SEJDI BERISHA: KTHIMI NË JETË, DHIMBJA SPECIFIKE DHE KRENARIA PËR AFIRMIMIN E VLERAVE KRIJUESE LETRARE…!

Pejë, 27. 10. 2014 – (R e p o r t a zh) – Kur u nisa me krijuesin dhe mikun tim nga Gjakova, Tahir Bezhani për në Kukës, për të marrë pjesë në promovimin e librit-romanit, “Rikthim në jetë” të shkrimtarit, Lulzim Hajdari, gjithnjë e kisha ndërmend tanimë forcimin dhe bashkimin e mendjes krijuese me këtë qytet, por edhe me qytete të tjera të veriut, që është një e arritur shumëdimensionale në aspektin e vlerave krijuese letrare, të cilat për një kohë deceniesh ishin të shkëputura, dhe kështu edhe pak njiheshin dhe afirmoheshin krijimtaritë letrare andej e këndej kufirit artificial. Dhe, edhe tash e tërë kjo më rëndon si dhimbje specifike, të cilën e kemi pasur pjesë përbërëse të mendjes dhe shpirtit të njeriut tonë. Prandaj, gjatë rrugës, edhe pse pandërprerë bisedonim për çështjet kulturore, letrare por edhe për çështjet kombëtare, unë dot nuk ç’kapesha nga kjo dhimbje, dhe nuk më ikte e më ngatërrohej mendja. Por, më trimëronte realiteti se sot shkoj kah të dua unë dhe takohem me njerëz që ia hapim zemrën njëri-tjetrit, pra, edhe për letërsinë, e cila, dorën në zemër ende nuk e ka arritur atë shkallën e bashkimit, të afirmimit njësoj cep më cep të trojeve dhe të tokave shqiptare, por edhe të afirmimit sa duhet, në ç’drejtim, edhe vetë krijuesit duhet të angazhohen dhe të kanë përgjegjësi më të madhe.
Dhe, kur e mendoja se do të jemi pjesë e promovimit të një romani me titull mjaft provokativ, “Rikthim në jetë”, disi, horizonti i mendjes më shtrihej gjithandej periudhave kohore, historike por edhe periudhave të vështira. Pra, a ka gjë më me vlerë se kur njeriu, populli, individi përjeton rikthimin në jetë, përjeton çlirimin e mendjes për ta thënë e punuar atë që din e do për të mirën e njerëzores, kulturës dhe tërë këtë për ta bërë ushqim jete, i cili depërton kudo pa ndrydhje as shtypje mendjeje.

Kukës, 24. 10. 2014 – Në ambientet e bibliotekës “Agim Spahiu”, u përurua romani “Rikthimi në jetë” i autorit Lulzim Hajdari.

Duke iu afruar qytetit të Kukësit, të gjitha këto mendime, sikur ma detyruan shpirtin për mendimin filozofik për fatin e njeriut, dhe me erdhi si formulë matematike shprehja: leximi i heroizmit! Po, pra. Qëndresë dhe punë heroike për të ardhur deri në këtë pjesë të rrugëtimit tonë, që vërehet kudo dhe tek secili. Por, kujtoj se tek tash na presin detyra shumë më të mëdha dhe të shenjta për gjithçka, edhe për begatimin dhe afirmimin e letrave dhe të letërsisë sonë, duke pasur kujdes që tash kurrë të mos ndrydhet ajo!
* * *
Posa arritëm në qytetin e Kukësit, drejtohemi tek Hotel Restorant “Amerika”, për të pirë nga një kafe, por edhe me shpresën se aty do të takohemi me ndonjërin prej krijuesve, dhe sidokudo do të krijonim atmosferën paraprake për fillimin e festës letrare për provimin e librit. Mirëpo, nuk takuam askënd nga krijuesit, por koha saora u afrua për t’u drejtuar kah Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”, ku edhe do të mbahej promovimi i romanit “Rikthim në jetë” të autorit, Lulzim Hajdari. U ngritëm dhe u nisëm për në pallat, dhe në të hyrë hasim shumë dashamirë të fjalës që ishin drejtuar për në sallën në katin e dytë. Para se të hynim në objekt, takuam edhe znj. Vera Istrefajn, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kukësit, një krijuese të devotshme por edhe një artdashëse këmbëngulëse për t’i mbështetur dhe quar përpara vlerat krijuese.
Ngjitemi lartë dhe vendosemi në sallën, e cila kishte pamje e karakter solemn. Gumëzhinte salla, sepse, secili dëshironte të zë një ulëse e për të dëgjuar e takuar krijuesit, për të dëgjuar fjalët për veprën e Lulzim Hajdarajt. Unë dhe Tahiri, nga modestia u ulëm në rendin e dytë. Mirëpo, kryetarja e letrarëve, Vera Istrefaj, na afrohet dhe me këmbëngulje insiston që të ulemi në tavolinën prej nga do të udhëhiqej ky eveniment letrar. Zumë vend përballë të pranishmëve, por tash mendoja se e do rendi që t’i themi disa fjalë përgëzimi dhe urimi. E Luta mikun tim nga Gjakova, krijuesin Tahir Bezhani që kësaj radhe ai t’i thotë disa fjalë, por nuk doli ashtu, sepse, dëshira e nikoqirit ishte që, që të dytë të flasim nga diçka.
Tash, në tryezën prej nga do të udhëhiqej manifestimi, kishte zënë vend edhe krijuesja nga Prishtina, znj. Shefqete Gosalci. Pas përshëndetjeve të mysafirëve, kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kukësit, znj. Vera Istrefaj filloi moderimin e promovimit në një mënyrë të re por shumë preferuese. Ajo, me një shëti të natyrshme përballë mysafirëve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar, i jepte “zjarr” mikrofonit me fjalët e ëmbla dhe skofiare duke folur për librin dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit, Lulzim Hajdari, e në veçanti duke shkoqitur disa karakteristika të romanit “Rikthim në jetë”.
Të gjithë ishim shndërruar në sy e vesh.
Pas këtij vështrimi të qëlluar, me të cilin i dha dritë mesazhit të veprës, në skenë doli edhe një prej krijueseve të reja të këtushme, e cila lexoi disa fragmente nga libri.
Pastaj, sërish znj. Istrefaj vazhdon për ta bërë sa më madhështore këtë ngjarje të letrave kuksiane, dhe insiston që fjalën ta marrë unë. Mora një përgjegjësi që të flas sa më shkurtë, por që fjala ime të jetë me një mesazh të fuqishëm për ta quar përpara letërsinë dhe kulturën kombëtare, me theks të veçantë për bashkimin e mendjes dhe të punës dhe për vetëdijesimin e ndërgjegjësimin në të gjitha fushat.
Kuptohet, i thash edhe disa fjalë miradije dhe përgëzimi edhe për autorin e veprës. Nuk e di se a ia kisha qëlluar dhe ishte fjala ime aktuale dhe me peshë, por megjithatë thashë diçka.
Meqenëse, në këtë manifestim merrnin pjesë edhe krijues nga Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Theranda dhe nga vende të tjera, tani fjala përshëndetëse i takoi krijueses nga Prishtina, znj. Shefqete Gosalcit, e cila, pasi përgëzoi autorin dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve nga Kukësi, të pranishmit i nderoi duke kënduar një këngë, që ishte një përformansë e përkryer. Përshëndetën edhe krijues nga Prizreni e Theranda, ndërsa, fjalë miradije për veprën thanë edhe krijuesit vendas, në mesin e të cilëve edhe krijuesi, Sulejman Dida.
Sërish dëgjojmë fragmente nga romani. Dhe në ndërkohë, udhëheqësja e Bibliotekës së qytetit, “Agim Spahiu, autorit të këtij shkrimi ia dorëzoi mirënjohjen në shenjë falënderimi që kësaj biblioteke ia ka dhuruar tetëdhjetë libra-vepra të tij.
Në këtë sallë, respektivisht në këto ambiente, të cilat mbajnë emrin “AMERICAN CORNER”(KËNDI AMERIKAN), e që janë ndërtuar nga donacioni i Ambasadës Amerikane në Tiranë, ishte e dizajnuar dhe vendosur një pjesë e mirë e bibliotekës, respektivisht e veprave të shumta. Këtë pjesë të bibliotekës, në të cilën kohë pas kohe organizohen aktivitete të ndryshme kulturore, e menaxhon mirë, znj. Erjona Todaj.
Pas përfundimit të pjesës solemne, të gjithë të pranishmit kaluan në një sallë tjetër, ku u organizua koktej rasti tash për të mundur për të zhvilluar biseda edhe për fusha të tjera të kulturës, por edhe për të këmbyer përvoja dhe për të biseduar përkitazi me letërsinë dhe pozitën e saj. Edhe këtu bëjmë ca fotografi për dëshmi e kujtim dhe pastaj, unë dhe miku im nga Gjakova, Tahir Bezhani, u nisëm për në Pejë e Gjakovë. Tash, kjo pjesë e rrugës së bashku na shërbeu për biseda edhe më konstruktive dhe me shpresa më të mëdha se takimet e tilla do të bëhen hallkë gjithnjë më e fortë për t’i zhvilluar, udhëhequr e menaxhuar mirë, drejtë e sinqerisht anembanë tokave shqiptare.
***
Por më duhet të theksoj se para se të nisemi për në Kosovë, sërish kthyem në restorantin “Amerika” me insistimin e kryetares të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kukësit, për të pirë edhe nga një kafe, ku edhe aty shfrytëzuam rastin për të biseduar për vlerat shpirtërore dhe kulturore dhe për afirmimin e zhvillimin gjithnjë më cilësor të tyre brenda në vend por edhe jashtë. E për këtë, përherë në bisedë nuk na ikte nevoja për mbështetjen më të madhe morale dhe materiale të krijuesit.
Interesant, pikërisht për këtë, sërish më sillej në mendje dhimbja specifike, lumturia por edhe leximi i heroizmit edhe në këtë fushë madhore kombëtare…!

– Autori është poet, shkrimtar, dramaturg dhe publicist i njohur nga Peja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura