PËLLUMB GORICA: CUNEO, NJË NGA EMBLEMAT E ARKITEKTURËS SË GJALLË TË NATYRES ITALIANE (FOTO + VIDEO)

Tiranë, 24. 10. 2015: Në hapsirat e gjëra, si një qylym i qendisur me larmi peisazhesh, rrugë, lumenj, vendbanime, pyje, rrethuar nga malet Bizalta, Monvizo, të vendosur përbri njëri- tjetrit, madhështorë e të pamatë mes egërsisë shkëmbore, shtrihet provinca Cuneo. Ajo është rajon i Piemontes me qëndër Torinon, Italia Veriore, ku shtrihen disa qytete: Cuneo, Mondovi, Fasano, Saluzzo, Alba e dhjetra komuna të banuara prej shekujsh me histori interesante, bukuri natyrore, kulturë e arkitekturë të veçantë. Peisazhet të ngacmojnë të shijosh me kënaqësi të madhe magjinë e tyre. Me historinë shumë domethënëse, Cuneo daton që në shekullin e XII. I ndërtuar si fortifikim në mbrojtje të rrugëve, kjo prej pozicionit strategjik afër kufirit francez, Cuneo njihet për rëndësinë që ka patur në periudhën e shtetit të Savojës.
Si çdokush që shkel për herë të parë, kureshtja të shtyn të shëtisësh qytetin. Rrugët e tij të gjëra gëlojnë vrullshëm me dinamikë nga lumi vërshues i njerëzve dhe makinave. Vetëm duke kaluar përbri tyre, vështron arkitekturën e veçantë me vlera historike. Duke u futur thellë, për ta soditur endshëm, patjetër e prek historinë, kulturën, arkitekturën e ndërtimeve. Qytetin e bëjnë interesant pikërisht ndërtesat arkitekturore qindra vjeçare të larta, të mëdha e shumëkatëshe. Ballinat të hirnosura, të stilit të Rilindjes me arkada mesjetare. Si thesare trashëgimie janë restauruar, për të pasur çfarë t’u tregojnë brezave. Ato, të zbukuruara me elementët e dekoracioni, statuja, shenjtorë, skulptura të mbeten gjatë në kujtesë. Katedralja e Santa Croce e stilit barok e ndërtuar në shekullin e XVIII është kthyer në muze soditës. Në stacionin hekurudhor gjenden të ekspozuara në një muze relika të vjetra lokomotivash dhe vagonë. Ndër ndërtimet e familjeve fisnike, vila Oldofredi Tadini të rrëmben befasishëm shikimin e të bën për vete me pamjen. Madhështia e rrezatuar në shekuj është ndërthurur me ndërtimet e reja të atmosferës së qyteteve bashkohore italiane, peizazhe interesante, parqe të gjelbëruara, pishina, fusha tenisi, vila luksoze, qendrat e mëdha tregtare, urat e larta, nënkalimet, godinat publike funksionale edhe për të ardhmen e largët. Cuneo, si shumica e qyteteve italiane,që ndërtohen afër lumenjëve, edhe ky qytet është krijuar në afërsi të shtratit të rrjedhave Geso e Stura Di Demonte.

Duke shijuar kënaqësinë që ndodhesh këtu, impresione merr në sheshet dhe rrugët e qytetit nga bustet e emrave të famshëm të historisë dhe kulturës italiane. Në Piazza Galimberti lartësohet një statujë monumentale, duke përbërë simbolin e qytetit dhe një nga vendet më të rëndësishme të tij, si pikë referimi e qytetit Cuneo, ku çdo të martë një treg simpatik edhe në tezga të improvizuara reklamon gjithfarë mallrash. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1943-1945, Cuneo ishte një nga qendrat e rezistencës partizane kundër pushtimit gjerman të Italisë. Në kujtim të këtyre ngjarjeve është ngritur monumenti, që simbolizon rezistencën e partizanëve italianë. Të tilla monumente historike, në përkujtim të këtyre ngjarjeve, vështron edhe në Mondovi, Peveragno, Alba, Bove. Në një shesh të vogël, Garibaldi, kjo figurë e njohur historike, është përjetësuar në bust. Patjetër që kombi italian krenohet me këtë emër mitik në historinë e saj, si prijës i bashkimit të Italisë. Cuneo njihet edhe si qytet i festave, festivaleve dhe panaireve të shumta, si i gështenjave, djathit, çokollatës etj. Me një repertor të pasur, muzikë, valle, lojra, kostumet karakteristike, konkurset e bukurisë, çmimet e vlersimet interesante për gjithë pjesëmarrësit janë festa të gëzueshme popullore.

Në Cuneo, në qytetet dhe komunat e provincës së saj, banon një komunitet jo i pakët emigrantësh shqiptarë. Kryesisht nga trevat e Veriut të Shqipërisë, por edhe nga Berati, Fieri, Elbasani. Të integruar natyrshëm në jetën ekonomike e sociale, kanë ndryshuar edhe imazhin e krijuar kur erdhën, duke lënë pas vështirësitë e fillimit, të njohura e emigrimeve të tilla si mosnjohja e gjuhës, leja e qëndrimit, mungesat e natyrshme, por edhe e një opinioni negativ ndaj tyre. Tani janë pajisur me dokumenta qëndrimi. Bëjnë një jetë siç e dëshirojnë dhe me standarte. Punojnë, fitojnë, arsimohen, festojnë e gëzojnë njësoj si italianët. Ska dyshim që gjuhën shqipe, fëmijëve të lindur e rritur këtu ua mësojnë për të mos e harruar.
* * *
Arteriet e rrugëve pa mbarim. Të drejta e të gjera, rrethuar nga drurë dekorative trungjegjerë, të vjetër dhe krahasitur për bukuri e që ngjasojnë si truproja. Qytezat, kodrat, fushat e mbjella me bimë bujqësore, gërshetuar me plantacione drurësh frutorë të çlodhin sytë. Admiron bukurinë e ndërtimeve, gjelbërimin që i rrethon, peisazhet joshëse dhe qetësuese për shpirtin. Të impresionon Chiusa di Pesio, vendbanim i këndshëm me ndërtime komode e në harmoni. Mjaft të hedhësh sytë në kopshtet e gjelbëruara, verandat dhe dritaret mbuluar nga lule kacavjerrese zbukuruese ngjyra-ngjyra të kaplon kënaqësia. Panorama e Peveragnos pas një kodrine të gjelbëruar të rrëmben vështrimin. Ajo shtrihet në këmbët e malit Bisalta. Rrugët e kalldrëmta, të shtruara me simetri, që dredhojnë mes ndërtesave tepër të mirmbajtura, ngjeshur afër njëra – tjetrës, ruajnë një frymë arkaike shumë shekullore. Por në Peveragno, gjëja me e bukur dhe më e veçante është festa e luleshtrydhes, si një nga ditët më të gëzuara të banorëve të saj me emocione të pashlyeshme. Në Boves ndihet akoma më shumë freskia e pyllit. Jo vetëm kishat që dominojnë mbi gjithë ndërtesat e tjera, por edhe ndërtimet karakteristike pranë njëra-tjetrës, lyer me ngjyra të gjalla, të magjepsin me shkëlqimin e fasadave.
Një nga ato momente që nuk duhen humbur, nëse ke pak interes për këto, ndihesh i mrekulluar, kur viziton Certosa di Pesio. Një urdhër fetar që në terësi të jep pamjen e një parajse, të dhuron emocione të tjera me ndërtesat e vendosura rrëzë të një kodre, rrethuar nga një aureolë magjke gjelbërimi e qetësie të paqtë. Përshkon rrugicat përmes ndërtesave, muret, sallonet e stolisura me mbishkrime, piktura e zbukurime të tjera, dhe e ndjen veten sikur hyn në një arkivë të pambarimtë, historike e kulturore, prehje e pafund e shpirtit. Të mbetet vështimi mbi statujat, pllakatat, bustet në sheshet, që të nxisisin t’i lexosh mbishkrimet, por edhe t’’i fotografosh.

Mondovi është një qytet i bukur, mbresëlënës e miqësor, që të magjeps me shtrirjen, peizazhin, arkitekturën. Ndihesh i befasuar nga pamja tërheqëse aq edhe madhështore e tij, me shembuj të shumtë të artit arkitektonik, si një pikturë gjigande. Mondovi ka një popullsi prej 23 mijë banorësh. Një lum i vogël, Ellero, sistemuar dhe veshur me gjelbërim kalon mespërmes tij. Në kodrën paranomike janë skalitur pamje mrekulluese të ndërtimeve të vjetra, që ja shtojnë hijeshinë qytetit, e çdo njëra prej tyre ka në vetvete histori interesante. Piazza Maggiore e rrethuar nga portikë e ndërtesa të stilit gotik dhe barok, të mahnit me afresket dhe koleksionet qeramike, të krijuar dy shekujt e fundit. Pjesa e sipërme e Mondovisë lidhet me pjesën e poshtme edhe me teleferik. Në pjesën e poshtme ndodhen qendrat tregtare, kafene e restorante të shumta me ndërtime moderne e të dizenjuara kah bashkohores. Mondovi është e njohur për qeramikën prej argjili. Një traditë shekullore, e cila kohët e fundit me promocionet e shumta ka marrë të tjera vlera. Nëse kërkon të mësosh më shumë, Mondovi njihet edhe si qytet fushëbetejash në shekujt e ekzistencës së tij, midis pronarëve feudalë dhe klerikëve fetarë. Me këtë rast s’ka se si të lihet pa u përmendur edhe fakti që këtu është zhvilluar një nga betejat e Napoleon Bonapartit.
Si një nga veçoritë karakteristike të këtij qyteti, janë kishat e vjetra me afresket gotike, të veçantë, jo vetëm nga përmasat, por edhe nga arkitektura e ndërtimit. Ato të futin në botën mistike, si prehje e hapësirave shpirtërore. Në Vicoforte ndodhet një nga bazilikat e famshme, Santuario Di Vicoforte, e vlerësuar për madhësinë dhe format arkitektonike të saj. Kubeja e saj është eliptike, 74 metra e lartë dhe me një diametër mbi 30 metra. Ajo, më shumë se një objekt kulti, me vlerat artistike e përmasat e mëdha, është kthyer në një adhurim e peligrinazh për mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Ndërsa kundron madhështinë e saj, emocionohesh me dekorin e brendshëm. Me një frymë të gjallë dhe harmonike të ndjesive, hapësira e kubesë, përmes një dritëhije rrumbullakosëse, shkrin harmonikisht ngjyra me një shkëlqim verbues. Figurat e pikturuara të engjëjve, ngarkuar me plot fantazi, të befasojnë si në një sfond të hapur qiellor.

* * *
Moria e ndërtesave zëvendësohet nga peisazhet frymëzuese. Dielli lëshon mbi to rreze dritë e ngrohtësi. Të tërheqin vëmendjen të tjera peisazhe interesante, rrezellitëse, qetësuese, argëtuese dhe e bëjnë të këndshëm udhëtimin. Udhërrëfyesi turistik të fton në parkun natyral Alta Valle Pesio e Tanaro shtrirë malit Bisalta. Pamja mbizotëruese e tij me lartësinë si piramidë, në shkëlqimin e ngjyrave të stinës e diellit vjeshtak, të jep të drejtën të meditosh. Si një privilegj të vlerave të veçanta, që shfaq parku Alta Valle Pesio e Tanaro me larminë e botës bimore dhe shtazore, i këndshëm e përrallor, si poezi më vete, me peisazhe ngjyra – ngjyra, që tjetërsohen pas çdo kilometri, të cilave nuk ia gjen shëmbëlltyrën, të le pa fjalë, kur e kundron dhe të shtyn kureshtjen e dëshirën për ta shkelur e për t’i shtuar vetes më shumë kënaqësi. Humbet thellësive të pyllit drejt lartësive të malit Bisalta, nëpër një mori rrugësh gjarpëruese. Heshtja thyhet butësisht nga zhurmat e lehta, bisedat e vizitorëve që në këtë stinë nuk janë të pakët, cicërimat e zogjëve, fëshfërijtja e lehtë e gjetheve të rëna në tokë nga drurë gjithfarësoj, të lartë e të dendur. Në luginat e ngushta, rrjedhin lumenj të vegjël, diku të rrëmbyeshëm e diku gurgullues si melodi e ëmbël. Pamjet nga ç’mund të shohësh në një kalim janë mbreslënëse. Sa të zë syri një pamje, ia le vendin një pamje tjetër po aq të bukur. Të përkundur thellësisht në këtë ndjesi të soditjes së peisazheve piktoreske, orët kalojnë pa u kuptuar dhe aspak nuk ndjen lodhje. Peizazhet piktoreske marrin më shumë vlera, kur ruhen, mirëmbahen dhe ndërthuren me të dobishmen. Parku Alta Valle Pesio e Tanaro njihet edhe për vlerat kurative. Resortet turistike buzë ujrave, në sheshe e brinja kodrash, pingul diellit në mesditë, teksa rrihen nga flladet e erërave, së largu shfaqen me ambiente elegante për t’u ç’lodhur endshëm. Në restorantet alpine shijon prodhimet vendase. Verën “Dolcetto”, djathin “Raschera”, që cilësohet më i miri midis djathrave të Alpeve perëndimore, çokollatën “Arione”, etj. Ecim në peisazhe të tjera mbreslënëse të parkut natyral Alta Valle Pesio e Tanaro, ku ndërthuren ujvara, burime, shkëmbinj, drurë të lartë e të shumëllojshëm, sa mbetesh përherë pa fjalë.

Cilido, që i ka rënë rasti të udhëtojë, kur i afrohet kufirit të Italisë me Francën, në lartësitë e Alpeve Detare, aty ku rruga merr për në tunelin Cole de Tende, 1321 m, përjeton një emocion të një natyre të veçantë. Në gjirin e një lugine të ngushtë, rrethuar nga malet, shtrihet Limone Piemonte, një vendbanim i lashtë dhe një ndër mjediset më piktoreske të Italisë. Rrugët e ngushta e me tipare të spikatura, të shtruara me kalldrëm që gjarpërojnë ndërtimeve arkitekturore impresionuese dhe karakteristike prej guri, janë shkrirje e trashëgimisë historike me modernitetin. Lule dhe flamuj të kombësive të ndryshme zbukurojnë mjediset e ndërtesave. Këtu janë përqëndruar edhe buste të figurave të njohura të këtij vendbanimi të lashtë, në fusha të ndryshme, si ajo e kardinalit Riberi Antonio, sociologut Antonio Marro etj. Në Limone Piemonte, adhuruesit në çdo stinë të vitit, gjejnë pikërisht vendin e duhur, me mundësi të shumta argëtimi. Të pushojnë, t’i ngjiten majave të larta, me shpatet shkëmbore dhe vështirësi të mëdha, përmes peisazheve joshëse me forma të shumëllojshme, të bëjnë ski. Limone Piemonte, në afërsi të Torinos, San Remos, Xhenovës, por edhe qyteteve franceze Menton, Nisë dhe principatës së Monakos, është një destinacion prej një shekulli i pasionantëve të sporteve dimërore, skive dhe patinazhit, ku janë organizuar edicionine të Kupës Botërore.
* * *
Me këtë mori përshtypjesh të pashlyeshme, sa të mungojnë fjalët për t’’i përshkruar më shumë, ditët e ardhshme të pandara nga dëshira për të soditur të tjera qytete e komuna të Piemontes, për të shijuar magjishëm arkitekturën dhe peisazhet mahnitëse.

================================================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

……………………………………………………….

(Videomaterialin e përzgjodhi editori i pahstriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura