Tiranë, 06. 04. 2014 – Më 5 prill, Prof.as.dr. Shefqet Hoxha feston 80 vjetorin e lindjes. Siç ka thënë një njeri i shquar i letrave “të jetosh gjatë është një heroizëm”. Por Shefqet Hoxha ka jetuar e jeton dhe ka punuar e punon me përkushtim. Ai ka plot të drejtë të krenohet me veprën e tij shkencore, që është një korpus i tërë, botimi i së cilës ka filluar që herët, në vitet pesëdhjetë. Profesor Hoxha ka lindur në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore të shquara, në Bicaj të Lumës. Bir i një mësuesi me emër, zotni Qamil Hoxhës, ish normalist i Elbasanit, që kish filluar herët mbledhjen e folklorit të krahinës së Lumës, disa nga punimet e të cilit ruhen në Arkivin e Universitetit të Harvardit në ShBA.
I diplomuar në Pedagogjiken e Peshkopisë për mësues, pastaj në Institutin pedagogjik (1956) dhe në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë shqipe të Universitetit të Tiranës, Shefqet Hoxha ka punuar si mësues e drejtues shkollash në Kukës, si metodis e inspektor arsimi dhe si pedagog në filialin e Institutit pedagogjik të Shkodrës në Kukës. Afër mendsh që historia e arsimit, sidomos e shkollës së Kolesjanit, e shkollës së Bicajve dhe e mësuesve që i themeluan ato si Riza Spahiu etj., do të ishin objekt i punës së tij studimore e botuese. Për këtë kontribut të shquar në arsim Shefqet Hoxhës i është dhënë titulli i lartë “Mësues i Popullit”. Unë kam kënaqsi të veçantë të uroj në këtë jubile të shënuar të jetës së tij ish mësuesin tim të klasës së parë fillore.
Prof.Dr.Shefqet Hoxha, në 80-vjetorin e tij!
Gjuha shqipe është një nga fushat ku prof.Sh.Hoxha është marrë intensivisht e me sukses. Për një kohë të gjatë Ai ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Instituteve të Gjuhës e të letërsisë dhe të atij të Kulturës popullore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka drejtuar shoqatat e gjuhëtarëve dhe të kulturës popullore në Kukës dhe ka marrë pjesë si delegatë në Kongresin e Drejtëshkrimit (1972) dhe është njëri nga firmëtarët e akteve të tij. Ka një tufë botimesh në lëmë të Gjuhësisë. Sipas meje dallojnë “E folmja e Rrafshes së Lumes” me të cilën në vitin 1996 fitoi gradën shkencore doktor i shkencave filologjike dhe “Gjurmime onomastike“ në Lumë (2005). Shefqet Hoxha e ka mbledhur e studiuar të folmen e Lumës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe ka bërë shpjegime interesante për fonetikën dhe fjalëformimin e saj. Dhe kjo i ka dhënë mundësi të mëdha të shpjegojë veçoritë e krahinës, po aq dhe tiparet e përbashkëta shqiptare të banorëve të saj, evoluimin e saj historik, si dhe ndikimet nga gjuhët e huaja.
Shefqet Hoxha sjell argumente bindës me të cilët vërteton se shqiptarët janë aty autokton dhe se pushtuesit sllav, nuk ia dolën t’i asimilonin dot.Për këtë Hoxha ka shfrytëzuar si dokumentacionin e Tefterëve osmane, dhe të dhëna të mbledhura nga terreni, nga toponimia vendase.” Në hartën e Shqipërisë etnike, shkruan Hoxha, Luma ndodhet pothuaj në qendër. Kjo krahinë rrethohet gjithandej nga vise të banuara nga shqiptarë…me të cilët gjatë rrjedhave historike Luma ka pasur lidhje e marrëdhënje të pandërprera ekonomiko-shoqërore e politike. Pse është ndodhur në një pozicion tejet strategjik, ku bashkohen dy Drinat e ku janë kryqëzuar rrugët e lashtësisë e të mesjetës së hershme e të vonë, nëpër të cilat kanë kaluar mallra e popuj me kultura të ndryshme, në Lumë kanë mbetur relike të tyre, e këto janë pikasur gjatë kërkimeve arkeologjike e onomastike. Vërtetë në onomatistikë gjejmë gjurmë romane, sllave, vllahe e osmane, por shumica e vendbanimeve, madje më të populluarat, kanë emra të burimit vendës, çka tregon, se edhe përkundër rrethanave tejet të vështira historike, elementi iliro-arbëror-shqiptar ka qenë e ka mbetur mbizotërues“. (Gjurmime onomastike në Lumë, 2005)
Shefqet Hoxha është marrë me thelbin e kulturës shqiptare në Lumë. Në rradhë të parë ai i kushtoi kujdes mbledhjes, studimit dhe se fundi (2013) edhe botimit dinjitoz të Kanunit të Lumës (me rreth 1000 nene)., një vepër madhore, e shoqëruar edhe me studime (gjithsej 713 faqe) e cila ka pasuruar njohjen e etnopsikologjisë dhe të historisë së Lumës. Autori ka vënë në dukje të përbashktën e Kanunit të Lumës me kanune të tjerë shqiptare, s’pari me atë të Dukagjinit, por edhe veçoritë e tij të shumta në përshtatje me krahinën, problemet, historinë, psikologjinë e shkallën e zhvillimit të saj, Kanuni i Lumës, shkruan profesor dr.Aleks Luarasi “është më i moderuar, më tolerant dhe më elastik”.
“Aftësia vetëqeverisëse e vetmbrojtëse, sanksionuar në Kanunin e Lumës, ka bërë që lumjanët të mbijetojnë.., ”shkruan profesor Hoxha. Ndikimet mbi të drejtën zakonore në Lumë, shkruan më tej, tregojnë edhe se kjo krahinë nuk ka qenë e izoluar, ajo ka pasur ndikime kulturore por edhe ka ndikuar mbi trevat dhe popullsinë përreth, me të cilat ka pasur lidhje të vazhdueshme.”
Profesor Hoxhën e ka tërhequr kërkimi dhe studimi i etnopsikologjisë lumjane. “Krahina etnografike e Lumës, konkludon Hoxha, është një mozaik i pasur dokesh, zakonesh, mitesh, besimesh, argëtimesh, krijimesh artistike popullore, veçorish etnopsikologjike, me një sistem vetëqeverisës tejet të organizuar, me histori plotë luftëra e përpjekje në shërbim të vetvehtes e të kombit, me njerëz sa të mrrolur aq dhe gaztorë, të dashur, të matur, por mundqarë sa s’ka. Veç tiparave karakteristike të shqiptarëve si mikpritja, besa e burrëria, lumjanët bartin edhe veçoritë e veta: një maturi të tejskajshme, përvujtninë, mbrojtjen e të vetit para të huajit, urrejtjen e pamasë për hasmin e tij dhe të vatanit, krenarinë (“o një pllambë mbi shokë, o shtatë pllambë nën tokë”), shenjtërinë e fisit, lakminë e fshehur për gjallesë; por lumjani është i toçitur mire me mendesinë se “atë që s’ia do vedit, mos ia ndjell tjetrit”.
Kërkues i palodhur, njohës e studiues i thellë i Lumës dhe lumjanëve, profesor Hoxha thotë se brenda vehtes malësorët e Lumës kanë zemër e shpirt të butë, tejet të ndjeshëm ndaj vuajtjes e dhimbjes. Lumjani është i prirë të përthithë, të s’vete, më të bukurën … nuk besoj të ketë krahinë tjetër si Luma, ku natyra të ketë ndikuar kaq shumë në jetën e njerëzve dhe në krijimtarinë e tyre. Shpirti i lumjanit është i ulur (gatuar) me kranarinë e maleve, ashpërinë e grykave të thepisura, ushtimën e valëve të Drinit në kohë shtrëngatash, uturimën e rreshpeve (ortekëve) rreptësinë e shqipeve kur u turrën preve, butësinë e livadheve plotë bar, trakllimën e këmborëve te deleve rudë, fëshfërimën e gjetheve të ahut, pastërtinë e brymës, joshjen e melodive te fyejve të gjatë, aromën dehëse të luleve në bjeshkë, heshtinë e frikëshme të honeve, shumllojshmërinë e ngjyrave të pyllit në vjeshtë.Natyra është transplantuar në këngët lirike, në veshje, në shtroje e mbulojë. Kësula e lumjanit – maja e Gjalicës në dimër, koporania-brezi i pishës së zezë nën livadhet alpine, tirqit – në ngjyrën e borës që ka mbuluar gjithkahen, qilimat e sixhadetë-livadhi shumëngjyrësh i shtruar në shtratin nusëror, ku cifti i ri sajon fërkemen e parë të jetës.”
Por puna shkencore e profesor Shefqet Hoxhës përfshinë edhe fusha të tjera, edhe atë të historisë së Lumës, të historise patriotike e luftarake të saj. Në këto dekadat e fundit Ai ka shkruar e ka referuar disa herë për tema të tilla e ne vecanti për Betejën e Lumës të vitit 1912 kundër pushtuesve serbë,duke e trajtuar këtë betejë me madhështinë saj, por në mënyre realiste, duke u larguar nga trajtimet e dikurshme folkloristike e modernizuese te disa studiuesve që janë marrë më parë me të.
Sa me bukuritë e natyrës, sa me psikologjinë e lumjanëve, profesor Hoxha është dashuruar me këngët e tyre lirike dhe epike, te cilat i ka mbledhur me shumë kujdes në dekada dhe i ka studiuar e botuar. “Himn i Lumës” e ka quajtur Ai me të drejtë këngën që populli i ka kushtuar betejës së vitit 1912: “Djemt’ e Lumës hiç s’ kannë dert, / ka nji luft’ bajn’ vet për vet / luft’ me kral e luft’ me mbret …”
Me 2002 boton “Luma në luftërat për liri”, po atë vit “Portrete e syzime atdhetarësh” e më pas ”Kryengritjet antiosmane në krahinën e Lumës, Prizrenit e Gjakovës” (2007). Në këto vepra e të tjera paraqitet historia dhe udha politike e luftarake e këtyre krahinave dhe e një grupi të shquar prijësish atdhetarë duke filluar nga Sulejman Vokshi, Hasan Prishtina, Islam e Sali Spahia, Ramadan Zaskoci, Ramadan Ҫejku, Qazim Lika, Bislim e Sulë Elezi etj.etj. Në trajtimet e historisë luftarake të Lumës ai është mbështetur në dokumente, por edhe në kujtime të shumta të arkivuara me kohë në Arkivin Familjar nga i ati, Qamili dhe ai vetë.
– Prof.Dr.Shefqet Hoxha me autorin e këtij shkrimi Sali Onuzi –
Shefqet Hoxha është nga të parët që ka bërë kërkime dhe ka botuar lista të dëshmorëve shqiptarë (lumjanë) të rënë në këto luftëra. Vitin e kaluar profesor Hoxha botoi nje vepër të plotë kushtuar të rënëve nga masakrat sërbe në Lumë e rrethina ne vitet 1912-1913.
Në veprat e tij të bie në sy trajtimi rigoroz gjuhësor dhe etnopsikologjik. Ai e shikon Lumën, siç është, si pjesë të Shqipërisë, si një krahinë etnike e Kosovës (deri me 1913 politikisht), në bashkëveprim e bashkëndikim të ndërsjelltë me krahinat e tjera kufitare, sidomos Dibrën, Hasin, Pukën, Mirditën etj.
Trajtimet historike të profesor Shefqetit i kalojnë caqet e Lumës, Ai është marrë seriozisht dhe me botime interesante nga krahina e Hasit, me origjinën e Kastriotëve, me dy dyert e tij të mëdha, të bogdanëve e mazrekëve, është marrë me historinë e krahinës së Gorës, me veçoritë e saj, dhe se fundi ka botuar edhe një vepër të plotë për Malziun. (2013)
Luma, ah, Luma!
Në maj 2004 Shefqet Hoxha do të shkruante: “Gjatë udhës së jetës i kam rënë kryq e tërthor krahinës sime, kam soditur e shijuar bukuritë e ashpërsitë e maleve e të bjeshkëve të saj; jam pritur e përcjellë bujarisht në tëbanat e kullat e malësorëve lumjanë, kam ndjerë ëmbëlsinë e mikpritjes, fjalën e bardhë të nënave dhe urtësinë e çiltërsinë e burrave të moshuar, si dhe forcën e shtrëngimit të duarve. Prej tyre kam përthithur polenin e traditave historike e kulturore të trashëguara brez pas brezi, leksikun e frazeologjinë, këngët e përrallat, doket e zakonet, jam njohur me mënyrën e jetesës dhe argëtimet, me normat e së drejtës dokësore. Në mjedise lumjanësh kam mësuar se çfarë vlerash ka besa e burrëria. mencuria e trimëria, thellësia e gjykimit dhe mprehtësia e fjalës. Dhe kur jam ndarë nga mikëpritësit e mi, kam ndjerë një zbrazëti shkaktuar nga mungesa e syve të tyre zhbirues e dashamirës. Jehona e fjalëve dhe e gjykimeve te tyre aq të mprehta, jo vetëm kanë shkaktuar shpesh bulime lotësh, por kanë qenë edhe një thirrmë për tu shkuar prapë në vatër, gjithsesi, ngrohtësia e odave malësore dhe serioziteti i kuvendeve s’ka pushuar së ndjelluri tek unë kujtime të pasosura. Dhe për ç’kanë bërë për mua malsorët e Lumës kam vetëm mirënjohje.”
Studiues dhe shkenctar i vërtetë, Shefqet Hoxha, gjithashtu nuk u ndahet librave dhe dokumenteve të arkivave. Punëtor i palodhur, studiues ekselent i etnografisë lumjane dhe gjuhës së kësaj krahine, Ai sfidon përditë moshën dhe lexon me kujdes, bashkëbisedon me plot njerëz dhe shkruan e boton. Në qoftëse me 1929 Antonio Baldaci pat shkruar se “askush nuk ka mundur ende ta studiojë mjaftueshem këtë “fis”, (e kish fjalën për Lumën. shënim im) prandaj nuk njihet vendi dhe njerëzit e tij, tani pas 8 dekadash, mund të thuhet me plot gojën se ky “fis” i Lumës është studiuar, dhe njihet, në rradhë të parë, në sajë të punës së palodhur të profesor Shefqet Hoxhës, që i ka kushtuar tërë jetën e tij.
– Autori është kolonel R. dhe ish drejtor i Departamentit të Veteranëve të Luftës, shoqërues i grupit të veteranëve në këtë aktivitet.
**********
SHEFQET HOXHA FESTON MES LIBRAVE 80-VJETORIN E DITËLINDJES…
Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues-Tiranë
1.
Siç është e njohur nga të gjithë, organizimi i festimit të ditëlindjeve bëhet në mënyra e vende të ndryshme. Kështu, rasti e ka sjellë që kam marrë pjesë në ngjarje të tilla të gëzuara, në mjedise kolegësh e miqësh, në Muzeun Historik Kombëtar, në Akademinë e Shkencave ose në Ministrinë e Kulturës. Aty është folur për jetën dhe veprimtarinë e një personi të caktuar, duke përmendur edhe punët e kryera, botimet e ndryshme etj. Ditëlindje të tilla kanë organizuar mjaft të njohur të mi, por po përmendi, ndër ta, prof. Alfred Uçin-Akademik, prof. Hamit Boriçin, Isa Halilajn-“Mësues i merituar” etj. Kujtoj këtu se edhe unë ftova familjarë e dashamirë, kolegë e miq etj., kur kisha 70-vjetorin e lindjes dhe, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, përurova librin jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010). Por, jorrallë, në festa ditëlindjesh kam qenë edhe në rrethe më të ngushta familjare ose shoqërore. Aty është kënduar e vallëzuar ose janë ngritur dolli, duke shprehur kështu kënaqësinë për kolegun a të afërmin. Është e kuptueshme, se në të gjitha rastet e mësipërme, pjesëmarrësit e kanë uruar nga zemra “kryedollibashin”: për jetëgjatësi, begati e arritje në punë, si dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare.
Ndërsa, kësaj here, dëshiroj t’u tregoj për një ditëlindje krejt ndryshe e të veçantë, në të cilën ishte hera e parë që merrja pjesë. Përmes Internetit, lexova këtë njoftim-urim, nga Izet Duraku: “Urimet më të mira studiuesit Shefqet Hoxha, në 80-vjetorin e tij! Me këtë rast, ditën e premte, më 4 prill 2014l, ora 10.00, në Bibliotekën Kombëtare çelet ekspozita, me më shumë se 40 tituj, nga veprat e tij, përmes të cilave “farkëtohet kujtesa jonë kulturore…”. Sapo ishte lexuar ky njoftim, kolegë e miq dhe dashamirë të tij nisën të uronin dhe ta vlerësonin atë, tanimë, jo me referate e kumtesa, por me fjalë zemre. Ndër ta, ishin edhe këta emra: Nazmi Doçi, Zamir Haxhija, Bedri Istrefi, Kujtim Morina etj. Meqenëse ndjeva kënaqësi e detyrim shoqëror, edhe unë shkrova këto radhë: “Përshëdetje të përzemerta dhe urimet më të mira për ditëlindjen, prof. Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”, studiues dhe botues i njohur, që me përkushtimin, punën e gjithanshme dhe botimet e shumta, ia keni ngritur lart vlerat vendlindjes dhe tërë Atdheut! Me respekt të veçantë: Murat Gecaj, Tiranë, 3 prill 2014”.
2.
Sipas lajmërimit, që ishte bërë, në orën e caktuar u ndodha në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit. Salla shkencore e saj është “vatra”, ku prof. Shefqet Hoxhën e gjen pothuajse çdo ditë, duke lexuar e shkruar, bashkë me mjaft studiues e shkrimtarë të tjerë. Aty ishte çelur ekspozita me librat e shumtë, të cilët mbajnë firmën e këtij veterani të arsimit tonë kombëtar dhe studiuesi të palodhur, me origjinë nga rrethi i Kukësit dhe tash disa vjet banues në Tiranë. Ishin të pranishëm famikljarë, kolegë e miq të tij, bashkëkrahinës, studiues e shkrimtarë, poetë e publicistë dhe punonjës të Bibliotekës Kombëtare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Në këtë ngjarje të gëzuar morën pjesë arsimtarët veteranë dhe botuesit e njohur: Isa Halilaj, Xhavit Biçaku e Mustafa Hoxha, Isuf Spahia, Fejzulla Gjabri e Shefqet Gjana etj.
Tubimin e hapi prof.Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Pastaj, për jetën dhe veprimtarinë e gjatë arsimore dhe botimet e shumta të prof. Shefqet Hoxhës, foli publicisti e studiuesi Izet Duraku. Me këtë rast, për të pranishmit u shpërnda fletëpalosja, me të dhëna nga jeta dhe botimet e autorit Sh.Hoxha. Kujtoj këtu se një shkrim për atë ka publikuar, afër tre vjet më parë, studiuesi nga Malësia e Gjakovës (Tropojë), Nuradin Lushaj (Revista “Mësuesi”, nr.6, qershor 2011).
Në mbyllje të këtij tubimi mbresëlënës, prof. Sh.Hoxha i falënderoi përzemërsisht folësit e pjesëmarrësit, familjen e tij dhe punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, si dhe profesorët e akademikët e paharruar: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Qemal Haxhihasani etj., për mbeshtetjen dhe ndihmën ndaj tij. Në shenjë mirënjohjeje, mbesa e tij i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta.
3.
Shefqeti ka lindur më 5 prill 1934, në Bicaj të Lumës, në një familje me tradita atdhetare. Studimet e para i kreu në vendlindje dhe më tej nuk iu nda mësimeve e studimeve, deri sa u diplomua për gjuhë e letërsi shqipe, në vitin 1959. Detyrën e mësimdhënësit e nisi që në vitin 1952 dhe nuk u shkëput asnjëherë nga ky profesion i nderuar, deri sa doli në pension, në vitin 1996. Gjatë jetës së tij, ka qenë mësues e drejtues i shkollave 8-vjeçare e të mesme, inspektor arsimi dhe pedagog në filialin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës. Bashkëpunoi me institutet shkencore të vendit tonë dhe ishte nënshkrues i akteve përkatëse, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Në vitin 1996, mori gradën “Doktor i Shkencave” dhe më 2007, “Prof.ass”. Për meritat e shumta në fushën e arsimit tonë kombëtar, më 1995, Presidenti i Republikës i dha titullin e lartë “Mësues i Popullit”. I përfshirë në jetën politike të vendit, në vitet 1992-1996, ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Ashtu siç u tha në këtë përvjetor të shënuar të prof. Shefqet Hoxhës, duke u bazuar në përvojën e pasur jetësore, që në rini ai filloi të botojë shkrime, në gazeta e revista të kohës. Ndërsa, në vazhdimësi, siç dëshmohet qartë nga skedarët e Bibliotekës Kombëtare, punimet e para me tematikë nga vendlindja i mblodhi në librin me titullin domethënës, “Gjurmime toponimike”(1998). Më tej, vit pas viti, në një periudhë kohore 15-vjeçare, përveç studimeve në revistat shkencore, ai shkroi e publikoi mbi 34 libra, ku është autor dhe 6 të tjerë, ku është bashkautor. Ata janë në gjini dhe lloje të ndryshme, kryesisht, për krahinën e Lumës. Ndër ta, janë librat me përmbajtje historike dhe për figura të shquara atdhetare, arsimin e gjuhësinë, zakonet e traditat popullore, për kulturën, foklorin dhe etnografinë etj. Libri më i fundi i tij është “Malziu-bubrrime historike-etnografike-folklorike-gjuhësore” (Tiranë, 2013). Në mënyrë të përmbledhur, për studimet e librat, që kanë autorësinë e prof. Shefqet Hoxhës, na njeh botimi i tij, me titullin“Shkrime dhe botime”(Bibliografi), Tiranë, 2014.
…Mund të shkruanim më shumë për birin e denjë të krahinës së Lumës dhe tërë rrethit të Kukësit e më gjerë, prof. Shefqet Hoxhën. Por e shfrytëzojmë festën e 80-vjetorit të ditëlindjes së tij, për t’i uruar atij nga zemra: Jetëgjatësi, begati e krijimtari, me botime të reja dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Tiranë, 4 prill 2014
***********************
LEXONI DY STUDIME TË PROF.DR.SHEFQET HOXHËS
PROF.DR.SHEFQET HOXHA: LUFTA E LUMËS KUNDËR PUSHTUESVE SERBË (9 NËNTOR – 6 DHJETOR 1912)
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=2108
***
PROF.Dr. SHEFQET HOXHA: SI U HAP SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KOLESJAN TË LUMËS, MË 14 TETOR 1911
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=2393