Pashtriku.org, 20. 06. 2014 – Më 27 shtator 1923 në Tiranë, u mbajt sesioni i IV’të i Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, ku u prezentua një raport i qeverisë së atëhershme shqiptare në krye me Ahmet Zogun dhe në fund u kërkua një votbesim nga KKSH’ja. Në këtë sesion të parlamentit shqiptar, në emër të opozitës mbajti një fjalim Fan S.Noli. Me këtë rast po shkëpusim një pjesë të fjalimit të tij, që ka të bëjë me anarkinë shqiptare, e cila për fat të keq po mbretëron tishtueshëm edhe sot në politikbërjen shqiptare!
Fan Noli, duke krahasuar qeverisjen Ahmet Zogut me një ngjarje që i kishte ndodhur kontit gjerman Til Ulenshpigel në fjalimin e tij parlamentarëve të pranishëm ju thotë:
“Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, po të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.
E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrëj në zemrën e një populli pagan.
E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.
E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zon; këtu karakteret dopësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyr ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda një dite, si për magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” dhe flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shenjtërojnë anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë që njeri të jetë trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.
E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky tregim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët dhe trupin…
(…)
SHIKONI VIDEON: