GJOKË DABAJ: RRETH FYTIT TË SHQIPTARIT, NJË LITAR QË E LË PA FRYMË

Durrës, 24. 01. 2014 – Uroj të mos jetë ashtu! Uroj të jetë një ëndërr e keqe! Uroj ta kem gabim, por s’po mund të rri pa ia përplasur në fytyrë vetëvetes disa të vërteta, vërtet joogurmira. 1. A është e mundur të mos e kuptojnë politikanët tanë dhe politikanët EUROPËMBROJTËS të Europës, pse Europa s’ia dha Republikës së Shqipërisë, para Sërbisë, statusin e kandidatit për në BE?! A s’e dinë ata që, këtu në Europë, nëpër gjithfarë qarqesh perfidë ANTIEUROPIANË, vepron politika prosërbe dhe proruse, shekullisht pretendente për ta MBISUNDUAR Europën?! (Më mirë të themi: Për ta rrjepur ku të mundin.) Kujt i intereson t’i paraqesë shqiptarët si islamikë, përveçse Sërbisë, Greqisë dhe të tjerëvet përfitues rreth këtij oborri, që i thonë Oborri i Shqiptarëvet?!
Në vitin 1346, ne ishim KATOLIKË, pra, edhe kishërisht europianë. Por Car Dushani na quante HERETIKË (siç na quajnë tani pasardhësit e tij, myslimanë) dhe, jo vetëm ne, por edhe kujt bashkëpunonte me ne, ia priste hundën edhe veshët. (Lexo “Zakonikun”.)

2. E kam shkruar edhe herë të tjera: Përse duhej organizuar ai ÇARMATIM i kobshëm i shqiptarëvet në fund të sh. XX dhe në fillim të sh. XXI?! Askund në Ballkan nuk u bë asnjë lloj çarmatimi, përveçse midis shqiptarëvet. Në Rep.e Shqipërisë ndodhi një çarmatim i tmerrshëm, i cili kulmoi në vitin 1997, por që nuk u ndal as në Gërdec, as mbas Gërdecit. Shqiptarët e Rep.së Shqipërisë kishin SAKRIFIKUAR MIRËQENIEN, vetëm e vetëm të kishin me çfarë ta mbronin atdheun e vet. I kishin sjellë armët që nga Kina, kishin krijuar flotën luftarake, aviacionin, armatën e tankevet, ndërlidhjen, artilerinë kundërajrore, sistemin e strehimevet, këmbësorinë, deri te vajzat e reja, pajisur secila me nga një pushkë dhe me guximin e përballjes me agresorin. Erdhën vitet 1990 dhe “u pa e arsyeshme” që vajzat shqiptare të niseshin “për fitim” në vendet e Evropës. U degdisën, nga kjo pjesëz e Evropës për në vendet e tjerë të Evropës, edhe djemtë, me qindra mijë, aq sa armët, edhe po të duheshin përdorur, të mos kish kush t’i përdorte. Bunkerët, me të cilët askush nuk mund të sulmohej, sepse ata nuk mbaheshin dot në krahë për të sulmuar dike, u shkatërruan që të gjithë.
Erdhi Lufta e Kosovës, emigrantët shqiptarë HOQËN KAFSHATËN NGA GOJA dhe dhanë para për të blerë armë. U bë lufta dhe puna e parë që “u pa e arsyeshme”, ishte ÇARMATIMI i UÇK-së. U bë një luftë fare e vogël në Anamoravë dhe puna e parë që “u pa e arsyeshme”, ishte ÇARMATIMI i atyre që guxuan të kërkojnë liri. Në një kohë kur policisë sërbe dhe forcavet të tjera të armatosura sërbe, të cilat bëjnë terror mbi gratë dhe fëmijët e Preshevës, nuk iu hoq nga rripi i fishekëvet as edhe 1 fishek i vetëm. U ÇARMATOS edhe ushtria shqiptare e Shkupit, duke e lënë fatin e shqiptarëvet të atjeshëm prapë nën mëshirën e armëvet të sllavëvet, për të cilët “nuk u pa asnjëherë e arsyeshme” që të ÇARMATOSEN. Përkundrazi, ATA ARMATOSEN e NE ÇARMATOSEMI.
Të lë pa frymë ky litar, që sapo vjen e po na e shtërngon fytin. Bën që të gjesh një strehë ngushëllimi e s’e gjen dot. Bën që ta fashitësh alarmin e shpirtit e s’e fashit dot, ndërkohë që rrotull fytit mbështillen edhe të tjerë litarë.
3. Më pat ngacmuar prej kohësh pyetja-enigmë: Pse Sërbia ia dha aq lehtë mvehtësinë Rep.së Maqedonisë, në një kohë kur as Slloveninë nuk deshi ta linte të shkëputej? Me Kroacinë bëri luftë, për të rrëmbyer ç’të mundtte, Bosnjën e shkatërroi krejt, Malin e Zi mezi e lëshoi, Kosovës, që s’është aspak tokë sllave, as sot nuk po ia njeh pavarësinë. Ç’llogarira bën Sërbia me të quajturën Rep.e Maqedonisë?! Mos ka planifikuar ndonjë “Anshluc” me të, në një ditë të përshtatshme?!
4. Më ka ngacmuar, në anë tjetër, edhe enigma: Pse Greqia po e mban lidhur Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë, pas një EMRI, pas një toponimi, pas një etatonimi, në një kohë kur, në të quajturën Maqedoni Egjeiane, s’ka lënë këmbë sllavo-maqedoni, e ka greqizuar të tërën?! Ç’është kjo lojë, për t’ia mbyllur rrugët e anëtarësimit në NATO këtij shteti juridikisht sovran?! Mos ka aty një marrëveshje sekrete midis Sërbisë pravosllave dhe Greqisë ortodokse e edhe më tutje?! Të gjitha këto për një rrugë të lirë drejt Mesdheut?!
5. Greqia, me të quajturën Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë, po bën lojën e EMRIT, një lojë që edhe fëmijëvet do t’u mërzitej! Me Rep.e Shqipërisë, Greqia, ndërkaq, po bën lojën e VARREVET. Ç’është kjo LOJË MAKABRE VARRESH, sa në Përmet, sa në Korçë, sa në Gjirokastër?! Dhe, përse u dashka USHTRIA greke, për ta ruajtur kufirin me shtetin tonë, në një kohë kur krejt kufiri tokësor e sidomos ai detar në krahun matanë Greqisë është i zbuluar, sa për drogën e për kontrabandën, aq edhe për klandestinët?! Ikën 7 herë nga burgu ai greku i “17 Nëntorit” dhe kërcëon me luftë. Kjo nuk mund të kuptohet, pa pasur brenda në qeverinë superdemokratke të Rep.së Greqisë, një kastë të mirëkamufluar Dogzborushë. E dihet që Dogzborutë janë terreni ku hartohen e më vonë zbatohen “Majn Kampfet”.
6. Në një shesh të Shkupit na shfaqet papritur Car Dushani i bronxtë! Pikërisht aty ku, 667 vjet më parë, pikërisht ai Dushan është kurorëzuar për perandor dhe prej nga është nisur me turr drejt Janinës dhe drejtë Vlorës.

7. Na rishfaqet, më në fund, edhe projekti për t’ia kthyer rrjedhën RADIKËS! Sa herë që pushtuesit e asaj pjese të Shqipërisë e kanë ndier veten pak më të fortë, kërcënimin ndaj RADIKËS e kanë pasë të gatshëm në njërin prej xhepavet të tyre rezervë. Të bëhet Vardari i lundrueshëm, të vijnë anijet lumore nga Selaniku e të lidhen mu te Ura e Shkupit, pastaj shohim e bëjmë edhe për Moravën, për të mbërritur anijet deri në Beograd.
SËRBIA KA NEVOJË PËR DET! Kjo është çështja! Nuk mund t’i zërë gjumi politikanët e Sërbisë, pa e kaluar nëpër sy ëndrrën e detit! Shibenikun dhe Zarën s’ia morën dot Kroacisë, Tivarin s’e kanë fort të sigurtë, pasi Mali i Zi s’ia dha dot Tivarin Rusisë (për bazë ushtarako-detare), të paktën hë për hë, Shëngjini, Durrësi e Vlora mbeten gjithsesi në agjendë, por as Selaniku nuk duhet harruar. Ta bëjmë Vardarin të lundrueshëm, duke ua rrëmbyer shqiptarëvet ujin e RADIKËS!
Kur themi Sërbia, aty është edhe Rusia. Janë qenie që duan pa tjetër t’u lagen këmbët në detrat e Mesdheut. Europa nuk mund të gjunjëzohet vetëm me saraqineskat e gazsjellësvet. Asaj i duhet marrë me çdo kusht Mesdheu!
Me Sirinë iu bë një zbrapsje, edhe Europës, edhe Amerikës. Europa dhe Amerika mbetën duke bërë SOLLACO KARNAVALESH nëpër detra ME HELMET E ASADIT nëpër fuçira.
Ta provojmë një lodër të vogël edhe me shqiptarët! Të shohim deri ku është në gjendje të durojë fyti i tyre, tashmë i lidhur me shumë litarë! Dikur, Enver Hoxha u pat thënë jugosllavëvet: “Nëse ju guxoni të prekni Drinin e Zi dhe Radikën, unë do të hap tunel në Prrenjas dhe do ta zbraz në Adriatik krejt Liqenin e Ohrit!” Mirëpo, s’ka më Enver Hoxhë, (i cili, në mos tash, pak më vonë, ma merr mendja, do t’u duhet edhe perenmdimorëvet). Ai është përmbysur dhe shkallmuar, bashkë me kombinatet, bashkë me fabrikat e uzinat, bashkë me krejt ekonominë tone kombëtare, bashkë me tanket, bashkë me avionët, bashkë me nëndetëset, bashkë me kundërajrorët. Shqiptarët s’kanë më kombinate, s’kanë më fabrika e uzina, s’kanë më ekonomi kombëtare, s’kanë më tanke, s’kanë avionë, s’kanë topa 12 pikë 7-sh. Atyre do t’u duhet të rrinë PRAPË PA BUKË, për ta rikrijuar ekonominë me thonj e me dhëmbë dhe për t’i blerë te NATO-ja armët që do t’u duhen. (në u daltë koha. Në mos qoftë shumë vonë.) Ose, në qoftë vonë, t’ia japin RADIKËN Sërbit, t’ia japin GRYKËN E KËLCYRËS, bashkë me eshtrat e kalamajvet të Kosinës, Grekut, dhe t’ia japin TREPÇËN atij që nuk pranon të betohet mbi simbolet e shtetit të Kosovës.
Na e kanë zënë kështu fytin DISA palë litarë, por shpirtin jo! Shpirtin nuk na e kanë asfiksuar dot ende!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura