Prishtinë, 20. 06. 2014 – Më 17 qershor 2014, në Tiranë u mbajt konferenca e parë mbarëkombëtare e arkitektëve të Shqipërisë “Planifikimi Urban dhe Peizazhi Historik i Qytetit”, organizuar nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, e përkrahur moralisht e shumë pak materialisht nga organet më të larta shtetërore, si Ministria e Kulturës dhe ajo e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Me kumtesat e tyre kontribut të çmueshëm dhanë edhe dy ekspert nga Kosova arkitektja Gjejlane Hoxha dhe autori i shkrimit arkitekti Ylber Vokshi-Ylli.
Ishte kjo temë shumë e qëlluar nga ana e arkitektëve Shqiptar e cila me të drejtë po i shqetëson së pari profesionistët e vërtetë e pastaj edhe tërë opinionin mbarëshqiptar, në këto vitet e fundit të “demokracive shqiptare”. Mbështetjen e sigurtë e kishte në dokumentet ndërkombëtarë, ku trajtimi i kësaj problematike e ka vendin e duhur që i takon. Një nga çështjet kyçe në këto dokumente potencohet zhvillimi dhe ruajtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, përmes një menaxhimi racional dhe përfshirjen e saj në mënyrë të dinjitetshme në dokumentet hapësinore lokale dhe qendrore. Kjo qasje duhet të kontribuojë në ruajtjen dhe përforcimin e identitetit regjional, në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e llojllojshmërisë natyrore dhe kulturore të regjioneve dhe qyteteve të Europës në erën e globalizimit. Një orientim i tillë do të thotë shfrytëzimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore si potencial për zhvillim. E si është situata te ne shqiptarët?
………………………………………………
Tiranë, 17 Qershor 2014 – Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, mori pjesë në konferencën kombëtare 2014 “Planifikimi Urban dhe Peisazhi Historik i Qytetit” organizuar nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë. Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Gjermeni theksoi që peisazhi historik është një komponent që balancon mjedisin natyror e atë të ndërtuar, duke kombinuar të tashmen me të ardhmen, të cilat lidhen fort me pasuritë e trashëgimisë si vlera të patjetërsueshme të një kombi. /ATSH/
* * *
Nuk është e domosdoshme të jesh ekspert apo specialist i fushës, për të identifikuar apo vërejtur gjithë atë se çka ishim dhe jemi në gjendje të bëjmë ne me hapësirën e cila na rrethon në vendbanimet – qytetet tona. Produktet e veprimeve tona të çoroditura të gjithë ne i vërejmë, i përjetojmë, i prekim, për çdo ditë ballafaqohemi me ato, ato ndikojnë direkt dhe indirekt në jetën dhe të gjitha aktivitetet tona dhe imponojnë një kualitet të varfër të jetës urbane.
Sfida kryesore e tërë shoqërisë Shqiptare është se si është trajtuar dhe se si po trajtohen vendbanimet tona-qytetet “ndërmjet kujtesës dhe zhvillimit”. Duhet pranuar se në këto vite të tranzicionit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë ka pasur veprime të çoroditura të vendimmarrësve, në organizimin dhe zgjerimin e qyteteve tona, të ndërlidhura me rrënimet, shkatërrimet, asgjësimet, djegiet e objekteve nën mbrojtje të shtetit, ndryshimet e fasadave të objekteve të ndryshme. Këto veprime janë karakteristik e kohës që po jetojmë, direkt ndikojnë në kualitetin e jetës urbane, gjegjësisht në identitetin tonë urban.
Pamje nga Konferenca e Arkitektëve Shqiptar në Tiranë.
Duhet të jemi realist në procesin e planifikimit urban të qyteteve tona, e vjetra me të renë duhet të bashkëveprojnë si një tërësi, duhet ti tregojmë të gjitha ato dobësi së pari tonat e pastaj të tjerëve të bëra me vite dhe dekada, për të pasur dituri dhe guxim profesional për ta luftuar këtë “gangrenë” kombëtare e cila dal ngadalë po e shkatërron qenien tonë, e të jetuarit normal në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Në konferencë pati kumtesa të guximshme, të qëlluara që me sy kritikë dhe vet kritik trajtuan peizazhin historik të qytetit dhe planifikimin urban që ka ndodhur dhe po ndodh në shumë qytete shqiptare si Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora, Elbasani, Berati, Korça.
U shpjeguan shkaqet dhe pasojat që po i përjeton shoqëria shqiptare, duke mos i amnistuar edhe vet arkitektët dhe urbanistët për mos reagime ndaj veprimeve të vendimmarrësve të pa përgjegjshëm, të cilët duke u fshehur pas politikës kanë mundësuar këtë situatë kaotike në qytetet tona.
Me interesim të shtuar u përcollën edhe kumtesat e dy ekspertëve nga Kosova, të cilët në mënyrë profesionale dhe kritike e trajtuan këtë problematik në dy qytetet ma të mëdha të Kosovës në Prishtinë dhe Prizren.
Duhet theksuar se kjo temë kërkon kohë dhe hapësirë ma të madhe për ta trajtuar kryeqytetin e Kosovës Prishtinën, ku gjatë historisë së saj janë gërshetuar kultura dhe tendenca të ndryshme, pozitive dhe shumë negative – asimiluese.
Në Kosovë është punuar një hulumtim korrekt në vitin 2011 lidhur me përfshirjen e trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor dhe në atë urban. Aty qartë theksohen si rekomandimet e përgjithshme, ato specifike si dhe plani dhe raporti i konservimit, lista kontrolluese për konservim urban, tabelat e trashëgimisë kulturore dhe përfshirja e saj në PZHK (Planin Zhvillim Komunal). Për fat të keq ky dokument i vlefshëm vetëm ka mbetur në letër dhe nuk po zbatohet nga Komunat e Kosovës.
Për të arritur efekte pozitive urbane të gjitha zonat urbane në Prishtinë duhet ti nënshtrohen një procesi të rishikimit të tërë asaj çka ka ngjarë në vitet e fundit, si rezultat i nevojës për t’iu përshtatur kushteve të reja të jetës, ku hapësira dhe prona nuk trajtohen si pjesë e përbashkët por si një pasuri kapitale individuale.
Renovime urbane as që ka pasur në vitet e pas luftës në Prishtinë, kjo qasje në renovime të mirëfillta urbane gjithsesi duhet ndryshuar rrënjësisht. Renovimi urban mban në vete shumë sfida që duhet trajtuar dhe zgjidhur, sfida demografike, sociale duhet trajtuar detal në mënyrë që qëllimi përfundimtar të jetë i pranueshëm për të gjithë, me qëllimin final që të ketë barazi sociale në qytete. Në tërë këtë proces, kryesori është dialogu që duhet zhvilluar me të gjithë pjesëmarrësit e interesuar, që përfshin sektorin publik dhe privat me pronat e tyre, zyrtarët e zgjedhur lokal, agjensionet qeveritare, punëtorët social, tregtarët, zejtarët etj.
Në fund të saj, konferenca e arkitektëve miratoi një memorandum drejtuar gjithë opinionit publik shqiptar mbi mënyrën se si duhet të planifikohet sot, për t’ia drejtuar atë më pas qeverisë, me shpresë se një bashkëveprim në mes të specialistëve të urbanistikës dhe vendimmarrësve shqiptar, do të fillon të trajton drejt këtë problematikë, pasi edhe kjo konferencë, sado e kufizuar që ishte në aspektin kohor, tregoi një të vërtetë inkurajuese se kemi potenciale të mëdha profesionale në Shqipëri dhe Kosovë, për tu ballafaquar me këtë problematikë esenciale për funksionimin e shoqërisë shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptar.
Pjesëmarrësit e konferencës u deklaruan që tema e Konferencës 2015 të jetë “Renovimet urbane” si zgjidhja e domosdoshme për të trajtuar problematikën e qyteteve tona.
– Autori është arkitekt i pavarur. Kontakti: [email protected].
……………………………………
Tiranë, 17. 06. 2014: Ekspozita e Shoqatës së Arkitektëve në Muzeun Historik Kombëtar.
………………………………
ARCH. YLBER VOKSHI: TRAJTIMI I HAPËSIRAVE PUBLIKE NË KOSOVË
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=2464
***
ARCH.YLBER VOKSHI-YLLI: ÇARSHIA E MADHE E GJAKOVËS, NDËRGJEGJJA E JONË
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=1073