Prishtinë, 27. 05. 2014 – NISMA për Kosovën shpreson e beson në të ardhmen e shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë të Kosovës. Atdheu ynë ka një histori të gjatë e të vështirë mbijetese, përgjatë historisë shqiptarët kanë treguar se dinë t’ia dalin mbanë edhe në rrethana të vështira robërie e trysnie. Ne, shqiptarët e Kosovës jemi dëshmi e gjallë e një energjie pozitive dhe aftësie të rrallë për t’u përshtatur me kohën e me hapësirën e re të pas vitit ’99. E kemi lënë pas të shkuarën e dhimbshme plotë sfida dhe kemi ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës sonë në funksion të integrimit në një botë rregullash të reja progresive e solidariteti. Duke pasur sukses në jo pak raste, kemi arritur të ngremë në këmbë sipërmarrje mbresëlënëse, të nxjerrim në dritë dhunti e realitete të vështira gjeografike, historike, ekonomike, sociale dhe të ngritën në shkallë të ndryshme karrierash të suksesshme nëpër vende të ndryshme në botën demokratike.
Nuk është vetëm sfidë e Nismës sesi do ecim bashkë tutje në zhvillimin e demokracisë, në ndërtimin e shtetit të së drejtës, në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mirëqenies qytetare, sfida është për secilin subjekt politik e qytetar te Republikës sonë. Kosova, vetëm me NISMËN dhe e bashkuar rreth saj, mund t’i kaloj sfidat që koha ia ka parashtruar popullit dhe shtetit tonë – Republikës së Kosovës. Siç janë:
– Sfida e ndërtimit të shtetit të se drejtës,
– shtetin e zhvillimit ekonomik,
– shtetin e drejtësisë sociale,
– shtetin e dijes e të shëndetit,
– shtetin e integruar në institucionet euro-atlantike.
Këtë duhet ta ndjen, ta shoh e ta prekë çdo qytetar i saj, kudo që ai apo ajo punon e jeton.
NISMA synon të ndërtoj një solidaritet të ri në mes qytetarëve tanë, solidaritet i mishëruar në një kontratë të re sociale ku çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e një numri shumë herë më të madh të bashkëqytetarëve tanë, sesa numri i anëtarëve të Nismës për Kosovën. Kauza politike e shqiptarëve për shtetndërtim është shumë herë më e madhe sesa kauza e anëtarëve të Nismës, prandaj ne po e kërkojmë mbështetjen qytetare në çdo cep të Kosovës.
***
Sot, 15 vjet pas lirisë se Kosovës, shoqëria shqiptare në Kosovë ka ndryshuar shumë, krahasuar me vitet e vështira të robërisë. Sot, mes vullnetit qytetar dhe politikës është krijuar një hendek i madh që kërkon ndryshim të thellë e përmbajtjesor. Nisma për Kosovën duhet të ndahet qartazi e pa ekuivoke nga politika e shurdhër që nuk ka veshë e sy t’i dëgjojë e ti shikoj drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë se tyre haptas e çiltas. Këta që nuk guxojnë ti shohin e as dëgjojnë hallet e popullit, nuk e kanë vullnetin politik e njerëzor që ti zgjidhin ato.
Nisma për Kovën dhe se bashku me te edhe qytetarët duhet të ndahen një herë e mirë nga politika që nuk prodhon siguri e stabilitet, që nuk ka mendje e zemër e besa as shpirt që t’i shoh e ndjejë vështirësitë e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë të këtij vendi.
Nisma për Kosovën duhet ta kapë ndjenjën e pasionit që i entuziazmon njerëzit për politikë demokratike e progresiste, duke i ndarë ata një herë e mirë nga politika që s’mund të transmetojë tutje energjitë pozitive dhe vlerat e kombit tonë.
Nisma ka synim që t’i përfshijë qytetarët shqiptarë e komunitetet pakicë në një projekt të ri shprese e besimi për një të ardhme të përbashkët. Por, këtij projekti të ri duhet t’i bashkohen intelektualët e ri, ekspertët dhe shumica e qytetarëve të vendit tonë. Duhet të bashkohen të gjithë ata që e duan me zemër e pa hile nënqiellin tonë të përbashkët të quajtur Republikë e Kosovës.
Nisma për Kosovën dëshiron të bëhet instrument në shërbim të çdo shqiptari e qytetari që do të ndryshojë jetën duke u angazhuar aktivisht në rrethin e tij.
Nisma do të ndihmoj çdo të re apo të ri që sinqerisht punojnë të ndryshojnë ambientin e tyre të punës e të jetës për një të ardhme më të mirë. I bëjmë thirrje çdo gruaje a vajze që do të ndryshojnë pozicionin e vet shoqëror t’i bashkohet Nismës për ndryshime se nuk do të pendohen. Kërkojmë nga çdo familje që do të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë ekonomike e sociale t’i bashkohet karvanit të ndryshimeve. I premtojmë çdo punëmarrësi se Nisma do t’i ndihmoj në ndryshimin e kushteve të punës për punëtorin dhe çdo sipërmarrësi që angazhohet të ndryshojë cilësinë e shërbimit a të teknologjisë që i duhet për suksesin në investime e prodhim. I premtojmë çdo organizate joqeveritare që do të ndryshojë sado pak shoqërinë tonë të prapambetur ekonomikisht se me ne vjen ndryshimi i madh.
Nisma dëshiron t’ i ndihmoj cilitdo komunitet të organizuar që synon të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike se do ketë mbështetjen tonë. Nisma do t’i ndihmoj mediet e shkruara dhe elektronike për t’u shprehur, për të shkruar e folur lirshëm, për të thënë me guxim e kompetencë fjalën e lirë si dhe hulumtimin e lirë të medias. Nisma do t’i ndihmoj çdo intelektuali a akademiku, mjeku a juristi, ekonomisti a shkencëtari që pretendon të ndryshojë politikën qeverisëse, cilësinë e jetës, të punës, të dijes e të shkencës, të arsimit e të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.
Të nderuar, me lejoni ta përfundoj fjalën time,
Kosova e sotme është në një krizë demokratike dhe ekonomike. Varfëria është ulur këmbëkryq në mes tonë, papunësia është bërë sëmundje kronike dhe ekziston rreziku të mësohemi me këtë gjendje. Bajraktarizmi mesjetar është bërë stil i qeveritarëve, korrupsioni është kthyer në sistem dhe po mestazon në tërë shoqërinë e Kosovës. Shumësia e ligjeve të pazbatuara po rritet nga dita në ditë, administrata publike është uzurpuar nga partiakët arrogantë, gënjeshtra është bërë kulturë politike e politikanëve, fyerjet, shpifjet, denigrimet e kundërshtarit dhe trajtimi politik i kundërshtarit si armik po merr përmasa shqetësuese. As degradimi i autoritetit te institucioneve të shtetit nuk ka të ndalur. Misioni dhe vizioni ynë është të hapim një faqe të re në jetën politike të Kosovës, të demokracisë qytetare e të drejtësisë sociale. Kemi obligim kombëtar e qytetar që tranzicion demokratik ta përmbyllim duke e refuzuar pa hezituar kapitalizmin pa moral të tranzicionit, krimin dhe korrupsionit. Na duhet një Parti Qytetare e aftë që të bëhet udhërrëfyesi moral dhe politik i Kosovës demokratike.
Ne mbështesim ekonominë e tregut, tregun e lirë, por jo shoqërinë e tregut për përfitime të jashtëligjshme. Ekonomia e tregut nuk mund të funksionojë pa rregulla të qarta ligjore, pa institucione që nuk lejojnë pasurimin e një pakice dhe varfërimin e shumicës.
Ne i pranojmë rregullat e ekonomisë moderne të tregut dhe tregtinë e lirë, por jemi dhe duhet të jemi mirë të organizuar për t’ju kundërvë fuqishëm kapitalizmit banditesk, ku lejohet informaliteti, arbitrariteti dhe dhuna e shndërruar në krim të organizuar.
Kosova e Drejtësisë Sociale do të jetë një demokraci ekonomike e bazuar në transparencën e tregjeve, nxitjen e sipërmarrjes dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Kosova e Drejtësisë Sociale do të jetë një demokraci sociale që bazohet në jetësimin e plotë të të drejtave kushtetuese, ku e drejta për punë duhet ta zënë vendin që i takon. Kosova e Drejtësisë Sociale do të jetë një demokraci politike që promovon aftësinë e institucioneve për të përfaqësuar shoqërinë qytetare.
Rruga e Nismës është një rrugë e filluar dhe e pambaruar, se e tillë është rruga e Kosovës kah ardhmëria. Programi i Nismës për Kosovën është një libër i hapur që kërkon të plotësohet çdo ditë e çdo orë nga ekspertet dhe shkencëtarët e rinj të Kosovës se pavarur. Ne, NISMA po e nisim një rrugë të re për Kosovën, për qytetarët, andaj qytetarët janë ata që do ta vulosin fatin e tyre dhe fatin tonë të përbashkët.
– Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMES për Kosovën.
========================================
DR.JAKUP KRASNIQI: FUSHATA PARAZGJEDHORE
ËSHTË SHNDËRRUAR NË ZGJEDHË TË HARAҪIT PËR BIZNESET E KOSOVËS!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2821