PROF.ABDYL KADOLLI: AKADEMIA E KOSOVËS ËSHTË MAJA E AJSBERGUT E TË GJITHA TË LIGAVE TË SAJ!

Prishtinë, 15. 03. 2014 – Akademia sot është një laborator intrigash e shpifjesh, ku lodron virusi HIV. Urithet e saj grithin edhe gjuhën letrare. Aty sot janë strehuar: nënshkrues të aneksimit të Kosovës nga Serbia, ish’sekretar komitetesh, ish’pushtetar të pushtimit, ish’shefa kabinetesh politike, doktorant të vetëqeverisjes socialiste jugosllave, denoncues, diferencues e agjentë të ndryshëm. Keni parë ndokund akademi me dy kryetarë partie politike? Shihni emrat e klanit të akademikëve dhe lexoni biografitë e tyre në http://www.ashak.org/.
Zor të qëndrojë aty ndonjë akademik i denjë
Pamfleti i gjeografit Hivzi Islami kundër akademik Rexhep Qoses më zgjoi asociacionin e një prokurori famëkeq në fund të LDB’së, që më vonë ishte bërë shkrimtar, duke u shpallur edhe disident!! Janë dy emra që bashkëtingëllojnë: Hivzi Sulejmani nga Peshteri i Sanxhakut dhe ky Hivzi Islami nga Letovica e Bujanocit.
I pari kishte pushkatuar me gjyqe komuniste mijëra nacionalistë shqiptarë, ndërsa ky i dyti derdh sot kupën e helmit mbi Sokratin shqiptar, duke shpallur anatemën e Akademisë për linçimin politik, moral e intelektual të Rexhep Qoses, si në kohën e inkuzicionit ndaj heretikëve.

Emri Hivzi më përkujtoi edhe virusin HIV, për të cilin ende nuk është zbuluar vaksina shëruese.
Ky pamflet i intrigave është aferë e Akademisë, një elaboratë i klanit akademik, që ka zanafillën te Morfologjia e një fushate, 1980. Është kjo një fushatë e re e luftës speciale për përdhosjen e dinjitetit intelektual të akademik Rexhep Qoses.
Për këtë dëshmon edhe kërcënimi i ASHAK’ut drejtuar ASHSH’së: “Seleksionimi i tillë i njëanshëm dhe ndërhyrja paternaliste mund të ketë implikime serioze në bashkëpunimin midis dy institucioneve.”, thuhet në letrën publike nënshkruar nga nënkryetari i saj pulent Pajazit Nushi, më 5 mars 2014.
Anatema
Klani akademik ka shpallur anatemën për linçimin politik, moral e intelektual të akademik Rexhep Qoses.
Përse?
– Përse ka kritikuar partizimin, provincializmin e privatizimin e Akademisë.
Përse ka kritikuar Akademinë që nuk ka hequr ende nga anëtarësia Titon dhe Sinan Hasanin. Nuk është aq i çuditshëm pranimi i tyre politik në atë kohë, sa figurimi i tyre në Akademi edhe pas çlirimit të Kosovës.
Arsyetimi i Akademisë është shumë skandaloz: “..heqja nga lista e kujtdo që është pranuar njëherë në Akademi është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me të gjitha parimet e akademive të botës.” -, thuhet në letrën e mësipërme.
Kjo tingëllon shumë groteske, sikur ata të ishin farë shenjtorësh!
Tamam Akademi e Titos, sepse ai ishte kumbar i saj!
Akuzohet Qosja përse nuk ka ngushëlluar për akademikët e ndjerë, që ishin përulur deri në tokë para satrapit serb në Dedinje, më 15 maj 1998.
Përse nuk ka ngushëlluar për një poet tellall, të humbur në labirinte groteske?
Pastë shëndet Qosja e të shkojë në kryeshëndoshë të akademikëve të tjerë!
Ky klan sllavofil, që ka uzurpuar sot Akademinë, kërkon madje edhe dorëheqjen e Qoses nga Akademia.
Çfarë kanonesh paska kjo Akademi për ta përjashtuar dikë?
Mirëpo, më parë se Qosja, dorëheqje do të duhej të jepte gjithë klani i Akademisë dhe i ashtuquajturi kryetar i saj.
Tash po shihet se Akademia e Kosovës është maja e Ajsbergut e të gjitha të ligave të saj. Ajo nuk mund ta përfaqësojë sot shkencën dhe artin e Kosovës.
Sokrati shqiptar
Qosja është një intelektual i rrallë jokonformist, me vetëdije të lartë kritike, prandaj sot ka edhe shumë miq e adhurues të veprës së tij, por edhe shumë oponentë mediokër e armiq morbidë. Në shënjestër të kritikës së tij janë dukuritë negative me pasoja shoqërore e kombëtare dhe bartësit e tyre.
Ai është Sokrati shqiptar, që bie ndesh me mendësinë primitive, me pushtetarët që bëjnë krime kombëtare dhe me të gjithë deledukët e tjerë të sojit të gjeografit nga Bujanoci.
Qosja përfaqëson sot edhe rrymën intelektuale kombëtare, që ndeshet me pasojat e pushtimit. Kosova është çliruar fizikisht, por jo edhe nga sindromi sllav, nga mbeturinat e jugosllavizmit.
Qosen e mbron më së miri vepra e tij monumetale shkencore, artistike dhe publicistike. Le të lehin e turren qentë në Panteon!
PROKURORI I LETOVICËS
Në këtë pamflet të pistë i vetëshpalluri kryetar i Akademisë së Kosovës del në rolin e informatorit, hetuesit dhe të prokurorit nga Letovica e Bujanocit, me traditë familjare për denoncime dhe intriga morale e politike. Portreti i tij i përngjan shumë personazhit Danjolli i Sherkës të romanit ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ (1974) të Rexhep Qoses, i përkthyer në gjashtë gjuhë të botës. Një buf me sy të çakërritur, me jele gjokë të kreshpëruara dhe me poza snobe të akademikëve të huaj.
Profkat
Ky angërduf kapardiset e vardiset gjithandej dhe kërcen si karkalec.
Pse Qosja paska braktisur studimet pasuniversitare në Beograd, që ua kishte lëshuar Hivziut me shokë.
Pse paska doktoruar pa magjistraturë, kur kishte tri vepra të botuara nga kritika letrare, sa tri magjistratura! Qosja me veprat e tij shkencore deri tash ka doktoruar 100 herë.
Se paska bërë kompilime shkencore, madje ia paska vjedhur edhe hartat e përkthimet këtij gjeografi Ptolome, që nuk ishin as të tijat!
Ky gjeograf mediokër ka kompiluar shumë nga historianët Hakif Bajrami e Muhamet Pirraku etj.
Ky buf nuk sheh se modelin e këtij pamfleti, me shpifje e fshikullime, e ka stërkopjuar nga dikush tjetër. Edhe vetë pamfleti i nënshkruar nga ai është elaborat i gjithë klanit akademik.
Po, ç’merr vesh ky kreten në letërsi!
Sytë e Argusit i vret kompleti i veprave të Qoses, financuar nga Qeveria e Kosovës. Hesht ai si janë financuar kompletet e kolegëve të tij akademikë! Vepra monumentale e Qoses peshon më rëndë se gjithë Akademia e Kosovës.
Shpifjet
Ky sharlatan shpif se Qosja paska deklaruar luajalitet ndaj Jugosllavisë, kur atë e kishte mohuar shumë herë me vepra shkencore: Nezasticena sudbina: O Albancima u Jugoslaviji danas, HSLS, Zagreb, 1990/ Populli i ndaluar, Prishtinë, 1990./, Strategjia e bashkimit kombëtar, 1992, Çështja shqiptare, historia dhe politika, 1994, / La question Alabanaise, Fayard, Paris, 1995./.
Shpif se Qosja paska pasur takime sekrete me liderë jugosllavë në fillim të viteve ’90 për ndarjen e Kosovës, por nuk thotë në çfarë cilësie. A ishte aty Hiv-ziu informator i KOS’it?
Ky grindavec fut turinjtë edhe në të palara e intimitete. Ai intrigon se orgjitë e Qoses paskan shkaktuar krizë bashkëpunimi mes dy universiteteve (Sic!). A thua ua paska mbajtur llambën e Aladinit ky HIV?! Në histori gjenitë njihen si njerëz të guximshëm dhe dashnorë të mëdhenj të lirisë, ndërsa qyqarët kishin përfunduar gjithmonë në viagër!
Akuzat
Akademik Rexhep Qosja akuzohet për atë që kishte luftuar gjithë jetën me veprën shkencore, artistike e publicistike.
Akuzohet për njerëz të UDB’së e KOS’it në Institutin Albanologjik dhe për denoncim të demonstratave. Mirëpo, Hiv-ziu hesht për njerëzit e këtillë në Universitetin e Prishtinës, sidomos në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin e Shkencave Natyrore, ku ai ishte shef i Katedrës së Gjeografisë dhe prodekan. Fakulteti i tij ishte dalluar shumë në diferencimet politike, sidomos nga ata me formula algjebrike e kimike. Atëherë kori i Akademisë dhe vetë ky Hivziu kishin dënuar publikisht ato demonstrata. Vetëm Profesor Ukshin Hoti kishte përkrahur publikisht Demonstratat historike ’81 dhe dihet fati i tij tragjik. Rexhep Qosja ishte shkarkuar nga drejtori i Institutit Albanologjik dhe bashkë me Ali Hadrin e Gazmend Zajmin ishin ndëshkuar partiakisht, duke iu mohuar edhe e drejta e botimit.
Diferencuesit politikë sot janë kolegë të Hivziut në Akademi. Le t’i pyesë ata se kush kishte shkruar e kënduar më shumë për Titon e Sinan Hasanin, kush ishte zgjedhur atëherë sekretar partie në Instiutin Albanologjik dhe në Fakultetin Filozofik?
Akuzohet Qosja se ka mbështetur parimin e vetëvendosjes kombëtare, duke nënkuptuar edhe këmbimin e territoreve e të popullsisë. Qosja e shihte këtë si një zgjidhje të përhershme dhe mundësi të bashkimit kombëtar. Koha do të dëshmojë drejtësinë e këtij parimi.
E vërteta
Përnjëmend Qosja kishte bërë thirrje për qëndresë gjatë bombardimeve, por kishte ikur si shumë të tjerë, për shkak se nuk kishte kurrfarë organizimi të vetëmbrojtjes. Vetëm Presidenti (historik) kishte mbrojtur Kosovën, duke u ruajtur e përcjellë nga policia serbe!
Po ku na ishte atëherë ky farë trimi?
E paska pasë dëshiruar shumë fatin e Qoses si të Aganit!
Mirëpo, ky akademik sharlatan nuk e njeh as politikën, as historinë.
Gjatë viteve ’90 u mundua t’i paqësonte fshatarët, por kur ata kuptuan dredhitë e tij, e ndoqën me hunj gardhi. Ai ishte një pulent i pacifizmit dhe priste që me marrëveshje të arsimit dhe institucione fiktive të çlirohej Kosova. Pas këtij dështimi politik ai gjeti strehim në Akademi.
Pas luftës Qosja kishte dalë humbës në politikën e ditës, sikur edhe UÇK’ja. Mirëpo, ata dolën ngadhënjimtarë në histori, duke krijuar epokën e lirisë. Qosja nuk mund të ishte Ati i kombit, sepse nuk e kishte turmën pas.
Monumentin e Skënderbeut e sollën në Prishtinë ata që s’kishin bërë asgjë për lirinë e Kosovës, vetëm për të mbuluar pseodopatriotizmin e tyre. Hivzi Islami duhet të rrëfehet sot për skizofreninë e tij patologjike, insinuatat primitive dhe gjuhën e pistë.
Të rrëfehet se kush e futi atë në Akademi me referate e tekste shkollore dhe kush e zgjodhi kryetar të saj?
Ai nuk shënon kurrfarë emri në shkencën shqiptare.
Ai nuk mund ta përcaktojë as vendin e ngjarjeve dhe të personaliteteve kombëtare në histori.
AKADEMIA HERMETIKE
Në Kosovën e çlirimit janë ndërtuar insitucionet shtetërore e arsimore, po nuk janë reformuar institucionet e mëparshme shkencore e kulturore. Lufta çlirimtare kishte prerë të kaluarën e pushtimit dhe nuk mund të kishte vazhdimësi të formave të vjetra. Edhe Akademia duhej të reformohej me statut të ri dhe t’i hapte dyert e demokratizimit. Mirëpo, kjo Akademi megalomane, me kanone dogmatike mesjetare, e heq veten mbi institucionet shtetërore e kombëtare. Ajo sot është e mbyllur hermetikisht. Jashtë saj kanë mbetur shkencëtarë e artistë të merituar dhe të gjitha institutet shkencore e arkivat.
Përveç kontributeve individuale të akademikëve Gazmend Zajmi, Ali Hadri dhe Rexhep Qosja, Akademia nuk ka bërë asgjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo ishte një pulente në hijen e pacifizmit të pushtimit.
Akademia sot është një laborator intrigash e shpifjesh, ku lodron virusi HIV. Urithet e saj grithin edhe gjuhën letrare.
Aty sot janë strehuar: nënshkrues të aneksimit të Kosovës nga Serbia, ish’sekretar komitetesh, ish’pushtetar të pushtimit, ish’shefa kabinetesh politike, doktorant të vetëqeverisjes socialiste jugosllave, denoncues, diferencues e agjentë të ndryshëm.
Keni parë ndokund akademi me dy kryetarë partie politike? Shihni emrat e klanit të akademikëve dhe lexoni biografitë e tyre në http://www.ashak.org/.
Zor të qëndrojë aty ndonjë akademik i denjë!
Akademia është institucion shtetëror, që financohet nga shteti dhe duhet t’i përgjigjet atij. Shteti ka ndërtuar objektin modern të Akademisë dhe financon veprimtarinë e saj, por aty qëndrojnë njerëz të vjetër me psikologji e filozofi sllavofile, sepse janë brumosur në atë frymë.
Ajo sot është më shumë një klub pensionistësh të sklerozuar me paga nacionale, ndërsa disa edhe me dy-tri paga.
Vetëm ligji europian i lustracionit mund ta bëjë katarzën e kësaj Akademie dhe të shoqërisë kosovare. Kompromiset dhe aleancat joparimore e shkatërrojnë atë.
Sot Akademia është shumë pranë Ministrisë së Shkencës dhe të dyja qëndrojnë si dy nuse të paluara.

Prishtinë, 14 mars 2014

– Abdyl Kadolli është kryeredaktor i revistës letrare “Metafora” dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

****************************
– REAGIM NDAJ SHKRIMIT –
HIVZI ISLAMI: 55 PYETJE PËR “ATIN” E KMBIT!
http://www.telegrafi.com/lajme/55-pyetje-per-atin-e-kombit-26-6580.html

————————————–

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura