MIFTAR MEHANI: PËRVOJAT E BE’së PËR STANDARDIZIMIN E POLITIKAVE TË SIGURISË NË PUNË

Prishtinë, 29. 04. 2014 – (Dy fjalë për vendorët – në një Konferencën Nërkombëtare për Siguri dhe shëndet në punë, të parën të këtij lloji në vendin tonë, e mbajtur në dy sesione më 24 dhe 25 prill 2014 në Prishtinë.) – Është mirë që filloi me trajtimin e fushës së sigurisë me formatin e konferencave ku do të debatohet dhe do të shkëmbehen përvojat edhe të vendeve më të zhvilluara ekonomike edhe të vendeve që tashmë janë pjesë e BE, dhe si të tilla i kanë tejkaluar shumë çështje në përmbushje të detyrimeve të fushës së sigurisë, por njëkohësisht edhe të vendeve që kanë sisteme me defekte më të theksuara, nga të cilat poashtu mund të vjelim përvoja të caktuara.
Organizatorët e konfencës, Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës në bashkëpunim me Fridrich Ebbert Stifftung (FES) dhe përkrahjes të partnerëve social, konceptimin e konferencës në dy sesione e kishin mbështetur mbi bartjen e përvojave të BE dhe kërkesave për harmonizim dhe standardizim të politikave të Sigurisë dhe mbrojtjes në punë në kuadër të integrimeve europiane (sesioni i I) dhe përvojave të vendeve në rajon, e kishin planifikuar ashtu që do ngjallte interesim për çdo mjedis dhe shtet që ka nevojë për avancime në sferën e sigurisë në punë dhe mbrojtjes së shëndetit dhe atyre që aderojnë drejt BE.

Miftar Mehani – profesionist i Sigurisë në Punë dhe Emergjencave.

 Prania e ekspertëve dhe përfaqësuesve të inspektorateve shtetërore të vendeve europiane dhe përfaqësuesit të Organizatës për siguri dhe shëndet në punë i BE, jo vetëm i dhanë karakterin ndërkombëtar kësaj konference, porse ata sollën vërtet tema me interes dhe përvoja të cilat duhen ndjekur.
Përfaqësuesi i Organizatës për siguri dhe shëndet në punë i BE, Tim Tregenza, prezentoi një model të Sigurisë dhe shëndetit në punë, të mbështetur në tri shtylla:
– legjislativin,
– njohuritë (dijen, të arriturat shkencore) dhe
– strukturën,

duke potencuar edhe përpjekjen e vazhdueshme për harmonizimin e legjislacionit brenda bashkësisë evropiane. Ai poashtu vuri theksin e këtij modeli të prezantuar, në studimin e vazhdueshëm të avancimit të Sigursië në punë në kushte të paraqitjes së rreziqeve të reja në vendet e punës.
Ismail Gerim, zyrtarë nga Ministria e Punës, Turqi, solli formën e organizimit të Sistemit të Sigurisë në punë dhe mbrojtjes së shëndetit, duke sjellë mjaftë të dhëna dhe përvoja të suksesshme të arritura me studimet e vazhdueshme nga Instituti ISGUM. Autori potencoi mësimet nga shkëmbimi i përvojave prej nga potencoi edhe zbatueshmërinë e disa direktivave evropiane të vendit të tij edhepse ende nuk është pjesë e BE.
Eksperti nga Kroacia Franjo Maroviç, që në fillim të paraqitjes së tij, theksoj mësymjen e tij që përmes prezantimit të paraqes përvojat e vendit të tij gjatë hyrjes në BE dhe nevojës që të tjerët të marrin mësimet e caktuara dhe të mos përsërisin gabimet e njëjta në fazat e avancimit të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë. Ai nguli këmbë që qasjet e inspektoratit ndaj punëdhënësve duhet të fokusohen në formën këshillëdhënëse dhe udhëzuese dhe që formën represive ta përdorin vetëm atëherë kur janë shterur të gjitha format tjera të komunikimit.
George Milchin, nga Agjencia Ekzekutive e Inspektoratit të Përgjithshëm të Punës, Bullgari, solli në konferencë temën e Vlerësimit të Rrezikut. Qëllimet, nga kush bëhet vlerësimi, çfarë janë përfitimet nga ana e punëdhënësve e tjera elementë që lidhen me këtë dokument.
E koncepur si këmbim përvojash dhe praktikash, kumtuesit e ftuar po sillnin ato forma dhe organizime që kanë në shtetet e tyre për sistemin e sigurisë në punë. Të tilla ishin prezantimet e përfaqësuesëve nga Mali i ZI dhe nga Maqedonia, por që kishin të ngërthyer në vete mjaftë elementë të avancuar dhe në harmoni me kërkesat që shtrojnë standardet e BE.
***
Në punimet e pasditës, në sesionin e dytë, u paraqitën edhe disa kumtesa të vendorëve të cilat, në çdo pikëpamje qenë larg kumtesave që mund të paraqiten në një konferencë ndërkombëtare. Të ndërtuara pa koncepte të qarta se çfarë duan të paraqesin, duke i ngjarë më shumë një ligjerate që u mbahen njerëzve që janë larg sistemit të Sigurisë në Punë, të veshur edhe me dogma e fraza nga fjalimet e kaluara, thjesht më vinte keq çfarë ishin të detyruar ata të pranishëm, ai auditorium të dëgjonte. Nuk ka si të ndjehet njeriu mirë kur ata vendorë, me ndonjë përjashtim, merreshin me një fushë që, me sa duket fati i kishte përplasur të bëjnë punë që janë të lidhura me punët e Sigurisë në punë, por që qëndronin tejet larg njohjeve dhe aftësisë për të debatuar në konferenca për këtë fushë.
Në fjalimet e tyre nuk mungonte deklamimi i titujve, por profesionalizmi në fushën e Sigurisë nuk përkonte me titujt. Ky konstatim i fundit u vërtetua katërçipërisht në ditën e dytë të punimeve të Konferencës, kur ishte paraparë të bëheshin diskutime dhe ato morën një kahje të padëshiruar derisa nuk u intervenua nga mysafirët nga Kroacia dhe Mqedonia të cilët në formë brilante fokusuan mendjen e të pranishmëve në çështjet që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me Sigurinë në punë.
Në pjesëmarrjen e vendorëve më shumë kishte njerëz të fushave që kanë ndonjë lidhje me punën sesa njohës dhe specialist të Sigurisë në punë, andaj edhe tema e diskutimeve shpesh herë zgjerohej përtej temës qendrore të paraparë nga organizatori, që me sa duket përzgjedhjen e pjesëmarrësve për kumtesa nga vendorët dhe të tjerëve si mysafirë e kishte bërë më shumë mbi kriterin e përfaqësimit të subjekteve sesa mbi bazën e njohësve dhe profesionistëve të Sigurisë në punë. Le të jemi të lirë ta themi se e kishte bërë në formën më të lehtë.
***
Konferenca për shumëçka qe interesante dhe në kohën e duhur, në shënim të ditës së 28 prillit, ditës së sigurisë në punë, porse ishte e para dhe poqëse organizatorët mëtojnë të bëjnë në të ardhemen, kanë marrë shumë mësime. Herën tjetër, mendojmë ne, tema e konferencës duhet të jetë e profilizuar dhe duhet të kihet kohë për shqyrtim të atyre kumtesave që sillen (bile nga vendorët) tu hidhet ndonjë sy sa për tu siguruar se janë të denja, por edhe që të mos dilet nga tematika, ashtu që të jenë vërtet frytdhënëse, e jo vetëm sa për ta radhitur në performancat e akcilit.
– Autori është profesionist i Sigurisë në Punë dhe Emergjencave. Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura