TEUTA SHALA’PELI: SI U EKZEKUTUA FAMILJA KASTRATI NGA FUSHA E PEJËS – MË 28. 05. 1999?!

Pashtriku.org, 17. 04. 2014 – Pas fillimit të luftës në Kosovë, forcat serbe ushtruan forma të ndryshme të dhunës ndaj popullsisë civile shqiptare në komunën e Pejës në përgjithësi, por edhe në vetë qytetin e Pejës, ku në shënjestër të këtyre sulmeve ishin edhe vetë lagjet e këtij qyteti. Dhuna e forcave serbe ndaj banorëve të qytetit të Pejës u intensifikua sidomos pas ndërhyrjes së forcave të NATO’s me 24 mars 1999, ku forcat serbe me një dhunë të pa parë fillojnë me dëbimin e banorëve nga lagjet e Pejës duke i depërtuar për në Shqipëri dhe Mal të Zi. Përveç se i plaçkitën dhe i dogjën shtëpitë, aksioni i forcave serbe për dëbimin e banorëve nga lagjet e Pejës u shoqërua edhe me vrasjen dhe masakrimin e popullsisë civile shqiptare.
Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO’s, forcat serbe kishin zbrazur lagjen e Zatrës, Kapeshnicës dhe atë të Dardanisë. ( 1 ) Të njëjtin fat përjetuan edhe banorët e lagjes Fusha e Pejës, ku më 26 mars 1999, një grup i armatosur dhe i uniformuar serbësh ndërmarrin një sulm barbar kundër banorëve të lagjes Fusha e Pejës. ( 2 ) Në lagjen Fusha e Pejës dhe pikërisht në rrugën Nexhdet Basha jetonte edhe familja Kastrati. Në afërsi të shtëpisë së tyre jetonin edhe shumë familje serbe, andaj kjo familje si edhe familjet e tjera shqiptare që jetonin në këtë lagje vazhdimisht kishin qenë në shënjestër të forcave serbe, ngase që nga fillimi i luftës familjet serbe që jetonin në këtë lagje ishin inkuadruar në radhët e forcave serbe duke mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj banorëve të lagjes.
Pas sulmit të 26 marsit 1999 ndaj banorëve të lagjes Fusha e Pejës, në të cilin sulm vriten shumë banorë të kësaj lagjeje, familja Kastrati e ndodhur në një situatë të tillë përkohësisht largohet nga shtëpia dhe vendoset tek disa të afërm në fshatin Staradran, ku atje qëndrojnë deri më 02. 04. 1999. Me tu kthyer nga fshati Staradran, familja Kastrati vendoset në shtëpinë e fqiut të tyre Hasan Muratagiq.
Vlen të theksohet se në lagjen Fusha e Pejës jetonte edhe familja e Hasan Muratagiqit (e nacionalitetit Boshnjak), e cila familje që nga fillimi i luftës kishte pasur një mirëkuptim si dhe iu kishte dalë në ndihmë shumë familjeve shqiptare edhe përkundër kërcënimeve të shumta që kishte marrë nga pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe përkatësisht nga fqinjët serbë banorë të asaj lagjeje, të cilët me të filluar lufta në Kosovë kishin hyrë në radhët e forcave serbe. Madje ata iu kishin kërcënuar kësaj familjeje “se në qoftë se në shtëpinë e tyre strehojnë shqiptarë do ti likuidonin, sepse ne jemi duke luftuar kundër shqiptarëve dhe ata as që guxojnë të kalojnë afër shtëpisë suaj. ( 3 )
Edhe pas vendosjes në këtë familje përsëri ata nuk ishin të qetë dhe forcat serbe disa herë kishin ardhur duke i provokuar madje një herë familjes Kastrati ia kishin marrë edhe veturën. ( 4 )
***
Me 28 maj 1999, në ditën tragjike për familjen Kastrati, rreth orës 5:30 të mëngjesit, dy vetura kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së Hasan Muratagiqit, të gjithë ata që ndodheshin brenda në shtëpi fillimisht kishin dëgjuar zilen e pastaj krismat në dyer. Me të dëgjuar këtë, kryefamiljari i familjes Kastrati, Sokol Kastrati si dhe pronari i shtëpisë Hasan Muratagiq kishin dalë nga dhoma dhe kishin hapë derën. Me të hapë derën, persona të armatosur dhe të maskuar kishin hyrë brenda. Me të hyrë brenda ata kishin filluar që të kontrollonin shtëpinë dhe të kërkonin para. Fillimisht ata kishin marrë 1310 DM nga motra e Hasan Muratagiqit, ndërsa 1000 DM i kishin marrë nga vajza e Sokol Kastratit.

Në ndërkohë njëri nga personat e armatosur kishte pyetur për njërin nga djemtë e familjes Kastrati se cili është “Valdo”, pas kësaj pyetje njëri nga ta e kapë për dore Valdet Kastratin dhe e nxjerrë përjashta ( 5 ), pastaj përjashta i nxjerrin të gjithë meshkujt e tjerë që ndodheshin brenda si: Sokol Kastratin, vëllanë e tij Xhafer Kastratin, djemtë e Xhaferit, Adrianin dhe Albanin si nikoqirin e shtëpisë Hasan Muratagiq, ndërsa brenda në shtëpi kishin mbetur femrat, përkatësisht motra e Hasani Muratagiqit si dhe femrat e familjes Kastrati në mesin e të cilave ishte edhe foshnja shtatë muajsh vajza e Valdet Kastratit, për të cilën personat e armatosur kishin pyetur se mos është djalë, pas përgjigjes së marrë se nuk është djalë por vajzë, me sa duket nuk kishin besuar, por në ndërkohë e kishin kuptuar se foshnja shtatë muajsh më të vërtetë ishte vajzë. Nuk voni shumë dhe nga jashtë u dëgjuan të shtëna armësh. Me të dëgjuar këto të shtëna, të gjithë sa ishin brenda menjëherë kishin dalë përjashta për të parë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre, ato panë se të pesë meshkujt e familjes Kastrati si dhe Hasan Muratagiqin i kishin vrarë. Me sa duket forcave serbe nuk iu kishte mjaftuar vetëm vrasja e tyre, ata madje edhe i kishin plaçkitur duke iu marrë edhe ato të holla që i kishin nëpër gjepa.
Disa orë pas kryerjes së këtij krimi, përafërsisht rreth orës 11:30 në oborrin e shtëpisë së Hasan Muratagiq, përsëri kishin ardhur disa pjesëtarë të forcave serbe të cilët i’u kishin drejtuar familjarëve se kanë një orë kohë për ti përgatitur kufomat për t’i varrosur. Rreth orën 17:00, forcat serbe kishin ardhur për ti marrë kufomat që ti varrosnin në varrezat e qytetit në Pejë. Nga frika se çfarë mund të ndodhte më tutje me fatin e kufomave të më të dashurve të tyre, dhe duke mos ju besuar personave të cilët kishin ardhur për ti marrë kufomat, familjarët e viktimave të të dy familjeve pra të asaj Kastrati dhe Muratagiq insistuan që të shkonte edhe dikush nga familjarët për ti varrosur kufomat. Pas shumë insistimeve më në fund iu lejua dy vetave që të shkonin për ti varrosur kufomat. Kështu me veturën të cilën e ngiste motra e Hasanit kishin shkuar ajo dhe gruaja e Sokol Kastratit për ti varrosur kufomat. Ato ishin detyruar që të qëndronin largë, ku prej andej kishin parë se të afërmit e tyre ishin varrosur. Menjëherë pas varrimit ato i kishin urdhëruar që të ktheheshin në shtëpi. ( 6 ) Kështu përfundon një ditë tragjike për familjen Kastrati, nga e cila ditë edhe pse u bënë 15 vite, megjithatë për ata që e përjetuan atë tragjedi akoma i kanë të freskëta tmerrin dhe vuajtjet që përjetuan më të dashurit e tyre.
Emri dhe mbiemri Mosha Data dhe vendi i vrasjes
1 Sokol (Qelë) Kastrati 56 28.05.1999 Fusha e Pejës
2 Xhafer (Qelë) Kastrati 52 28.05.1999 Fusha e Pejës
3 Valdet (Sokol) Kastrati 29 28.05.1999 Fusha e Pejës
4 Adrian (Xhafer) Kastrati 23 28.05.1999 Fusha e Pejës
5 Alban (Xhafer) Kastrati 17 28.05.1999 Fusha e Pejës
6 Hasan (Emrush) Muratagiq 39 28.05.1999 Fusha e Pejës

___________________
1. Nën pushtetin e urdhrave. Krimet e luftës në Kosovë, Human Rights Watch, Tiranë 2002,f. 317.
2. Krimet e luftës në territorin e komunës së Pejës mars-qershor 1999, KMDLNJ, Pejë 2002,f.19.)
3. Deklaratë e Sevdije Muratagiq dhënë KMDLNJ, më 26.05.2000, në Pejë.
4. Deklaratë e Lendita Kastratit dhënë KMDLNJ.
5. Po aty
6. Deklaratë e Sevdije Muratagiq dhënë KMDLNJ, më 26.05.2000, në Pejë.).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura