Prishtinë, 20. 04. 2014 – Ekspozita e parë në atdhe. Guri flet me gjuhën e artit nga shpirti i madh i njeriut tonë të thjesht e me kulturë. Destan e Barbara Gashi, vlerë në imazhin tonë gjithandej botës. Ekspozita: “Legjenda e Rozafës …” pjesë e Javës së Bibliotekës në Kosovë. Ekspozita u përkrah nga Ministria e Diasporës dhe Z.Ibarhim Makolli. Brigel: “Biri i humbur kthehet në vendlindje.”
Destanin e njoha nga puna e tij e madhe në disa ekspozita gjithandej Austrisë, bëra shkrime i frymëzuar nga vepra e tij, disi i ndieja sikur më takonin dhe mua. Sytë e tij shndërisnin në thellësi nga nxirrnin shpirtin e tij prej njeriut kombëtar, i dheut tim i cili na përvëlonte me brengat e bukuritë të cilave u takonim. “Kur të ekspozoj në vendlindje do qetësohet shpirti dhe trupi im, por, kur” – e tha para tri vjetësh në një ekspozitë në Vjenë. Ja, tani Destani qëndron krenar në shkallët e mermerta të amfiteatrit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Qëndron përkrah skulpturave që flasin thellë nga shpirti e tij këtu në shekujt e kreshnikëve dhe legjendave të dheut ku lindi.
Prishtinë, 16.04.2014: Destan Gashi dhe Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës.
Disi nuk e besoja, kur e dija sa mund e djersë kishte derdhur artisti rrugës së tij për plot të papritura e të trazuar ashtu siç ishte rrjedha në vendlindje. Destani rrugës së tij takoj dragonj, kuçedra, engjëj, lypës, idhuj, takoj ushtarin e rënë buzë gurit kufitar mes zemrës së ndarë shqiptare, takoj legjenda. Kali i Doruntinës pas shtatë bjeshkëve e solli në dheun e bekuar dhe sot hingëllinë në zemrën e dheut. Takoi rrezet e diellit mbi Adriatik, ngrohtësinë e rërës së zhuritur nga dhembja e kockave të pushueseve pas lodhjeve e mohimeve shekujve. Destani takoj të bukurën gjithandej legjendave shqiptare, Rosafa i dha gji legjende deri në Brukselin e njohur, ia hapi dyert e shpirtit krijues mbi tabanin mijëvjeçar pellazgë-ilir. Ja “Medaljoni i Qytetit të Brukselit” ku kontinenti flet”. Student shembullor në dy fakultete pikturë e skulpturë. “Këtu të duam profesor, urdhëro skenën e mësimdhënies, urdhëroni besimin tonë”. Destani falënderoi i heshtur hipur në Kalin Pullali drejtë shtigjeve ku prehej mermeri: Itali, Spanjë Austri e gjithë andej ku troku nuk ndalej. Në qytetin ku udhëtohet vetëm me barka e priti Zana e tij Borëbardhë me pikturat e jetës për nesër. “Do jem kosovare e përbetuar në fluturimin tonë tani me dy krahë përtej Adriatikut atje ku legjendat na thërrasin” foli Borëbardha sorkadhe e vërtetë. Brusha e Guri u bënë jetë e art, art e jetë. Trashëgimtari Guri bëri hapat e parë në Vjenën e artit e artistëve.
Pikturat e bukura të Barbarës shoqëruese në para e prapavijë të njëzet skulpturave të Destan Gashit: Kali i Doruntinës, Komet , Legjenda e Rozafës, Dy vajza, Dy vajza duke u larë në Ksamil, Këngë për pavarësinë, Nëna me fëmijë, Shikuesja, Zhytësja, Gruaja e Hasit, Puthja, Pasioni, Vajza ulur e shumë të tjera. Skulpturat e Destanit e pikturat e Barbarës sot dhurojnë kënaqësi arti në Parlamentin Europin, Parlamentin Austriak, Bankat e njohura në Austri, Hapësirave të oborreve mbretërore, kopshteve të qendrave kulturore, parqeve madhështore të metropoleve dhe shumë dashamirëve të artit gjithandej globit. Tani veprat e artit edhe në hapësirat e reja, artdashësve kosovarë aty ku rrah zemra shqiptare denbabaden. E tha i emocionuar vet artisti ynë fjalë pak për të cilin flet puna e tij e madhërishme e artit kulmor bashkëkohor në kontinentin plak, ku rrënjët tona janë gjithandej shekujve të skalitur në gurët e ndërtimeve qe nga Baltiku në Mesdhe. Pak kush e percepton madhështinë e një populli vendës evropian në shekuj nga kultura e të cilit morën të gjithë si vlera civilizuese me të cilat krenohen.
“Cili jemi më i fortë, traktori apo unë? Pyeti Destani me mahi plot sinqeritet.
Dhe s’të le të skuqesh e ia pret: “Traktori lëron dheun arave, kurse unë bjeshkëve shkëmbinj mermeri. Vetëm Kali i Doruntinë m’i theu shtatë dalta diamanti. Sa ndihem i lumtur me te, jetoj me te. Më dukët sikur kalëroj në legjendë bashkë me besën shqiptare”. Ja si shprehet rreth punës madhore të Destanit kritikja e njohur e artit në Austri Sandra Sagmeister, “Dashuria e Gashit: guri, nëse ia dhurojmë një bjeshkë nuk do ti mjaftonte”.
Rrugëtimi i Destani ishte përplot kthesa e peripeci, nga Zoqishti në Bruksel, Venedik e Vjenë. Ambasadori Joann Brieger, duke e njohur udhëtimin krijues e përplasjet valëve të skulptorit deri në Itakën e tij shprehet: “Biri i humbur i kthehet vendlindjes”. “Kemi të bëjmë me një artist i cili nuk e pati aspak të lehtë gjatë jetës së tij. Qysh në përzgjedhjen e mermerit apo edhe të ngjyrës, gjithçka është e ndërlidhur, e ndërthurur njëra me tjetrën, sikur të punohet për një dashuri që synon të jetë dashuri e të ardhmes në lidhje simbolike me vendlindjen. Ky sekret të cilin tani e shohim shpaloset edhe në veprën e Rozafës”.
Pikturat e bukura plotë ndriçim të Barba Gashit shprehin botën e çiltër të piktores profesioniste e njohur me ekspozitat e saj në Austri dhe më gjerë. Gjuha e saj e pastër shqipe flet për qëndrimin e saj njerëzor ndaj rrethit, artit e familjes. Frytit të dashurisë së tyre jo rastësisht ia vunë emrin Guri. Tani Guri Gashi është gjimnazit dhe adhurimi i tij është piktura e skulptura, trashëgimtar besnik e frymës artistike në vazhdimësinë e gjeneratave. Në shoqëri me shokun e ngushtë Florianin, shijonin mikpritjen kosovare, e njohur me shekuj.
Pamje nga ekspozita, piktura e skulptura të Destan e Barabara Gashit, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Ekspozita me përplot elemente shqiptare, nga literatura mbi legjendat, mitet, kreshnikët, heronjtë e pasuron vërtetë hapësirën e Bibliotekës Kombëtare. Znj. Remzije Bajraktari e shprehu kënaqësinë për këtë, falënderoj artistët dhe gjithë ndihmuesit. Ministria e Diasporës, përkrahësja kryesore për sjelljen e veprave të artit nga Austria foli përmes z. Lorik Pustina. “Përsonalisht Ministri z.Ibrahim Makolli ishte i angazhuar për t’u realizuar ekspozita e Destan e Barbara Gashit. Gjithmonë do jemi në shërbim të mërgimtarëve tanë, e vlerësojmë punën e tyre të madhe atje ku veprojnë” U ndamë nga artistët kur ata kishin vizitor ministrin z.Ibrahim Makolli. Lotët mallëngjimi e respekti rridhnin mjekrës së thinjur të Destanit. Melodia e tyre mbi mermer u ngjiz me pikat e shiut pranveror që ushqenin gjelbërimin e përjetshëm.