TAHIR GECAJ: SHTETËSIA SHQIPTARE E DREJTË E NATYRSHME, POR (…) ?!

 Pashtriku.org, 10. 01. 2013 – (Nga Ditari: Zbritja drejt viteve të shkuara 1991-1995) – Kohë më parë Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë, mbase i ndikuar nga entuziazmi dhe euforia e shfaqur nga shqiptarët, kudo që gjenden, në prag dhe gjatë Kremtimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar, e shfaqi idenë për miratimin e një Ligji në Parlamentin shqiptar, me të cilin do t`i mundësohej secilit shqiptar, kudo që gjendet, për ta gëzuar të drejtën e shtetësisë së shtetit shqiptar – Shqipërisë. Dhe, shikuar në raport me rrethanat aktuale, kur dihet se jashtë kufinjve të Shqipërisë shtetërore, jetojnë më shumë shqiptarë se sa brenda saj, një vendim i tillë është mjaft i guximshëm, por, edhe i ndërlikuar për ta realizuar.

Ndërkaq, tani, pas kalimit të euforisë së kremtimit, e lus lexuesin eventual të këtij shkrimi, që mos t`ma shohë për të madhe për zbritjen gjatë viteve të shkuara për t`u ndalur fillimisht në vitin 1995, kur e pata bërë një përpjekje të pa sukses për ta marrë shtetësinë e Shtetit shqiptar, e, për të cilën flet fare qartë dokumenti në vijim:
1. Letra kthyese – përgjigjja ndaj kërkesës sime për shtetësinë shqiptare, e marrë nga Kabineti i Presidentit të Shqipërisë, zotëriut Sali Berisha, në vitin 1995

Siç mund të shihet nga letra e Kabinetit të Presidentit Berisha, nga unë kërkoheshin dokumentet origjinale, pa marrë parasysh faktin se në letrën që ia pata dërguar, më 5 qeshor 1995, i pata shkruar imtësisht se cili isha dhe pse më duhej shtetësia e shtetit shqiptar. E, pra, përkundër atyre informatave, Kabineti i Presidentit Berisha kërkonte nga unë që të kthehesha atje ku s`mund dhe s`duhej të kthehesha për t`i marrë dokumentet origjinale, të verifikuara , të noteruara dhe të përkthyera për ta filluar shqyrtimin mbi dhënien e shtetësisë.
2. Letra e dërguar Presidentit të Republikës së Shqipërisë – Zotit Sali Berisha nga qyteti Zug i Zvicrës, më 5 qershor 1995
Fillimisht Presidentin apo Kabinetin e tij, në letrën time e pata informuar se quhesha: Tahir R. Gecaj, i lindur në Llukë të Poshtme të Deçanit, banor i Prishtinës, Rruga e Goleshit 8 / ll,; se në çastin kur i shkruaja letër, isha me qëndrim në Zvicër, me status të pranuar të refugjatit politik; se UDB-a serbo-shqiptare më kishte burgosur në vitin 1982, kurse Gjykata e Qarkut e Prishtinës, me Vendimin P. nr. 142/85 të datës 11.10.1985 në një proces të montuar politik, më pat shpallur fajtor duke më dënuar me 12 vite heqje lirie, dënim i cili në Shkallën e dytë e zbritën në dhjetë vite; se pas vuajtjes se dënimit nga kërcënimet e përcjelljet e vazhdueshme të policisë sekrete serbo-shqiptare isha i detyruar të arratisesha në shtetin e Zvicrës me bashkëshorten dhe fëmijët etj.
Në vazhdim, Presidentit Sali Berisha, i pata shkruar : „ (…) Zoti President, vendosa të kërkoj nga Ju që përmes procedu¬rës së rregullt të ma mundësoni të drejtën e marrjes së shtetësisë shqiptare, të cilën unë nuk e kuptoj si privilegj, por si të drejtë të natyrshme, e cila fatkeqësisht, nuk mund të fitohet vetëm në sajë të qenies pjesëtar i etnitetit shqiptar, e as vetëm në bazë të dëshirës së individit, në veçanti në rrethanat aktuale, kur rreth gjysma e shqiptarëve gjenden jashtë kufinjve administrative të Shtetit shqiptar. Sidoqoftë, zoti President, unë do të përpiqem ta arsyetoj kërkesën time të natyrshme për të qenë shtetas i Shqipërisë, duke qenë i vetëdijshëm si për të drejtat dhe obligimet, e po ashtu edhe për përgjegjësinë që shtrohet para individit, por natyrisht edhe para Shtetit shqiptar e institucioneve të tij në këtë periudhë të përndjekjeve të mëdha që u bëhen shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serbo-malazez me qëllimin final: pastrimin etnik të Kosovës. Dhe, pikërisht këtu qëndron çështja, sepse në periudhën që po e lëmë pas, u bënë shpërngulje të mëdha, si nga Kosova ashtu edhe nga viset tjera shqiptare.
Për fat të keq, në këto valë të të degdisurve, u gjend edhe një numër relativisht i madh i ish – të dënuarve politikë, të cilët pas vuajtjes së dënimit, në vend se të integroheshin në proceset jetësore, u detyruan të largohen nga Kosova, qoftë nga represioni i sërishëm serb, qoftë nga droja e burgosjes së sërishme, ata u vendosën në shtetet e Europës Perëndimore, ku shumica prej të cilëve e gëzojnë statusin e refugjatit politik.
Ky Grupacion relativisht i madh nuk është rehabilituar e as pranuar, së pakut në aspektin moral, as nga Parlamenti i Kosovës, as nga Qeveria e përkohshme, e, madje as nga Presidenti i Kosovës (Ibrahim Rugova – Sh.B). Prandaj, zoti President, kjo është ajo kategoria e shqiptarëve të Kosovës që kanë ngelë pa atdhe në rrethanat aktuale, deri sa Serbia të administrojë me Kosovën. Dhe, mund të them pa e patur mandatin e këtij Grupacioni, të cilit i takoj edhe vetë se kjo është ajo kategoria e shqiptarëve të Kosovës që iu duhet nënshtetësia e Shtetit shqiptar, sepse ata nuk duan e as nuk e meritojnë të vdesin e të varrosen varrëzave të Europës e të bo¬tës.
Mund të ketë përjashtime, por mund të konstatoj me përgjegjësi se kësaj kategorie të shqiptarëve të përndjekur, shtetësia e Shtetit shqiptar nuk ju duhet as për fitime materiale, as për “biznes”, e as për të manipuluar me të, ndonëse krijohet përshtypja se në disa rathë të zyrtarëve shqiptarë ekziston opinion i tillë përkitazi me “kosovarët” e pranishëm në Shqipëri apo përkitazi me shqiptarët e Kosovës në përgjithësi.
Me ndjeni, zoti President nga se unë i inicova ca çështje për të cilat Ju pa dyshim jeni të informuar, por megjithatë, unë mendoj se Ju dhe autoriteti Juaj mund të bëni shumë që koso¬varët e ngelur pa atdhe, ta kenë atdhenë e vet edhe në aspektin formalo-juridik.
Edhe përkundër faktit se unë në këtë letër do të duhej të ndalem kryesisht në çështjen time personale e familiare, e preka përciptazi edhe problematikën e Grupacionit të ish-të dënuarve politikë, që kaluan vite të tëra burgjeve jugosllave, jo për ideologji siç përpiqen t’ua mveshin sot, por për avansimin e statusit të Kosovës nga krahina në Republikë, si edhe ta avansojnë statusin e shqip¬tarëve të Kosovës nga kombësia në komb me të drejta të barabarta me kombet tjera të shtetit të atëhershëm jugosllav.

3. Për ish- të burgosurit politikë – Kroacia në rol të shtetit amë
Mendoj se përkundër një vonese relativisht të gjatë, është e udhës të thuhet hapur së Republika e Kroacisë në periudhën e zënë ngojet, ishte vënë në rolin e shtetit amë për një numër jo të vogël të të përndjekurve politikë shqiptarë të Kosovës. Organet kroate pa kurrfarë pengesash, mirret vesh edhe në sajë të korrektësisë dhe të angazhimit edhe të shqiptarëve nga Kosova që gjendeshin në Kroaci, na e lehtësuan largimin nga Kosova dhe nga rreziku i riburgosjes së shumicës prej nesh. Prandaj, ndonëse me vonesë, e shpreh falenderimin tim ndaj organeve të atëhershme të Republikës së Kroacisë dhe natyrisht edhe ndaj shtetit të sotëm kroat, i cili tashmë po shkon drejt Europës së Bashkuar.
Ja dokumenti mbi vendbanimin pas të cilit i pata marrë Letërnjoftimin dhe Pasaportën, dokumente ato të cilat ma mundësuan largimin nga Kosova, në gusht të vitit 1991.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura