Tiranë, 20. 04. 2014 – Të shkruaj dy fjalë me stil epigramatik In Memoriam për poetin Koçi Petriti që sapo mbylli sytë përgjithmonë (sytë e poezisë së tij nuk mbyllen kurrë) për mua mikun e tij të vjetër është gati një sfilitje, – trishtimi është mjaft i dëndësuar dhe i rëndë – ndonëse çdo vdekje fizike është absolitisht e pashmangshme. Edhe fjalët kanë spektaklet e tyre, por vdekja e një poeti nuk ka nevojë fare për asgjë të tillë. Poetët e vërtetë kanë vdekje konvencionale padyshim. Ekuacioni i lashtë – gati proverbial “se poeti vdes, por jo poezia” nuk është ngushëllues për njeriun konkret, por i vetëmjaftueshëm dhe fisnikërues për poezinë. Në ditët e sotme të demonizuara nga politika, poezia ngjan si e harruar.
Kjo situatë kontradiktore megjithatë flet për semantikën e ndërlikuar të kësaj të vërtete, shpesh këlthitëse, plot shqetësim, trysni, mediokritet masiv, mpirje të shijes poetike.
Ezra Pound ka thënë se “kur poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet”. Këtë gjë duhet ta kuptojmë edhe ne shqiptarët se poezia mund të jetë ekujvalent i kombit, ndonjëherë më shumë se sa polika dhe ekonomia, se ajo që mbetet nga një histori kombëtare nuk janë aq kronologjitë e historisë politike, por strukturat kulturore që në shumicën e rasteve duken si të papërfillshme.
Koçi Petriti (1941 – 20 prill 2014)
Koci Petriti është një mjeshtër i veçantë i lirikës shqiptare – kjo jo vetëm që nuk është pak, por përkundrazi iluminon fjalën shqipe dhe krijimi poetik e kapërcen autorin – vdekja është një ndalesë por poezia një lëvizje që nuk ndal.
52 vjet më parë Koçi Petriti botoi librin e tij të parë poetik “Lirikat e majit”- një libër i çuditshëm, ftillëzues, – larg strukturave estradeske dhe miteve zyrtare politike. Tërë krijimtaria e tij e mëpasshme është arketipuar ndjesësisht nga ky libër.
Pse?
Koçi Petriti vendosi të jetë përfudimisht një poet lirik, pra vetvetja. Ai u shqua si një lirik i hollë dhe i denjë dhe emri i tij i afrohet emrave të De Radës, Serembes, Naim Frashërit dhe Lasgush Poradecit, jo në mënyrë të bujshme dhe pretenduese, por me një modesti vërtetë lirike si pakkush.
I lidhur me traditën poetike Koçi Petriti modelon risitë e tij në heshtje, por me vetëdije të qartë. Ai e di se lirika është “poezia e poezisë“, një distilim, një akuarel që mund të mbijetojë sa edhe skalitjet e mermerit.
Lirika e tij projekton pejsazhin shqiptar duke e kipcuar me shpirtin, – i hap kufijtë nuk i mbyll, – buron nga ekzistenca pa qenë afishja, posteri i ekzistencës.
Poeti amerikan Eduin Muir ka shkruar se ”mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë patjetër të cekëta, ashtu si ato të pazakontat e të mprehtat nuk janë patjetër të thella.”
Kjo kuptimshmëri e shumëfishtë e bën lirikën e Koçi Petritit diçka që ripërtërihet- urën e fjalëve të gjalla, sepse përpara tij humnerat janë vetëm pakuptimshmëri e hirtë dhe e hiçtë.
Ai është poet i natyrës, përherë i mahnitur “nga rënkimi mistik i kaut“, mjedisi zanafillon poezi të përjetëshme me një kureshtje grishëse të parrëfyer. Ai e përsosi poezinë me një muzikalitet të rrallë- duke u dalluar nga poetët e tjerë bashkohorë në këtë hulli. Mataforika e tij është e guximshme dhe moderne- figurat janë të befta dhe ndonjëherë surreale- moderniteti i poezisë së Koçi Petritit është diçka e fshehur në brendësi- ai nuk është poet i sipërfaqeve.
Gjatë gjysmë shekulli krijimtari edhe ai si poet e pati një mekanizëm modifikues, siç e ka quajtur vetë në një rrëfim publik, por jo një përshtatshmëri klienteliste si shumë poetë të socrealizmit.
Ai qe njeri i thjeshtë, fjalëpakët, kishte një kujtesë të çuditshme- mbante mend qindra e qindra vargje- sidomos vargjet e Mjedës- pëlqente ta citonte shpesh.
Tërë vitet e fundit larg vëmendjes së mediave ai qe përherë një hulumtues i vëmendshëm i së bukurës dhe poetikes, pra një murg i urdhërit të stërlashtë të poetëve të ngjashëm.
Poezia nuk është thjesht gjëagjëzë e estetikës, ajo nuk është diçka kalimtare, por kuintesenciale. Poezia nuk është apendiks, apo tepri e kulturës së përgjithshme, por një stimulim enigmatik i kësaj kulture.
Në lirikën e Koçit është trishtimi i ekzistencës por edhe besimi utopik për të bukurën dhe njerëzoren- humaniteti nuk shpërbëhet, as pluhurizohet.
Lirika e tij reastauron kujtesën e zanafillave, përbën një ekologji shpirtërore të natyrshme, kundër çdo deformimi dhe margjinalizmi banal të jetës- i bën më të ndjeshme shqisat tona për të ndjerë, parë dhe kuptuar botën dhe gjithçka, të ardhmen pa apokalis.
Ky poet ka ringjallur strukturat baladike si asnjë tjetër në poezinë tonë të re. Këto balada ku epizmi e përshndrit dhe e bën më inkandeshente lirikën janë kodet e stërmotshme të shqiptarëve që poeti i përfaqëson dhe i rikoncepton me nderim, përkushtim të pafund.
Poezia e tij ka disa herë dhe nivele më të epërme epike- sidomos kur flet për të ardhmen dhe fatin e Shqipërisë së sfilitur në shekuj- kështu ai pozicionohet midis Lasgushit dhe Nolit.
Jeta e tij është ajo e një krijuesi të mirëfilltë.
Puna e tij si kritik letrar është në harmoni me veprën letrare- horizonti i tij kulturor ka kordinata mendore dhe instrumentet konceptualë për të bërë analizat dhe sintezat mbi letersinë shqipe.
Ai u doktorua mbi veprën e Martin Camajt, qe ca kohë edhe dekan në USHT.
Para ca ditësh isha së bashku me poetin Anton Papleka për ta parë në shtëpinë e tij për herën e fundit- i sëmurë rëndë, i shtrirë në shtrat, pranë të shoqes dhe dy djemëve- na pa dhe na njohu- por e kishte të pamundur të fliste- sytë e tij u njomën nga lotët- aty ishin tashmë lirikat, bisedat, takimet tona, diskutimet, shakatë, nderimi reciprok, besimi kultik mbi poezinë- gjithçka e shkruar apo e pashkruar më. Sepse vdekja është diçka e tretë, midis realitetit dhe imagjinatës.
Koçi Petriti e ka vendin e tij të sigurt në panteonin e lirikës shqipe- ai nuk e kërkoi lavdinë- por vargjet e tij e kanë amëshimin brenda,- vdekja e tij na bën edhe ne të tjerëve të vdesim prej kësaj vdekjeje, ashtu si poezia e tij na këndell dhe na e shton jetën- që nuk është njësoj me thjesht ekzistencën. Amen!
********************************
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Sot, më 20 prill 2014, në moshën 73-vjeçare ndërron jetë, pedagogu dhe studiuesi i njohur Koçi Petriti, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Koçi Petriti lindi më 1941 në Korçë ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua për gjuhë dhe letërsi. Më 1993 u emërua Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku punoi më pas edhe si pedagog i jashtëm. Ndër veprat e tij më të njohura janë:
– Lirikat e majit (Tiranë, 1962)
– Përsëri në udhë (Tiranë, 1867)
– Firma e popullit tim (Tiranë, 1974)
– Prush nëpër shekuj (Tiranë, 1979, çmimi: libri më i mirë i vitit)
– Lulekuqet (Prishtinë, 1981)
– Të dashurova ty (Tiranë, 1988)
– Poezia shqipe (kolana e poezisë shqipe, Tiranë, 1989)
– Në poetikën e Martin Camajt (Tiranë, 1997)
– Lirikat e majit (Tiranë, 2002, ribotim i ndryshuar)
– Albumi i lirikave (Tiranë, 2004)
– Poezi të zgjedhura (Tiranë, 2005)
Koçi Petriti ishte i njohur edhe për tekstet e këngëve në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar.
*******************************
POEZI NGA KOҪI PETRITI
TI DO TË VISH…
Ti do të vish, prapë do të vish
Nga udha ku je nisur
Po flokët më s’do të t’i shprish
Ashtu si t’i kam shprishur
Në gjoksin tim që digjet zjarr
Do rrish pa bërë zë
Po unë prapë si fillestar
S’di do të të puth më
Do desha të isha prapë me ty
Si viteve që s’kthehen
Që kur të shihemi sy ne sy
Të skuqem e të dehem
Pra, bëmë në ëndërr të të shoh
Dhe hidhmë në mendim
Që kurrë fundin mos e njoh
Siç njoh fillimin tim…
PËR TY QË TË DUA
Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë
Unë emrin tënd s’e kam vënë në asnjë vjershë
E s’do ta shkruaj as në vargun më me bujë
Kjo do të thotë që gjërat me peshë
rrinë në thellësi dhe është zor t’i ngresh mbi ujë.
***
S’rri dot me ty,
s’bëj dot pa ty,
nata ka vesh,
dita ka sy.
Fshehur po dal’
vjedhur po hyj,
nata ka vesh,
dita ka sy.
Nën qiell veç,
nën dhe të dy,
s’rri dot me ty,
s’bëj dot pa ty.
PËR TY QË TË DUA
Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë
Unë emrin tënd s’e kam vënë në asnjë vjershë
E s’do ta shkruaj as në vargun më me bujë
Kjo do të thotë që gjërat me peshë
rrinë në thellësi dhe është zor t’i ngresh mbi ujë
NË PUTHJE ISHE KREJT DËBORË
Në puthje ishe krejt dëborë,
sikur më puthte vdekja,
e unë
të shtira kot në dorë,
mos shkonte kot pikpjekja.
Po dhe në ish dorështënia e kotë,
a thjesht pa epsh, pa ëndje,
përse më kap rrënqethja e ftohtë
kur ty të sjell ndërmëndje?
M’u dhe ti mes dëbore e zjarri,
pa ditur ç’ndeze e ç’fike
e mua shpesh kjo puthje varri
më shpon si majë thike.
TËMTHAT MË RRAHIN
Tëmthat më rrahin
zemra më digjet
dua një shekull të rroj
e larg n’u largofsh si ujrat nga brigjet
prapë më dhimbsesh njësoj
Ç’rëntë mbi mua
ç’rrjedhtë nën mua
rrjedhtë e më ktheftë tek ti
unë ç’njeri duhet dashur e dua
ty sa njëqind dashuri
Ç’flasim kështu
ç’heshtim kështu
vallë në ç’ujra po zhytem
ulur në çipin e syve të tu
lermë të pi e të mbytem!
Lermë të pi
lermë të hesht
zemra për zemër të digjet
shekullin tim le ta ngrysja kaq thjesht
n’ujrat ku lozin gjith’ brigjet…
Tëmthat më rrahin, zemra më digjet.
LETËR 2
Kam ndënjur vonë për ty, po rri dhe sonte.
Me ç’brejtës t’eshtrën zemër të ta brej?
S’kam dashur që keqardhje të të zgjonte
Një dobësi që tjetrit ia urrej
Ç’të derdh në varg dënesje shpirtsëmuri
kur ty zjarrminë e mallit s’ta ndez dot
Me ç’zog vajtues qan një dhimbje burri
Të ndjellë midis lotit, pika lot?
Po flas dhe hesht, po hesht dhe flas kaq mbytur
Por kot. Ti s’ndien as mall, as ngashërim,
E nuk e di me ç’xhinde jam përfytur
Të fsheh ç’më bren përbrënda burgut tim
12 shtator 1962
***
Unë mund të them një të vërtetë
Të tjerat mund t’i fsheh
Ne shumë mburremi ndaj botës
Por bota për asgjë s’na njeh
Prandaj në këtë natë t’errët çmoj
Nga gjithçka më tepër të vetmuarit
Që pyesin shpesh vetveten : “Përse rroj
kur flenë budallenjtë dhe të zgjuarit?”
JU KUJTOVA TË GJITHAVE
Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha
që nga m’e hershmja
gjer tek e vona,
atë që ish e paputhura,
atë që ish virgjëresha,
atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.
Atë që flijoi për tre grosh dashurizen e parë
atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua
atë që nguroi n’udhëkryq djall a ëngjëll të marrë
atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “Të dua”
Ja, po më ngjan sikur ngriheni nga heshtja e honeve
të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë
ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve
donit të ngroheshit, pendët e bukura dogjët
Vjen perëndish edhe ti që të desha së pari
pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lot
të shtrij e të shkoj përmbi buzë serish si dikur një fill bari
ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!
Prap unë u desha pa ty
ti prapë u puthe pa mua
erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet
erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua
mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet
Zbriti dhe suta e Veriut
mbërriti edhe krrilla prej Jugut
unë i pranova të gjitha, të gjitha, të gjitha
toka, grua beronjë, palluar prej plugut
qan kur s’ngarkohet me peme
qesh kur mbulohet me drithra
Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi
brymen e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha
Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona
herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund
jam gati çdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona
pastaj ta harroj si një libër që s’mund ta lexosh gjer në fund
***
As mundem të të mbaj
as bindem të të ndaj
ndonëse guxim i krisur më jep shtytje
e toka që i zbon avujt e saj
shpesh kërkon shi
e shpesh pëson përmbytje
ÇAST
Dallgë dhe dremitje e mërmërimë
Ç’madhështi pa shpirt, pa dashuri!
Ne të dy buze-ujrave po rrimë
Guaska jonë deti.
…Ne – perlat e tij.
Dhe kështu i thamë gjithë fjalët
Heshtim me një heshtje që s’na shkon
Po dhe deti i madh, që varros valët
Nganjëherë u bëka monoton
HËNA
Sa here atë e morën nëper gojë
e kush s’u tall me shkak apo pa shkak?
Ajo s’e bëri veten të përçmojë
vetmia e tret, thashethemnaja e mplak
Vejushe, që përcjell e pret të birë
i vjen përjetësisht rreth e qark botës
që udhët të mos mbeten n’errësirë
kandilin që i jep dielli ia fal tokës…
SHKËNDIJA
Shumë ëndërrova të doja një njeri
Kështu më mbeti koka kthyer nga dashuria
Ëndërr pas ëndrre blova dhimbje e vetmi
Në zemër mblodha gjithë muzgjet me shkëndija
Duhet të prisja që veç ty të të desha
I rrethuar kështu përjetësisht me xixëllonja
Jam unë që të dua vërtet gjer në eshtra,
Apo ti të më bësh të të harroj je e pazonja?
16 mars 1972
_______
(Poezitë u morën nga Revista ADMET)