahasim nga qytetet tjera numri i fëmijëve që kanë ndjekur mësimin dhe shkollimin ka qenë në nivel të kohës në të cilin ishin duke jetuar. Sikurse te myslimanët ashtu edhe të krishterët arsimimi i përgjithshëm ka qenë i një niveli më të lartë, në krahasim me viset tjera, e sidomos gjatë periudhës së sundimit të Sulltan Abdylhamidit të II-të i është kushtuar një kujdes i veçantë, dhe gjatë kësaj kohe jo vetëm në Prizren por edhe më gjerë janë ndërtuar 12 shkolla të reja. Në këto shkolla kanë mësuar sikurse djemtë ashtu edhe vajza, të cilët i ndjeknin mësimet nga mësues të përbashkët. Në Prizren në kuadër të Medresesë së Mehmed Pashës gjendet një bibliotekë e pasur në të cilin gjenden 224 libra me vlera të veçantë të periudhave të ndryshme kohore. Në katër medresetë ekzistuese të Prizrenit (Mehmed Pashës, Sinan Pashës, Emin Pashës dhe Mahmut Pashës) mësimet i vijonin 180 nxënës (talebe). Pas kryerjes së medreseve tetëvjeçare nxënësit janë pajisur me diplomë (ixhazetname) mbi përfundimin me sukses të medresesë. Edhe në fshatrat përreth Prizrenit i kanë ndjekur mësimet fëmijët në mejtepe (shkolla të ulëta fillore) pranë xhamive ekzistuese apo pranë kishave ekzistuese. Nga shkollat krishtere më e njohura ka qenë ajo e Bogosllovisë (shkollë fetare ortodokse për ortodoksë, e cila ishte në rang të Medresesë, sikurse për myslimanët) e ndërtuar nga donatori dhe pasaniku i njohur serb të asaj kohe, Simo Igumanov, i cili në kuadër të saj ka edhe konviktin për banim. Në Prizren me rrethinë numri i përgjithshëm i nxënësve që ka ndjekur shkollimin fillor ka qenë, 1304 nxënës meshkuj me 30 mësues, ndërsa 765 nxënëse vajza me 16 mësues, në 29 shkollat ekzistuese fillore në Prizren dhe fshatrat përreth, ndërsa në ryzhdijen (gjimnazi i ultë) e Prizrenit kanë ndjekur mësimin 121 nxënës me 3 profesor.
Bujqësia, tregtia dhe zejtaria
Në Prizren dhe rrethinë janë 120.000 dynym sipërfaqe punuese, prej të cilëve 90.000 dynym ara, 13.000 dynym livadhe si 17.000 dynym vreshta. Bujqit kanë punuar në ara e veta, apo të pronarëve të tyre si argat, apo kanë punuar tokën me qesim (qira) me ç’rast janë marrë vesh me agallarët për përqindjen e ndarjes së produkteve apo fryteve sipas marrëveshjes paraprake të lidhur më parë. Në Prizren dhe rrethinë me vreshta janë të mbledhur 17.000 dynym, në të cilën prodhohen lloje të ndryshme të rrushit për të cilin si i tillë, Prizreni ka qenë i njohur në tërë Vilajetin e Kosovës, njashtu të njohur dhe me emër kanë qenë edhe qershitë dhe mollët e Prizrenit. Në Hoçë të Madhe dhe Rahovec janë prodhuar në vit 1 milion oka verë nga përpunimi i hardhisë së rrushit. Në Prizren gjenden dyqanet e shumta zejtare me ç’rast prodhohen produkte të ndryshme për kohën, sikurse p.sh. që ishin argjendarë, tyfekxhitë (prodhues të pushkëve), rrobaqepës, thiktarë, mëndafsh përpunues, etj. që kanë qenë me zë dhe nam jo vetëm në Prizren e Vilajet të Kosovës, por në tërë shqiptarinë dhe Rumelinë e atëhershme Osmane. Në Prizren janë prodhuar stoli nga ari, argjendi, kobure, alltia, pushkë, tirqi, plisa, mintana, dollama, thika, gërshërë, tepsitë, gjilpëra, tela, pasqyra si dhe produkte të ndryshme që prodhoheshin sipas porosisë. Tufekxhinjtë (pushkëprodhuesit) e Prizrenit kanë prodhuar pushkë të njohura evropiane të llojit “Martine” të cilët përveç tjerash, i kanë zbukuruar me arë e argjend dhe i kanë eksportuar jo vetëm brenda kufijve të Rumelisë Osmane por edhe jashtë saj, në shtetet e atëhershme ekzistuese evropiane, ashtu që me këtë punë janë marrë 15 dyqan (zejtari) për prodhimin e armëve. Në Prizren është prodhuar mëndafshi nga druri i dudit, si dhe prodhime tjera të cilët gjendeshin të ekspozuara për shitje jo vetëm në qytetet e përafërta por edhe në Stamboll në kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Kanë qenë të njohura edhe prodhimet e saraçëve dhe të vektarisë. Brenda vitit nga Selaniku importoheshin mallra të ndryshme, rroba në vlerë prej 35.460 lira, si dhe 48.756 lira për sheqer kafe dhe mallra tjera të importuara nga jashtë vendit.
Burimet natyrore
Në rrethinën e Prizrenit nga hulumtimet e shumta që janë kryer, kanë rezultuar se përreth Rahovecit dhe fshatrat e saj mund të gjenden mineralet sikur që janë: ar, argjend, plumb, antimon, magnez, alumin, nikel, bakër, zink dhe krom, ndërsa në fshatin Nagavcë dhe Korishë supozohet se gjendet thëngjilli dhe kromi.
Pyjet
Përreth Prizrenit gjenden edhe pyjet shumë të pasura me dru, sikurse që janë pyjet në Caralevë, Llapushnik, Mushitishtë, prej të cilëve fshatarët e këtyre fshatrave bartnin dru për shitje për tregun e Prizrenit dhe Gjakovës, e besa edhe një pjesë dërgonin për në Ferizaj, me ç’rast ngarkohej në stacionin e trenit në Ferizaj për eksport të mëtutjeshëm.
Lumenjtë
Në Prizren, pran tij kalon lumi i Drinit të Bardhë i cili buron në mal afër Pejës, kalon në lindje të Gjakovës dhe vazhdon rrjedhjen afër Prizrenit, në Nashec dhe më tutje kalon nëpër Kukës për në Shqipëri, me ç’rast bashkohet me lumin e Drinit të Zi dhe derdhet në detin Adriatik. Lumi tjetër është Bistrica (Lumbardhi) i cili buron nga malet e Sharrit, njëri krah vjen nga fshati Gornjasellë ndërsa krahu tjetër nga fshati Lubinjë, dhe se të dy krahët bashkohen në fshatin Reçan, 9 km mbi Prizrenit, dhe më tutje nëpër grykën e Lumbardhit lumi përshkon në drejtim të Prizrenit, dhe hyn në qytet, në Marash, dhe kalon nëpërmes qytetit dhe si i tillë, e ndan Prizrenin në dy pjesë, dhe në dalje të Prizrenit derdhet në lumin Drini i Bardhë.
Kullosat
Në vargmalet e Sharrit gjenden kullosa të shumta në të cilën nga fshatarët vendas kultivohen tufat e shumta të dhenve dhe të dhive, rreth 100.000 krerë, me ç’rast vetëm nga prodhimi i djathit të njohur të Sharrit dhe të produktit të leshit, përfitohen brenda vitit të ardhura 3500 lira.
Rrugët magjistrale
Janë 4 sish, e para shkon në drejtim të Ferizajt, e cila rrugë kalohet për 10 orë ecje, dhe lidhet drejt me stacionin e trenit në Ferizaj, dhe më tutje vazhdon rruga që lidhet me Prishtinën. Gjatë kohës kjo rrugë ka qenë shumë e dëmtuar, nëpër të cilin me vështirësi kalonin qerret dhe kuajt, ashtu që pas vizitës së Sulltan Abdylazizit në Prizren, është dhënë urdhri për rregullimin e saj, ashtu që janë riparuar gjithsejtë 45000 metra rrugë dhe janë ndërtuar 6400 m rrugët të reja, ashtu që tani gjendja është shumë më mirë se përpara që ka qenë. Rruga e dytë është në drejtim të Gjakovës, e cila duke qenë se kalon nëpër një rrafshinë është shumë më komode dhe më e mirë për udhëtim me qerre dhe kuaj. Rruga e tretë është në drejtim të Shkodrës, nëpërmjet Kukësit, e cila është në një gjendje mjaft të mjerueshme, dhe se shumë vështirë udhëtohet pasi që rruga e tillë është përplot me gurë relief shkëmbor e malor, dhe si të tillë për udhëtim me qerre dhe kuaj paraqet një vështirësi tepër të madhe. E katërta është rruga në drejtim të Dibrës por pasi që kjo rrugë kalon nëpër rrethin e Lumës është shumë e vështirë për udhëtim për shkak të pozitës gjeografike të papërshtatshme, lartësisë së madhe mbi detare dhe reliefit malor shkëmbor. Është edhe rruga në drejtim të Tetovës, mbi vargmalet e Sharrit, e cila në shumicën e rasteve është e pakalueshme, e sidomos gjatë dimrit është e mbyllur për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe si e tillë preferohet që për udhëtim për në Tetovë të shfrytëzohet rruga nëpërmjet Ferizajt për Shkup.
Arkitektura e Prizrenit
Prizreni si një qendër e rëndësishme administrative dhe kulturore e Vilajetit të Kosovës, është i pasur me një arkitekturë të larmishme. Mbi qytetin gjendet Kalaja e qytetit në të cilin është e stacionuar njësia artilerike (e topxhive) të garnizonit ushtarak të qytetit, në dalje të qytetit, në magjistralen drejt Ferizajt gjendet kazerma ushtarake në të cilin janë të stacionuara 4 tabore (brigada) ushtarësh, në kuadër të së cilës gjendet edhe spitali ushtarak, si dhe njësia e telegrafit.
Në qytet veçohet për nga arkitektura, e ashtuquajtura Xhuma xhamia, e cila më parë ka qenë kishë me emrin ”Bogorodica Ljevishka”, përveç kësaj gjenden edhe 26 xhami, 2 kisha ortodokse, 1 kishë katolike, 7 teqe, dy hamame, 2 sahat kulla, çarshia e madhe me gjithsejtë 1389 dyqane, disa manifaktura (fabrikash të vogla), 15 mulli, në qendër të Shadërvanit gjendet fontana (kroi) i Shadërvanit, ndërtesa e beledijës (komunës), 5 ura, 15 furra, 12 hane, 53 depo e objekte të tjera.
Ky ishte një përshkrim i shkurtër i disa veçorive kryesore të qytetit të Prizrenit gjatë shekullit XIX.(Shkruar nga Hadi TAC) – Përktheu dhe përshtati: Faik Miftari
……………………………….
Prizreni (Lagjja e Nën’kalasë dhe pjesa tjetër e qytetit) nga koleksioni i fotografive të Josef Székely, 1 shtator 1863.
Prizreni (Lagjja e Nën’kalasë) nga koleksioni i fotografive të Josef Székely, 1 shtator 1863.
Prizreni (varrezat e Prizrenit, qyteti dhe Kalaja)
nga koleksioni i fotografive të Josef Székely, 1 shtator 1863.
——————————————–
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, sh.b)