REXHEP KASUMAJ: PRAPAFSHEHËSI I GJITHKAHSHËM!

Berlin, 19 mars 2020: (Shpresë, vetëm imagjinare)
1.
Në Faunën e Amerikës paskësh jetuar herët një krijesë e rrallë. Natyrisht, ajo do të popullonte vetëm fantazinë njerëzore. Porse a nuk pleksen shpesh mite, legjendë e jetë bashkë?Ishte i Prapafshehuri dhe cilësohej kështu, sepse fshihej prapa gjithëçkaje. Ky do t’ketë qenë shkaku (thotë i përnderti Mjeshtër i “Qenieve imagjinare”), që, megjithëse ngarkohej me vrasje, askush s’e përshkruante do
t…
2.
Rilexoja këto radhë të Borges-it (n’rithurje të lirshme), e n’beft m’vinte ndrydhja e një aluzioni të trishtë: fryma krahasimore me Prapafshehësin e një bote dhe kohe të vonë e t’largët. Paralelja i ngjanë një blasfeme. Por erdhi e paftuar. E pa u lutur për behjen e saj. Janë një babël dëftejzash, të pamëshirë si mallkimi, që e prirën atë.
Ndërsa Prapafshehësi i amerëve s’kje veçse një trill fantast – ky i Visit verior të Arbnit është krejt real. E pra, nëse bëmat e Pararendësit janë supozuar vetëm në përrallat dimnore pranë votrës së kuqëlimtë – këto të Pasvajtësit, me mish e shpirt njeriu, janë të prekshme ditë e natë. Pastaj, duke truar Orën e tij, Prapafshehësin e Faunës thuhet t’a kenë fajsuar për mbytje e përlarje druvarësh. E rëndë e dridhmuese, po, fundja, ç’ishte ai para Reinkarnantit tokësor që godet e përlanë – jo druvarë të shkretë, por një popull të tërë?! Kudo që venë mundimtarë të turmës, ai do t’gjendet tinëzisht prapa krahëve të tyre. I gjurmon, heton, përgjon, sehiron e rrëzon…
Dhe shkathtësia e tij mizore është e papërballueshme. Dorëkeqen e tij ndanë çdo pjerrine, nuk arrin ta shohë kurrëkush. Madje, për dallim prej Legjendarit, ky i Këndejmi, i Kësojetshmi e i Patretshmi, ka dhe një veçanësi tjetër të mistershme: asnjëri nuk bën t’kqyrë punët e tij të errta. E po ndodhi, na ruaj Zot, t’i vërej padashje pengojcat e këtij shpirti të bjerrë, s’ka kurajon të flasë. Brenda tij është shuar eti për të vërtetën dhe vullneti natyral për t’a shpallur atë. Fjala kundërshtimore, kjo rreze e dielltë që verbon syrin e pamësuar, shenjon qyshkur kufijtë e të pamundurës. Është drama vetë. Autori i saj, gabimtar i pafalshëm, përfundon viktimë e Fuqive të territ që marrin prorë në mbrojtje bese Prapafshehësin çjetëzues me armatën e pafund të Shërbëtorisë së tij…
3.
Po kushedi. Një ditë edhe Zotat bien. Sipas kallzimeve të moçme, një palë janë shndërruar në gurë që vuajnë vetminë, ankthin e natës dhe mallkimin e valëve të tërbuara brigjeve të Sicilisë. Mirëpo me Perënditë-Prapafshehsa të miljeut tonë është një grimë më ndryshe. Ata janë të shumtë si korbat e stuhisë dhe, ndaj, sado gjatësore të jenë grykëderdhjet e lumenjëve a të ndonjë l’kéni vogëlak, ngurtësimi i tyre do ndalonte ujërat. Fushat do thaheshin, vegjetacioni, lulet, gjallimi vetë. Ndoshta, që këtej, nga Qielli do të zbresë një Urdhër i ri ogurmirë: të tejformohen në Derra, por të tillë që nuk kushtojnë mbajtjen, sepse do i përkisnin njëj lloji që hanë njëri-tjetrin xyfshëm. Pa seanca të përshpirtjes e pa pikëllim. Ngadalë e mnershëm, ndjekur nga dhimbja që ndjen vetëm zemra dhe britma që dëgjojnë vetëm veshët e tyre. T’bërë shpuzë nga dëshirimi për tu kthyer në trajtën e vjetër, tashmë të ftohtë e t’mbaruar, si ftyra e vdekjes..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

HOLOKAUSTI

HOLOKAUSTI Nga  Xhelal Zejneli Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji –…
Read More

PROJEKTPLATFORMA …

Projektplatforma ime për ringritjen dhe për fitoren e pushtetit nga opozita  demokratike Nga Skënder Sadri KAPITI Të dy partitë politike kryesore…